Saturday, 21 September 2019

Ligjërimi historik në veprat e Kadaresë dhe Kazanzaqisit.


Ballkani është një trevë e Europës që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaledoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm.
Kultura siç është tashmë e njohur është pashmangërisht e lidhur me historinë. Herodoti, historiani i parë dhe nga më të shquarit në historinë e njerëzimit para se të jetë një raportues dhe mbledhës faktesh është një kulturolog i madh që në udhëtimet e veta përshkruan vende, popuj, zakone e rite të tyre. Kjo traditëherodiane u bë baza për gjithë etnografinë europiane në vijim.[1] Edhe pse përshkrimi i Herodotit në vazhdim ka hasur në kritika të ndryshme, larshmëria e popujve në Ballkan dhe raporti i tyre me pushtetin otoman ka krijuar paradigma dikotomie të përshkruara dhe në letërsitë përkatëse. Herodoti përfaqëson , pra në një këndvështrim kulturor që mund të përkufizohet si “para orientalist” në kuptimin e zhvilluar nga orientalisti amerikan Edëard W. Said si një dallim ontologjik dhe epistomologjik i bërë midis Lindjes( dhe në të shumtën e kohës ) dhe Perëndimit.[2] Këto tipare të nisur që herët në kulturën e rajonit janë pasqyruar dhe në letërsitë e dy vendeve fqinj, në letërsinë greke me veprën e Kazanzaqit dhe në letërsinë shqipe me veprën e Kadaresë.

Ligjërimi historik i trajtimit të së shkuarës otomane të Kretës, atdheut të Kazanzaqit dhe Shqipërisë nga Kadare është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë greke dhe shqiptare me Perandorinë Otomane por edhe identifikimin e prototipeve letrare që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Nga pikëpamja historike në mënyrë jo shumë të identifikuar më herët dhe të trajtuar në historiografitë përkatëse është fakti se në vitin 1669 kur Kreta bie në duart e otomanëve, fillon dhe procesi i islamizimit masiv në Shqipëri. Rënia e Kretës në duart e otomanëve shënoi shpresën e fundit në popullsitë arbëre se Venediku do të mund të përballonte Perandorinë Osmane në Mesdheun Lindor , dhe për herë të parë kemi fillimin i islamizimit në rajonet malore sepse deri atëherë ky fenomen kishte ndodhur më shumënë qendrat urbane. Një gjë e tillë ndodh e dhe në Kretë duke krijuar një paradigmë të veçantë bashkëjetesë e konflikt në të njëjtën kohë, të popullsive me besim të ndryshëm fetar që ndihet në romanet e Kazanzaqit dhe të Kaderesë.
Zhanri i romanit historik duket se është zhanri letrar që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të  ligjërimit historik  në romane historike.Në fillim të shekullit të XIX , kombet ende nuk kishin një histori të mirrëfilltë. Edhe ata që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar.[3]Ky proces që në Europë fillon me romanet e Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit kur ata krijojnë shtetet e tyre kombëtarë. Kazanzaqi dhe Kadare në mëyrë të pavetdijshme duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të Shqipërisë dhe Kretës në romane historike, kanë krijuar një epope historike që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativë për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.[4]
Vepra letrare e Kazanzaqit ka në thelbin e vet një aspekt herodian , sidomos në librat e përshkrimit të udhëtimeve. Përvojat e tij personale të akumuluara gjatë këtyre udhëtimeve kthehen në mini novela ku gëlojnë personazhe, ngjarje, vende dhe popuj të ndryshëm të larmishëm në llojin e vet. Por ajo që mbetet karekteristike për veprën e tij është pasqyrimi dhe përshkrimi i jetës së Kretës, njerëzve të saj, pasioneve dhe lirisë individuale dhe asaj kolektive të popullit të Kretës.
Dy romane të Kazanzaqit që përshkruajnë me detaje popullsinë, jetesën , pasionet dhe rrugën drejt lirisë janë “Kapedan Mihali” dhe “Krishti kryqëzohet përsëri”. Kapedan Mihali i botuar i plotë në Shqipëri pas viteve 90’ka në thelb të tij mesazhin e lirisë, nganjëllimin ndaj frikës së egzistencës dhe përçimin e mesazhit universialist të lirisë politike kolektive si një e drejtë vetëvendosje e një populli. Në këtë aspekt deviza “Liria a Vdekje” një devizë e përdorur gjerësisht në Ballkan, në romanin e Kazanzaqit merr një vlerë të veçantë dikotomik, pasi identifikon jo vetëm dëshirën e mbijetesës së një populli por edhe reshtimin në dy krahë të kundërt të gjtihë popullsisë së ishullit. Kapedan Mihali është një personazh i skalitur mirë nga Kazanzaqi.
Ai mbetet një hero që të mbetet në mendje të lexuesit si kur është një njeri i thjeshtë që gjallon rrugëve të Hanias, Iraklios e Kretës si dhe kur fillon të jetë udhëheqësi i tyre në kryengritje. Kazanzaqi krijon personazhe e karaktere që kthehen lehtësisht në simbole të Kretës dhe të grekut kryengritës të fundit të shekullit të XIX, kurse në veprën e Kadaresë “Kështjella” ndodh dukuria tjetër e perspektivës letrare. Narratori rrëfen në vetën e tretë shpesh herë dhe në vetën e parë nëpërmjet optikës së Pashait osman, Tursun Pashait çka nuk lë mundësi që të identifikosh me një personazh popullin arbër si te Kazanzaqi. Skënderbeu ose Gjergji ynë siç quhet në roman është i padukshëm dhe më tepër ështësi një frymë që duket , zhduket , shfaqet dhe  godet kampin osman.
Grupimi i personazheve tek romani “Kështjella” i shërben më tepër për të treguar atmosferën e përlasjes arbëre-osmane sesa konfliktet sociale dhe perspektivat e ndryshme të shtresëzimeve sociale. Në pamje të parë duket se të dy romanet i ndan një periudhë e gjatë kohore, por në fakt konflikti Lindje–Perëndim dhe ditomia që reflektohet rreth këtij binomi ndihet njësoj në roman. Në romanin “Kështjella”, ka një lojë simbolesh të përplasjes së madhe arbëre-osmane që sigurisht ndihet e njëjtë dhe në romanin Kapedan Mihali të Kazanzaqit. Kryqi dhe flamuri prodhojnë ligjërimin politik që identifikojnë në romanin “Kështjella”, idenë e Europës dhe të përkitjes në qytetërimin europian për arbërit. Pas dërgimit të dërgatës së parë osmane dhe kërkesës për tu dorëzuar, kështjellarët përgjigjen duke refuzuar. Përgjigjia jonë ishte e shkurtër dhe e prerë: as shkaba, as kryqi s’do të shkimeshin kurrë nga qielli ynë dhe se ne atë shenjë dhe atë fat kishim zgjedhur e nën ta do të qendronim.[5]Ndërsa tek Kazanzaqi gjejmë një lloj tjetër ligjërimi ku personazhi vetidentifikohet me një shqiponjë dhe simbolikë të rëndësishme ka kryqin. Ajo nuk kalon përmes procesit të paracaktimit të fatit historik por përkundrazi është një rebelim ndaj pakanëqësisë që sundon në Kretë, duke implikuar dhe vet Zotin si bashkëluftëtar në fatin e Kretës.
Sa e bukur është Kreta! Murmuriti ai.-Sa e bukur! Do të doja të isha shqiponjë , që ta sodisja të tërën nga qielli. Ç;është e vërteta, po të kalonte një shqiponjë përmbi të në mes të ditës, do të shiojnte të gjitha bukuritë e saj: valëzimet e trupit të saj të nxirë në diell, të brigjeve të saj të shndritshëm, disa të kthjellët e ranorë, disa të egër e të thepisur e të kuq si gjaku. Do të kënaqej kur të shikonte fshatrat,shtëpitë, manastiret, kishat dëborë të bardha mbi shkëmbenjtë e errët të malit ose të ngulura thellë në truallin e fushave. Dhe me tre qytetet e saj martirë, të sklavëruar nga turqit, rrethuar me muret e tyre veneciane dhe me kishat e shndruar në xhami: Hania, Rethimno dhe Kandia. Edhe vetë perëndia do ta shihte, po të mos e kishte harruar prej shumë brezash, po të mos ua kishte dorëzuar turqve, me trup e shpirt. Jo me trup e shpirt sepse kretasit qendronin, ngrinin krye dhe nuk pranonin të vinin emblemën e tyre nën emblemën e Zotit. Kjo ishte e padrejtë! Dhe ata luftonin si për të vënë në vend këtë padrejtësi të padurueshme. Edhe vetë Zoti është luftëtar- mendonin ata, ai patjetër që lufton diku, në ndonjë planet tjetër kundërtë tjerë turqsh. Le ta thërresim.  [6]
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i ligjërimit historik i ndjeshëm në të dy romanet është ndjesia e të qenit vetëm dhe të izoluar në këtë konflikt për jetë a vdekje midis arbërve dhe osmanëve apo grekëve dhe dhe osmanëve. Shoqëritë ballkanike për një kohë të gjatë kanë qenë shoqëri të izoluara dhe çdo ndihmë apo përpjekje të Europës për tu çliruar nga sundimi osman  e kanë parë me dyshim ose si një përpjekje jo të mjaftueshme nga ana e europianëve. Madje shpesh herë ligjërimi historik në romanet historikë  ka bërë të mundur për të dhënë argumenta dhe ligjërimit politik që i ka korrosponduar kohës e rrethanave politike  kur janë shkruar romanet.
Në dialogun midis kryeveqilharxhit dhe kronikanit Mevlea Çelebi ka një moment kur kronikani shpreh habi sesi ka mundësi që osmanët bashkëpunojnë me venedikasit për të siguruar ushqimet, kryeveqilharxhi përgjigjet.
-Sulltani ka bërë një marrëveshje me Venedikun, që tregtarët e tij tí shesin ushqime dhe pajime ushtrisë sonë. Ti ke të drejtë të çuditesh, -vazhdoi tjetri-Ti thua me vete se ne, nga një anë fajësojmë Skënderbeun se është shitur te frëngu dhe , nga ana tjetër, bëjmë marrëveshje me frëngun, në shpinë të tij. Edhe unë po të isha në vendin tënd kështu do të habitesha.-Kryeveqilharxhi bëri një nga ato buzëqeshjet e zakonshme, ku nuk merrnin pjesë sytë.-Çti bësh, Mevla Çelebi, kështu e ka politika.[7]
Bashkëpunimi osmano-venedikas në kurriz të Skënderbeut është i egzagjeruar pasi historikisht dihet se Sinjoria e Shenjtë ishte një nga aleatët më të ngushtë të Skënderbeut por koha në të cilën është shkruar romani, vitet 70’ kanë qenë vitet e izolimit komunist të Shqipërisë ku perëndimi anatemohej si fuqi që dëshironte shkatërrimin e saj.
 E njëjta situatë, ku populli grek i Kretës lufton  kundër të gjithëve shfaqet dhe te romani “Kapedan Mihali” i Kazanzaqit. Ka popuj, njerëz, që i bëjnë thirrje zotit me anën e lutjes dhe të të qarave, të tjerë me anën edurimit dhe të nënshtrimit, të tjerë me blasfemi. Kurse kretasit e thrrasin me të shtëna pushke. Ata vendosen te porta e Zotit dhe shtihen me pushkë , që tí dëgjojë ai.Rebelim sokëllin Sulltani, që i ndjen krismat dhe , i xhindosur , dërgon pashallarë, ushtarë dhe hunj me majë të mprehtë. “Paturpësi”! thërrasin evropianët dhe hedhin koracatat e tyre të hekurta kundër anijeve të vogla e të dobëta në mbytje e sipër midis Evropës, Azisë dhe Afrikës. Durim dhe kujdes mos na mbytni në gjak! Lutet Greqia e gjorë. Ja vdekje , ja liri përgjigjen kretasit. [8]Kazanzaqi anatemon gjithë botën, përfshirë dhe Greqinë duke e përshkruar luftën e popullit të Kretës  si një luftë të vetmuar kur në të vërtetë faktet historike tregojnë një përfshirje shumë të rëndësishme të faktorit evropian dhe vet Greqisë në zgjidhjen e statusit të ishullit.
Karekterizmi dhe përshkrimi i Tjetrit që është ndryshe nga shoqëria zë një vend të veçantë në të dy romanet. Në romanin “Kështjella” , ajo simbolizohet në ditominë Evropë-Azi, ku kjo e fundit përshkruhet përmes simboleve si hëna dhe kumte barbarie. Kronikani arbër para fillimit të sulmit osman mbi kështjellë, shprehet: Drita e hënës, siç duket, sa vente i turbullonte e i dehte. Poshtë nesh ishte Azia me tërë mistikën dhe barbarinë e saj. Gropa dhe terri që tëhej gati të na thithte të gjithëve.[9] Tek Kadareja ndihet kumti i përjetuar më vonë për fatin e Arbrit i transmetuar si tension në kontrastin Evropë-Azi, ndërsa tek Kazanzaqi ky tension përshkruhet përmes përçmimit për gjithçka turke që baret e gjallon në ishull. Kapedan Mihali kur hyn në shtëpinë e Nuri Beut shprehet se vjen era “turk”, kurse vizioni që sheh më së tepërmi në ëndërr është sikur pret me spatë të gjithë minaretë e Kretës.
Marrëdhëniet kulturore ballkanike, por sidomos ato shqiptaro-greke duke qenë se janë lëvruar në territore, që shpesh herë janë ndarë nga popullsi që kanë pasur të përbashkët mite dhe konvencione letrare jo rastësisht bëjnë të mundur, që në letërsitë e tyre përkatëse të shfaqen motive të njëjta, por të trajtuara sipas kushteve shoqërore artistike që kanë shoqëruar zhvillimin e letërsive. Në këtë drejtim duket sikur romani “Kapedan Mihali” është një vazhdim i romanit “Kështjella”, pasi dhe Kreta ka përjetuar një rrethim të egër për 25 vjet me radhë që lexuesit grekë nuk e njohin, kurse Kapedan Mihali i përngjet prijësave tanë malësorë të krishterë që flijohen në altarin e lirisë në betejat kundër osmanëve. Lexuesit shqiptar i mungon kjo figurë mitike në letërsinë e vet, e portretizuar në rrethana të tilla epike, prandaj romani i Kazanzaqit që kur është përkthyer duket sikur zgjuar një kujtesë kolektive dhe mbetet një nga më të preferuarit për publikun shqiptar.
Kazanzaqi me pak rreshta në fundin tragjik të Kapedan Mihalit , me nofkën Derri i egër, jep kuisententencën e gjithë përpjekjeve gati katër shekullore të ballkansve për të arritur lirinë politike. Një dritë i mbuloi fytyrën. A ishte gëzim njerëzor, përbuzje ndaj vdekjes? Apo dashuri e padurueshme për Kretën?[10] Mes këtyre trilemave është vervitur fati i popujve ballkanikë për mbijetesë, një trilemë që as Kazanzaqi nuk e zgjidh drejtë për së drejtë por nëpërmjet vdekjes së Kapedan Mihalit duket sikur jep pergjigjen se liria kërkon therrorë. Është pak a shumë një ëndërr që Kapedan Mihali nuk arriti dot ta shikonte dhe që tek “Kështjella” e Kadaresë vjen si një kumt historik e kulturor, në dialogun e grave të haremit të Tursun Pashait kur po ikin nga Shqipëria.
Oh, vetëm këtë udhë mos e bëfshim më,-rënkoi Exheri. Udhë skëterre!
Leshverdha i kishte përvdirur sytë përpara se të niste të këndonte me zë fare të ulët. Ishte një këngë e pikëlluar, me fjalë të pakuptueshme të vendit të saj.
-Prapë katundthe-tha Lejlaja kur u bë heshtje.-Me siguri, do kemi lënë pas Europën[11].




[1] Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006, fq 94
[2] Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006, fq 96-97
[3] Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006,  fq 162
[4]Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006, fq 163
[5] Ismail Kadare. Kështjella, Tiranë , Onufri: 2003f, fq 18
[6] Nikos Kazantakis. Kapedan Mihali, Tiranë : Bota shqiptare, 2007, fq 57
[7] Ismail Kadare. Kështjella, Tiranë , Onufri: 2003ffq 23
[8] Nikos Kazantakis. Kapedan Mihali, Tiranë : Bota shqiptare, 2007, fq 57
[9]Ismail Kadare. Kështjella, Tiranë , Onufri: 2003f, fq 55
[10]Nikos Kazantakis. Kapedan Mihali, Tiranë : Bota shqiptare, 2007, fq 488
[11]Ismail Kadare. Kështjella, Onufri: 2003, Tiranë, fq 286



No comments: