Tuesday, 22 November 2011

Baloja



Telefonata







Për të hequr mërzinë pas incidentit me njerëzit e papërgjeshëm që përmirrnin poshtë urës ashtu si qe mësuar ti thërriste me një term të huazuar nga Xheki, Baloja u drejtua drejt qendrës tregtare. Edhe pse ishte pak larg dhe të merrej fryma derisa të arrije deri aty , Balos i pëlqente ambienti ndaj nuk e llogariste lodhjen. Ai  mund të hipte dhe në ndonjë dumdum që kalonte gjithë zhurmë mes për mes qytetit për të mos u lodhur po Xheki i kishte thënë se dumdumi nuk kishte “klas”. Baloja nuk e kish kuptuar në fillim këtë fjalë, por Xheki që si gjithmonë e kish përgjigjen në majë të gjuhës për çdo gjë të panjohur ia kish shpjeguar, si nivel. Eh çdo të thotë të kesh për zot një vajzë të shkolluar kish ofsharë me vete Baloja dhe kish uruar që të gjente një të tillë dhe për veten e tij.
I zhytur në këto mendime Baloja kish arritur tek qendra. U avit tek kafeneja e njohur ku uleshin shumë njerëz të ngritur që Baloja e kuptonte si nga temat e bisedave apo dhe nga veshja e tyre dhe vuri veshin të dëgjonte se ç’po bisedonin tre burra të vjetër në moshë, me fytyra gjithë rudha dhe flokë të gjatë të zbardhur lëshuar supeve.
-Eh shoku Zylo po i thoshte njëri. Cfarë ke shkruar tani së fundmi?
- Për qentë ia ktheu shkurt burri që quhej Zylo duke iu dridhur paksa dhe duart
 që  i mbante në tavolinë pranë gotës së rakisë.
Për cfarë e pyeti burri sërish?
Për qentë, besnikërinë e tyre shtoi  Zyloja kur pa se fjalia e tij kish shkaktuar një reagim në fytyrat e dy miqve të tij. Ky qenka shpirt njeriu tha Baloja me vete dhe u përqendrua gjithë sy e vesh të dëgjonte bisedën deri në fund. Ne s’duhet të mërzitemi kur dikush na quan qen vazhdoi burri quajtur Zylo sepse nuk është ofendim por një kompliment që duhet ta respektojmë. Më thoni ju lutem a ka vlerë më fisnike se besnikëria? A nuk e prezantojnë këtë vlerë më së miri qentë?Jo më kot Naimi ka bërë goxha pjesëz këndimi për qentë. Dy burrat tundnin kokën gjithë respekt dhe pohim ndërsa Balua u ngazëllua dhe mendoi se kjo ishte një bisedë që duhej dëgjuar deri në fund dhe që patjetër mund të cyste dhe kureshtjen e Xhekit që vazhdimisht thoshte që si pëlqenin “gossip” Këtë atmosferë ngazëllimi si të burrave që dëgjonin Zylon por dhe të Balos që dëgjonte ata e prishi një zile celulari. Burri i quajtur Zylo nxori celularin nga xhepi e vuri në vesh dhe filloi të mbante vesh. Për disa sekonda s’u dëgjua gjë, pastaj Zylua i vrenjtur në paksa në fytyrë filloi të fliste.
-                          Nuk e bëj dot mor bir, më kupton. Ç’është kjo hata? Unë kam një jetë që se honeps dot çfarë bën ai njeri, ti më thua mere në telefon. Tipi matanë telefonit mesa duket këmbëngulte derisa u dëgjua Zyloja sërish të thoshte “Oj T’ëmën, nuk e bëj or jo’ S’është i njëjti por është tjetër. Ai është i veshur me lëkurë qengji dhe mbylli telefonin. Më falni u drejtua nga të tjerët por u nxeha.
-                          S’ka gjë – i thanë burrat. Njerëz jemi o Zylo. Vazhdojmë muhabetin- tha njëri prej tyre. Për qentë po flisnin.
-                          Ah po tha Zylo . Qentë  mësojnë të ecin, qentë mësojnë të nuhasin, qentë mësojnë të kafshojnë por dhe të....por sërish një zile celulari e ndërpreu. Zyloja e mori sërish celularin e vuri në vesh dhe filloi të dëgjonte. Pas disa sekondash filloi të fliste. Moj shpirtkë e babait nuk mundem, mos ma kërko këtë gjë. Por zëri andej vazhdonte të ishte këmbëngulës. Zyloja dëgjoi dhe dëgjoi për disa minuta dhe tha nëpër dhëmbë mirë-mirë
-                          Ç’është o Zylo e pyeti njëri nga burrat.
-                          Ah kjo jetë është jetë qeni tha Zyloja më duhet të bëj një telefonatë të uroj dikë për një fitore por s’ma bën zemra.
-                           Pse o  Zylo, ctë keqe ka ia ktheu tjetri ?
-                          Po unë kam bërë gam-gam tërë jetën tani do ta kthej. Ç’ti bëj kësaj kulishes sime që mi lidh këmbët se do të hapi panaire se super panaire pa të ishte për mua , as që do e merrja mundimin.
Baloja po dëgjonte tërë sy e vesh dhe s’po merrte vesh gjë. Buri i quajtur Zylo që e kish pëlqyer aq shumë dinte kaq shumë nga bota e tij, njihte instinktet e para të tij por dhe gjuhën që ai fliste thoshte që jeta ishte qene?Ç’të nënkuptonte vallë që ishte besnike apo qe ndonjë fjalë e ligsht? Baloja mendoi se Xheki duhej ti kthente një përgjigje dhe mendoi t’ia mbathte njëherë andej nga dyqanet e modës se mos e gjente sëbashku me të zonjën e vet.
                              













Poshtë Urës





Baloja vendosi të lëvizte nga bari buzë lumit dhe nga skena që e kish tronditur aq shumë. Këmbët filluan ta çonin instinktivisht  andej nga qendra tregtare ku ai e dinte që mblidheshin shumë njerëz. Balos i pëlqente të kalonte ndanë tavolinave dhe të dëgjonte biseda njerëzish sepse me to ai informohej. Xheki, qeni i lagjes tjetër që kishte për të zot një vajzë të shkolluar i kish thënë Balos se ato fjalë që ai dëgjonte dhe pastaj i bisedonte me të tjerë quheshin “gossip”. Baloja si një qen i ardhur larg nga fshati në qytet, nuk para i kuptonte mirë gjuhën e huaj ndaj dhe se kish vrarë mendjen shumë.E kuptonte që duhej të ishte diçka e keqe por  fundi, fundit ai s’bënte as më shumë e as më pak se ç’bënin dhe goxha njerëz të rëndësishëm që zbrisnin nga një godinë që quhej ministri dhe lexonin të gjithë bashkërisht një gazetë që Baloja e kish dëgjuar ta quanin “Blutooth”. Baloja i kish parë dhe dëgjuar me veshët e tij kur shkonte andej nga qendra e qytetit dhe rrinte thekej në diell buzë kafenesë që mund të dukej modeste nga jashtë por ishte e gjitha me njerëz të rëndësishëm që e frekuentonin.

Baloja papritur  u shkund nga mendimet, pa vendin ku ishte dhe vendosi të kthehej mbrapsht sërish tek bari buzë rrekëzës që njerëzit e quanin lum. Nga qëndrimi për një kohë në një vend e kishte marrë urina ndaj u drejtua si zakonisht nën urë , vendin që i kish treguar Xheki që në ditët e para ku kish zbritur në qytet si vend ku mund të kryente nevojat e tij personale. Fillimisht ai se kish kuptuar këtë këmbëngulje të Xhekit sepse me mendjen e tij arsyetonte se ashtu si në fshat ai mund ti kryente ku të donte, por Xheki i kish shpjeguar se tashmë ishte në qytet dhe përderisa ne qentë nuk kemi një vend si njerëzit që kanë ËC, atëherë ne duhet të zgjedhim një vend që bie më pak në sy se të tjerët. Balua e kish pranuar në heshtje arsyetimin e Xhekit dhe qysh atëherë e kish bërë zakon që ti kryente nevojat personale nën urë. Kur arriti nën urë ai e kuptoi se vendi atje nuk mund quhej vend intim. një autobus kish ndalur buzë rrugës dhe një turmë burrash dhe të rinjsh të veshur thjesht dhe me kostume zbrisnin të gjithë grupe-grupe njëri pas tjetrit dhe përmirrnin poshtë urës. Balua u ndje ngushtë, megjithatë vendosi dhe ai të përmirrte si të gjithë ata pasi fundi-fundit çfarëdolloj gjëje që do thoshte Xheki, vendi njihej nga të gjithë si WC e qenve. Kur ishte gati duke mbaruar, Balua ndjeu një godite të pabesë në ije dhe një burrë të stërmadh që bërtiste “Shko mor qen i ndyrë. Përmjerr këtu para syve tanë”. Balua u hodh tutke iu skërmit burrit dhe iu turr për ti dhënë një të kafshuar të mirë që t mbante mend për gjithë jetën. Mirëpo burri i kish marrë masat. Ai mbante në duar një copë hekuri që duhej ta kish gjetur aty pranë dhe e vërviste në ajër. Baloja iu shmang dhe iku matanë pasi e dinte shumë mirë nga eksperienca se nuk mund ta vinte dot me atë copë hekuri që burri e përdorte me shkathtësi. Iku duke vrapuar drejt qendrës i revoltuar për njerëzit që sulmonin me të kotë qenie paqësore si ai dhe i mërzitur për fjalët përçmuese i “qelbur”. Kush, kush është i qelbur përsiaste gjithë tërbim , ne që kemi WC tonë dhe shkojmë aty dhe i bëjmë nevojat personale apo ata që kanë gjithë atë administratë që i qeveris, që ata e quajnë Bashki dhe s’ndërton asnjë WC publike për njerëzit?!



I pashpirti





Baloja mund të kishte rreth një orë që po flinte kur papritmas e zgjuan disa zhurma të forta dhe të thirrura. I trembur hapi sytë dhe pa rreth e rrotull. Nga barangat përballë pa një burrë të shëndoshë ,barkmadh të zeshkët që ai e kish parë disa herë të rrinte në një kafene tek lagjja ku pinte raki, hante qofte dhe këndonte më të zvargur melodi të trishta. Burri kish  mbërthyer mes këmbëve të veta dy fëmijë të vegjël që i qëllonte me pëllëmba dhe u bërtiste: Qen, trego gjithë lekët ku i keni fshehur. Unë ju mbaj , ju vesh dhe ju të më fshini lekët mor qenër, qenër të pabesë. Fëmijët përpiqeshin të shpëtonin dhe mes ngashërimeve  belbëzonin: Babi,babi po s’kemi më lekë. Ti dhamë të gjitha, por burri s’pushonte së qëlluari e së shari.

Baloja turfulloi, tundi kokën me zemërim i mërzitur sërish për krahasimin. Iu kujtua se i ati i tij nuk sillej kështu me të. Përkundrazi në ato vite të vështira që mungonte mishi, i ati i tij bënte si bënte dhe i gjente nja dy kocka, i lëpinte njëherë a dy dhe pastaj ua jepte fëmijëve. Baloja pa sërish matanë rrugës ku fëmijët e vegjël po qanin ndanë rrugës kurse babai i tyre me lekët që kish marrë qe drejtuar drejt kafenesë. Ç’dreq ka ai që më përdhos kujtimin e babait-tha Baloja dhe u betua se po ta gjente gjëkundi përpara tij do t’i ngulte ndonjë dhëmb.






Romët




Duke mos e kuptuar aspak dilemën e njerëzve për kapërcimin e rrugës, baloja vendosi të ulej në bar dhe të sodiste bregun përballë. Matanë ishin disa magazina të rrënuara dhe të mbështjella me kartoserë që Balos i kujtonin stallat e vjetra të kooperativës në fshat. Mes tyre dukeshin fëmijë të vegjël, gjysëm lakuriq që luanin në një pellg me ujë të ndotur. Ç’të jenë vallë këta pyeti veten Baloja dhe u ngrit me të dy këmbët e para për të parë më mirë. Papritmas pamjen ia ndërprenë një pelë dhe një mëz i vogël që dolën nga barangat, kapërcyen rrugën dhe filluan të kullosin në barin buzë lumit. Baloja u përlot, iu kujtua koha në fshat ku në livadhet e gjera e shikonte shpesh këtë skenë idilike që dhe njerëzit mesa kish parë e kishin qejf sepse e mbanin nëpër posterat dhe kalendarë si pamje të preferuar, por panja e pallateve buzë rrugës e solli me këmbë në tokë dhe e kuptoi që ishin në qytet. Qenkemi në qytet përsiati Baloja por ata njerëz që rrojnë mes barangash dhe në mizerje ç’të jenë vallë? Dilemën ia hoqën dy njerëz të veshur shik që po bisedonin pak më tutje buzë  trotuarit.
-Jetë qeni, të merremi tërë kohën me romët dhe tregoi me dorë matanë ku ishin njerëzit që rronin në mjerim
- Money do not have colour –ia ktheu tjetri dhe i nënqeshi nën buzë. Sot është dita ndërkombëtare e tyre dhe nga Bashkimi Evropian kemi përftuar një fond të madh. E ke parasysh, disa tryeza të rrumbullakëta, një aktivitet muzikor për trashëgiminë e tyre kulturore dhe jemi në rregull. Ah se harrova , sot je në televizion të flasësh për ta. Duhet regjistruar emisioni dhe ta dërgojmë në Bruksel që të shikojnë se çfarë NGO serioze jemi.
-Ok, ia bëri tjetri me kokë.
Qenkan romë ata njerëzit mes barangave tha Baloja me vete dhe iu kujtuan se kur lëviznin fshatrave ata hapnin një lloj panairi ku merrnin pjesë i madh dhe i vogël. Edhe pse vazhdimisht shisnin mallra, romët paskëshin mbetur të varfër. Edhe unë tha Baloja kam mbetur i varfër dhe jam në mëshirë të klientëve të picerive që lënë ndonjë copë pice pa ngrënë dhe të zonjave bujare me “Gucci” dhe “Versage” që lënë rrugëve ndonjë qese të shijshme me plehra. Baloja hodhi sytë prapë nga dy burrat që po hipnin në një Jeep Cheroke dhe e kuptoi që ata ishin të pasur. Kur qenkan të pasur –mendoi Baloja, ç’dreq kanë që e krahasojnë jetën e tyre me timen??!! I erdhi inat që bënin krahasime të pavenda dhe zhyti kokën mes këmbëve të merrte një sy gjumë.


Kapërcimi i rrugës

Pas ushqimit të mirë e të këndshëm që me aq bujari zonja me Gucci dhe Versage i kish dhuruar, Baloja vendosi të bënte një shëtitje për të tretur ushqimin dhe për të çmpirë këmbët. Pa njëherë rreth e rrotull për të vendosur se në drejtim të shkonte, dhe e kuptoi se lagjja e re nuk i afronte shumë gjëra. I gjithë vendi ishte i betonuar dhe i kthyer në një parking ku mezi dalloheshin ca vazo me lule që Baloja kish dëgjuar ca njerëz me kravata dhe dosje që inspektonin lagjen herë pas here ta quanin gjelbërim. Baloja  në fakt i kujtohej se kur kish parë rreshqithtasi nga xhamat e një shtëpie në televizor qytetet të tjera, ato ishin plot me parqe dhe jo si kjo lagje ku parkingjet nëntokësore ishin ngritur si bunkerë. Iu duk shumë mërzitshëm të kulloste sytë mes asaj ngjyre gri ndaj vendosi të kapërcente rrugën për të shkuar buzë lumit të vogël që përshkonte qytetin mes për mes e  ku kishte pak gjelbërim. Mirëpo s’ishte dhe aq e lehtë! Sa Baloja u gjend buzë rrugës dhe kërkonte që të kalonte rruga që ishte njëkalimshe por me makina që vinin nga dy drejtime të kundërta, ajo mbushej plot me makina që i ngisnin shoferë që të kalonin si të marrë tek këmbët. “Hej dreq” ofshau Baloja, s’qenka punë kjo! Pastaj papritur iu kujtua se njerëzit prisnin sa të ndizej një dritë jeshile tek ai hekuri i gjatë që ishte ndanë rrugës, pa kalonin. Hodhi sytë me shpresë nga hekuri që kish dëgjuar nga njerëzit të   quhej semafor por pa rezultat. Semafori as që punonte fare në një rrugë të tillë. Iu zgjua instinkti i trimërisë dhe vendosi të kalonte. Mati sërish me sy makinat dhe u lëshua. Mirëpo i kish bërë llogaritë gabim. Sa ishte në mes të rrugës një makinë iu gjend te këmbët dhe Baloja të mos kish pasur katër këmbë do qe rrëzuar dhe makina do e kish shtypur. Mezi u mbajt, iu shmang makinës së parë dhe po kështu dhe tjetrës dhe doli matanë. U afrua tek bari i gjelbër buzë lumit dhe pak i frikësuar dhe pak i trullosur filloi të mendonte “mirë unë që kam katër këmbë dhe arrij ta mbaj ekuilibrin po njerëzit që kanë dy këmbë dhe u duhet ta kalojnë përditë këtë rrugë si ia bëjnë vallë?



Baloja





Baloja doli nga rrugicat e vjetra të qytetit të shtruara me pllaka dhe gjithë pastërti dhe rrëshqiti ngadalë ngadalë drejt rrugëve me asfalt. U afrua te k pallatet moderne dhe të reja që kishin një dekadë që ishin ndërtuar dhe hyri në mes të makinave luksoze që kishin parkuar ndanë tyre. Në vështrimin e tij papritur u përvijua silueta elegante e një gruaje që mbante në dorë një çantë lëkure që ai e kish parë të kishte te qendra e madhe tregtare ku njerëzit shikonin, stepeshin dhe largoheshin çuditërisht pa blerë gjë. Aty ai kish dëgjuar se ai vend quhej Gucci. Zonja me rrobat gjithë shik dhe elegancë që Baloja i njihte mirë pasi ishte i sigurtë që ajo duhet ti kish marrë në dyqanin ngjitur, që njerëzit e thërrisnin “Versage”, para se të hynte në makinë la jashtë me kujdes një qese me plehra të shijshme. Baloja nuk u besoi syve kur pa këtë gjest kaq bujar dhe fisnik nga ana e zonjës. E zhyti kokën mes qeses dhe filloi të përtypte ngadalë ngadalë gjithë kënaqësi kockat e mishit dhe mbeturinat e tjera që u përhapën gjithandej nëpër asfalt. Duke ngrënë , Baloja meditonte : Sa njerëz të mirë e të kulturuar janë këta të veshur me Gucci dhe Versage! Janë aq të mirë sa mendojnë dhe për ne qentë!










Monday, 21 November 2011

Përkujdesje dhe përkushtim i munguar...




Shqipëria është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në vitin e largët 1955. 10 vjet më vonë se data e themelimit të saj. Kjo vonesë në hyrjen e Shqipërisë në O.K.B nuk ndodhi si rezultat  i izolimit të Shqipërisë apo mohimit të saj për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare si ndodhte rëndom në politikat që ndiqte shteti komunist shqiptar, por më së tepërmi ishte një vendim i fuqive demokratike të kohës që hezitonin të njihnin regjimin diktatorial të Tiranës. Edhe pse kjo vonesë në pranimin e Shqipërisë rrezikonte ekzistencën e shtetit shqiptar dhe nuk shikohej mirë as nga diaspora anti-komuniste në mërgim, prapëseprapë pavarësisht këtyre efekteve kjo masë përpiqej të ndikonte në frenimin e shtypjes dhe mohimit të së drejtave të njeriut në Shqipëri .Mirëpo gjeopolitika e kohës dhe interesat  Bashkimit Sovjetik bënë të mundur që Shqipëria të pranohej pa i respektuar këto të drejta që ishin të sanksionuara dhe në Kartën Themeluese të O.K.B dhe rrjedhimisht regjimi komunist të konsiderohej partner i shteteve të tjerë sipas së drejtës ndërkombëtare. Automatikisht sëbashku me pranimin e Shqipërisë  në O.K.B duhej që dhe festat e miratuara nga ajo të bëheshin pjesë e kalendarit zyrtar të shtetit shqiptar. Mirëpo , regjimi komunist duke e konsideruar O.K.B –në vetëm si një organizëm të nevojshëm për afirmimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe jo si një organizëm ombrellë të shteteve të lira dhe të pavarura, nuk mënoi që të vinte sërish në funksion logjikën e vet të izolimit dhe në këtë aspekt duke ndjekur një traditë tjetër përsa i përket këtyre festave. Kështu p.sh në një datë që konsiderohet si dita ndërkombëtare e fëmijëve 1 qershori, me një origjinë jo të saktë se përse ishte zgjedhur e tillë u caktua si dita që do të nderonte përkushtimin e shoqërisë ndaj fëmijëve , kurse O.K.B-ja si ditë universale të tyre vendosi datën 20 nëntor që ishte një ditë më vonë se dita e universale e njeriut, data 19 duke bërë kështu një lidhje organike mes tyre dhe një festë 48 orësh të prindërve dhe fëmijëve. Po kështu  data 20 nëntor është dhe dita kur më 1959, Asambleja e Përgjithshme e O.K.B-së miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve dhe 30 vjet më vonë në të njëjtën datë u miratua dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve që është nënshkruar nga 191 vende deri më tani.
Detyrimet dhe të drejtat që dalin nga deklarata dhe konventa për të drejtat e fëmijëve që Shqipëria i ka nënshkruar me kohë, natyrisht që nuk janë të drejta dh detyrime që shoqëria shqiptare t’i kujtojë vetëm në ditën e fëmijëve. Çdo shtet që është serioz dhe që dëshiron të sigurojë një zhvillim të vazhdueshëm të shoqërisë së tij i duhet që kujdesin ndaj fëmijëve ta konsiderojë një prioritet kombëtar. Eksperienca e vendeve të tjera me demokraci të qëndrueshme ka treguar se qëkur këto vende bënë për vete parimet e mbrojtjes universale të qytetarëve të vet duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve, ato lanë pas erën e vjetër të paditurisë dhe individualizmit të skajshëm dhe afirmuan veten si demokraci të qëndrueshme dhe universale për të gjithë. Tradita dikensiane e trajtimit të problemeve të fëmijëve dhe thirrjeve për ti zgjidhur ato u bënë kryefjala e gjithë aktivistëve të shoqërisë civile kudo në Evropë. Në Shqipëri edhe pse kjo erë për hir të së vërtetës ka fryrë shumë herët prapëseprapë në regjimin komunist kishte probleme pasi fëmijët që u përkisnin shtresës së margjilizuar të të përndjekurve politikë nuk i gëzonin të gjitha të drejtat si bashkëmoshatarët e tyre. Ndaj tyre ndiqej e njëjta politikë përçmuese dhe denigruese si ndaj prindërve të tyre duke demaskuar kështu pa dashje fytyrën e vërtetë jo humaniste të komunizmit shqiptar.
Vitet që pasuan pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri shënuan disa nga faqet më të errta të historisë moderne të shqiptarëve përsa i përket të drejtave dhe trajtimit të fëmijëve. Me qindra fëmijë ranë pre e trafikimeve nga ana e grupeve kriminale që lulëzuan kudo në Shqipëri duke shkaktuar drama të mëdha njerëzore. Po kështu fëmijët u bënë subjekt i shfrytëzimit të egër të tyre në punë të papërshtatshme për të mbijetuar në skena dhe ngjarje që të kujtonin Anglinë Viktoriane të Dikensit. Organizata të ndryshme joqeveritare që vërshuan në Shqipëri u munduan që të vendosin pak rregull në këtë kaos të madh social por ashtu si shpesh herë ato përmirësuan situatën po aq herë ishin dhe përgjegjëse për përvetësimin e ndihmave që bota demokratike mundohej tu jepte fëmijëve të munduar shqiptarë. Raste të shumta të publikuara në shtyp por më tepër ato që ndihen dhe perceptohen në popull tregojnë se çështja dhe trajtimi i të drejtave të fëmijëve për fat të keq u kthye për një grup të vogël në një biznes fitimprurës. Kjo situatë edhe pse mund të duket që ka ndryshuar shumë kohët e fundit më tepër si fuqizim i pushtetit të katërt-medies,përforcimit të ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar për fat të keq vazhdon të shfaqet herë pas here, sigurisht në përmasa më të vogla dhe më të kamufluar. Kështu p.sh shumë biznese punësojnë shumë fëmijë që nuk i deklarojnë fare si punonjës apo disa prej tyre detyrohen të lënë shkollën në zonat rurale për ti ardhur në ndihmë familjes në punët e përditshme blegtorale-bujqësore.
Një aspekt tjetër dominues i të drejtave të fëmijëve është se shpesh herë ato nuk kuptohen si të tilla dhe abuzimi vjen krejt natyrshëm dhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Kështu thirrjes së herëpashershme  të shoqërisë civile drejtuar ndaj politikës për të mos përdorur imazhin e fëmijëve apo dhe vetë ata në fushatat elektorale i është përgjigjur një zë justifikues i prindërve militantë që në këtë gjë s’ka asgjë të keqe! Këta prindër harrojnë se përvese të drejtave të tyre natyrale si prindër mbi fëmijët e tyre ka dhe të drejta universale që e tregojnë qartë se përdorime të tilla nuk janë të lejueshme ndaj mbetet që të bëhet një punë më e madhe informuese në këtë drejtim. Mënyra sesi i trajton fëmijët një shoqëri është dhe do të mbetet një etalon matës sesa e emancipuar dhe demokratike është ajo shoqëri. Në këto 20 vjet tranzicioni pasi jemi munduar që të ndërtojmë karabinanë e demokracisë efektive ka ardhur koha që të plotësojmë tërë hapësirën e kësaj shtëpie të madhe për të gjithë. “Fëmijët janë e ardhmja”, është një slogan rutinë që e përsërisim gjithmonë çdo vit në rast festash të fëmijëve, por kur do të fillojmë vërtetë ta ndjejmë këtë fjali jo më si rutinë por si postulat përcaktues i ndërgjegjes sonë atëherë me të vërtetë do të maturohemi si shoqëri. Para se të prodhojmë për fëmijët spektakle ku ata kopjojnë të rriturit le t’i bëjmë ata të jetojnë vërtetë femërinë e tyre nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira psikologjike dhe materiale. Sfidë me të vërtete e madhe, por si çdo sfidë që ka të bëjë me të ardhmen ajo duhet projektuar mirë që në të sotmen, ndaj duhet kthyer në një prioritet të të gjithëve dhe shoqërisë.


Sunday, 20 November 2011

Letër nga Tirana








Skënderbeut,po i zënë pluhur tirqet
dhe mbi shpatë nuk i ulet më asnjë pëllumb
një re pluhuri ka pushtuar qendrën
duke shpërndarë një ngjyrë të plumbtë

Ca re që  nuk sjellin shi, gjëmojnë diku larg
Pallati i kulturës ngjan si  sarkofag
i rrjepur nga pllakat,nga të gjitha anët
por si një e përgjumur zhgabë

Një sahat që pret shumë pak vizitorë
s’mund të masë dot kohën që vrapon
në libraritë  shiten histori me diktatorë,
“Kurban” dhe “Shqipëria” që po ndryshon.

Sheshi i madh ,tashmë është zhdukur
është fshehur mes pemëve tinës
për të na u shfaqur nga lart në ajër
si reklamë gjigante e firmës “Lines”

Si shitës ambulantë vërvitet njerëzia
për të shitur “ ide”  si plaçka të vjetra
të përunjur, pëllumba i gjen dita
preh e lehtë për skifterët me kthetra

Për t’i mbledhur  të gjithë tok
për të brohoritur me rrofsh dhe aman
 me zërat e ngjirur nga ekstaza
për politikën veten  ta bëjnë kurban.


Tiranë 20.11.2011









Letër nga Londra



Nen mjegullen e ngrire, 
ne terr te pabuje, silueta navigojne,
drejt udhes se hekurt, krahet shtrire,
te djelen, akoma pa drite, sklleverit marshojne.

Te prere, te lodhur e te pagjume,
perzjere me pijanec e qen ne nje turme,
te mbeshtjelle, kokeulur shkojne ne pune,
sikur shpresen jua ka marre dikush me dhune.

Dhe shtyhen, peshtyhen e shahen nen buze,
te lidhur nga fati me te hekurtin "terkuze",
nje rruge, nje linje, nje klase poliglote,
nje shoqerie shfrytezuese, te njeten enderr idiote!!





Letër (e vjetër) nga Napoli

I ulur buze detit,rri i menduar,
pranë detit qe na ka ndarè.
i mbushur me mall,si i hutuar,
mendoj,sa kohe u bene pa parè

Ne dore kam një shishe,
ne gjoks një zemër thyer,
dua te jem,pranë jush njerëz qe ju kam dashur,
madje,dhe pranë atyre qe dikur kam urryer

Ne çdo gllënjke kërkoj lehtësimin,
(lehtësi që s’më dhanë as lotët,qe tashme janë tharè)
ulëras si i çmendur për te shfryre hidhërimin,
mendoj,sa kohe u bene .......pa parè??

---------------------edi---------napoli.....korrik '93

Nga Eduard Rustemi



Letër nga Tirana tjetër

Përse të flas?
E ç’mund t’i shtoj më tepër
Letrës tënde bardhë e zi.
Tirana ime është e njëjta,
Siç the një javë më parë dhe ti.

Asgjë nuk ka ndryshuar,
Madje hiç!
Sahati prapë pa vizitorë mbet,
Dhe Skënderbeu është tretur,
Në shpatë nuk i qëndron më asnjë shpend.

Unë jam i njëjti, ç’të të them më tepër?
Ti po i njëjti, dhe kjo s’do shumë mend,
Monotonia nuk po gjen dikë tjetër,
Ka kapur seriozisht këtë bythë vend

Nga Ardit Rada


Letër nga Berati



Qyteti, ngjyrat e tij, rrugët, kalldrëmet treten dhe ndiej se turma,

ajo pjesë e rrezikshmërisë sonë të përditshme,

shuhet në misterin e kohës, këtij gjykatësi të rreptë,

që garanton humbjen tonë (njerëzore),
duke përjashtuar ata që besojnë,
veprojnë mirë dhe e porosisin njëri-tjetrin
në vërtetësi dhe në durueshmëri.
Unë dhe qyteti jemi antipod të njëri-tjetrit:
ai ndëshkimi im dhe unë molepsja e tij.
Rrugët dhe trotuaret më bëjnë të ndihem një mjeran i nëmur. 
Agu i agimit, me diellin që shndërrin përmbi re
e madhështinë e tij që shtrin krahët përmbi qytet, më tmerron.
Bulevardi së bashku me ata vdekatarët e rëndomtë (njerëzit?!)
që parakalojnë përmbi të, si të ishte një karantinë,
si ajo e “Verbërisë”, më bën të ndihem një kufomë e gjallë,
një ndyrësirë e çrregullt dhe e dështuar e qytetit.
Mu shpif ajo pjesë e qytetarisë (sikur qytetaria të mos kishte asfare lidhjeje me qytetërimin!!!),
që jeton si sekt i molepsur dhe i mbyllur brenda vetvetes,
ku mund të depërtosh, aq sa mund të futet deveja në vrimën e gjilpërës,
sa më bën t’ia mbath një sahat e më parë prej qytetit.
Të gjithë ata profesorë, doktorë, avokatë,
 gazetarë, poetë, shkrimtarë, bankierë, e lloj-lloj dështakësh,
më bën të mendoj se qyteti është i mjerë si unë,
duke më ftilluar se ai, Odin Monvalseni i shkretë,
 e kishte bajagi mirë, kur pretendonte se ishte danez.
Ideja se shkaku i trishtimit tim është qyteti,
 për një çast rrokapjekthi më hedh tej një ëndrre naive.
I mvesh qytetit atë petk
kur ai ishte “vetvetja” (nëse ka qenë ndonjëherë i tillë!),
 fundshekulli XVIII dhe fillimshekulli XIX,
garat e poezisë buzë lumit, Nezimi, Naibi, Kurt Pasha,
Vrionasit, e deri tek Buharaja, mbiemri i të cilit,
sipas një gojëdhëne, vjen prej persishtes që flitej aq bukur në fisin e tij,
porsi në Buharanë e dikurshme,
dëshira për njohje të të cilit edhe sot e kësaj dite
më shpërfaqet si një dëshirë subkoshiente.
Në këtë qytet kurrë nuk mund të jesh vetja,
 ngase përherë e sheh veten të vetmuar,
 të mbushur përplot me mendime, sa ndonjëherë ajo të duket
 si “rasti Shreber” i Cannetit,
një donkishot modern, i pafuqishëm dhe i përjetshëm,
duke e kuptuar se ky qytet ka dobësi për njerëz si ty.

Nga Namir Lapardhaja


Letër nga Forlì


Ja dhe unë po ju shkruaj
si te tjerë nga vend i huaj
te me ndjeni, me "te dashur" s'kam filluar
po shpejt jam nxituar
e para se te harroj 
nga Forlì, një dite te mire ju uroj
Mu këtu afër ne një fshat
lindi dikur një Duce i zi
e për kontrast politikisht
ne zemër te se kuqes Romanje 
siç njihet zakonisht
zi e kuq , kuq e zi 
here me zë , here pa te 
bëjnë dhe këtu histori

e ç’t’u them ne këtë dite te ftohte
nga ky vend kuq e zi
thonë gazetat neper rruge
vjedhjet shtohen për çdo dite
e i pari i qytetit, ndihme 
i ka kërkuar deri ministrisë
thonë një tharje po kanoset
Krishtlindjet pa ujë , do djallosen
po për mua s’është e re...
atje ne token e kastrioteve
qe nga bollëku i krojeve emrin ka
me pagure ne krahë dikur
lëvizjen e "legenit" e kam provu

hej dreq si për habi 
dhe Kastrioti është kuq e zi
por e kuqja po vegohet
nga tym-gëlqerja vetëm zi projektohet
nejse se kjo është gjë me vete
e ky "rrjeti" sot m'kujton
veç një , një Mëvetesim
qe dikur shpalli një popull trim
trim ne trup e trim ne mendje
trima t'tillë sot kërkojmë me endje.

Nga Ardiana Vogli

Letër nga Mirdita






Kto malet qe po me rrethojnë
kto malet po me mësojnë
me japin mësimin e jetës
ki kujdes nga te tjerët por trembu vetes
ec gjithmonë me kokën lart
por shiko gjithmonë ne mënyrë te qartë
kemi lind ne ktë vend
nuk do e harrojmë si ne burg si ne kuvend
na kanë lan shumë fjalë te vjetrit
un për kte i them faleminderit tim gjysh Pjetrit
respekto natyrën qe te rrethon
se ne natyrë linde dhe aty po shkon
ky vend ka ditën edhe natën
ne kemi bukën dhe spatën
shohim larg fal kti horizontit
ulemi kam kryq e i falemi edhe Zotit
e mira dhe e keqja, nata dhe drita
fal Zotit zgjidhjen ma mësoj Mirdita

Nga Emiljan Tokrri



Letër bukurisë nga nata e "bardhë” e Tiranës







Bukuri, kjo natë s’është e denjë,

e bardha gënjen, s’janë ato ngjyra,
por ca manekyra, prerë si nën shi,
që rrugët e Tiranës i veshin me gri.

Gjithë nata e natës, duket shkretëtirë,
këmbët sa u lodhën, hapa kundërshtuar,
nuk kthehen dot, kur s’kishin për të shkuar.
mendje e shkalluar, bardhësi e pashtruar.

Bukuri, kish vetëm re të hirta, ca gjoja petrita,
që thonë e përsërisin fraza delikate,
dhe fundosen hidhur në detin e zhgënjimit,
duke pirë në mjegull gotën e bardhë të mashtrimit.

Nga Isidor Koti




Letër nga Tirana



Turma te shkujdesura si milingonat para shiut
si pëllumbat qe presin thërrime
te hallakatura e zgjidhur si tespihet
njerëz mbathur me çizme te pluhurosura ne vere ne dimër çizme balte
ajër pa oksigjen thithin mushkëritë e bukosura
asfalti si rërë shkretëtire qe shpirtin kall
dëgjohet një këngë diku ne mëhallë
një zë këndon te mbaje lumturinë gjalle

Nga Bilbil Beqiri




Saturday, 19 November 2011

Pritshmëria dhe e ardhmja











Pritshmëria dhe e ardhmja janë dy nga vlerat morale më fisnike të njeriut. Në emër të tyre breza të tërë kanë vepruar dhe kanë ushqyer shpresa se e ardhmja që do vinte, do të ishte më e bukur dhe më e mirë se e tanishmja që jetonin. Në përvijimin e tyre ka pasur vizione të ndryshme duke filluar që nga ai fetar, shpirtëror, gjeografik, historik, iluminist e duke përfunduar te vizionet shkatërrimtare, nihiliste dhe të pashpresa. Shkurt në këto dy vlera që kanë qenë në korrelacion të ngushtë me njëra –tjetrën është pasqyruar i gjithë shpirti njerëzor. Por në këtë korrelacion të ngushtë me njëra-tjetrën ka pasur dhe vazhdon të ketë jo vetëm barazi vlerash si mund të duket në pamje të parë por dhe hierarki vlerash që janë përcaktuar nga vetë njerëzit. Kështu p.sh. pritshmëria ka qenë më tepër në funksion të së ardhmes. Në të gjitha vizionet që ka përvijuar shpirti njerëzor për të arritur të ardhmen duhet një periudhë kohe pritshmërie, e cila shpesh herë ka vlejtur dhe si periudhë pritje ku është maturuar koha që e ardhmja të triumfojë. Ky tipar është më i dukshëm dhe më i prekshëm për shoqërinë njerëzore në botën  shpirtërore që përfaqësohet nga besimet fetare dhe në realitetin e përditshme të ndërtimit të marrëdhënieve mes njerëzve që përfaqësohet nga politika.
Të gjitha besimet fetare pa përjashtim predikojnë se jeta e përditshme natyrale në tokë që jetojnë njerëzit, në fakt është një periudhë pritje, pasi jeta e vërtetë fillon atëherë kur vdesim dhe shpirti njerëzor shkon në parajsë. Edhe pse shpërblimi në fakt është kaq i madh dhe i lavdishëm duke pasur parasysh përshkrimin e parajsës në të gjitha librat e shenjtë , kjo gjë nuk i ka penguar njerëzit që të jenë mëkatarë. Shoqëria e përsosur , ajo që pretendohet të ndërtohet nëse zbatohen parimet dhe ligjet të përshkruara në librat e shenjtë vazhdon të jetë një utopi. Madje dhe kur është pretenduar nga njerëz të ndryshëm që e kanë ndërtuar këto shoqëri, ato në fakt kanë degjeneruar në sisteme teokratike që më shumë sesa shikonin mirëqenien e përgjithshme të popullsisë ishin mbrojtëse të interesave të një kaste të caktuar të përfaqësuar nga sundimtarët despotë dhe klasa e priftërinjve që u shërbenin atyre. Shembuj të tillë në historinë botërore mund të gjenden në regjimet faranoike të Egjiptit të lashtë , Indisë apo dhe  Kinës ku sipas iluministëve francezë të shekullit të XVII që analizonin qytetërimet, tipari teokratik i tyre kish shërbyer për të përjetësuar palëvizshmërinë e tyre përkundrejt ndryshimeve, gjë e cila i kish lënë mbrapa krahasimisht me Evropën që përfaqësohej nga një larshmëri formash qeverisjesh si monarki absolute,monarki kushtetuese, republikë , qytet-shtet në të cilat njerëzit përfaqësoheshin më mirë dhe rrjedhimisht ishin më të hapur ndaj ideve të reja.
Edhe politika ashtu si besimet fetare duke qenë një nga “zanatet” e para të njerëzimit sëbashku me besimin fetar e ka ndërtuar paradigmën e vet në besimin e ndryshimeve për një të ardhme më të mirë. Vetëm se në dallim nga besimi fetar, politika është ndarë në dy lloje përsa i përket pritshmërisë dhe së ardhmes. Njëra politikë, ajo që është serioze duke analizuar kushtet historiko-shoqërore të një vendi nuk bën premtime të parealizueshme për të ardhmen, por i drejtohet drejtë për së drejti elektoratit duke i kërkuar mbështetje për reformat , kohë që shërben si periudhë pritshmërie për të pasur rezultat në të ardhmen. Politika të tilla ishin ato të pasluftës së dytë botërore në Gjermani ku një brezi iu desh të sakrifikonte për të realizuar mrekullinë gjermane të viteve 60’-70’. Politika tjetër, është ajo populiste që bën premtime të pa principta për të marrë vota vazhdimisht dhe që periudhën e pritjes e eliminon nga zhargoni i vet politik dhe në vend të saj përshkruan vetëm të ardhmen duke “shitur” çfarëdolloj suksesi që arrin në qeverisje si vektor të së ardhmes dhe jo si një përmbushje e të drejtave legjitime të qytetarëve që i kanë votuar vazhdimisht. Për fat të keq ky është modeli që ka nxjerrë kokën shumë herë në  politikën shqiptare gjatë tranzicionit. Të gjithëve na kujtohen premtimet e gjithë klasës sonë politike përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë si vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe kur nuk e kanë realizuar këtë ëndërr të shqiptarëve ia kanë vënë fajin prapambetjes historiko-shoqërore të vendit duke harruar se në fushatat elektorale nuk e kanë përmendur atë pothuajse asnjëherë.
Të gjithë vizionet për të ardhmen në shoqërinë njerëzore kanë përfunduar si shkalla e fundit e tyre finale në një vizion të dominuar nga të mirat materiale. Le të jetë kjo dhe paradigma e së ardhmes së politikës shqiptare pasi duke realizuar atë, realizon një nga objektivat finale të integrimit por në të njëjtën kohë  në këtë vit që jemi shumë më afër Bashkimit Evropian pas liberalizimit të vizave të paktën ajo duhet të jetë më i sinqertë dhe ta përgatisë elektoratin e vet jo vetëm për të ardhmen por dhe për periudhën e pritshmërisë për të realizuar reformat përfundimtare që do na çojnë drejt integrimit tonë të plotë.   






Thursday, 17 November 2011

Homonime të dëmshme





Nuk e di pse, sa herë që dëgjoj emërtimin bastion në shqip, gjithmonë në mënyrë të pavetëdijshme më vjen ndërmend dhe emërtimi Bastijë,emërtim që më kujton kështjellën e famshme në qendër të Parisit, rënia e së cilës në 14 korrik 1789 shënon dhe fillimin e Revolucionit Francez. Natyrisht që me një vështrim të parë rreth kontekstit nuk është e vështirë të kuptosh se këto dy fjalë pothuajse homonimike në shqiptim por jo në të shkruar nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët, por konteksti sociologjik që i ka afruar politika shqiptare në këto njëzet vjet shoqërisë shqiptare i bën ato të dyja për fat të keq jo vetëm homonime në të shqiptuar por dhe në kuptim.
Burgu i Bastijës ishte i njohur në Francën e para revolucionit si vendi simbol i pushtetit dhe  sundimit të plotë monarkik, çka i jepte një rëndësi të veçantë jo vetëm në fjalorin politik të kohës por dhe në ndërgjegjen e ndrydhur të nënshtetasve francezë pasi termi qytetar nuk kish lindur akoma në atë kohë. Ndaj dhe rënia dhe marrja e saj shërbyen si shkëndija për të ndezur një zjarr më të madh të revoltës popullore, pasi në këtë mënyrë u vra frika dhe nënshtetasit e përulur të monarkisë franceze u shndërruan në qytetarë të Revolucionit Francez. Krejt i kundërt është krijimi i emërtimit bastion në fjalorin politik të kohërave tona moderne. Ai ka lindur më vonë pas zhvillimit të demokracisë së drejtë për së drejtë nëpërmjet votimeve e të lira, dhe fillimit të korruptimit të alternativave partiake, ku nëpërmjet sistemit të vjetër të klientelës politike, zonave të veçanta iu premtohej më tepër favore politike në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme të tyre në votime. Si fenomen i shfaqur pas përmirësimit të sistemeve zgjedhore që zë fill pas revolucioneve industriale në Evropë, ai në fakt nuk shërbeu për të rritur më mirë nivelin e përfaqësimit të zgjedhësve , por në të kundërt shërbeu për të krijuar një fenomen të ri të demokracive në zhvillim-verbërinë politike aq të dëmshme për artikulimin dhe legjitimitetin e alternativave partiake.
Raporti i vendosur mes zgjedhësve dhe përfaqësuesve të vet politikë në këtë rast vendosej jo nëpërmjet parimit demokratik të llogari dhënies nga ana e përfaqësuesve politikë ndaj zgjedhësve të tyre por  nëpërmjet një besueshmërie të pafund nga ana e bastioneve politike dhe kinse privilegjeve të veçanta që ato përfitonin nga klasa politike. Ndodhte dhe vazhdon të ndodhë që zgjedhësit të jenë të zhgënjyer nga përfaqësuesit e vet, por kur marrëdhëniet e tyre reflektonin ato të një bastioni-klasë politike ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë që zgjedhësit të kërkojnë llogari për mosmbatjen e premtimeve. Në demokracitë e konsiliduara në Perëndim, ky fenomen sa vjen e ngushtohet pasi nocioni politik “qytetar” i lindur që në Revolucionin Francez sa ka ardhur dhe është përmirësuar, ashtu si është përmirësuar dhe sistemi partiak me Partitë politike catch for all, të cilat i largohen ideologjisë dhe mundohen të përfaqësojnë një shtresë më të gjerë qytetarësh sesa zgjedhësit e vet tradicionalë.
Për fat të keq në Shqipëri, edhe pas njëzet vjetësh vazhdon që sistemi elektoral dhe ai partiak të reflektojë frymën e vjetër të bastioneve. Partitë politike kanë ndërtuar kështjellat- Bastijë të obskurantizmit të tyre militant gjithandej nëpër Shqipëri, duke e ndarë vendin në parcela partiake. Kjo frymë partiake dhe dëmshme për shoqërinë është e ndjeshme si perceptim negativ sidomos në zgjedhjet, qoftë në ato të përgjithshme në të cilat qytetari zgjedh ekzekutivin që do ta qeverisë katër vjet apo dhe ato lokale ku qytetarëve u duhet të votojnë për alternativën më të mirë qeverisëse, pasi autoriteti i zgjedhur i komunës apo bashkisë do të ketë influencë të drejtë për së drejtë në jetën e tij të përditshme. Por ashtu si ka ndodhur rëndom qytetarët shqiptarë pothuajse në të gjitha zgjedhjet vazhdojnë të votojnë sipas tendencës së vjetër të bastioneve duke reflektuar frymën e vjetër të alternativave partiake. Kjo është një nga arsyet që në Shqipëri gjen shumë probleme në qeverisjen qendrore apo komuna dhe bashki të keqqeverisura pasi zgjedhësit e tyre nuk arrijnë dot të kapërcejnë me hapin e madh, hendekun që i ndan nga nënshtetas të zakonshëm drejt qytetarit racional që di të zgjedhë të ardhmen e vet.
Zgjedhjet e ardhshme janë një shans i mirë që qytetarët shqiptarë të fillojnë të shkatërrojnë “Bastijat” e tyre të autoritarizmit të alternativave të besnikërive partiake dhe të fillojnë një epokë të re të së mbrujturit të tyre si qytetarë aktivë të një demokracie në vazhdim. Në këtë mënyrë ata jo vetëm që do i afrojnë vetvetes një alternativë të mirë qeverisëse por do ti shërbejnë dhe forcimit të demokracisë vendore në vend duke mos u dhënë mundësi partive politike që të aplikojnë fenomenin e shëmtuar të klientelave politike dhe duke u shtuar atyre si vlerë, atë të inicimit të vlerave humane të meritokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Gazeta Shqip 22.03.2012