Friday, 18 July 2014

Njëqind vjet histori...


Krisma e një kobureje që mori jetën e Arkidukës Franc Ferdinant dhe së shoqes së tij, Princeshës Sofi, në mëngjesin e datës 28 qershor 1914 në Sarajevë nuk ishte vetëm krisma e kobures së një terroristi serb që kërkonte në mënyrë primitive të realizonte ëndrrën e vet nacionaliste, por edhe krisma që shënoi fundin e iluzioneve të një Europe që prej 100 vjetësh pretendonte se jetonte në një paqe. Shtetet e reja ballkanike që kishin dalë nga mugullurirat e Perandorisë Osmane e kishin përdorur Iluminizmin Europian si ideologji për të realizuar zgjimin e tyre kombëtar, pastaj në ecurinë e ngjarjeve i kishin harruar principet humaniste të tij dhe kishin përqafuar principet e shkollave të tyre tribale të zgjerimit në kurriz të të tjerëve dhe eliminimin kulturor, ekonomik e fizik të Tjetrit.
Për një kohë të gjatë Europa i kish inkurajuar duke i bërë pjesë të lojërave të veta politike në rajon derisa në atë mëngjes qershori u ndje para një fakti të kryer, ku krimi trokiti në portat e veta. Autokritika apo vlerësimi i vetvetes është një nga proceset më të vështira të ndërgjegjes së njeriut, një e vërtetë që s’mund t’i shpëtonte edhe një pjesë e Europës që te kjo vrasje gjykoi me një standard të dyfishtë duke toleruar një sjellje që parapriu humbjen e 20.000.000 jetëve në kasaphanën e parë njerëzore që nisi rreth 2 muaj më vonë. Lufta e Parë Botërore e hapi siparin e vet në një truall e vend ku ideologjia e nacionalizmit ekstrem dhe miti i kombit të përzgjedhur kish helmatisur për më se një shekull rajonin, ndaj nuk ishte rastësi që në vitet ‘90, sërish u shfaqën në skenë fantazmat e këtij nacionalizmi të sëmurë ballkanik që mori sërish jetë njerëzish dhe solli shkatërrime në masë në alteregon e Ballkanit.
Njëqind vjet më pas në kohën kur i gjithë rajoni ka si kryefjalë të paradigmës së vet kulturore dhe politike anëtarësimin në Europë, Ballkani sërish nuk ka arritur të krijojë një oaz paqeje dhe mirëkuptimi. Situata politike kinse e qetë në fakt gjithmonë i përngjet një qetësie para furtune, pasi mjafton një incident i vogël për të dalë në sipërfaqe të gjithë konfliktet e vjetra. Asnjë komb ballkanik nuk ka arritur të gjejë paqen me vetveten, të shkuarën e vet historike dhe memorien kolektive për të krijuar një marrëdhënie të re, jo problematike dhe paqësore me fqinjin e vet. Era europiane e pas luftës së dytë botërore me paqen as shumë të lakmueshme franko-gjermane nuk ka arritur të fryjë këndej nga anët tona, edhe pse pothuajse katër të pestat e Ballkanit tashmë janë pjesë e Bashkimit Europian ose aspirojnë të hyjnë në të nëpërmjet marrjes së statusit kandidat. Për më tepër, sfidat europiane të një bashkekzistence paqësore dhe integruese drejt Bashkimit Europian, cilido shtet ballkanik që i ka arritur më parë qoftë për arsye gjeostrategjike apo dhe për plotësim standardesh i ka shfrytëzuar në favor të realizimit të axhendës së shkuar nacionaliste sesa në plotësim të së ardhmes europiane të rajonit. Konstatimi i mësipërm mund të tingëllojë paksa cinik, por sigurisht që është mirë që të mos fshihemi pas gishtit. Konflikti greko-turk në Qipro që reflekton në marrëdhëniet dypalëshe, Bosnja me paqen e vet të brishtë, marrëdhëniet e tendosura etnike në Maqedoni apo dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë shenja që tregojnë se lufta është fituar, por paqja e përjetshme akoma s’është arritur. Ashtu si dihet, procesi më i vështirë në zgjidhjen e konflikteve etnike është ndërtimi afatgjatë i paqes, gjë e cila në Ballkan përkarshi ëndrrës europiane të rajonit duket sikur është ndërtuar, por për fat të keq ende nuk është stabilizuar. Problemi më i madh në hartën shtetërore e për rrjedhojë dhe në atë etnike e kulturore në Ballkan është ekzistenca e minoriteteve etnikë, kulturorë e gjuhësorë brenda shteteve kombëtare të krijuara në luftërat ballkanike, të cilët edhe pse shpeshherë trajtohen me togfjalëshin standard si “ura miqësie”, në fakt jo rrallëherë janë kthyer në çështje të nxehta midis shteteve. Bashkimi Europian ka kohë që përpiqet të nxisë dialogun dhe afrimet ndëretnike, por edhe e ka të sanksionuar si një kusht për t’iu përqasur familjes europiane respektimin e tyre nëpërmjet Kartës së Kopenhagës. Mirëpo respektimi i Kritereve të Kartës së Kopenhagës për minoritetet nuk duhet të jetë vetëm një detyrim ligjor për të arritur disa standarde më shumë në fushën e të Drejtave të Njeriut, por mbi të gjitha përqasje kulturore e shpirtërore pranimit të Tjetrit. Ne të gjithë jemi produkte të shumë identiteteve kulturore brenda nesh që në një moment të caktuar kemi zgjedhur të identifikohemi me një identitet ndaj respektimi i identiteteve etnike dhe kulturore të të tjerëve në radhë të parë është edhe një respekt ndaj disa brezave paraardhës.
Njëqind vjet më pas Europa përgatitet të festojë shpërthimin e Luftës së Parë Botërore më së shumti si një festival paqeje ku fuqitë ndërluftuese tashmë janë miq dhe ndajnë të njëjtën përgjegjësi nën çatinë e Bashkimit Europian. Këtij mozaiku feste pritet t’i bashkëngjiten dhe të gjitha shtetet ballkanike, por nëse nuk arrijnë të rikonstruktojnë gjuhën dhe adresimin ndaj njëri-tjetrit dhe bashkë me të dhe sfidën e rishkrimit të historisë, kjo përpjekje në anët tona do të ngjajë më tepër si një panair mesjetar i dëshmimit dhe matjes së forcave sesa një përpjekje serioze për të braktisur stereotipat kulturorë të ngritura rreth nesh. Deri më tash Ballkani ka hyrë në gjuhën politike të Europës me dy fjalë si “fuçi baroti”-vend konfliktesh që priten të shpërthejnë nga momenti në moment dhe “ballkanizim” për sjellje politike që sjellin copëzime të ndryshme dhe të panevojshme. Mendoj dhe besoj fort se ka ardhur koha që emri i gadishullit të bëjë të mundur të iniciojë dhe përdorimin e një fjale të re që të reflektojë konotacione më pozitive.




No comments: