Monday, 27 April 2020

Shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës në kishën e Shën Thanasit në Kostur.



Kosturi është një nga qytetet në  rajon i cili ka pasur një rëndësi të veçantë për mesjetën arbëre dhe historinë e Arbërisë. Kosturi për një moment para pushtimit otoman ka qenë nën zoterimin e Muzakajve. Gjin Muzaka në Kronikën e tij shkruan se  Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi Muzakajve dhe qytetin e Kosturit që ishte nënë sundimin e djalit të Vukashint, Marko Kralejviçit. Qyteti i Kosturit që është një gjë fort e bukur dhe me të ardhura të mëdha rrëfen Muzaka u muar me forcën e armëve nga Mark Kralejviçi dhe mbeti zotërim i Muzakajve derisa u pushtua ashtu si zotërimet e tjera të Muzakajve, nga pushtuesit osmanë.( Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 177). Në betejën e Kosturit morën pjesë edhe disa fisnikë të tjerë arbër, si Balsha II, vjehërri i Andrea Muzakës, dhe dhëndri i këtij të fundit, zoti i Dibrës dhe Ohrit, Andrea Gropa. Si simbol i zotërimit të qytetit familja Muzaka ndërtoi dhe kishën e Shën Thanasit duke marrë kështu edhe rolin e ktitorit njëlloj si despotët dhe familjet e tjera fisnike në rajon. Kisha e Shën Thanasit në Kostur është një nga monumentet më të vjetra bizantine në krahinë. Ajo është një kishë të vogël, me një dhomë me çati të drunjtë me narteks të ndërtuar më vonë nga ana perëndimore. Në brendësi të saj është shumë e pasur me piktura murale me karakter rrëfimitar. Pikturat murale përmbajnë skena nga jeta e Krishtit si edhe shumë shenjtorë, në mes tyre zënë një vend të veçantë shënjtorët lokalë dhe ata të urdhërave ushtarakë.
Sipas shënimit të ktitorit(ndërtuesit) që ka ardhur deri në ditët e sotme në murin perëndimor të saj, kisha u ndërtua në vitet 1383-1384 nga vëllezërit Stoia dhe Theodhor Muzaka, sëbashku me murgun Dionisi. Të dy vëllezërit ishin pjesëtarë të familjes fisnike Muzaka e cila sundonte Kosturin në ato kohë para pushtimit otoman. Mbishkrimi i stilizuar gjendet mbi portën në anën perëndimore të saj. Në të shkruhet:
Άνηγέρθη και ήνεκαινίσθη εκ βάθρου κ(αί) κόπου και μόχθου ό θείος // και πάνσεπτος ναός
οΰτος του έν άγίοις π(ατ)ρ(ός) ήμ(ών) Αθανασίου τοϋ Μεγάλου // κ(αί) άνιστορήθη παρά τους
κτιτόρους ήγου(ν) τους παν[ευγ]ενεστάτους κυ(ρ) Στώ // ϊα κ(αί) Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη . κ(αί)
τοϋ έν Ίερο(μον)άχ(οις) Διονυσίου . αϋφθεν // τευόντ(ων) δέ τ(ών) αύτ(ών) αϋταδέλφ(ων)
πα[ν]ευγενεστάτους κυ(ρ) Στώϊα. και κυ(ρ) // Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη. άρχιερατ[εύ]οντος δέ τοϋ πανιεριοτάτου έπισκό[που] // κυ(ρ) Γαβριήλ κ(αί) πρωτ[οθρόνου] εν [ετει ςω]^Β'.
U ngrit dhe u rinovua nga themeli, me mund dhe me vuajtje, ky tempull i atit tonë të shenjtë mes shënjtorëve , Thanasit të madh,si dhe u pikturua nga murgu Dionis të zgjedhur prej ktitorëve , zotërve shumë fisnikë Stoja dhe Teodor Muzaka, kur kryepeshkop i Kosturit ishte shumë i ndrituri zot Gavril, në vitin 1383/1384.(Mbishkrimi është përkthyer nga Pr.Dr. Pëllumb Xhufi)
Shkronjat e mbishkrimit janë të mëdha, të shkruara bukur dhe të një madhësie, me përdorim paralel të gërmave të vogla. Ja vlen të veçohet përdorimi i llojit ou. Shkronjat e mbishkrimit duken se janë shkruar nga e njëjta dorë. Shën Athanasi, të cilit i është kushtuar ndërtimi i kishës, paraqitet i gjithi në këmbë, më i madh se shenjtorët e tjerë , në krah të hyrjes kryesore, brenda kishës.(Eugenia Dhrakopulo. Qyteti i Kastorias gjatë epokës Bizantine dhe Post Bizantine(shekulli i XII-XVI). Historia-Arti-Mbishkrimet. Kristianiki Arkeologji Shoqëria, Athinë;1997, fq 96-97).
Zakonisht në mesjetë familjet e mëdha feudale ndërtonin kishat e shenjtorëve që i konsideronin dhe si shenjtorët mbrojtës të familjeve të tyre. Në këtë rast edhe familja Muzaka nuk mund të bënte përjashtim, prandaj ka shumë gjasa që Shën Thanasi të ketë qenë shenjtori mbrojtës i kësaj familje feudale arbëre. Kisha e Shën Thanasit mbetet një momument shumë i rëndësishëm i kulturës arbëre jo vetëm për arsyen se dëshmon shtrirjen e pushtetit administrativ të familjes Muzaka në lindje të territoreve arbëre, por edhe sepse në afresket e saj mund të jetë shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës. Sipas Prof. Pëllumb Xhufi në librin “Nga Paleologët te Muzakajt”, në afresket e Kishës së Shën Thanasit të Kosturit gjendet i pikturuar dhe Shën Gjergji i cili në mënyrë krejt të pazakontë për ikonografinë bizantine mban një mantel që ka për dizenjo shqiponjën dykrenore, me yll në mes. Kujtojmë vazhdon Prof. Xhufi, që pas fitores mbi Vukashinin në Perister, Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi fitimtarit Andrea Muzakës, stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Të jetë shqiponja në mantelin e Shën Gjergjit një jehonë e këtij episodi dhe pra të jetë figura e Shën Gjergjit, hyut luftëtar aq të dashur e të adhuruar ndër shqiptarët, një shëmbëlltyrë e Despotit Andrea Muzaka?
Do t'i përgjigjeshim pozitivisht kësaj pyetje edhe për faktin se që të njëjtën shqiponjë në mantelin e figurës së Shën Gjergjit në Kishën e Shën Athanasit në Kostur, e ndeshim në emblemën e Muzakajve , të egzekutuar në basoreliev në altarin e kishës së Shën Mërisë së Mezanjës edhe ajo një fondacion i Muzakajve të emigruar në Itali pas rënies së Krujës.(Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 278-279).
Gjurmimi dhe rikrijimi i hartës së trashëgimisë kulturore shqiptare në rajon ndihmon në shpjegimin dhe rrëfimin e historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve të tyre kulturore mes vetes dhe qytetërimeve të tjerë si dhe rolin që luajtën familjet fisnike arbërore në ushtrimin e pushtetit administrativ e kulturor në rajon. Portreti i Andrea Muzakës mund të jetë portreti i parë i një prijësi arbër në një afresk dhe kjo mund të përbëjë një risi për dokumentimin e prijësit të parë arbër në historinë shqiptare.








Saturday, 25 April 2020

Nipi i Ali Pashë Tepelenës: Ismail Rahmi Pashë Tepelena.




Jeta personale dhe e pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës pati një interesim të madh që në momentet kur Ali Pashë Tepelena sundonte në territorin e tij të gjerë të pashallëkut të vet. Interesimi i udhëtarëve të huaj, diplomatëve dhe piktorëve gjendet në shumë udhëpërshkrime e tablo të kohës. Për udhëtarët e diplomatët e huaj vizita në Pashallëkun e Janinës ishte një kontakt me Lindjen ndaj diskursi që zotëron në tekste është një diskurs orientalist dhe penelat në tablo janë penelata reflektive të konstrasteve të thella që reflektojnë dallimet midis Lindjes e Perëndimit. Nga ana tjetër edhe Ali pasha Tepelena e kuptonte këtë interesim të madh të udhëtarëve e diplomatëve europianë  ndaj u përpoq që ta shfrytëzonte sa më mirë në interes të rritjes së imazhit të vet në Europë. Disa herë ai pozoi për tu pikturuar dhe lejoi që sarajet e tij të riprodhoheshin në gravura.  Imazhi orientalist i Aliut gërshetohet me imazhin që Aliu jepte për vetveten. Me kalimin e kohës, Aliu e njohu thellësisht këtë vizion orinetalist të personazhit të tij dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri për qëllimet e tij.[1] (Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163). Vizionin orientalist Ali Pasha Tepelena e përcolli dhe tek dy nipërit e tij që në moshë të re pozuan dhe u pikturuan nga piktori francez Luis Dupre. Përshkrimi dhe tabloja janë botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë(1825) ku një pjesë të rëndësishme zë dhe udhëtimi i Dupre në Janinë e Butrint. Ashtu si dhe udhëtarët e tjerë ai ishte frymëzuar nga udhëtimet e Bajronit dhe Pouqeville dhe përkrimet e tyre  për Lindjen e Afërt dhe  Ballkanin. Tabloja paraqet dy nipërit e Ali Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës. Për Ali Pashë Tepelenën janë shkruar shumë libra ku përmenden djemtë dhe nipërit e tij por me rënien e tij, pasardhësit pothuajse zhduken si me magji nga skena e historisë në perëndim. Mbarimi i luftërave Napoloniane, pavarësia e Greqisë dhe mungesa e një udhëheqësi karizmatik si Ali Pashë Tepelena në Shqipëri e Greqi duken se e zbehën interesin e udhëtarëve të huaj për familjen e Ali Pashë Tepelenës.


Thursday, 9 April 2020

Patrioti liberal Veli Hashorva dhe Gazeta “Drita” e Gjirokastrës 1920-1924






(100 vjetori i Gazetës “Drita” 27 mars 1920-27 mars 2020)

Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të qytetit të Gjirokastrës.Brenda një harku 10 vjeçar 1920-1930 në qytetin e Gjirokastrës janë botuar gazetat si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939, “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924 “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit. Ky zhvillim i rëndësishëm kulturor ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të elitës patriotike të qytetit të Gjirokastrës dhe pjesëmarrjes së saj në shtetndërtimin shqiptar të filluar që gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare e në vazhdimësi. Etapë e rëndësishme e zgjimit kulturor në Gjirokastër ishte padyshim themelimi i Klubit “Drita” në 1908 dhe shkollës “Liria” po atë vit në gjuhën shqipe.


Tuesday, 7 April 2020

Idetë dhe simbolet e Revolucionit Grek në një tablo të Nikos Egonopoulos





Arti eshte një mjet i rëndesishem në pasqyrimin e realitetit historik, duke përcjell detaje dhe simbole. Zakonisht në historinë e Ballkanit i referohemi tablove historike me protagonistë figura të njohura historike për të ilustruar data dhe momente të rëndësishme historike duke lënë më njëanë artin modern. Por edhe arti modern përmes simbolikave të veta mund të përçojë ide dhe kumte të historisë e antropologjisë të larmishme të Ballkanit. Një rast i tillë janë tablotë e piktorit dhe poetit surrealist grek Niko Egonopulos (1907-1985). Në Muzeun Averrof të Artit Neohelen në Mecovë gjendet e ekspozuar tabloja e tij    "Stërgjyshi i madh Perravios me kokën e Riga Velestilinit në dorë", (1956) vaj me mushama. Ajo  bazohet në sekuencat e fundit të jetës të Riga Velestiniut, iluministit ballkanas të fundit të shekullit të XVIII. Në tablonë e Egonopulos shihet qartë portretizimi i stërgjyshit të vet arvanitas, si një luftëtar arvanitas, me tirqe, fustanelle dhe fes te kuq. Engonopulos nga ana e së ëmës ishte nga Hidra, ishulli i banuar nga popullsi arvanitase  dhe një nga më aktivët në Revolucionin grek.  Ai ishte stërnip i familjes Vulgari, familje arkondësh nga ishulli që luajtën një rol të madh në historinë e mëvonshme të Greqisë, ku njëri prej tyre Dhimitër Vulgari(1803-1875) u zgjodh disa herë kryeministër pasi kish pasur një kontribut të shkëlqyer gjatë Revolucionit. Këto lidhje të forta familjare dhe kulturore do të pasqyrohen dhe në krijimtarinë artistike të piktorit, duke dëshmuar shtresat e ndryshme identitare që e kishin formuar si artist. Egonopulos është nga përfaqësuesit më të shquar të brezit të autorëve të viteve 30’ në Greqi dhe themelues i rrymës së Surrealizmit. Modernizmi i Egonopulos është komplet origjinal pasi në krijimtarinë e tij ai gjeti disa pjesë të qëndrueshme të traditës greke. Egonopulos i përdori principet teorike të Surealizmit për të përshkruar dhe përforcuar trajta që ekzistonin në traditën e letërsisë greke, veçanërisht në krijimtarinë folklorike dhe në traditën orale të të kënduarit. Duke qëmtuar në traditën e hershme të letërsisë së shkruar greke, Egonopulos do të jetë shumë i tërhequr nga fillimi i përdorimit të dialektit bashkëkohor të Greqishtes së re, “Dimotiki” e cila ishte lëvruar kryesisht në Pashallëkun e Janinës. Dialekti dhimotiki i greqishtes u adaptua si gjuha e oborrit të Ali Pashës ku forma e saj e shkruar dhe kodifikimi u perfeksionuan. Ky adoptim i dialektit popullor si gjuhë zyrtare me promovimin e zhvillimit të saj ngushtuan hendekun e madh midis elitës sunduese greke dhe publikut të gjerë dhe shtruan rrugën për të krijuar një ndërgjegje dhe kohezion kombëtar.
Pikërisht kësaj tradite të hershme i referohet Egonopulos kur në 1964  do ta vlerësonte poemën “Ali Pashaida” të shkruar në Dhimotiki, të poetit shqiptar Haxhi Shehreti nga Delvina si artin e “vërtetë poetik grek”. Me po të njëjtën frymë surreale janë të pikturuara dhe tablotë e tij historike dhe tabloja "Stërgjyshi i madh Perravios me kokën e Riga Velestilinit në dorë".


Friday, 3 April 2020

Aleksandër Moisiu, Hamleti dyshues i botës shqiptare


Fjalët që shprehin koncepte të mëdha shpesh herë duken sikur vijnë nga një origjinë hyjnore, por në fakt ato reflektojnë një parim të njohur të semantikës, të identifikimit të koncepteve me sendet që i kanë përfaqësuar. Kështu p.sh pak kush mund t’i vejë mendja apo t’i kujtohet nëse ka lexuar diku se fjala tragjedi kaq e nevojshme për të kuptuar dhimbjen, vuajtjen dhe katarsisin njerëzor, të ketë në qendër të saj dhuratën që i jepej fituesit në lojrat e festimet të organizuara për nder të hyut Dionis. Kjo dhuratë që ishte cjapi shumë e denjë për vendet   malore , ku konsiderohej një kafshë e shenjtë për të mbarështuar ekonominë e rrjedhimisht dhe për tu flijuar, duket sikur e plebetizon paksa aristokracinë e lartë të fjalëve që pasqyrohet në formën e tragjedisë, por në të vërtetë ata që i kanë dhënë jetë këtj lloji arti skenikë janë aktorët e mrekullueshëm tragjikë.
Etnosi dhe kombi ynë ka pasur fatin të lind një të tillë të shenjuar në memorjen e kohës me emrin e një heroi të madh të antikitetit si Aleksandër dhe me mbiemrin e një profeti të madh të njerëzimit si Moisi. Nuk e di se çfarë kombinimi më të mirë mund të gjente fjala tragjike sesa kombinimi i këtyre dy emrave në një person, pasi Aleksandri i Madh mbi të gjitha ishte një hero kulturor, njeriu që në çdo përparim të ushtrive të tij ndërtonte dhe institucione të rëndësishme kulturore që shpërhapnin qytetërim dhe Moisiu një profet që udhëhoqi popullin e vet drejt Tokës së premtuar dhe mori dhjetë Urdhëresat e Shenjta duke shpërhapur fjalën e Zotit. Këtë lloj kombinimi e mbivendosje kulturash  mund ta gjesh vetëm në Gadishullin Ilirik prej nga ishte origjina e Aleksandër Moisiut, pasi ai ashtu si dhe Aleksandri i Madh është një hero kulturor.
Çfarë mund të ketë trashëguar Moisiu nga vendi i origjinës së  vet? Qytetet Durrësi e Kavaja ku kaloi disa vite jetës ? Si mund të ketë ndikuar këto qytete në personalitetin  e tij? Në vitin 1849 peisazhisti britanik Edward Lear shkruan për Durrësin se nga pamja kështjella duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e merementime. Fortifikimet e saj shtrihen tëposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit , ku bashkohen me muret e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca basoreliefe në formë bufash të gdhendur. Kombinimet e peisazheve përqark janë shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peisazh shqiptar që kam parë. E mandej ai shkruan për bukurinë rurale të rrethinave të Kavajës që përbehet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e lartë  sahati, figura gegësh të veshur me ngjyra të forta-të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërrema dhe oxhaqet e bardhë të lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt ; më tej livadhe të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjat e kodrave të ulëta e të zbehta në jug-perëndim , si dhe Adriatiku i kaltër me Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont. Ndoshta këto përthyerje e pafund peisazesh  do reflektonin në zërin e tij magjik. Ndoshta diversiteti fetar e arkitekturor do ndikonte në temperamentin e tij gjithë jetë e pasion. Stefan Cvajg, do të shprehej për zërin e tij “Zëri përkëdhel vetveten, i rrëshqet mendimet e thurura poshtë e lart nëpër shkallë si macja lëmshin në oktava muzikore që ngrihen dhe ulen përgjatë tërë shkallës së instrumentit kumbues të fytit. Nganjëherë njeriu mbyll sytë vetëm për një hop për ta ndier ligjërimin e tij si muzikë…”. Po a e ndjente veten Moisiu shqiptar? Ja si shprehej ai në takimin e datës  29 qershorit 1920 në Vjenë me studentët shqiptarë, i  prekur nga konsideratat dhe entuziasmi i tyre. “Miq të dashur, ju faleminderit shumë për nderimet që më rrëfeni. Jam ndodhur në shumë gostira, në shumë mbledhje, kam ndierë shumë gëzime, por ky i kësaj nate, është tjetër gëzim. Ju lutem të më besoni që asnjëherë gjer më sot nuk jam gëzuar si sonte. Nuk mund të ju tregoj dot kënaqësinë që ndiej kur dëgjoj prej jush kaq gjëra të bukura mbi përparimin e zhvillimin e popullit shqiptar...
Moisiu i dhuroi skenës temperamentin kolerik shqiptar, butësinë mesdhetare italiane dhe logjikën e ftohtë gjermane. “Shqiptar, italian, gjerman, europian - qytetar i botës”shkruan për të kritiku i teatrit Rudiger Schaper. Por mbi të gjitha tek Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen. “Askush nuk vdiq aq shpesh dhe aq mrekullisht bukur në skenë sa Moisiu. Vetëm tek “Kufoma e gjallë” e Tolstoit, gjatë viteve 1913-1935, ai ia veshi vetes me plumb mbi 1500 herë”, - thotë kritiku gjerman, Rudiger Schaper në biografinë për Aleksandër Moisiun. Shumë e vështirë në fakt për t'i përmbledhur të katërta këto karaktere  në një, dhe në kohën kur populli i tij përjetonte tragjedi përndekjeje duke hyrë e dalë nga skenat e historisë. Por Moisiu ishte gjeni, ndaj egzistencializmi në monologun e Hamletit "To be or not to be" merrte vrull dhe i ngjante një poeme kushtuar jetës. “Hamleti” ishte shkruar për Moisiun dhe Moisiu ishte lindur posaçërisht për të interpretuar princin e Danimarkës thotë Max Brod miku dhe biografi i Franc Kafkës që sëbashku me Kafkën  patën fatin ta ndiqnin Moisin gjatë vitit 1903 në Teatrin Gjerman të Pragës.  Por ç’përmbante kaq sharm zëri i Moisut dhe loja e tij teatrale? Përse vendet e ftohta, si vende ngjarjesh të tragjedive të mëdha e pëlqenin kaq shumë aktrimin e tij?
Përgjigjen na e jep një personalitet tjetër i madh i kulturës gjermanike, Stefan Cvajk, kur shkruante se “njeriu i jugut, mbetet gjithnjë njeriu i jugut. Në mënyrë që të mos ngrijë ai merr me vete diellin e vendit të tij kudo ku shkon”. Cvajk si gjithë të tjerët që jetonin në në Perandoritë e Mëdha , ka shumë mundësi të mos e dinte origjinën e saktë të Moisiut, ose ta identifikonte atë si Italian, por përkufizimi i tij mbetet në fakt proverbial. Shqiptarët janë vërtetë njerëz të komunikueshëm dhe në të njëjtën kohë gjithë pasione, pra nëse ndonjëherë do na ndrrohej mendja për të mos u quajtur më bij shqiponjash, në ndihmë do të na vinte Moisiu, për të na thirrur si “njerëz që marrim me vete diellin kudo që shkojmë”. Kjo mund të shndrrohet dalë nga dalë në një dilemë kulturore, e gjithmonë aty nëse do duam të respektojmë më tepër fjalën do na vijë në ndihmë Aleksandër Moisiu, Hamleti dyshues i botës shqiptare.