Fillimi i
shekullit të XIX përkon me fundin e shekullit të Arsyes dhe fillimin e
Romantizmit në Europë. Përmirësimi i kushteve tekonologjike bëri të mundur dhe
përhapjen e dukurisë së udhëtimit dhe kontaktit me kulturat e reja. Një nga
vendet që sipas Edward Gibbonit , autorit të librit historik me 10 vëllime “Rënia
dhe tkurrja e Perandorisë Romake” (1776) ishte një vend që mund të shihet nga
brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës"[1]
(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi)
ishte Shqipëria. Në vitin 1809, siparin e udhëtimeve në Shqipëri dhe rizbulimin
e saj në Europë e hapin Lord Byron dhe Hobhouse që vizitojnë Ali Pashë Tepelenën
në vendlindjen e tij në Tepelenë.
Udhëtari dhe poeti
i njohur romantik G.G. Byron (1788-1824) përshtypjet dhe eksperiencat e veta
nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt ku përfshihej dhe Shqipëria e asaj kohe i
përjetësoi përgjithmonë në veprën e vet poetike “The Pilgrimage of Child Harold”
(1812), vepër e cila e bëri atë të famshëm jo vetëm në rrethet letrare të
Londrës por dhe në letërsinë botërore. Ndërmjet referencave dhe përshkrimeve të
jetës shqiptare, poeti i madh romantik anglez përshkruan dhe gratë shqiptare.
Ky është nga imazhet dhe përshkrimet e para të gruas shqiptare që përcillet në
kulturën europiane. Gruaja shqiptare në atë kohë jetonte në një shoqëri tipike
patriakale siç ishte shoqëria e Perandorisë Osmane, ku nuk kishte shumë dallim
mes grave të mileteve që përbënin shoqërinë e Perandorisë Osmane. Mes gjithë
epiteteve lavdërues për bukurinë e tyre, gjë për të cilën bien dakord pothuajse
gjithë udhëtarët e huaj të shekullit të XIX, të bie në sy një përshkrim që ai i
bën tërthorazi statusit social të tyre ku i përshkruan si“tamed in their cave”-
në kafaz mësuar, një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë
femërore. Në pak rreshta Bajroni rrëfen statusin social të gruas shqiptare që
sdel dot vetëm pa shoqëri dhe pothuajse gjithmonë e mbuluar. Në të njëjtën kohë
ai gdhënd dhe tiparin e besnikërisë dhe përkushtimin ndaj fëmijëve dhe
familjes.
Në këtë vend s’i
ndihet zëri gruas:
E mbyllur, s’del
dot pa çarçaf e rojë,
Mësuar në kafaz,
as do të dalë;
Njëjt vetëm ia jep
trupin dhe zemrën,
Atij q’e ka
pranuar zot e burrë;
E lumtur në detyrë
amtare t’ëmbël
— Në më të
shenjtën përmbi gjithë ndjenjat
— Me gjin’ e saj e
rrit fëmin’ e saj,
E nuk e lë t’u
bindet epsheve më t’ulta.[2]
(Bajron. Çajld
Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Në të njëjtën kohë
kemi dhe përshtypjet e Konsullit francez në Janinë (1806-1814) Francois Pouqeuville,
për femrat shqiptare. Francois Pouqeuville
kishte studiuar për teologji, por shpërthimi i Revolucionit Francez e
bën që të ndërpresë studimet në seminar dhe të vazhdojë studimet në mjekësi. Ai
ishte pjesëtar i ekspeditës shkencore franceze në Egjipt dhe i tërhoqën
vëmendjen profesionet e tjera si gjeologji, etnografi, etnopsikologji, histori
të disa popujve të Ballkanit, veçmas të grekëve dhe të Greqisë. Pouqeuville për
afër nëntë vjet qëndron pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (mars 1806-shkurt
1815), si konsull i përgjithshëm frëng, kohë në të cilën shkruan dhe veprën e
tij të madhe “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane” .” . Përveçse
shënimeve historike, diplomatike e kulturore ai ka lënë dhe disa përshkrime
rreth femrës shqiptare, të cilat i shikon si amazona moderne. Përshkrimi i tij sa
i përgjigjet realitetetit po aq ka dhe
ngjyrime orientalizmi. Në kundërshtim me Bajronin, Pouqeuville nënvizon faktin se
ato nuk mbulohen dhe i gdhënd me penën e vet si hyjnesha të bukurisë dhe
gjuetisë.
“Armëmbajtëse tek
Skipëtarët e Drinit, vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë tregojnë se ato
janë bashkëshortet dhe nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar me
rreziqet, që po aq sa nuk njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe
vetë vdekjen si të mos ishte gjë. Kur shtegtojnë, me brezin gjithë pisqolla,
shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë
a për shoqet e veta...I sheh në luftëra kur vatra atërore kërcënohet, amazona
të reja tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin këta për të bërë
kërdinë. Të krishtera apo muhamedane, asnjë prej tyre nuk mban perçen e sajuar
nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i kushtohen
një familje të shumtë...”[3](
Fotaq Andrea. Pena
të arta franceze për shqiptarët.(1332-2007). GentPrint, Tiranë:2009)
Gjithësesi të dy
autorët nënvizojnë faktin e besnikërisë ndaj familjes, klanit dhe fisit të vet.
Në vitin 1803 gjatë rrethimit të Sulit kish ndodhur një ngjarje tragjike që
frymëzoi dhe piktorët e mëvonshëm europianë pasi lexuan librin e Pouqeuville, “Udhëtime
në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane” dhe Historinë e Sulit. Në datën 25 dhjetor
1803 , malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli
pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të
pashallëkut. Në këtë pikë të marrëveshjes nisi dhe një nga keqkuptimet më të
mëdha, mids Ali Pashës dhe suliotëve , pasi ky dëshironte që ata të vendoseshin
brenda kufijve të pashallëkut , pasi e dinte që nëse do të largoheshin ,
suliotët do të ishin kundërshtarë të përjetshëm të tij. Ali Pasha premtoi se do
t’u krijonte kushte jetese, pune dhe shërbimi , ndërsa suliotët nuk pranuan të
ktheheshin dhe filluan luftimet me repartet e Vezirit. Në këto luftime ndodhi
dhe heroizmi grave të Sulit, të cilat sakrifikuan veten e tyre sëbashku me
gjithë fëmijë duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Një dëshmi
konkrete e valles së Zalongut iu përshkrua Ibrahim Mansur Efendiut, autorit të “Kujtimeve
nga oborri i Ali Pashës”(1828), nga një
oficer i ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës i quajtur Sulejman Aga. Ai ishte
dëshmitar në ngjarjen e dhimbshme që ndodhi në shkëmbenjtë e Zalongut, në Sul
të Çamërisë .Sipas kësaj dëshmie , gratë të mbajtura për dore filluan një valle
, e cila ishte e udhëhequr nga një heroizëm i pazakontë. , me një frikë nga
vdekja dhe duke përforcuar ritmin. Në fund, të lodhura gratë lëshonin një
klithmë rrëqethëse që nga shkëmbi në të cilën binin sëbashku me fëmijët e tyre.
Gratë e Sulit
ishin nga të parat gra shqiptare që u bënë subjekt i tablove të romantizmit
europian për fatin tragjik të tyre. Në vitin 1820 piktori Claude Pinet,realizoi
tablonë “Vallja e Zalongut”. Po kështu
piktori romantik Ary Scheffer pikturoi tablonë “Femrat Suliote” (1828).
Akti tragjik i femrave suliote është regjistruar dhe në memorjen kolektive përmes
folklorit.
Lamtumirë, o Sul,
i shkretë,
se po ndahemi per
jetë.
Lamtumirë, o Sul i
shkretë,
se na do t’ikim
për jetë.
Ne po vdesim për
liri,
se nuk duam
skllavëri.
Lamtumirë, ju male
e fusha,
na e punoi Pilo
Gusha,
I pabesi faqezi,
s’pati turp, as
perëndi.
Lamtumirë, o fusha
e male,
ne vdesim pa frikë
fare.
Jemi bila
shqipëtare,
vdesim duke hedhur
valle.
Lamtumirë, o Sul i
shkretë,
lamtumir’ për
gjithë jetë.[4]
(Mero Rrapaj,
Fatos (1983). Këngë popullore nga Çamëria]. Akademia e Shkencave e RPS të
Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. fq. 451).
Që nga ky moment
fillon pasqyrimi i femrave shqiptare në artin botëror. Një moment interesant është
romanca “La jeune albanaise” apo “Vasha shqiptare”, e shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre,
kompozitor i njohur francez, konsideruar si virtuoz i harpës, që ka kompozuar
opera, balete e mori romancash, si dhe është dekoruar Kalorës i Legjionit të
Nderit të Francës më 1862. Teksti i këngës është shkruar nga shkrimtari dhe
poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë. Ky poet ka shkruar romanca
franceze nga më populloret, që janë përcjellë gojë më gojë për vite të tëra,
janë kënduar nëpër festa, ballo e gëzime kolektive, si për shembull romancat
“Festa e Madonës”, “Kujtime nga vendlindja”, “Vasha syzezë”, “Zezakja e
shkretë”, etj.
“Shqiptarka”
A do të bëhesh
mikja ime
Moj Shqiptarka
këmbëlehtë?
Eja pra në mal me
mua,
Mes rrezikut në më
do.
Jo, skllave s’ke
pse shko (n)
Për harem të
sulltanit,
Më mirë shoqe me
një trim,
Ditë lirie do na
vinë.
Eja pra, mikja
ime,
Moj Shqiptarka
këmbëlehtë,
Eja pra, në mal me
mua,
Mes rrezikut në më
do.
Besim të kesh tek
unë,
Veç ty të dua
shumë.
Me të gjithë jam
gati të luftoj,
Veç eja, eja mikja
ime moj!
Lamtumirë kodra,
brigje,
E ti qiell përherë
qeshur,
Aty në mal të
rreptë,
Liria është
strehur.
A do të bëhesh
mikja ime ....
Arranxhimi:
Lumturinë më në
fund gjeta,
Për të, vuajta aq
shumë!
Dashuri në shpirt
unë kisha,
Por prapë e lumtur
s’isha.
Një buzëqeshje e
tim trimi,
Sa e ëmbël pamja e
tij,
Kur e putha krejt
u qesh,
Shpirt’i tij,
vetëtimë mes resh![5]
(Fotaq Andrea:
Romancë franceze e vitit 1833: Moj Shqiptarka këmbëlehtë)
Imazhi i dhënë në
këtë romancë i përket tërësisht arketipit romantik të kulturës europiane të
ushqyer nga kultura ballkanike e hajdukut/hajdutit të rebeluar dhe vashës së
robëruar. Fakti që i kushtohet një vashe shqiptare dëshmon se autori ka qenë në
kontakt me elementë të ndryshëm rrëfimtarë të kulturës shqiptare.
Si një simbol i
bukurisë fizike së vajzës shqiptare mbahet tabloja "Vajzë e re shqiptare e
veshur me kostum popullor duke mbledhur rrush" nga Johann Frankenberger
(1846). Johann Frankenberger(1807-1874) ishte një piktor vjenez që realizoi
shumë tablo , portrete të aristokracisë vjeneze dhe gjermane dhe të zyrtarëve
të lartë nga Lindja e Afërt që shërbenin pranë oborrit perandorak të Vjenës. Ka
të ngjarë që vajza shqiptare të jetë e bija e një prej këtyre dinjitatarëve apo
ushtarakëve të lartë që shërbenin në ushtrinë austriake. Johann Frankenberger nuk
e vizitoi kurrë Shqipërinë dhe tabloja duket se është realizuar mbi përvvojat
emocionale të piktorit diku në zotërimet austrike të banuara dhe nga shqiptarë.
Ambjenti i tablosë është dritarja e një pallati të hijshëm ku shquan dhe
elementi gjeorgjik nëpërmjet bistakëve të rrushit që mbledh, por mbi të gjitha
një përshkrim i veshjes tradicionale ku shquan jeleku i femrave i dekoruar me
fije ari. Më vonë jeleku i femrave shqiptare do paraqitet pothuajse në të
gjitha tablotë ku paraqiten femra shqiptare. Një jelek i tillë ndodhet në koleksionin
Durham në Bankfield Museum në Halifax, pjesë e koleksionit që dhuroi udhëtarja
e njohur britanike Edith Durham.Jeleku pa mëngë dhe i qendisur me ar ishte një
veshje e aristrokracisë së lartë shqiptare dhe dëshmon për një nivel mirëqënie
të shtresave shoqërore që e vishnin. Në të bie në sy sasia e madhe e arit e
përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme.
Një nga trajtimet
më të plota ë femrës shqiptare në letërsi është poema “Serafina Topia” (1839) e
ribotuar më e plotë me titull “Një pasqyrë e jetës njerëzore” (1897) nga
Jeronim De Rada. Ajo meriton një vëmendje të veçantë pasi edhe pse De Rada i
përket komunitetit arbëresh është krijuar në Itali dhe për rrjedhojë është një
këndvështrim europian mbi femrën shqiptare. Ky trajtim është i rëndësishëm pasi
vjen si një jehonë e kujtesës kolektive të shqiptarëve të përshtatur në
ambjentin europian të mbretërisë së Napolit. Heroina kryesore e veprës,
Serafina Topia përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun,
një temë tipike e romantizmit arbëresh që rrezatoi më vonë dhe në letërsinë
shqipe. Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht
idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme.Serafina Topia edhe pse
një personazh i krijuar nga De Rada është gdhëndur sipas tipareve kulturore e
fizike të bashkësisë arbëreshe duke u shndrruar në një simbol të gruas
arbëreshe.
Ndërsa si një
simbol i gjenialitetit intelektual mes grave shqiptare mbahet Elena Gjika alias
Dora D’Istria, një nga katër gratë më të rëndësishme të Europës në shekullin e
XIX. Dora D'istria lindi në Bukuresht më
22 janar 1828 dhe ishte kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur
shumë mirë kulturën franceze, italiane dhe greke. Origjina e familjes së saj
siç e pohon vet Dora D’Istria është shqiptare. Nw librin e vet “Shqiptarët në
Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII,XVIII,XIX”, ajo shkruan se Del Chiaro, shkrimtar, nga ana tjetër është i
pasaktë kur pretendonte se Gjikajt janë grekë, por në kundërt ata jashtë çdo
dyshimi janë shqiptarë dhe emërtimi Moldav iu dha Gjergjit , në njoftim të Venedikut është
për t’iu aplikuar për funksionet që ai ushtronte[6].(
Dora D’Istria.Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt
XVII,XVIII,XIX.Tiranë, 2015. Shtëpia Botuese Kadeli ). Mësimet e para i mori në
Konstancë e më pas në Bukuresht, kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e
pastaj i vazhdoi në Dresden e në Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye
në Bukuresht. Ajo ishte pajisur me një kulturë të gjerë; njihte mirë
frëngjishten, italishten , gjermanishten anglishten, rusishten, greqishten,
shqipen(për këtë të fundit ka një debat të hapur) e sidomos rumanishten , gjuhën e saj të nënës
nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime me vlerë në
shumë studime e vepra letrare. E pajisur me këtë kulturë të gjerë , ajo debuton
për herë të parë në 1855 në frëngjisht
La vie monastique dans l'Église orientale. Nga veprat e saj mund të përmendim:
“La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux
Cotes de l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore,
Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia
meridionalë” (1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses
albanaises” (1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873)
“Shqiptarët në Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të
kohës si: “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia”
etj.
Mes gjithë veprave
të shumta të saj shquan trajtimi shkencor
« Les femmes par une femme ». Në këtë vepër ajo ka paraqitur në mënyrë
të thellë e shkencore historinë e marrëdhëneive që kanë përcaktuar vendin e
femrës në shoqëritë njerëzore. E pajisur me një kulturë të jashtëzakonshme ajo
tregon se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar femrës. Ajo analizon me
detaje rolin e femrës në shoqëritë europiane dhe progresin e arritur të tyre ia
dedikon dhe emancipimit të gruas.Kështu p.sh
duke folur për fiset gjermanike ajo tregon se edhe në këta fise gruaja ishte
një pronë për të cilën kujdesej babai dhe në mungesë të tij vëllai i madh. Por
këto fise dalloheshin prej të tjerëve sepse kishin një pëlqim të veçantë për
fjalën e femrës. Sa herë që ajo fliste ata e adhuronin si një sfinks. Kjo
shenjë e lashtë paralajmëronte sipas saj një komb të virtytshëm që do të
arrinte një progres dhe një qytetërim brilant.[7]
(Mimoza Cika. Dora D’Istria – monumenti historik i femrës në diasporë. Gazeta
elektronike Albinfo.ch.)
Figura e gruas
shqiptare në kulturën europiane të shekullit të XIX ndonse nuk ka trajtimin e e
gjerë që gjetën elementë të tjerë të kulturës shqiptare meriton një vëmendje t
veçantë pasi është një dëshmi e rëndësishme antropologjike se cili ishte roli i
femrës në shoqërinë patriakale shqiptare dhe sesi ato që ishin të integruara në
shoqëritë europiane si rasti i Dora D’Istrias arritën të shquhen në kulturën e
kontinetit.
[1] Shënimet
e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi.
[2] (Bajron.
Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi)
[3]
Fotaq Andrea. Pena të arta franceze për shqiptarët.(1332-2007). GentPrint,
Tiranë:2009, fq 59
[4] Mero
Rrapaj, Fatos (1983). Këngë popullore nga Çamëria]. Akademia e Shkencave e RPS
të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. fq. 451. "Kjo është «Vallja
e Zallongut». Siç dihet, pjesa me e madhe e suljotëve (që s’mundi të hidhej në
Korfuz me Foto Xhavellën), e nisur për në Pargë, ndeshet në fillimet e vitit
1804 me forcat e Ali Pashës. Mjaft prej tyre nuk pranojnë të dorëzohen dhe
vazhdojnë luftën gjersa shfarosen, ndërsa një grup grash suljote për të mos
renë në duar të armikut, në çastin e fundit, dredhin e këndojnë këtë valle
lamtumirë, dhe njëra pas tjetrës me fëmijët në krahë hidhen në greminë nga
shkëdmbenjt e Zallongut, duke u bërë copë-copë.
[5]
Fotaq Andrea: Romancë franceze e vitit 1833: Moj Shqiptarka këmbëlehtë.
[6]
Dora D’Istria.Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt
XVII,XVIII,XIX.Tiranë, 2015. Shtëpia Botuese Kadeli, fq 10.
[7]
Mimoza Cika. Dora D’Istria – monumenti historik i femrës në diasporë.
No comments:
Post a Comment