(100 vjetori i Gazetës “Drita”
27 mars 1920-27 mars 2020)
Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të
qytetit të Gjirokastrës.Brenda një harku 10 vjeçar 1920-1930 në qytetin e
Gjirokastrës janë botuar gazetat si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në
Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli
Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939, “Labëria” dhe “Ideja
kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës
“Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër
për herë të parë më 27 mars 1920-1924 “Fletore popullore” e Petro M. Haritos
(doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”,
dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit. Ky zhvillim i rëndësishëm
kulturor ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të elitës patriotike të qytetit të
Gjirokastrës dhe pjesëmarrjes së saj në shtetndërtimin shqiptar të filluar që
gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare e në vazhdimësi. Etapë e rëndësishme e
zgjimit kulturor në Gjirokastër ishte padyshim themelimi i Klubit “Drita” në
1908 dhe shkollës “Liria” po atë vit në gjuhën shqipe.
Këto hapa të ndërmarra nga patriotët gjirokastritë bënë të mundur përhapjen
e ideve të nacionalizmës apo shqiptarizmës pasi krijuan një publik të masave lexuese të një gjuhës amtare që
zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve
dhe shkatërroi solidaritetet fetare duke i hapur udhën solidaritetit të gjuhës
e kulturës shqiptare. Pushtimi grek i Gjirokastrës më 1913-1916 u përpoq të
ndërpriste procesin e nisur të shtetndërtimit shqiptar pasi Greqia pretendonte
për ta përfshirë Gjirokastrën brenda kufjve të shtetit grek në kuadër të
pretendimeve të saj të hapura për të ashtëquajturin “Vorio Epir”. Këto
përpjekje aneksioniste të Greqisë u kundërshtuan nga elita patriotike shqiptare
e popullsia e Gjirokastrës. Për më tepër në 1916, ky rrezik u minimalizua pasi Gjirokastra u
përfshi në zonën e pushtimit italian pas tërheqjes së detyruar të ushtrisë
greke. Në zonën e pushtimit Italian u mbyllën shkollat në gjuhën greke dhe u
hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe , në të cilat dominonin mësues italianë
dhe mësimi i italishtes filloi të zinte vendin e parë. U hapën kurse të
shkurtra për arsimtar shqiptar si në: Gjirokastër dhe Vlorë, ku morën pjesë 135
veta dhe u sollën nga Italia mjete
mësimore dhe libra shkollorë. Ndërkaq, qeveria italiane në qarkun e Vlorës dhe
të Gjirokastrës krijoi një administratë ushtarake, që drejtohej nga specialistë
italianë. Në këtë zonë shkoi duke u rritur numri i shkollave. Çdo shkollë
kishte mësues shqiptar dhe mësues-ushtarë italianë. Mësimi i gjuhës italiane
ishte i detyrueshëm. Për aftësimin e mësuesve shqiptarë në Vlorë u organizuan
kurse të shkurtra, ndërsa në vitin 1917 u dërguan edhe 25 vetë, ku ndoqën një
kurs 3 mujor pedagogjik. Shkollat punonin sipas programit të shkollave
italiane. Në vitin shkollor 1917-1918, në Gjirokastër u hap edhe një shkollë
qytetëse me profil tregëtar, në të cilën të gjitha mësimet të bëheshin në
italisht. Në vitin 1921 kur Gjirokastrën e viziton Senatori francez Justin
Godart gjatë turit të tij në Shqipëri,
kishte 11.000 banorë dhe 5 shkolla me shumicën e klasave mikse. . Këto zhvillime të rëndësishme kulturore të
ndërmarra nga italianët në Shqipërinë e Jugut hijezoheshin nga publikimi i
Traktatit të Fshehtë të Londrës (26 Prill 1915) që parashikonte një copëzim të
Shqipërisë londineze si dhe dëshirën e italianëve për të aneksuar Vlorën dhe
rrethinat e saj si pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Adriatik. Në këto
kushte politike e kulturore të krijuara në Gjirokastër si dhe pas kthimit në
vendlindje të disa familjeve intelektule gjirokastrite nga Turqia, si
Kokalarët, Kokonatët, Alizotajt etj lind edhe publicistika në gjuhën shqipe si
pasardhëse e traditës më të mirë të shtypit të Rilindjes Kombëtare
Gazeta e parë që hapet në Gjirokastër në gjuhën shqipe është Gazeta
“Drita”(1920-1924) me editor patriotin dhe publicistin demokrat Veli Hashorvën
(1892-1975). Veli Hashorva nuk ishte i panjohur për lëvizjen patriotike e
kombëtare shqiptare. Ai ishte
përfaqësues i një familje të vjetër gjirokastrite të parët e të cilit kishin
administruar financat e Vilajetit të Janinës . Veprimtarinë patriotike ai e
kish filluar në qytetin e lindjes, në
Gjirokastër si anëtar i klubit «Drita» të themeluar atje më 1908. Më 1911 ai
shkoi në Stamboll për studimet e larta për Shkenca Politike dhe u kthye në
Shqipëri më 1912. Veli Hashorva sëbashku me studentë të tjerë shqiptarë përfshi
dhe mikun e tij Ali Këlcyrën i ndërpreu
studimet e larta si rezultat i shpërthimit të Luftërave Ballkanike. Si
veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga forcat greke kur
ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913. Për t’u shpëtuar ndjekjeve të mëtejshme, në
maj 1915 mërgoi në SHBA, ku punoi pranë Federatës «Vatra». Më 1916 botoi në Nju-Jork gazetën «Vjosa» me
frymë politike kombëtare. Në datën 3 qershor 1917 ai zgjidhet delegat për
Kuvendin e Vatrës që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh(750,289
dollarë me kursin e sotëm) për të bërë të mundur që Kolonia e Amerikës të
dërgonte dy përfqësues në Konferencën e Paqes, z Mehmet Konica dhe z Turtulli. Veli Hashorva u kthye në Shqipëri më 1919,
kur Gjirokastra ishte ende nën zonën e pushtimit italian sëbashku me Tepelenën
e Gjirokastrën. Sipas një letre të Luigj Gurakuqit dërguar Parashqevi Qiriazit
në 6 dhjetor 1919 nga Parisi, Veli Hashorva ishte Këshilltar i “Vatrës” që po
kthehej në Shqipëri sëbashku me Kol Tromarën dhe Iliaja Panon. Ata pasi kishin
qendruar dy javë në Romë dhe pasi qenë takuar me Luigj Gurakuqin, Mehmet
Konicën e përfaqësues të Kolonisë së Stambollit ishin kthyer në Shqipëri.
Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj pas
përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër
Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të
kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib
Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5.
Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj
Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi
bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën
ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti,
Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë
së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat
Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në
Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë
kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me
rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë.
Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i
cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim. Në kushtet e një
protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë
hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Gjirokastra
pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i dorëzua Qeverisë së Durrësit në
21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por vazhdonin të mbanin ë
pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Në janar
të vitit 1920 Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga
përfaqësuesit e Gjirokastrës. Populli i Gjirokastrës i përcolli me entuziasëm
përfaqësuesit e tij në Kongresin e Lushnjës.Më 8 janar 1920 , kur nga
Gjirokastra u nisën për në kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi , në një
miting , populli thërriste : « Në Lushnjë , në Lushnjë » , « Jemi me Lushnjën !
» Mbajtja e Kongresit të Lushnjes ndeshi
në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë, por më
në fund ai arriti të mbahej duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të
ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet
patriotike shqiptare dhe u pershendetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik
i një aleance të të gjitha shtresave e
grupimeve politike, e cila i dha shpejt frytet e saj.
Përvoja e tij si gazetar në SH.B.A si editor i gazetës “Vjosa” dhe
kontribues në gazetën “Dielli” si dhe qëllimet e rithemelimit të shtetit
kombëtar shqiptar qëu shpalosën në Kongresin e Lushnjës e nxitën për të
themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i parë i saj doli në në datën
27 mars 1920 dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të
këshillit të lartë me 37 anëtarë që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar.
Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ja ka propozuar
Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga
drejtuesit e Gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll në 1884 .Numri i parë
i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e
çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur
një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti
dhe zv.prefekti i qytetit etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli
Hashorva mbajti një fjalim modest ku u shpreh: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë
që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë
përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të
Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi
këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në
jetën time personale”.
Një nga rezultatet e para të
Kongresit të Lushnjës ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës
që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht në
1913.Për këtë arsye ishte krijuar që në 1919 Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si
reaksion ndaj qeverisë së Durrësit që me sjelljen e saj fataliste ndaj
rreziqeve të copëtimit po pengonte fillimin e një lëvizje të armatosur për
zgjidhur problemin e territoreve shqiptare që ishin ende nën pushtimin italian
dhe francez. Përfaqësues të kësaj rryme mendimi në qarqet patriotike shqiptare
ishin Turhan pashë Përmeti, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja
ministër e Myfit Bej Libohova ministër pa portofol që kishte një ndikim të madh
në Libohovë e Gjirokastër. Ali Këlcyra në
kujtimet e tij shkruan se në dhjetor 1919, Myfid Libohova që u kthye nga Parizi
e Roma(...) mbajti një fjalim në Vlorë e sidomos në Gjirokastër përpara parisë
së vendit dhe tregoi se ishte pothuaj e pamundur shpëtimi i indipedencës e
sidomos tërësisë tokësore të Shqipërisë. Si gogol tregonte natyrisht pushtimin
grek që tmerronte gjithë popullin patriot. Me të tilla fjalime Myfidi me
shokë(...) donin të bindnin popullin e e vetmja shpresë shpëtimi ishte ishte kërkuarja e Protektoriatit italian.
Nacionalizmi shqiptar e sidomos “Mbrojtja Kombëtare” ishin rreptësisht kundër
kësaj propagande.
Kundërshtimi i këtyre mendimeve fataliste dhe përgatitja
e mbështetja për të organizuar Luftën e Vlorës do të gjente hapësisë të gjerë në faqet e
Gazetës “Drita”. Në një nga artikujt e gazetës “Drita”, shkruhej se: …. Vlora
është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo
marrëveshje që mund të bëhet për të…. Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë
Vlorën me sa hinterland që të duan. Po shqipëtari nuk do të bindet, është për
ne e shtrejtë dhe e shenjtë ….”. Veli Hashorva merr pjesë në Luftën e Vlorës si
vullnetar e korrospodent gazetar i luftës. Ai raporton në faqet e gazetës
drejtë për së drejtë nga fronti i luftës: Të gjitha vendet përveçse Llogarasë
ranë nën sulmet e shkëlqyera të shqiptarëve.
Ai është një nga anëtarët e komisionit të Gjirokastrës që shpallin
fitoren e Luftës së Vlorës dhe organizojnë ceremoninë e rastit. Në shpallje
shkruhet se qytetarë, Vlora e shenjtë , e cila mban ekuilibrin e jetës dhe
atdheut , u çlirua nga gjaku i çmuar dhe heroizma e racës, e cila lavdëron sot
flamurin e triumfit të lartë. Në të njëjtën kohë Gazeta “Drita” do të dilte në
mbrojtje të Avni Rustemit kur ky i fundit po gjykohej në Paris për vrasjen e Esat
pashë Toptanit.Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor
1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion
gjykatës së Parisit: ”I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e
liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me
tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi
kështu për të shpëtuar Atdheun”. Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe
nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa
kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 Dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del
në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e
Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e
Gjirokastrës i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e
popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve.
Mirse na erdhe Avni Rustemi!”.
Vitet 20’ janë dhe fillimet e demokracisë parlamentare në Shqiptare. Grupet
politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë
ngjyra lokaliste, krahinore por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e
grupimet që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e
Shoqërisë “Drita”(1921-1924). Shoqëria “ Drita” ishte klub demokratik, arsimor,
kulturor e politik që ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur
edhe klubi i «Opingarëve», meqë kishte për simbol një palë opinga, që
personifikonin njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita” që
drejtohej nga Veli Hashorva . Shoqëria “Drita” arriti rezultate të mira gjatë
fushatave të zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923.
Veprimtarinë e vet demokratike e liberale e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes që
Qershorit në 1924 që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si Revolucioni i
Qershorit 1924. Shoqëria “Drita”që në zgjedhjet e vitit 1921 u rreshtua kundër
Myfit Libohovës dhe përkrasve të tij në Prefekturën e Gjirokastrës. Shoqëria
“Drita”duket se ishte frymëzuar nga ide socialiste që kishin filluar dhe kishin
zënë rrënjë në mjedisin shqiptar. Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë
të tjerë në Stamboll Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën Turk
Huku (Drejtësia turke) që propagandonte ide socialiste. Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e
Shoqërive që u mbajt në Vlorë ku u formua Konfederata “Atdheu”. Në një njoftim
në Revistën Agimi që botohej në Shkodër njoftohet se më 3 qershor të vitit 1921
Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me Federatën “Atdheu” tue
qenë pranë dhe z Avni Rustemi i cili u zgjodh kryetar i mbledhjes së
përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu”të Gjinokastrës u zgjodhën këta
zotni; Kryetar z Petro Poga, Sekretar z Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë
qi janë z Kiço Koçi, z Hasan Xhiku dhe z Beso Gega.
Veli Hashorva nën ndikimin e kushteve shoqërore e kishte bërë për vete
devizën e një përparimi të shpejtë aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe
ende të paurbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë
midis elitës së vjetër shqiptare të formuar në kohën e Perandorisë Otomane me
një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga ancient regime dhe
të rinjve që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë të bazuar në merita dhe
përparim kulturor. Të gjitha këto grupime si Shoqëria “Drita” në Gjirokastër,
“As i Pashës as i Beut” në Elbasan do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj pushtetit
politik dhe sidomos çështjes së tokës që përbënte një pikë kyçe në marrëdhëniet
e barazisë qytetare. Shumica e çifligarëve dhe elitës së vjetër politike nuk dëshironin që të bëhej një reformë agrare
pasi pretendonin se toka ishte e trashëgueshme, ndërsa intelektualët e rinj që
vinin nga shtresat e mesme pretendonin se tokën çifligarët e kishin fituar si
rezultat i privilegjeve që kishin pasur në Perandorinë Osmane ndaj ajo duhej
t’i nënshtrohej reformës agrare. Ndërkohë që shumica e fshatarëve kishin në
zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare , shtatë
familje të mëdha , të ashtëquajturit çifligarë, me prona mbi 2000 ha,
kontrollonin zona të gjera fushore të Shqipërisë Perëndimore e qendrore. Në
këtë kohë edhe përfaqësues të rëndësishëm të pronarëve të mëdhenj të tokave si
ishte Ali Këlcyra deputet i Gjirokastrës në Parlamentin shqiptar mendonte se fshatarit, çifligarët duhet t’i
japin një pjesë toke si pronë , për të mundësuar hapjen e rrugës drejt Reformës
Agrare.
Bindjet e veta politike dhe etikën e gazetarit Veli Hashorva do ti shpallte
hapur që në numrin e parë të gazetës “Drita” që më shumë se një program gazete
i ngjan një programi politik prej shtatë pikash. Pika një, tre dhe shtatë i
vinin theksin në bashkimin e popullit shqiptar pa dallim feje e krahine, luftën
ndaj çdo sjellje të dëmshme që dëmton interesat kombëtare e mbi të gjitha pika
e fundit shpallte moton e shqiptarit të ri në vitet 20: Shqipëria për
shqiptarët. Në të njëjtën kohë Veli
Hashorva si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar shënon në programin e tij
moton bazë të gazetarisë..”.se do flasëm atë që
e do besojmë se është e vërtetë pa u ndrojtur e pa mbajtur anë” dhe pika
gjashtë “se do kritikojmë punën e kujdo po të mos jetë e pëlqyer” . Veli Hashorva si demokrat përparimtar
kërkonte që nëpërmjet faqeve të Gazetës “Drita” të ndërmerrte reforma sociale
për të fuqizuar liritë individuale të njeriut dhe ndalte zakonet e vjetra e të
papëlqyera. Gazeta “Drita” u mirëprit në
qarqet intelektuale në Shqipëri e diasporë. U dërguan shumë urime për botuesin
e saj që mori iniciativën në një situatë kaq të vështirë. Për të kanë
shkruajtur gazeta “Politika” e Halim Xhelos, gazeta “Omonia – Konkordia” e
avokat Dilos, gazeta “Kuvendi” që botohej në Romë, gazeta “Dielli” që botohej
në Amerikë, etj. Kjo e fundit shkruante se “doli një Dritë”, një llambë që do
t’iu tregonjë udhëtarëve në mjegull udhën e drejtë për në limanin e shpëtimit.
Jemi të sigurtë që “Drita” nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva do të mund
të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përtej kufirit të saj.
Programi kombëtarist i Gazetës “Drita” ndihmoi shumë në edukimin
nacionalist të lexuesve të vet. Në të njëjtën kohë ky program ndihmoi shumë dhe
në emancipimin e shoqërisë tradicionale shqiptare kur në faqet e saj kërkohej
barazimin e të drejtave të gruas njësoj me të burrit, për arsimimin e saj. Në
këtë rast ai duket se ka qenë një dishepull i mendimeve të ideologut të Rilindjes Kombëtare Sami
Frashërit që respektohej shumë nga mërgata dhe studentët shqiptarë në Stamboll.
Në librin e vet “Shqipëria çka qenë , çështë e çdo të jetë” ai shkruan për
gratë shqiptare se niveli i kulturës dhe arsimit, lartësia shpirtërore ,
edukata e grave shqiptare , e nënave të ardhshme që do të rrisin brezat e
qytetarëve dhe drejtuesit e ardhshëm të mëmëdheut ka rëndësi të dorës së parë
për të ardhmen e kombit e të familjes. Më 23 mars 1921 themelohet Shoqëria
“Kundra Bastijes” ku bënin pjesë rreth 100 gra e vajza. Shoqëria harton një
manifest ku kërkohej respektimi dhe përpa-rimi i tyre. Argumenti i tyre ishte:
“Me përparimin e grave e vajzave përparon edhe Mëmëdheu.” Në krye të grave gjirokastrite ishte mësuesja
e nderuar Urani Rumbo e cila e boton këtë manifest në faqet e “Gazetës Drita”
Një rëndësi të veçantë Gazeta “Drita” i kushtonte arsimimit të popullsisë
dhe për këtë na shkruhej në faqet e saj duhet të hapim shkolla shumë, fillore e
të mesme dhe një ligj për detyrim shkollor. Vëllai më i vogël i Veli Hashorvës,
mësuesi dhe përthyesi i njohur Ali
Hashorva nën ndikimin e të vëllait do të përfshihej në lëvizjen arsimore dhe
demokratike në Shqipëri. Ai kishte mbaruar
“Corso Preparatorio” për arsimtar të hapur nga italianët në
Gjirokastër.Si kreu me sukses atë kurs, me 24 tetor 1919, nisi karrierën e
arsimtarit. Mësues i dalluar, plot vullnet e gjallëri, punoi dy vjet në
shkollat e qytetit të Gjirokastrës. Falë prirjeve të tij, trashëgimisë
familjare dhe bashkëpunimit me të vëllanë, Velinë, Aliu nuk mbeti vetëm brenda
mureve të shkollës, por u fut me përkushtim në veprimtarinë shoqërore, për të
cilën koha kishte aq shumë nevojë. Kur në korrik 1921, me iniciativën e Avni
Rustemit, u krijua në Gjirokastër “Lidhja e Mësuesve”, kryetar i saj u zgjodh
Xhafo Poshi, kurse sekretar Ali Hashorva. Koha kërkonte shumë dhe Ali Hashorva,
inteligjent dhe zelltar për studim, do të kërkonte edhe më shumë prej vetes.
Prandaj, me ndihmën e të vëllait, në gusht 1921 u hodh në Apenine dhe u
regjistrua në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitrit në Koronë (Kalabri), ku shkonin
dhe shumë shqiptarë të tjerë, për të kryer shkollën e mesme.
Veli Hashorva si sekretar i shoqërisë “Drita” në Gjirokastër do të radhitej
në përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924 dhe një nga mbështetësit e qeverisë
së Fan Nolit. Në dy zgjedhje parlamentare në mars të vitit 1921 dhe 27 dhjetor
1923, shoqëria “Drita” mbështeti deputetët e grupimeve demokrate liberalë
kryesisht kundër influencës së Myfid Bej Libohovës në prefekturën e
Gjirokastrës. Ky antagonizëm ndaj Myfid Bej Libohovës vinte si një reminishencë
e qendrimeve proitaline gjatë Luftës së Vlorës si dhe frymës konservatore e
tradicionale që Libohova përfaqësonte në mendimin politik shqiptar të kohës.
Përkrahja që Myfid Libohova filloi ti jepte Ahmet Zogut duke u rreshtuar nënë
Partinë Përparimtare të pronarëve të mëdhenj të tokës do të kritikohej në faqet
e Gazetës Drita. ...Bashkimi i Myfitit me njerëzit e Ahmet Zogut na jep të
kuptojmë se të gjithë këta janë marrë vesh me njëri-tjetrin. Po kështu në po
këtë numër të Gazetës “Drita” do të
botohej “Shpallje e Grupit Demokrat” ku do pasqyrohej programi elektoral i
këtij grupimi të rëndësishëm liberal demokrat përsa i përket reformave që do
ndërmerreshin në Shqipëri. Në numrat 151 dhe 152 Gazeta “Drita” bën thirrje për
të votuar kandidatët e grupit demokrat duke shënuar me të mëdha emrat
kandidatëve. Është pikërisht kjo arsyeja që me rastin e moszgjedhjes si deputet
të Myfit Bej Libohovës në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1920, Gazeta “Drita” duke
përshëndetur fitoren e Popullorëve , shkruante se me këtë fitore « i dhanë të
kuptojë Beut të Libohovës se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo çiflig e atij
me shokë. Ashpërsimi i betejës politike
në zgjedhjet e dhjetorit 1923 kishte ashpërsuar dhe ligjërimin politik në
Shqipëri. Myfit Libohova u sulmua me furi në Parlamentin Shqiptar edhe për
veprimet e kundërligjshme gjatë zgjedhjeve(dhjetor 1923) duke provuar se
argumentat e tij nuk kishin bazë logjike e shumë më pak ligjore.
Në situatën e tensionuar që ndoqi periudhën janar 1924 deri në vrasjen e
Avni Rustemit më 22 prill 1924, Gazeta “Drita” mbrojti kauzën e opozitës dhe luftës
kundër konservatorizmit që tashmë përfaqësohej në qeverinë e Shevqet Vërlacit.
20 Prill 1924, ora 9.30 njoftohet nga Tirana drejtori i gazetës për plagosjen e
Avni Rustemit. Të nesermen Gjirokastra u mblodh në një miting të madh ku folën
Veli Harshova e Ramiz Harxhi, në mes të një pikëllimi të përgjithshëm. Populli
u shpërnda duke shfryrë kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit.... Dita e Hënë
dhe deri gjysma e së Martës, shkoi në heshtje. “Drita” shënon se “plumbi Avniun
e kishte marrë në krahun e mengjërt midis brigjeve 7 dhe 8, i goditi mushkërinë
dhe ngeli përmbi stomak”. Gjithë
qytetarët, anëtarët e shoqërisë demokratike klubi i “Opingarëve”, protestojnë
me telegrame drejtuar qeverisë dhe spitalit civil të Tiranës, ku ishte shtruar
Heroi Avni Rustemi. Ai kaloi 48 orë i dergjur në plagët e rënda. Veli Harshova
në fjalimin që mbajti, ndër të tjera u shpreh: “Aleksandri i madh kur vizitoi
varrin e Akilit tha: “Lum ti Akil që gjete nujë Homer, i cili këndoi trimëritë
tuaja”. Dhe për Avniun tha: “Në vend që të gjendej një vjershëtor i tillë që
t’u këndonte trimërive të tua, u ndodh një dorë atdhetari, Ramiz Harxhi që
vajtoi me një poezi të goditur”. Klubi i
Opingarëve në Gjirokastër ishte kthyer në një bërthamë demokratike liberale që
mbështeste pa rezerva opozitën e asaj kohe të kryesuar nga Fan Noli. Reagimi
ndaj vdekjes së Avni Rustemit në të gjithë vendin qe i ashpër sepse ajo ishte
me të vërtetë një tragjedi. Shtypi i opozitës ku bënte pjesë dhe Gazeta Drita
nxitoi të denonconte bashkëfajësinë e Zogut në vrasje.
Gazeta “Drita” mbështeti pa rezerva qeverinë e Fan Nolit duke i kujtuar
përherë në shkrimet e saj zbatimin e programit politik të qeverisë si dhe
përshpejtimin e reformave sociale në vend. Gazeta “Drita" e Gjirokastrës,
në artikullin e saj të 2 korrikut 1924, "Programi i qeverisë", duke e
komentuar dhe propaganduar programin e Qeverisë së Nolit e sidomos pikën pesë:
Shrranjosje e feudalizmit, shlirim i popullit dhe vendosje definitive e
demokrasis në Shqipëri, shkruante se “çrrënjosja e feudalizmit është konditë
themelore për qytetërimin e Shqipërisë. Mirëpo qeveria e Fan Noli nuk i
përmbushi pritshmëritë entuziaste të shtypit të opozitës që prej kohësh
kërkonin reforma më të thella sociale në Shqipëri. Shqiptarët e ardhur nga
Amerika dhe përkrahës të Nolit të shpërndarë në qarqet Korçë, Ersekë, Përmet,
Gjirokastër, Kurvelesh e Tepelenë nuk përbënin ende një shumicë në Shqipëri.
Mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga
ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa
nga fakti tjetër që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur
shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e
sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese
që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në
Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kish ardhur në pushtet me dhunë. Sipas
tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për
t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të
ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e
qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë
diplomat me përvojë e duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike,
të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç
u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e
qeverisë sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij
sesa ato të brendshmet.
Në numrin e fundit të saj në daten 20 dhjetor 1924, katër ditë para hyrjes
së Zogut në Tirane, editori Veli Hashorva do të shkruante: Të bashkuar para
rrezikut. Populli shqiptar me tepër se kurrë sot, duhet të jetë i bashkuar si një
trup i vetëm kundër armiqve të vet. Vetëm po të jetë i bashkuar do ta kapërcejë
edhe këtë rrezik që i turret mbi krye Shqipërisë sonë” . Thirrja e patriotit
demokrat nuk do të gjente mbështetje në organizimin e masave efikase nga
qeveria. Në Gjirokstër ashtu si dhe në kufijtë verilindorë situata ishte në
disfavor të Qeverisë së Nolit. Myfit Libohova përkrahës i Zogut kishte
përqendruar forca pranë kufijve të Shqipërisë dhe marshoi drejt Gjirokastrës në
datën 24 dhjetor. Populli i Gjirokastrës
ishte i prirur jo vetëm kundër Myfit Beut, por shikonte me dyshim të
madh dhe ishte gati të kundërshtonte një lëvizje që vinte prej Greqie.
Megjithatë, shpejt u gjend pa kurrfarë udhëheqje , qoftë politike , qoftë
ushtarake dhe situata u kthye edhe këtu në favor të forcave
kundërrevolucionare. Vetë anëtarët e
qeverisë me në krye Fan Nolin dhe disa forca të pakta qeveritare u tërhoqën në
Vlorë. Prej këndej rreth 300-500 veta ikën në Itali , ndërsa po aq u larguan
dhe në Greqi. Rrëzimi i qeverisjes së
Fan Nolit dhe kthimi në pushtet i Ahmet Zogut do të sillte dhe mbylljen e
Gazetës “Drita”. Në këto kushte Veli Hashorva si kundërshtar i hapur politik i
Myfit Bej Libohovës do të linte atdheun dhe do emigronte në Turqi ku do të
vdiste në vitin 1975. Në vitet 60’ ai dërgoi kujtimet e tij që ruhen në Arkivin
e familjes Hashorva dhe në Arkivin e Institutit e Historisë pranë Akademisë së
Studimeve Albanalogjike.
Gazeta “Drita” si gazeta e parë e hapur në gjuhën shqipe në Gjirokastër ka
meritën e veçantë se themeloi në ligjërimin publik shqiptar ligjërimin anti
imperialist duke bërë thirrje për organizimin e Luftës së Vlorës e bashkim
kombëtar. Gazeta shprehej nëpërmjet një shkrimi të titulluar “Fuqia vetë”, se
nuk duhet të rrimë duarkryq, çdo derë është e mbyllur për ne, në çdo portë që
trokitmë nuk na u përgjigj njeri. Tani na mbeti të vështrojmë hallin tonë vetë.
Ky është i vetmi shpëtim, e vetmja fuqi që duhet ti mburremi është fuqia e vet.
Në qoftë se shqiptarët do të përdorin fuqinë e vet, le të sigurohemi që
Shqipëria shpëtoi. Atëherë bota do ta kuptojë se jemi gjallë e që rrojmë nën
hijen e flamurit kuq e zi me shkabën dy-krenare. Zgjohu pra o shqiptar! Nuk
është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mo sprit të
shpëtojë i huaji…mund ta humbasim Shqipërinë përjetë po të rrimë të mpirë, po
do ta fitojmë lirinë tonë nëqoftëse lëvizim dhe tregojmë gjallëri. Ky ligjërim
nuk ishte anti italian por shkonte në frymën e ligjërimit që shprehte Ali
Këlcyra e publikuar në Gazetën “Drita” se ...Unë kam pasur respektin më të madh
për popullin liridashës italian , (por) isha rreptësisht kundra politikës
makiaveliste që bënte në Shqipëri, Sonino,Nitti, Titoni dhe komanda (ushtarake)
e Vlorës. Ishte ky qendrim i patriotëve
shqiptarë që bëri të mundur shndrrimin e politikës italianë nga një politikë
pazaresh me fqinjët e Shqipërisë në një politikë mbështetëse për tërësinë
territoriale dhe mbështetjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Vlorës. Po kështu
Gazeta “Drita” rezulton të jetë organi i parë i shtypit shqiptar në Gjirokastër
që themelon ligjërimin modern e demokratik kundër shtresave tradicionale
konservatore që e mbanin Shqipërinë ende në një muze feudalizmi të vonë ku
dinjiteti e personaliteti i njeriut vlerësoheshin pak dhe liritë e shtresave më
të gjera të popullsisë për arsim e prosperitet ekonomik ishin të nëpërkëmbura.
Në këtë mënyrë Gazeta “Drita” rezulton të ketë qenë shkolla e parë e gazetarisë
në Gjirokastër që shtroi udhën për hapjen e gazetave të tjera të mëvonshme që
lanë gjurmë në kulturën shqiptare. Publikimi dhe editimi i të gjithë numrave të
saj që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare do t’i japë shumë më tepër informacion
publikut të sotëm shqiptar mbi fillimet e modernizmit dhe evolucionin e
shoqërisë dhe kulturës shqiptare të viteve 20’.
Bibliografi:
1-Arkivi i familjes Hashorva
2-Arkivi i Muzeut Historik të Gjirokastrës.
3-Ali Këlcyra. Kujtime.
4-Arben Puto. Demokracia e rrethuar. Shtëpia botuese 8 nëntori, Tiranë:1990
5-Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Akademia e Shkencave të R.P.S.SH. 1986
6-Hylli i Dritës. Letërkëmbimi i Luigj Gurakuqit. Nr 3, mars 1944
7-Iliaz Gogaj. “Punëtorë të shquar
të shkollës shqipe,” Tiranë : Eurorilindja, 2001
8-Justin Godart. Shqipëria në 1921. Tiranë:2015, Shtëpia botuese:Klubi i
poezisë
9-Kalendari i Vatrës i motit 1918, Shtypur në Shtypëshkronjën e Gazetës
Dielli 1918, edituar nga Fan Noli.
10-Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës” Akademia e Shkencave e RPSH,
Instituti i Historisë, 1974.
11-Robert C.Austin. Shtegu i pashkelur i Fan Nolit.Botimi i II.Tiranë:2003,
Albin.
12-Flutura Hashorva. 95-vjetori i gazetës “DRITA” e Gjirokastrës
(1920-1924).Gazeta Tirana Observer 27.03.2015.
13-Nasho Jorgaqi. Fan Noli, kryeministër i qeverisë demokratike, 1924.
Gazeta Telegraf. Dossier. 18 shtator 2018
14-Odise Kote - ESSE prezantuese e studimit "Demokratia"-shkollë
e gazetarisë shqiptare". 28 mars 2013
15-Petrit Mëzezi. Vështrim mbi shtypin përparimtar 1920-1924. Studime
filologjike – V. 37, Nr 1-2
16-Tanush Frashëri. Ali Këlcyra, aristokrati Kuq e Zi. Tiranë:2005. Botimet Çabej.
17-Revista Agimi. Rreth Federatës “Atdheu”. Shkodër qershor 1921. Viti i
III i botimit.
18-Gazeta “Drita” 1920-1924
19-Gazeta Zëri i Popullit. Avni Rustemi i pavdekshëm. 30 prill 2018.
Varianti on line.
1 comment:
Përshëndetje, unë jam Daniella Williams Pasi kam qenë në lidhje me Anderson për vite me rradhë, ai u nda nga unë, bëra gjithçka që ishte e mundur për ta rikthyer atë, por gjithçka ishte e kotë, doja shumë që ai të kthehej për shkak të dashurisë që kam për të. E luta me gjithçka, i dhashë premtime por ai nuk pranoi. I shpjegova problemin tim shoqes sime dhe ajo më sugjeroi që më mirë të kontaktoja një magjistar që mund të më ndihmonte të bëja një magji për ta rikthyer atë, por unë jam tipi që nuk besova kurrë në magji, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta provoja. e dërgoi me postë magjistarin dhe ai më tha se nuk kishte problem që gjithçka do të jetë në rregull para tre ditësh, se ish-i im do të kthehet tek unë para tre ditësh, ai bëri magjinë dhe çuditërisht në ditën e dytë, ishte rreth orës 16:00. Ish-i im më thirri, isha aq i befasuar, iu përgjigja telefonatës dhe gjithçka që ai tha ishte se i vinte shumë keq për gjithçka që ndodhi, sa donte që unë të kthehesha tek ai, se më donte aq shumë. Unë isha shumë i lumtur dhe shkova tek ai dhe kështu filluam të jetonim përsëri të lumtur së bashku. Që atëherë, unë kam premtuar se këdo që njoh që ka një problem marrëdhënieje, do t'i ndihmoja një personi të tillë duke e referuar atë te personi i vetëm real dhe i fuqishëm i magjisë që më ndihmoi me problemin tim. Ju mund t'i dërgoni email atij nëse keni nevojë për ndihmën e tij në marrëdhënien tuaj ose në ndonjë rast tjetër. Email: ellenspellcaster@gmail.com
WhatsApp+2349074881619
1) Magjitë e dashurisë
2) Magjitë e humbura të dashurisë
3) Magjitë e divorcit
4) Magjitë e martesës
5) Magjitë lidhëse
6) Magjitë e ndarjes
7) Dëboni një dashnor të kaluar
8.) Ju dëshironi të promovoheni në zyrën tuaj / magjinë e Lotarisë
9) dëshironi të kënaqni të dashurin tuaj
Kontaktoni këtë njeri të madh nëse keni ndonjë problem për një zgjidhje të qëndrueshme. Email: ellenspellcaster@gmail.com
WhatsApp+2349074881619
Post a Comment