«Ali Tepelena, dritë nga drita dalë / Që në divan më mban
vend të parë / Emri yt i madh, shkoftë deri te retë! / Po mbamë një çikë vesh,
vezir, dhe këta trima kokëshkretë: / Ti, hije e Padishahut, dhe ai vetë hije e
Allahut / Një qen je, mor i flamosur, asgjë më shumë!…” Viktor Hygo, shpirti i
romantizmit francez, ishte vetëm 27 vjeç kur shkroi poemën “Pashai dhe
Dervishi”. Pashai me jetën e tij plot bëma, tashmë ishte një personazh i njohur
në sallonet franceze.
Hygoi atëherë një djalosh i ri, do të magjepsej nga
karakteri i tij i epërm, sfida me të cilën e pa jetën, duke e bërë vendin e tij
Shqipërinë një vend ekzotik për të gjithë ata që donin heronjtë. Por ai ishte
Ali Pashë Tepelena një hero?
Historia që tregon Hygo te poema që u botua në vitin
1829, shtatë vjet pas vdekjes së Ali Pashës më 1822 e vë pashain shqiptar
përballë një dervishi. Qëllimi i shkrimtarit është ta bëjë Ali Pashën të
pendohet për të gjitha bëmat që ka bërë, kur shkruan se “një popull të tërë po
mbyt”. “Varr i hapur të pret, pa e ditur as ti vetë. Mbushur dëng si thes,
zemërimi yt / Një popull të tërë po mbyt / Mbi ballin e tyre të larë, ti u
vetëtin si kosa në bar / Dhe pallatin tënd madhështor, mirë po e çimenton / Me
eshtrat e tyre bluar, kur gjaku lumë u shkon…”, shkruan ai në strofën e tretë.
Ai përshkruan jetën e Ali Pashës, nga lindja te rënia në Janinë, duke e quajtur
fundin fatal të tij, si një dënim nga perënditë. Është e ashpër gjuha e Hygoit
ndaj kësaj figure të historisë sonë. “Dac shpirti yt do marr arratinë; për çdo
krim / Emrin e atij që ke vrarë, vetë djalli do thërras me guxim / E do shohësh
aher’ rreth teje i pataksuar / Fantazmat me njolla gjaku, e me venat zbrazur /
Si do vinë mizëri, më shumë nga vetë llafet që me lebeti / Do llomotitësh ti!”,
shkruan ai. Shkrimtari është i bindur se fundi i Ali Pashës është një fund i
merituar, dhe as gënjeshtra që mund t’i bëjë engjëllit të vdekjes nuk mund ta
shpëtojë…Ai e quan çifut faqezi, megjithëse në fund përmes gjestit që pashai
bën duke i falur qyrkun dervishit, tregon për shpirtin e tij të ndjeshëm, që
përulet përpara së vërtetës. Është interesante kjo poezi e cila është pjesë e
librit të parë të botuar nga një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë
botërore. Poezia është pjesë e përmbledhjes poetike “Orientalet”. Për Dorian
Koçin, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe njohës i mirë i figurës së Ali
Pashë Tepelenës, Viktor Hygo e shkroi këtë poemë i frymëzuar nga orienti dhe
nuk kishte shkelur ndonjëherë këtu.”
Viktor Hygo, shkrimtari i madh romantik francez, i
konsideruar dhe si ndërgjegjja e gjallë e Francës, në fillimet e tij poetike
njohu si gjithë shkrimtarët e tjerë romantikë tërheqjen nga ekzotizmi dhe
orienti. Orientalizmi në Europë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave
mesjetare. Në periudha të ndryshme ka pasur interesa dhe qëndrime të ndryshme
ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romantizmit sepse
Orienti ishte formë sublime e tij. Poeti ri romantik, Viktor Hygo, e shkroi
vëllimin poetic ‘Orientalet’, duke gjetur frymëzimin e vet në Orient, që në
fakt nuk e kishte vizituar ndonjëherë”, thotë Koçi. Sipas tij, kjo lloj
përqasje ishte në frymën e kohës dhe qe nxitur shumë nga leximet e librave të
Pouqeuville, konsullit francez pranë Ali Pashës në Janinë dhe të shkrimet e
alzasianit Adolphe Cerfbeer, i mbiquajtur Ibrahim Manzour, komandant i xhenjos
në shërbim të vezirit, që e paraqiste të nxirë figurën kontradiktore të
pashait. Përmbledhja me poema e Hygoit shoqërohet me një parathënie nga vetë
shkrimtari ku i kushton vëmendje dhe arsyes përse ka shkruar për Ali Pashën.
“Që në parathënien e veprës së vet, Hygoi jep mendimin dhe gjykimin për figurën
e Ali Pashë Tepelenës, të cilin e krahason me Napoelon Bonapartin”, thotë Koçi.
“Barbaria e vjetër aziatike, ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të
mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin
kolos që ky shekull arriti ta vërë ballë për ballë Bonapartit… atë njeri gjeni,
turk e tartar në të vërtetë, atë Ali-Pasha, që është për Napoleonin çka është
tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”, shkruan Hygo. Sipas Koçit, ashtu
siç duket dhe nga paragrafi, Hygo nuk e njihte mirë origjinën e Ali Pashës por
admironte lojën e tij diplomatike dhe karakterin e veçantë që i kishin dhënë
një famë të madhe në Europë. Sipas tij, poezia është frymëzuar nga një pasazh i
librit të kujtimeve të Ibrahim Manzurit, me dervishin mistik që rrinte jashtë
Janinës dhe që pashai tepelenas e nderonte shumë duke i toleruar çdo qortim apo
fyerje. “Orientalet” është një koleksion me poema nga Hygo i inspiruar nga
lufta greke për pavarësi. Për herë të parë libri u botua në janar të vitit
1829. Nga 41 poema, 36 janë shkruar gjatë vitit 1828. Poemat janë të frymëzuar
nga raporti mes Greqisë dhe Perandorisë Otomane. Përveç Ali Pashës, Hygo
shkruan dhe për figura të tjera historike siç është legjendari Ivan Mazeppa. Ai
u dënua pasi u kap në një marrëdhënie dashurie me gruan e një oficeri polak.
Poema kushtuar Mazeppa-s ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë tregohet udhëtimi
i tij me kalë drejt luftës deri në vdekje. Pjesa tjetër është marrëdhënia e tij
e dashurisë, një raport që e bën të sfidojë dhe rrezikun. Libri do të kishte
sukses në kohën e botimit të tij në Francë për vetë tërheqjen ndaj historisë.
Viktor Hygo nuk është shkrimtari i vetëm i frymëzuar nga jeta e pashait
shqiptar. Aleksandër Dyma, një tjetër figurë e rëndësishme e letrave franceze,
i kushtoi një libër këtij personazhi. “Ali Pasha” quhet libri i cili ka ardhur
së fundmi në shqip nga botimet “Saras”. Një libër që për vetë koherencën
historike ku është shkruar jep një tablo të gjallë të jetës së një prej
personazheve më interesantë të historisë sonë. Bajroni ishte një tjetër anglez
që i kushtoi poezi Ali Pashës, ndërsa të tjerë udhëtarë apo shkrimtarë e
gazetarë të kohës, e vendosën në librat e shkrimet e tyre, si një personazh
frymëzues dhe pse të ashpër, por me një ndikim në histori.
Alda
Bardhyli
Gazeta
Shqip. 24.05.2015
No comments:
Post a Comment