Jeta personale dhe e
pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës pati një interesim të madh që në momentet
kur Ali Pashë Tepelena sundonte në territorin e tij të gjerë të pashallëkut të
vet. Interesimi i udhëtarëve të huaj, diplomatëve dhe piktorëve gjendet në
shumë udhëpërshkrime e tablo të kohës. Për udhëtarët e diplomatët e huaj vizita
në Pashallëkun e Janinës ishte një kontakt me Lindjen ndaj diskursi që zotëron
në tekste është një diskurs orientalist dhe penelat në tablo janë penelata
reflektive të konstrasteve të thella që reflektojnë dallimet midis Lindjes e
Perëndimit. Nga ana tjetër edhe Ali pasha Tepelena e kuptonte këtë interesim të
madh të udhëtarëve e diplomatëve europianë
ndaj u përpoq që ta shfrytëzonte sa më mirë në interes të rritjes së
imazhit të vet në Europë. Disa herë ai pozoi për tu pikturuar dhe lejoi që
sarajet e tij të riprodhoheshin në gravura. Imazhi orientalist i Aliut gërshetohet me imazhin që
Aliu jepte për vetveten. Me kalimin e kohës, Aliu e njohu thellësisht këtë
vizion orinetalist të personazhit të tij dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri për
qëllimet e tij.[1]
(Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në
Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163). Vizionin orientalist Ali Pasha Tepelena e përcolli dhe
tek dy nipërit e tij që në moshë të re pozuan dhe u pikturuan nga piktori
francez Luis Dupre. Përshkrimi dhe
tabloja janë botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në
Athinë dhe në Kostandinopojë(1825) ku një pjesë të rëndësishme zë dhe udhëtimi
i Dupre në Janinë e Butrint. Ashtu si dhe udhëtarët e tjerë ai ishte frymëzuar
nga udhëtimet e Bajronit dhe Pouqeville dhe përkrimet e tyre për Lindjen e Afërt dhe Ballkanin. Tabloja paraqet dy nipërit e Ali
Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës. Për Ali Pashë Tepelenën
janë shkruar shumë libra ku përmenden djemtë dhe nipërit e tij por me rënien e
tij, pasardhësit pothuajse zhduken si me magji nga skena e historisë në
perëndim. Mbarimi i luftërave Napoloniane, pavarësia e Greqisë dhe mungesa e një
udhëheqësi karizmatik si Ali Pashë Tepelena në Shqipëri e Greqi duken se e zbehën
interesin e udhëtarëve të huaj për familjen e Ali Pashë Tepelenës.
Por ky interesimndaj familjes
dhe trashëgimtarëve të Ali pashë Tepelenës nuk do të mungojë nga ana elitës
fisnike shqiptare, pasi nipërit e Ali pashë Tepelenës vazhduan karrierën e tyre
si funksionarë të lartë në shtetin osman. Një këndvështrim tjetër shumë
interesant është se çfarë mendonte dhe elita shqiptare e kohës që ishte
integruar në spiralet e pushtetit otoman në në pozicione të larta për figurën e
Ali pashë Tepelenës dhe aksionin e tij politik. Pjesa më e madhe e elitës
shqiptare të Shqipërisë së Jugut u formua në Janinë ku bëmat dhe aktiviteti i
Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën
kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale, që e kishin
ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Është e kuptueshme që këto
kujtime të ndikonin subjektivisht në
portretizimin e Ali Pashë Tepelenës por një rëndësi më të madhe merr fakti se
çfarë mendonin parsadhësit e tij për gjyshin e tyre. Një dokument shumë
interesant na vjen nga Arkivi i Shtetit për të na ndihmuar në ndriçimin e
figurës së Ismail Rahmi Pashë Tepelenës, djali i Veli Pashës. Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin
në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.Ai ka 78 faqe në
osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga
orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit
të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi,
shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa
për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të
dhënë.[2] Botimi i tij është bërë i mundur nga Dr Hasan Bello në
revistën “Zani i Naltë” dhe është një burim interesant për historinë e Shqipërisë. Ky
përkthim në dorëshkrim sipas studiuesit Hasan Bello është në dialektin verior
dhe përmban një sasi të konsiderueshme gabimesh dhe ai është përpjekur që të
ndërhyj vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Në libër jepen të
dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga
pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës.
Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe
kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe
detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një
libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më
të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për
studiuesit.[3]
Portreti i Ismail Rahmi
Pashës jepet më i zgjeruar sesa
personalitetet e tjera nga Syrja Vlora. Arsyet mund të jenë sepse si duket nga
nga karriera e gjatë e tij në shtetin osman Ismail Rahmi Pasha ishte një
personalitet që kishte lënë gjurmë të veçanta kudo ku kish qeverisur por edhe
ndoshta si del nga jetëshkrimi i tij i hartuar nga Syrja Vlora, ata ishin të afërm.
Nëna e Ismali Rahmi Pashës ishte vajza e Ibrahim Pashë Vlorës, familja prej nga
rridhte dhe Syrja Vlora. Syrja Vlora përfshin në jetëshkrim
edhe një bisedë familjare mes tij dhe Ismail Rahmi Pashë Tepelenës.
Për fat të keq në dorëshkrim mungon një faqe por teksti
është i mjaftueshëm për të gjurmuar historinë e jetëshkrimit të Ismail Rahmi
Pashë Tepelenës.Syrja Vlora përshkruan takimin që ka bërë me Ismail Rahmi Pashë
Tepelenën dhe konsideratat që ky i fundit ka për gjyshrit e vet Ali pashë
Tepelenën dhe Ismail Pashë Vlorën. Interesant është fakti i
mosnjohjes mirë nga
ana e Ali Pashë Tepelenës të gjuhës turke duke e folur me vështirësi e gabime
dhe se me nipërit shprehej në shqip. Ky informacion është njëlloj si ai që na
japin dhe udhëtarët e diplomatët e huaj që e kanë njohur nga afër Ali pashë
Tepelenën. At dëshmojnë se gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë
tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij
personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe
që përdorte në alfabetin që njihte më mirë[4].Gjithsesi ia vlen për të përmendur se ky faktor
identiteti nuk përcaktonte kategori të ndara qartë. Shpesh ajo mbivendosej mbi
faktorë të tjerë dhe ndryshonte paradoksialisht sipas rrethanave të çastit. Një
shembull në këtë drejtim është ai i popullsisë shqiptare të Sulit, të cilët
gërthisnin shqip sfidën ndaj letrave
kërcënuese që u dërgonte greqisht Ali Pasha.[5]Gjatë sundimit Ali Pashë Tepelenës gjuha nuk kishte
fituar akoma identitetin ndarës që e gjejmë pas formimit të shteteve nacionalë
në Ballkan. Po kështu bie në sy niveli i lartë intelektual i Ibrahim Pashë
Vlorës i cili e kalonte kohën gjatë burgimit të tij të gjatë në Janinë
1810-1820 duke lexuar Divanin e Hafizit. Kohët e mjerimit të vet kujton
Ismail Rahmi Pashë Tepelena për gjyshin e tij nga nëna Ibrahim Pasha Vlora, i kalonte herë me të lutuna fetare e herë me lexime, e
sidomos me lexime të Divanit të Hafizit, me ndihmën e të cilit donte me zbulue
fatin e vet t’ardhmen. Poeti persian Hafiz është shumë
i njohur për poemat e tij që mund të
përshkruhen si antinomike dhe me përdorimin mesjetar të termit
"teosofik"; termi "teozofi" në shekujt XIII dhe XIV u
përdor për të treguar veprën mistike nga autorët vetëm të frymëzuar nga librat
e shenjtë (siç dallohet nga teologjia). Hafizi shkruajti kryesisht në zhanrin
letrar të poezisë lirike, ose të gazeleve, që është stili ideal për të shprehur
ekstazën e frymëzimit hyjnor në formën mistike të poezive të dashurisë. “Divani” i Hafizit ishte një libër që lexohej shumë në Lindje por
kishte tërhequr dhe vëmendjen e shkrimtarëve në Perëndim. Një nga ta ishte dhe
shkrimtari i madh gjerman Johan Volfang Goethe. Goethe ishte mendjehapur edhe
ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj
kulture. Ai njihte mirë Rumiun dhe Sadiun dhe Hafizin dhe vet nën ndikimin e poezisë orientale
shkruajti një Divan “Perëndimoro- Oriental” (1819-1827). Goethe e admironte shumë Hafizin, i cili
ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Ai madje
shkruajti dhe njw poezi tw titulluar “Ribashkimi”
dedikuar Hafizit. Leximi i vazhdueshwm i
Hafizit nga Ibrahim Pashw Vlora wshtw njw dwshmi tjetwr e lidhjes sw familjes
Vlora me sektet e sufizmit.
Gjithsesi në këtë bisedë të transmetuar nga Syrja Vlora nuk
mund të mos vësh re një lloj subjektivizmi në gjykimin e figurës së Ali Pashë
Tepelenës dhe lartësimin e e asaj të Ibrahim Pashë Vlorës. Mirëpo pavarësisht
këtij gjykimi të Ismail Rahmi Pashës për gjyshin e vet në fund të jetë së tij
Ismail Rahmi Pasha Tepelena zgjedh të varroset pranë gjyshit e babait të vet në
Edirkerpe, ku ishin varrosur kokat e tyre. Për më tepër si shkruan Syrja Vlora,
megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën familjejet dhe kujtimi i
emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të tmerrshme ndër turq, ai
nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i Tepelenasit). Ndaj tingëllon pak
e çuditshme se duke qenë vali(governator) në Janinë sipas Syrja Vlorës, Ismail Pasha nuk e vizitoi asnjëherë varrin e
gjyshit të vet. Emërimi i tij si governator në
Janinë nga ana e Portës së Lartë më 1848 hedh dritë mbi politikën e brendshme që
ndiqte Porta e Lartë ndaj zbatimit të reformave të Tanzimatit. Syrja Vlora
shkruan për ndërhyrjen e politikën e paqëtimit që ndoqi Ismail Rahmi Pashë
Tepelena pas kryengitjes së Shqipërisë së Jugut në 1847 ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij parësin e
Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të Tanzimatit.
Një fakt tjetër intersant në jetëshkrimin e Ismail Pashës
Tepelenës së shkruar nga Syrja Vlora është fati i pasurisë së tij dhe mënyra sesi ajo u nda nga pasardhësit
e tij. Mes të tjerash gjejmë informacionin për djalin e xhaxhait të tij Mahmut
Pashë Tepelena, djali i Myftar Pashës që është pikturuar nga Dupre dhe një pasardhës
të pretenduar të tij. Mbas mjerimit që i ngjau t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë
e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por vuajti dhe ai vetë për shkak se i
hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma
të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes
se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh në pasuninë që la ky, të gjithë si të
afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë mori pasunije, asht një çudi e fatit
se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një zezak, të cilit si dihej farefisi me
një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue pretendue se ishte djali i Mahmud beut
të birit të Muftar Pashës mujti me shti në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu
s’kishte lanë djalë, me gjithë kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Më
poshtë jetëshkrimi i Ismail Rahmi Pashë Tepelenës nga Syrja Vlora që hedh dritë
mbi jetën e trazuar të pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës.
Ismail Pasha. (Në tekst mungon faqja 6. Si mbas përshkrimit që jepet
në faqen 7, kuptohet se flitet për një Ismail Pashë, i cili e ka pasë gjysh Ali
Pashë Tepelenën). Mbasi u këndue Mevludi dhe u shpërndanë të ftuemet, mue
(thotë Syrja Vlora) më ndali atë natë me bijtë në shpi të vet. Më përkëdheli me
fjalët e veta t’ambëla, dhe un mora guxim e pyeta mbi ndonjë veçansi të jetes
s’Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës. Mi jepte të gjegjun me gëzim çdo pyetje dhe më
mbushte shpirtin me kënaqsi.
Më foli kështu: Ali Pashë Tepelena qe gjyshi i jem, e
Ibrahim Pashë Vlora baba i nanës s’eme e i gjyshes s’ate. I pari u rrethua prej
ushtrisë osmane dhe i dyti mbeti i mbyllun në kala të Janinës prej 1225 h deri
në 1235 h (1810-1820). Mbaje mend se i kam pa të dy ndër ditët e mbrame të
jetës së tyne. Ali Pasha qe injorant, turqishten e fliste me vështirësi e me
gabime. Me mue shprehej në shqip. Ibrahim Pasha, përkundrazi, qe i urtë e i
dijshëm, fliste bukur, këndonte e shkruante. Kohët e mjerimit të vet i kalonte
herë me të lutuna fetare e herë me lexime, e sidomos me lexime të Divanit të
Hafizit, me ndihmën e të cilit donte me zbulue fatin e vet t’ardhmen.
Ali Pasha, i shtym prej ndjesivet shemrake (rivaliteti),
që ushqente ndaj tij e burgosi Ibrahim Pashën; me gjithë këtë për personin e
dijen e tij kishte nderim dhe besim ndër mendimet e tija t’arsyeshme (logjike).
Disa herë Ali Pasha më pat çue mue te Ibrahim Pasha për me marrë vesht se
ç’mendonte për të e për politikën e tij. Ibrahim Pasha megjithse i dëshpëruem
dhe i urrejshëm ndaj Ali Pashës, nuk vente gojë kundra tij, por dhe rrugë si
kallxonte për sa synonte politikën që ndiqte ai (Ali Pasha). Ibrahim Pasha
ishte simpatik e burrë i kandëshëm dhe prandaj për të kisha një dashuni të
veçantë. Dhe ai më thonte se më donte ma shum se djalin e vet dhe më nxiste me
mësue.
Ali Pasha kishte shpresë me shti në dorë, vonë ose herët,
Hurshid Pashën dhe kështu me i shpëtue lakut në të cilin kishte ra. E Ibrahim
Pasha, përkundrazi, vetë ishte mërzit nga jeta dhe s’mendonte me kthye prap
dikur dhe një herë në shkambin e lumtunisë së tij të përparshëme dhe ishte mendenbushun
për fatin tragjik të bramë t’Ali Pashës!
Por sa preu fjalën e pyeta Ismail Pashën për moshën që
kishte atëherë. Qeshi dhe më përkëdheli, e mandej më tha: Moshën që ke ti sot.
Mbas këtij hesapi Ismail Pasha duhej të kishte kalue moshën tetëdhjet vjeç në
kohën që un pata me të këtë bashkëfjalim. Megjithë këtë arsyetim ishte i qartë
dhe i shkathtë në trup, edhe pse i thatë. Mbas katër pesë vjetësh vdiq dhe u
varros ndër varrezat e Edirnekapës, aty ku ishin të varrosun dhe krenat e preme
t’atit e të gjyshit të tij.
Ismail beu, pa u ba ende pashë atëherë, i cili i dha
sihariqin ma i pari Kryeministrit që ishin shpartallue e zhbi Jeniçerët dhe u
emënue në roje të rrethevet të Dikilitashit, pati disa nëpunësina në Stamboll.
Në vitin 1255 h (1839) prej Ministrisë së Tersanes si vali n’Izmir, prej ku
mbas një vjeti u emënua Ministër i Karantinës. Në vitin 1262 h (1845) tue iu
njoft meritat e tij personale, si një burrë shteti i zoti n’administrim të
vendit dhe tue u çmue besnikrija e tij ndaj sulltanit, u dërgue në 1263 h
(1846) si prefekt në Tërhallë, po n’atë vjet u emënue prefekt në Viza e me
titull Veziri prefekt në Trabzon, në 1264 h (1847) prefekt n’Edrene; në 1265 h
(1848) prefekt në Janinë, prej ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij
parësin e Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të
Tanzimatit. Dhe një herë ma vonë qe vali në Janinë, por asnjë herë nuk desht
t’a vizitonte varrin e gjyshit të vet në Manastir të Pandelimanit dhe të shihte
Tepelenën, vend-lindjen e tij. Sa herë që Ismail Pasha kujtonte vuajtjet e
familjes së tij mjerohej dhe mallkonte shkaktarët. Shqipen e fliste shumë
qartë, dhe në konak të vet mbante shërbëtorë shqiptarë. Kudo që qe vali punoj
me të drejtë dhe në publik u njoft si një vali ndër ma të mirët. Prej natyre qe
shumë i butë, i drejtë dhe i prinun me ba mirë. Kur bisedonte i kandej m’e
përcjellë gjithmonë me kallxime ngjarjesh dhe me shëmbuj. Fjalët i kishte të
lidhuna dhe ishte shumë i qartë ndër shprehje. Ç’quhej për sjelljet e fjalët ma
t’ambla e dije fisnike. Qe një vezir inteligjent dhe bamirës ndaj ata që fati i
kishte lëshue dorët. Megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën
familjejet dhe kujtimi i emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të
tmerrshme ndër turq, ai nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i
Tepelenasit). Konaku i tij qe një qendër ku u mblidhshin të pasun e të varfër,
dhe kuvendi që bahej n’at konak qe me ia pas zili. Mbas mjerimit që i ngjau
t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por
vuajti dhe ai vetë për shkak se i hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të
bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i
biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh
në pasuninë që la ky, të gjithë si të afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë
mori pasunije, asht një çudi e fatit se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një
zezak, të cilit si dihej farefisi me një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue
pretendue se ishte djali i Mahmud beut të birit të Muftar Pashës mujti me shti
në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu s’kishte lanë djalë, me gjithë
kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Kurse unë dhe të bijt e dajës së
Ismail Pashës kishim të drejtë n’atë pasuni, por ndryshimi i kohëvet dhe i
pozitës nuk na la mundësinë me ndjekë këtë padi (dava).[6]
[1]
Katherine
E.Flemming. Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali
Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163.
[2] Hasan Bello. Abstract:
Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I,
Revista Zani I Naltë.
[3] Po aty.
[4] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë.
Dituria:2002, faqe 88-89
[6]
Hasan Bello.
Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I,
AQSH, F: S. Vlora, D. 8
No comments:
Post a Comment