Shkrimtari i madh rus, Nikollai Gogol, e përfundon romanin e vet
të famshëm Frymë të vdekura me një përshkrim poetik për fatin
e Rusisë së madhe që sipas tij ishte “një trojkë që rendte pafundësisht
përpara” ne stepat e pafundme të botës dhe kësaj trojke që “derdhte zilka
përreth e fluturonte mbi gjithçka që ndodhej mbi tokë” tek e “shikojnë vëngër,
popuj dhe shtete tërhiqen mënjanë dhe i hapin udhë”. Në fakt, më tepër se një
përshkrim poetik, faqet e fundit të romanit, duket se janë një panegjirik
politik për të ardhmen e Rusisë dhe vendin e saj në botë.
Që nga dalja e Rusisë në skenën e politikës
botërore ky shqetësim ka qenë një nga ankthet e klasës drejtuese të saj dhe një
nga shtysat më të mëdha për të krijuar platforma nacionaliste agresive ndaj
shteteve të tjera. Në vigjilje të ndryshimit të sistemeve politike, ose epokave
të ndryshme Rusia e gjendur përballë sfidave për të kënaqur statusin e saj si
fuqi e madhe dhe arsyes së drejtë për t’u rimëkëmbur ekonomikisht, politikisht
dhe kulturalisht gjithmonë ka zgjedhur sfidën e parë. Kështu, p.sh. askush nuk
priste që Rusia pas disfatës së madhe me Japoninë në luftën ruso-japoneze më
1905 dhe problemeve të brendshme që kishte me lëvizjet e popujve të shtypur dhe
ato të karakterit revolucionar, të ishte fuqia e parë që do të provokonte
Luftën e Parë Botërore. Hegjemonizmi dhe prepotenca kanë qenë dy tipare që kanë
ravijëzuar politikën e jashtme ruse qysh nga testamenti i Pjetrit të Madh e
deri në ditët e sotme. Këto dy tipare kanë gjetur në Ballkan një terren të
përshtatshëm për t’u aplikuar. Në përfytyrimin e përgjithshëm të Ballkanit nga
Rusia, ai është parë më tepër si një truall ku Teoria e Romës së tretë dhe
ortodoksisë së drejtë mund të eksperimentonin sesa një mozaik popujsh që pas
çlirimit të mundshëm nga Turqia duhet të krijonin marrëdhënie të sinqerta midis
tyre.
Ekspansioni i parë rus në Ballkan ishte
ekspedita ushtarake e Orlovit në Mesdhe për të çliruar popujt ortodoksë të
Ballkanit. Ekspedita ishte një dështim i vërtetë, por ajo ishte e rëndësishme
për të se e rreshtoi Rusinë për herë të parë si fuqi mesdhetare. Shpresat e
popujve të Ballkanit për t’u çliruar gjetën kështu edhe një përkrahës më tepër
në skakierën botërore, por kombinimet politike që do të kryente ky faktor
politik në skenën e Ballkanit do ishin me një efekt prapaveprues edhe pas një
shekulli.
Pa dashur të biem në retorikën nacionaliste,
këmbëngulja e vazhdueshme e Rusisë për të përkrahur popujt sllavë të Ballkanit
për të përfituar territore dhe pushtet u ka kushtuar rëndë veçanërisht
shqiptarëve, të cilët në agun e zgjimit të tyre nacionalist gjetën një
kundërshtar të fortë dhe këmbëngulës ndaj aspiratave shtetformuese të tyre.
Gjendja e sotme në Ballkan është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës ruse të
fillimit të shekullit XX, dhe nëse ka nyje gordiane akoma të pazgjidhura këto
vazhdojnë të jenë efektet e kësaj politike. Në këtë sens, përgjegjësia ruse
ndaj Ballkanit fiton një peshë të veçantë për të kontribuar në zgjidhje
afatgjata dhe realiste dhe jo më në zgjidhje të imponuara. Ajo nuk mund të
vazhdojë ta trajtojë Ballkanin si pjesë e fantazisë së vet imagjinare për një
Ballkan sllav dhe prej nga ka marrë shugurimin e vet bizantin, por si një pjesë
e rëndësishme e Europës dhe si i tillë edhe si pjesë e rëndësishme e
stabilitetit europian. Mëdyshjet e veta për të marrë apo mos marrë pjesë në
sigurimin kolektiv europian nuk ka pse i kthen në një “gozhdë Nastradini” siç
është rasti i njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Deklaratat më të fundit ruse për Maqedoninë
janë jorealiste dhe për më tepër destabilizuese. A është e vërtetë se Shqipëria
po kërkon së bashku me Bullgarinë ndarjen e Maqedonisë? Shqipëria si vend
anëtar i NATO-s që garanton stabilitetin në rajon nuk ka ambicie të tilla dhe
vazhdimisht gjatë këtyre 25 viteve ka dëshmuar një rol konstruktiv në paqen e
brishtë ballkanike. Përpjekja e trishtuar e diplomacisë ruse për të paraqitur
rrezikun e krijimit të një kalifati islamik në Ballkan duke marrë shkas nga
realiteti ISIS në Lindjen e Mesme dhe ku shqiptarët sipas saj mund të kenë një
rol të rëndësishëm, është i pabazë dhe i ngjashëm me akuzat bajate të
përsëritura prej shumë kohësh që nga themelimi i shtetit shqiptar. Shqiptarët e
kanë bërë prej kohësh zgjedhjen e tyre dhe krahasimet me popullsitë e tjera të
Lindjes së Mesme janë jashtë realitetit, pasi vetë historia e tyre,
përbërja etnike, si dhe kultura politike nuk lejojnë të hiqen paralele të
ngjashme. Nëse Rusia këmbëngul t’i mbushë mendjen komunitetit botëror se
shqiptarët në Ballkan janë të ngjashëm me grupet terroriste të ISIS, atëherë do
t’i përngjajë vërtetë personazhit të Çiçikovit që mblidhte “shpirtra të vdekur”
për t’i shitur si të gjallë. Në rastin e Shqipërisë edhe pse dyshuesve mund t’u
vinë në ndihmë argumentet e prezencës së Islamit dhe qenia nën të njëjtën
perandori për një farë kohe si ishte ajo Otomane, sërish ia vlen të theksohet
se trashëgimia otomane në Shqipëri pas viteve 20 fillon dhe zbehet dhe impakti
i qytetërimit europian është i ndjeshëm kudo. Një faktor tjetër pozitiv në
rastin e Shqipërisë është se popullsia shqiptare ishte kompakte pa ndarje të
mëdha në tribu të ndryshme me gjuhë të ndryshme si mund të jenë berberët dhe
arabët në Tunizi apo arabët dhe popullsia e Egjipti të poshtëm në Egjipt, dhe
për rrjedhojë popullsia shqiptare e kishte më të lehtë orientimin e saj drejt
së drejtës civile dhe publike çka përbënte një nga shtyllat e qytetërimit
europian. Përcaktimi brenda zonës të së qenët europian dhe të kontributit në
qytetërimin europian nëpërmjet humanizmit shqiptar dhe të intelektualëve të
tjerë shqiptarë të integruar në diasporat shqiptare në botë ishin faktorë më
tepër që përforconin dallimet midis dy brigjeve të ndryshme të Mesdheut. Vitet
’90 e përforcuan këtë traditë me pranimin apriori të funksionimit të
demokracisë liberale çka solli Shqipërinë shumë më pranë Europës dhe
institucioneve të saj. Edhe pse ne mund ta kritikojmë shumë sot sistemin tonë
si jo të përsosur për sa i përket funksionimit të tij, ai nuk ka të krahasuar
me sistemet që ekzistonin në Tunizi, Egjipt e Libi, Siri, rënia e të cilave
nxori në dritë fenomenin ISIS.
Rusia dëshiron që krizën e shkaktuar në
Ukrainë ta eksportojë dhe në Ballkan duke gjetur partner në qeverisje të tipit
autoritar si është qeverisja e Gruevskit në Maqedoni. Në të njëjtën kohë, ajo
kërkon të rikthehet në rendin e vjetër botëror të vendimmarrjes të koncerteve
të diplomacisë europiane të fillimit të shekullit XX, ku vota e saj
kishte të drejtën e vetos dhe kërcënimit. Situata politike postkomuniste në
Rusinë e sotme, është më tepër një parodi e demokracisë liberale sesa një
shoqëri e hapur që aspiron për prosperitet. Promovimi i koncepteve demokratike
si zgjedhjet, liritë dhe të drejtat e njeriut krijojnë premisat e një shoqërie
në dukje demokratike, por deformimi i tyre në një farsë elektorale si ishin
zgjedhjet e fundit në Rusi i japin tonet e një shoqërie autoritariste. Askush
nuk është i sigurt nëse në Kremlinin e sotëm ka më tepër liri, duke vënë në
dyshim se liria dhe demokracia mund të korruptohen duke u paraqitur si fasadë e
një regjimi autoritar. Këtë lloj modeli të financuar dhe nga burimet e gazit
dhe energjisë, si dhe nga oligarkitë e shumta që kontrollojnë tregjet
financiare të Rusisë dhe Azisë Qendrore, Rusia dëshiron ta importojë në Ballkan
dhe në vendet fqinje duke dashur të afirmojë pozitat e veta si superfuqi.
Ndryshimi i madh duhet të vijë nga qëndrimi
ndaj çështjes së Kosovës, të cilën Rusia e ka kthyer në një bumerang të
vërtetë. Mosinkurajimi i qarqeve nacionaliste të Beogradit të cilat janë një
nga përgjegjësit kryesorë për kasaphanën e ndodhur në rajon, do çlironte vetë
Serbinë nga demoni i nacionalizmit ekstrem dhe do të hapte perspektivën
europiane të saj. Vetë Rusia, inteligjenca e së cilës gjithmonë e ka
identifikuar veten si europiane dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në mendimin
europian të paktën që nga Iluminizmi dhe këndej nuk duhet të vazhdojë ta
imagjinojë Ballkanin si ‘tokën e premtuar” të aspiratave të veta hegjemoniste,
por si një etnitet përbërës të Europës, integrimi i të cilit tashmë është një
fakt. Integrimi dhe gjithëpërfshirja janë alternativat e reja të mendimit
evolucionist europian dhe Rusia nëse dëshiron të hyjë në radhën e shteteve të
“ilimunuara” si shprehej Ekaterina I, mbretëresha e dikurshme që korrespondonte
me Volterin, duhet të zgjedhë sfidën e duhur.
Gazeta Shqip , fq 9 , 25.05.2015
No comments:
Post a Comment