Arti eshte një mjet i rëndesishem në
pasqyrimin e realitetit historik, duke përcjell detaje dhe simbole. Zakonisht në
historinë e Ballkanit i referohemi tablove historike me protagonistë figura të
njohura historike për të ilustruar data dhe momente të rëndësishme historike
duke lënë më njëanë artin modern. Por edhe arti modern përmes simbolikave të
veta mund të përçojë ide dhe kumte të historisë e antropologjisë të larmishme të
Ballkanit. Një rast i tillë janë tablotë e piktorit dhe poetit surrealist grek
Niko Egonopulos (1907-1985). Në Muzeun Averrof të Artit Neohelen në Mecovë
gjendet e ekspozuar tabloja e tij
"Stërgjyshi i madh Perravios me kokën e Riga Velestilinit në dorë",
(1956) vaj me mushama. Ajo bazohet në
sekuencat e fundit të jetës të Riga Velestiniut, iluministit ballkanas të
fundit të shekullit të XVIII. Në tablonë e
Egonopulos shihet qartë portretizimi i stërgjyshit të vet arvanitas, si një
luftëtar arvanitas, me tirqe, fustanelle dhe fes te kuq. Engonopulos nga ana e
së ëmës ishte nga Hidra, ishulli i banuar nga popullsi arvanitase dhe një
nga më aktivët në Revolucionin grek. Ai ishte stërnip i familjes Vulgari, familje arkondësh nga ishulli që
luajtën një rol të madh në historinë e mëvonshme të Greqisë, ku njëri prej tyre
Dhimitër Vulgari(1803-1875) u zgjodh disa herë kryeministër pasi kish pasur një
kontribut të shkëlqyer gjatë Revolucionit. Këto lidhje të forta familjare dhe kulturore do të pasqyrohen
dhe në krijimtarinë artistike të piktorit, duke dëshmuar shtresat e ndryshme
identitare që e kishin formuar si artist. Egonopulos është nga përfaqësuesit më
të shquar të brezit të autorëve të viteve 30’ në Greqi dhe themelues i rrymës
së Surrealizmit. Modernizmi i Egonopulos është komplet origjinal pasi në krijimtarinë
e tij ai gjeti disa pjesë të qëndrueshme të traditës greke. Egonopulos i
përdori principet teorike të Surealizmit për të përshkruar dhe përforcuar
trajta që ekzistonin në traditën e letërsisë greke, veçanërisht në krijimtarinë
folklorike dhe në traditën orale të të kënduarit. Duke qëmtuar në traditën e
hershme të letërsisë së shkruar greke, Egonopulos do të jetë shumë i tërhequr
nga fillimi i përdorimit të dialektit bashkëkohor të Greqishtes së re,
“Dimotiki” e cila ishte lëvruar kryesisht në Pashallëkun e Janinës. Dialekti
dhimotiki i greqishtes u adaptua si gjuha e oborrit të Ali Pashës ku forma e
saj e shkruar dhe kodifikimi u perfeksionuan. Ky adoptim i dialektit popullor
si gjuhë zyrtare me promovimin e zhvillimit të saj ngushtuan hendekun e madh
midis elitës sunduese greke dhe publikut të gjerë dhe shtruan rrugën për të
krijuar një ndërgjegje dhe kohezion kombëtar.
Pikërisht kësaj
tradite të hershme i referohet Egonopulos kur në 1964 do ta vlerësonte poemën “Ali Pashaida” të
shkruar në Dhimotiki, të poetit shqiptar Haxhi Shehreti nga Delvina si artin e
“vërtetë poetik grek”. Me po të njëjtën frymë surreale janë të pikturuara dhe
tablotë e tij historike dhe tabloja "Stërgjyshi i madh Perravios me kokën
e Riga Velestilinit në dorë".
Interesant është
fakti se heroi kryesor i tablosë është i pikturuar pa fytyrë. Autori
s’ ka dashur te pikturojë heroin e vet me ndonjë fytyrë të identifikueshme,
ndoshta për ta përgjithësuar stërgjyshin si cilido pjesëmarrës i revolucionit
grek. Stërgjyshi i i piktorit, Perravios mban në dorë kokën e iluministit
ballkanas Riga Velestinis
Ferreo (1757— 13 qershor 1798) të shekullit XVIII. Riga Velestinis Ferreo
hartoi kartat e tij kushtetuese nën shembullin e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut
të Revolucionit Francez. Ai nuk mendonte t’i jepte shtetit të ri që do të
ndërtohej në Ballkan, një karakter të
ngushtë nacional, por duke reflektuar frymën e kohës në të cilën ai ishte
formuar, dëshironte që ai të kishte një karakter universal. Riga hartoi
karta kushtetuese për pothuajse gjithë popullsitë e Ballkanit dhe në krye të këtij
shteti të ri i influencuar nga ideja e iluministeve të “monarkëve të arsyeshëm”
ai shikonte çuditërisht Sulltan Selimin III (1761–1808) të mbiquajtur reformator për shkak të
reformave që ai kishte ndërmarrë në ushtri dhe jetën publike otomane. Ashtu si dhe iluministët europianë që
u bënin thirrje mbretërve të Europës për qeverisur drejt, ai i bënte thirrje
Sulltanit otoman që të përqafonte arsyen dhe t’i jepte popullit të vet një
qeverisje më të mirë. Edhe gjuhën greke që ai e parashikonte si gjuhën e folur
të këtij shteti panballkanik nuk e shikonte në aspektin hegjemonues dhe
asimilues ndaj popullsive të tjera, por në karakterin e saj universal si gjuha
kulturore që ishte përdorur për më se katër shekuj nga elitat ballkanike. Në një nga këngët e tij të shkruar në greqishten e re ai
u bënte thirrje “grekëve, shqiptarëve, bullgarëve, rumunëve dhe turqve të
shtypur të linin qytetet e okupuara dhe gjithë shtypje dhe të iknin në mal ku
mund të shijonin lirinë”. Riga, për
idetë e tij, që edhe pse ishin universale dhe bënin thirrje për një Ballkan të
bashkuar, u arrestua nga austriakët në Trieste që shihnin në veprimin tij shkatërrimin
e rendit otoman në Ballkan për të cilin ishin shumë të interesuar të
konsolidohej, pasi ishin në luftë me Francën. Ai iu dorëzua autoriteteve
otomane, të cilat pasi e torturuan në burgun e Beogradit rrugës për në
Kostandinopojë, për të mënjanuar presionet nga miqtë e tij që do të ndërhynin
për ta liruar, e vranë dhe e hodhën në ujërat e Danubit. Ky ishte fundi tragjik
i tij, por natyrisht nuk ishte dhe fundi i ideve të tij.
Egonopulos në tablonë e tij pasqyron jo
vetëm një pjesë e rëndësishme të historisë moderne të Greqisë, por përmes
simbolikës të dy personazheve shenjon shtresat identitare që themeluan kombin
grek. Si arvanitas, ai ndjehet krenar që grupi i tij etnik ka dhënë një nga
kontributet më të mëdhenj në Revolucionin grek, si elementi më i rëndëshëm që
mbajti gjithë peshën e betejave të revolucionit, por në të njëjtën kohë i
atribuon iluministëve dhe cilësi udhëheqëse pasi me kokën e Rigës(idetë) në
dorë, arvanitasit vazhduan betejat me osmanët. Në këtë mënyrë ata u bënë
promotorë të lirisë por edhe nënshtetas të nderuar të shtetit të ri grek.
No comments:
Post a Comment