Monday, 4 March 2019

Tabloja “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote”.




Lord Bajroni, përfaqëson një dukuri të veçantë në qytetërimin perëndimor. Heroi Bajronian që ai krijoi paraqet jo vetëm klithmën e ndryllur prej shekujsh për liri individuale e kolektive por edhe pikëllimin e madh të shekullit për mos përmbushjen e këtyre të drejtave themelore. Fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XIX ka një veçanti që shfaqet për herë të parë në mendimin europian që nga Roma e lashtë. Natyra, forca dhe bukuria e saj zevëndëson arsyen dhe racionalitetin e shekullit të XVII. Mirëpo natyra te Bajroni nuk është si të Wordsworth që përdëllohet e mahnitet nga  lulet narcis apo zambakët e ujit por është një aspekt i rëndësishëm që përmbush dhe realizon ëndrrat e heronjve të vet. Kështu p.sh në poemën i “Burgosuri i Shilonit” , heroi kryesor harron vuajtjet e veta vetëm sepse përmes hekurave të dritares së burgut shikon panoramën e maleve të Zvicrës dhe bukurinë e liqenit. Këto karekteristika të veçanta të artit dhe personalitetit të tij bënë  të mundur që qysh në gjallje të tij , Bajroni të krijonte një audiencë të gjerë dhe pasues të shumtë. Një pjesë e madhe e bashkëkohësve të tij pavarësisht profesionit që kishin iu bashkangjitën idesë së tij për ringjalljen e Greqisë dhe krijimin e Komitetit për lirinë e Greqisë. Mes personaliteteve të shumtë kulturorë që morrën pjesë në këtë komitet, ishte dhe William Parry me profesionin inxhinier dhe që e shoqëroi Bajronin deri në Mesolongj. Një vit pas vdekjes së Bajronit ai botoi librin “Ditët e fundit të Bajronit”, ku përshkruan momentet e fundit të Bajronit dhe jetën e 600 luftëtarëve suliotë që e shoqëronin atë. Në atë kohë Mesolongji ishte një qytet fare i vogël dhe i varfër me 3000 banorë. Ishte i papastër i pa sistemuar plot mjerim , i ndërtuar mbi baltë e pellgje i rrethuar nga këneta të cilat mund të quhen brezi i vdekjes. Banesa ku zuri vend Bajroni ishte fare e thjeshtë megjiatë ajo u bë shtabi i kryengritjes për disa muaj.(Afrim Karagjozi. Bajroni. Plejad:2009, fq 261). Mirëpo përveç përshkrimeve shumë të rëndësishme dhe autentike për momentet fundit të Bajronit në librin “Ditët e fundit të Bajronit”të William Parry (London: Printeted for Knight and Lacey, 1825), janë botuar dhe tre ilustrime nga piktori i njohur dhe ilustruesi i talentuar Robert Seymur (1798 – 20 April 1836). William Parry ishte shoqëruesi i Bajronit në përpjekjen e tij për të formuar një batalion kryengritësish suliotë në revoltën greke ndaj Perandorisë Osmane në 1824.

Ai njihet si ilustrues i disa kryeveprave të letërsisë angleze dhe botërore si “Klubi Pikuik” i Dikensit apo dhe ilustrimet e disa kryeveprave të tjera botërore. Tabloja e parë titullohet "Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës (1825) ose “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote”. Tabloja është imagjinare dhe në rastin kur mendohet se është largimi i Bajronit nga Tepelena çuditërisht tabloja korrospondon me panoramën e pikturuar. Në tablo shquan rrjedha e lumit të Vjosës, dhe duket se është porta kryesore e quajtur porta e pashait. Nuk ka mundësi që të jetë Mesolongji, pasi ai është një port i vogël kurse panorama e pikturuar pasqyron terren malor. Shpesh herë ilustruesit e mëvonshëm të veprave të romantikëve dhe udhëtarëve vepronin mbi skica të hartuara nga udhëtarë më të hershëm që kishin vizituar vendet për të cilat bëhej fjalë. Në skicë janë pasqyruar katër topa topa dhe dhe dy ushtarë. Njëri nga ta tregon me dorë , kurse tjetri pi duhan me një pipë të gjatë. Ata janë të veshur ndoshta si artilierë, pasi nuk kanë rroba tradicionale shqiptare të identifikuara lehtë nga fustanella. Prania e artilierisë në skicë dëshmon për një element të rëndësishëm  të ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës. Ali Pashë Tepelena mund të blinte dhe të importonte nga shtete të ndryshme evropiane armatime, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake të shumta. Në pashallëkun e Janinës u zhvillua arma e artilerisë, xhenios, si dhe e zbulimit. Ushtria zotëronte një park artilerie me 500 gryka zjarri. Ali Pasha ngriti edhe një uzinë ku në 1807 u prodhua mortaja e parë me cilësinë e mortajave bashkëkohore që prodhoheshin në Evropë.(Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ushtria e Ali Pashë Tepelenës. Gazeta Telegraf. 25 Janar, 2017).

Bajroni i takoi suliotët gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri e Greqi në 1809 dhe gjatë udhëtimit të tij të dytë në Greqi në 1823-1824. Ai i admiroi aftësitë ushtarake të shqiptarëve  dhe shkroi me simpati për ta. Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“...I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më vodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre...”Po kështu në shënimet e poemës  “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj ai shkruan për një moment kur qëndron në një vendpushim dhe suliotët i marrin këngës dhe valles rreth zjarrit. Bajroni përshkruan një vendqendrim në Lutraki në Greqi, ku ai i shoqëruar nga 50 trupa shqiptarësh dhe arvanitësh po udhëtonte drejt Tripolicës për të takuar Veli Pashën, djalin e Ali Pashë Tepelenës. Aty rreth zjarrit dhe natën pasi hëngrën dhe pinë verë, shoqëruesit shqiptarë u ngritën dhe ia morrën valles. Bajroni në shënime shkruan : "Nata ishte e errët, por në flakëritjen e zjarrit të kapte syri një korije, ca shkëmbinj dhe një liqen, të cilët tok me pamjen e egër të valltarëve të ngjante me një tablo që mund të kishte qenë piktura më e bukur e ndonjë piktori të tipit të autorit të Misterit të Udalfit". ...Dhe ndërsa e mërmërisnin këtë këngë, vinin rrotull zjarrit, uleshin në gjunjë, hidheshin lart dhe vini rrotull, kurse kori përsëriste fjalët.Fëshfërima monotone e valëve mbi guralecë në buzë të detit, ku ishim ndarë në grupe, mbushte menjëherë intervalet e heshtjes së këngëve me butësi dhe thyente monotoninë e tingujve. Më vonë, piktorët H.Waren dhe W.Finden që realizuan ilustrimet e  poemës "Shtegtimet e  Childe Harold" në 1830, realizuan këtë gravurë të luftërarëve shqiptarë duke vallëzuar. Ata e quajtën "Vallja Suliote" duke dëshmuar se edhe pas kaq vitesh imazhi romantik i suliotëve ende gjallonte në artin europian. Në ditarin e vet në 10 tetor të vitit 1823 , Bajroni në Mesolongj shkruante për sulitotët se : Suliotët, këtu e gjetkë që janë, më kanë në zemër ose, së paku kanë krijuar një lloj miqësie të re me mua(meqë u kam ndihmuar si atyre edhe familjeve të tyre , mesa munda sipas rrethanave), prandaj është afër mendjes se kanë dëshirë të madhe që të bëhem kryeprijësi i tyre(nëse mund ta them kështu). Tani për tani s’do ta doja diçka të tillë , meqë ka mjaft përçarje dhe prijës. Por në qoftë nevoja, pse jo? Suliotët njihen sot për sot si luftëtarët më të mirë dhe besnikë, kështu që, ka të ngjarë që të jem i detyruar ose të kem dëshirë, ose nevojë, që ta kem përkrahjen e burrave të tillë , me ndihmën e të cilëve, siç ma thotë mendja, do të mund të bëhej diçka si në Greqi ashtu dhe jashtë saj(meqë kudo ka mjaft padrejtësi për të zhdukur).(Abdullah Karjagdiu, Bajroni dhe shqiptarët, fq 128, tezë e doktoraturës). Siç shikohet koncepti i lirisë te Bajroni nuk ishte i lidhur ngushtë vetëm me lirinë e Greqisë por ai mendonte për një liri universale për parimet e së cilës duhej luftuar kudo në Europë. Sulitoët, për të cilët ai shkruante në ditarin e vet më 28 shtator 1823 në Qefaloni se ishin një kastë ushtarake e të krishterëve ortodoksë shqiptarë (H.Spender. Byron and Greece, fq 226), i shikonte si detashment të lirisë romantike që po mbizotëronte gjithandej nëpër Europë.
Tabloja "Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës (1825) ose “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote” edhe pse është realizuar një vit më vonë se vdekja e Bajronit, dëshmon për ndikimin e madh që pati vepra "Shtegtimet e Childe Haroldit" dhe përshkrimi i shqiptarëve në mendimin evropian të kohës.

Bibliografia:
1-  Abdullah Karjagdiu, Bajroni dhe shqiptarët. (tezë e doktoraturës)
2-  Byron . Shënimet e Childe Harold. Tiranë 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi.
3-  H.Spender. Byron and Greece, 1924.
4-  Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ushtria e Ali Pashë Tepelenës. Gazeta Telegraf. .
5-  William Parry . “Ditët e fundit të Bajronit”.  London: Printeted for Knight and Lacey, 1825




No comments: