Në samitin e parë ministerial kundër ekstremizimit të
dhunshëm që përfundoi (20.05) në Tiranë u shtrua si domosdoshmëri konsolidimi i
një strategjie gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen të gjitha strukturat
relevante.
Megjithë shembujt e mirë të
bashkëpunimit të vendeve ballkanike në luftën kundër terrorizmit, në samit u
theksua se rreziku i përhapjes së formave të ekstremizimit të dhunshëm është
evident. Oratorët kujtuan ekzistencën e shumë faktorëve që ndikojnë në nxitjen
e qasjes ekstreme, si mund të jenë faktorët socialë, por dhe të tjerë që kanë
ndikuar në mënyrë historike ose jo, në nxitjen e tendencave që çojnë në
organizimin e formacioneve të dhunshme terroriste. Pjesmarrës në diskutim nuk
ishin vetëm zyrtarë të lartë të ministrive të brendshme nga rajoni, por dhe nga
vendet e BE-së, si Italia, Gjermania e Austria e nga SHBA.
Nënsekretarja amerikane e
shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall
përmendi faktin se ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale. “Të
bashkojmë forcat për një dialog gjithëpërfshirës mes autoritetev lokale, komuniteteve
fetare dhe shoqërisë civile kundër kësaj të keqeje. Nevojiten strategji për të
arritur qëllimin. Terroristët nuk i njohin kufijtë. Të bashkëpunojmë të gjithë
së bashku për të ndaluar rekrutimet. Të parandalojmë që fëmijët të bëhen
terroristë”- apeloi në punimet e samitit dyditor, Sewal.
“Lufta kundër korrupsionit,
lufta kundër informalitetit, lufta kundër paligjshmërisë dhe lufta kundër
kriminalitetit janë objektiva, rezultatet e të cilave ndihmojnë në punën që ne
duhet të bëjmë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Lufta kundër pastrimit të
parave dhe mbi të gjitha garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të
njeriut shërben domosdoshmërisht në krijimin e shoqërive që përjashtojnë, duke
parandaluar çdo praktikë të ekstremizmit të dhunshëm”, u shpreh ministri i
Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Ndërkohë që ministri i
Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni vuri në dukej se lufta kundër ekstremizmave
të çdo lloji është e pakompromis, ndërsa çdo përfshirje në luftërat jashtë
Kosovës, dënohet me ligj.
Nga pjesmarrësit u shtrua
nevoja e koordinimit të angazhimit të agjencive të specializuara në përballimin
e rreziqeve që vijnë sidomos nga procesi i rekrutimit të luftëtarë të huaj të
Shtetit Islamik (IS).
Komunitetet fetare të
interesuara të mos dëmtohet misioni i tyre
Evis
Nasto, kryeredaktore e lajmeve në UTV News mendon se në këtë periudhë kur
besimi fetar është duke u keqpërdorur për qëllime terroriste dhe
luftëndjellëse, vetë bashkësitë dhe komunitetet fetare kanë shumë për të bërë,
me kontribut në qartësimin e mjegullnajës së krijuar. Sipas saj, në rradhë të
parë janë pikërisht komunitetet fetare ato që humbasin nga ky instrumentalizim,
duke i lënë vend krijimit të paragjykimeve dhe stigmave, të cilat dëmtojnë
misionin e tyre religjoz. Por dhe sepse shoqëria nuk duhet të humbasë besimin
në këtë periudhë të vështirë krize jo vetëm politike por edhe shoqërore, thotë
Nasto për Deutsche Welle-n.
“Feja më shumë se kurrë,
duhet të shërbejë si burim ushqimi i shëndetshëm shpirtëror për të qenë më
altruist dhe më dashamirës ndaj tjetrit, edhe nëse ai është i ndryshëm me ne.
Për këtë arsye besoj se përfaqsuesit e komuniteteve fetare duhet të jenë më
aktivë në frenimin e personave që mashtrohen duke u larguar nga vendi për t'ju
bashkuar ekstremistëve në Siri apo vende të tjera të shndërruara në vatra të
luftës.
Drejtori
i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj,
shikon varfërinë si një nga shkaqet kryesore që njerëzit kërkojnë zgjidhje të
tilla të dëshpëruara, duke iu bashkuar forcave ekstremiste. Ai veçon si element
themelor arsimimin. Besoj shumë që një shoqëri e shkolluar nuk ka asnjë
hapësirë për njerëz, të cilët kërkojnë zgjidhje jashtë vendit të tyre dhe aq më
pak duke u bashkuar me forcat ekstremiste në botë, shprehet Aliaj për Deutsche
Welle-n.
“Kur flas për arsimin
përfshij edhe rolin që duhet të luajnë komunitetet fetare, në arsimim, kështu
për shembull në Gjermani sipas informacionit që kam, ekzistojnë kurse për
imamët e xhamive që mbahen në institucione publike dhe kurrikula e tyre është e
miratuar nga Ministria e Arsimit. Kjo jo vetëm ndikon në arsimimin religjoz të
të rinjve, por i mban ata dhe imamët larg influencave radikale”.
Impakti i shtetit në
periferi
Dorian
Koçi, analist në media, e shikon prirjen e largimit të njerëzve jashtë vendit,
për t'ju bashkuar forcave radikale në shtete të tjera dhe sepse shteti nuk
funksion si duhet. Ai thotë se nuk është partizan i ndërhyrjes shtetërore në
gjithçka dhe kudo, por është evidente mungesa totale e autoritetit të
institucioneve në periferi, sipas tij, dalëngadalë është bërë zëvendësimi nga
institucione të tjera që kanë afruar kinse një “kujdes social” për të përfituar
dhe përgatitur ushtarë që t'i bashkëngjiten dhunës.
“Nuk besoj shumë në
variantin e rekrutimit të njerëzve nga varfëria, përmes pagesave të majme, pasi
realiteti ka treguar se në mes luftëtarëve që i janë bashkangjitur IS-it, ka
shumë që shprehin një mobilizim shpirtëror dhe fetar. Duket qartë se formula e
vjetër kombformuese është tkurrur përkundrejt identitetit fetar, por kjo është
një betejë e vjetër po aq sa ekziston dhe shteti shqiptar. Për të mos rënë në
kurthin e përditshëm të kësaj kundërvënie, kultura, arti, vetëdija nacionale,
historia, shteti, mirëqenia sociale duhet të gjenden pranë individit jo vetëm
në qendrat urbane, por edhe në skajet më të largëta e periferitë shqiptare. A
kemi arritur të kemi një realitet të tillë? Pa dyshim që jo. Gjithçka në
Shqipëri është e përqendruar në qendër dhe qyteza të vogla e të humbura
shqiptare, përveçse janë të humbura në mjerim po kridhen dhe në terrin e
injorancës së prodhuar nga qytetërimi ynë modern i individualizmit dhe
mospërfshirjes në punë që nuk sjellin fitim”, shpjegon për Deutsche Welle-n
Dorian Koçi.
No comments:
Post a Comment