Monday, 27 April 2020

Shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës në kishën e Shën Thanasit në Kostur.



Kosturi është një nga qytetet në  rajon i cili ka pasur një rëndësi të veçantë për mesjetën arbëre dhe historinë e Arbërisë. Kosturi për një moment para pushtimit otoman ka qenë nën zoterimin e Muzakajve. Gjin Muzaka në Kronikën e tij shkruan se  Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi Muzakajve dhe qytetin e Kosturit që ishte nënë sundimin e djalit të Vukashint, Marko Kralejviçit. Qyteti i Kosturit që është një gjë fort e bukur dhe me të ardhura të mëdha rrëfen Muzaka u muar me forcën e armëve nga Mark Kralejviçi dhe mbeti zotërim i Muzakajve derisa u pushtua ashtu si zotërimet e tjera të Muzakajve, nga pushtuesit osmanë.( Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 177). Në betejën e Kosturit morën pjesë edhe disa fisnikë të tjerë arbër, si Balsha II, vjehërri i Andrea Muzakës, dhe dhëndri i këtij të fundit, zoti i Dibrës dhe Ohrit, Andrea Gropa. Si simbol i zotërimit të qytetit familja Muzaka ndërtoi dhe kishën e Shën Thanasit duke marrë kështu edhe rolin e ktitorit njëlloj si despotët dhe familjet e tjera fisnike në rajon. Kisha e Shën Thanasit në Kostur është një nga monumentet më të vjetra bizantine në krahinë. Ajo është një kishë të vogël, me një dhomë me çati të drunjtë me narteks të ndërtuar më vonë nga ana perëndimore. Në brendësi të saj është shumë e pasur me piktura murale me karakter rrëfimitar. Pikturat murale përmbajnë skena nga jeta e Krishtit si edhe shumë shenjtorë, në mes tyre zënë një vend të veçantë shënjtorët lokalë dhe ata të urdhërave ushtarakë.
Sipas shënimit të ktitorit(ndërtuesit) që ka ardhur deri në ditët e sotme në murin perëndimor të saj, kisha u ndërtua në vitet 1383-1384 nga vëllezërit Stoia dhe Theodhor Muzaka, sëbashku me murgun Dionisi. Të dy vëllezërit ishin pjesëtarë të familjes fisnike Muzaka e cila sundonte Kosturin në ato kohë para pushtimit otoman. Mbishkrimi i stilizuar gjendet mbi portën në anën perëndimore të saj. Në të shkruhet:
Άνηγέρθη και ήνεκαινίσθη εκ βάθρου κ(αί) κόπου και μόχθου ό θείος // και πάνσεπτος ναός
οΰτος του έν άγίοις π(ατ)ρ(ός) ήμ(ών) Αθανασίου τοϋ Μεγάλου // κ(αί) άνιστορήθη παρά τους
κτιτόρους ήγου(ν) τους παν[ευγ]ενεστάτους κυ(ρ) Στώ // ϊα κ(αί) Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη . κ(αί)
τοϋ έν Ίερο(μον)άχ(οις) Διονυσίου . αϋφθεν // τευόντ(ων) δέ τ(ών) αύτ(ών) αϋταδέλφ(ων)
πα[ν]ευγενεστάτους κυ(ρ) Στώϊα. και κυ(ρ) // Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη. άρχιερατ[εύ]οντος δέ τοϋ πανιεριοτάτου έπισκό[που] // κυ(ρ) Γαβριήλ κ(αί) πρωτ[οθρόνου] εν [ετει ςω]^Β'.
U ngrit dhe u rinovua nga themeli, me mund dhe me vuajtje, ky tempull i atit tonë të shenjtë mes shënjtorëve , Thanasit të madh,si dhe u pikturua nga murgu Dionis të zgjedhur prej ktitorëve , zotërve shumë fisnikë Stoja dhe Teodor Muzaka, kur kryepeshkop i Kosturit ishte shumë i ndrituri zot Gavril, në vitin 1383/1384.(Mbishkrimi është përkthyer nga Pr.Dr. Pëllumb Xhufi)
Shkronjat e mbishkrimit janë të mëdha, të shkruara bukur dhe të një madhësie, me përdorim paralel të gërmave të vogla. Ja vlen të veçohet përdorimi i llojit ou. Shkronjat e mbishkrimit duken se janë shkruar nga e njëjta dorë. Shën Athanasi, të cilit i është kushtuar ndërtimi i kishës, paraqitet i gjithi në këmbë, më i madh se shenjtorët e tjerë , në krah të hyrjes kryesore, brenda kishës.(Eugenia Dhrakopulo. Qyteti i Kastorias gjatë epokës Bizantine dhe Post Bizantine(shekulli i XII-XVI). Historia-Arti-Mbishkrimet. Kristianiki Arkeologji Shoqëria, Athinë;1997, fq 96-97).
Zakonisht në mesjetë familjet e mëdha feudale ndërtonin kishat e shenjtorëve që i konsideronin dhe si shenjtorët mbrojtës të familjeve të tyre. Në këtë rast edhe familja Muzaka nuk mund të bënte përjashtim, prandaj ka shumë gjasa që Shën Thanasi të ketë qenë shenjtori mbrojtës i kësaj familje feudale arbëre. Kisha e Shën Thanasit mbetet një momument shumë i rëndësishëm i kulturës arbëre jo vetëm për arsyen se dëshmon shtrirjen e pushtetit administrativ të familjes Muzaka në lindje të territoreve arbëre, por edhe sepse në afresket e saj mund të jetë shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës. Sipas Prof. Pëllumb Xhufi në librin “Nga Paleologët te Muzakajt”, në afresket e Kishës së Shën Thanasit të Kosturit gjendet i pikturuar dhe Shën Gjergji i cili në mënyrë krejt të pazakontë për ikonografinë bizantine mban një mantel që ka për dizenjo shqiponjën dykrenore, me yll në mes. Kujtojmë vazhdon Prof. Xhufi, që pas fitores mbi Vukashinin në Perister, Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi fitimtarit Andrea Muzakës, stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Të jetë shqiponja në mantelin e Shën Gjergjit një jehonë e këtij episodi dhe pra të jetë figura e Shën Gjergjit, hyut luftëtar aq të dashur e të adhuruar ndër shqiptarët, një shëmbëlltyrë e Despotit Andrea Muzaka?
Do t'i përgjigjeshim pozitivisht kësaj pyetje edhe për faktin se që të njëjtën shqiponjë në mantelin e figurës së Shën Gjergjit në Kishën e Shën Athanasit në Kostur, e ndeshim në emblemën e Muzakajve , të egzekutuar në basoreliev në altarin e kishës së Shën Mërisë së Mezanjës edhe ajo një fondacion i Muzakajve të emigruar në Itali pas rënies së Krujës.(Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 278-279).
Gjurmimi dhe rikrijimi i hartës së trashëgimisë kulturore shqiptare në rajon ndihmon në shpjegimin dhe rrëfimin e historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve të tyre kulturore mes vetes dhe qytetërimeve të tjerë si dhe rolin që luajtën familjet fisnike arbërore në ushtrimin e pushtetit administrativ e kulturor në rajon. Portreti i Andrea Muzakës mund të jetë portreti i parë i një prijësi arbër në një afresk dhe kjo mund të përbëjë një risi për dokumentimin e prijësit të parë arbër në historinë shqiptare.








No comments: