Thursday, 24 July 2014

Një shtatore për Dom Nikollë Kaçorrin


Jeta e epokave dhe periudhave të qyteteve ngjan me  jetët  njerëzore por kanë mes tyre dhe një tharm rilindjeje. Periudha dhe epoka të ndryshme historike lindin dhe vdesin por ato në kundërshtim me jetët njerëzore edhe mund të ringjallen. Epokat dhe periudhat e qytetit të Durrësit, nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull, veçse në mozaikun shumë të larmishëm të tij është shumë e vështirë për të zgjedhur se me kë periudhë të fillosh.
Gjithësesi në këtë kohë përvjetorësh të formimit të shtetit shqiptar dhe disa nga institucioneve më të rëndësishëm të tij, figurat shtetformuese që lidhen me historinë e hershme të shtetit shqiptar, janë një figura që përfaqësojnë epoka dhe periudha të larmishme që duhen përkujtohen me nderim të thellë. Një nga këto figura është Dom Nikollë Kaçorri, nënkryetari i parë i qeverisë së Vlorës. Për një kohë të gjatë, figura e tij qe lënë pothuajse në hije për  shqiptarët dhe qytetarët e Durrësit, qyteti në të cilin ai shërbeu si prelat katolik dhe ushtroi kontributin e tij të gjerë si patriot dhe shpërndarës i arsimit dhe kulturës shqiptare. Gjithandej nëpër qytet ndihen gjurmë të këtij kleriku patriot, duke filluar që nga kisha Shën Lucia ku Dom Nikollë Kaçorri shërbeu për 24 vjet me radhë dhe ku prehen sot eshtrat e tij prej mëse tre vjetësh pas një pushimi të gjatë në dhe të huaj e deri në të hyrë të portit ku një bust përkujton këtë burrë shteti shqiptar.
Mirëpo, e gjithë kjo atmosferë nderimi ndaj peshkopit katolik atdhetar e patriot është një atmosferë përkujtimi e nderimi e vonë pasi për mëse 50 vjet ashtu dhe si figura të tjera të historisë sonë kombëtare u nënshtrua denigrimit dhe harrimit aq sa shqiptarët sa herë që festonin festën e pavarësisë njihnin vetëm Ismail Qemalin, por shumë pak figura të tjera a thua se pavarësia shqiptare u realizua vetëm nga një njeri kur si dihet, aksione dhe vepra të tilla të mëdha për historinë e një kombi, përveçse kombinimeve të holla diplomatike kërkojnë dhe njerëz të përgatitur, patriotë e mbi të gjitha me vullnet të fortë për tu realizuar. Për fat të mirë kombi shqiptar në momentet më të vështira të egzistencës ë tij që në momentet e para të zbarkimit të barkës me patriotët shqiptarë që me Ismail Qemalin në krye që vinin nga Triestja për të themeluar shtetin modern shqiptar, u gjend aty një ëngjëll mbrojtës si imzot Nikollë Kaçorri i cili krijoi lehtësitë më të mëdha e më të mundshme delagacionit shqiptar për të vazhduar rrugën drejt Vlorës. Vetë imzot Kaçorri iu bashkangjit karvanit të pavarësisë ku në qeverinë e re do të mbante postin e zevendës kryeministrit duke përfaqësuar në qeveri,  në këtë mënyrë jo vetëm katolikët shqiptarë por dhe vetë qytetin e Durrësit ku për afro çerek shekulli kish ushtruar detyrën fisnike të priftit dhe ushëheqësit shpirtëror të banorëve të tij. Në vitin 2012 u fol dhe për ngritjen e një shtatoreje të tij, por si çdo tjetër veprim që ka të bëjë me memorjen tonë historike, tashmë as që bëhët fjalë që të ketë përfunduar. Ngritja e shtatores së tij  në qytetin e Durrësit është një akt  që duhet përfunduar pasi në këtë mënyrë jo vetëm respektohet tradita dhe e shkuara por ringjallet dhe një epokë historike e cila shumë pak është vlerësuar.
Krahas shtatores të Ismail Qemalit në Durrës duhet të jetë dhe shtatorja e imzot Kacorrit, sigurisht jo vetëm si pasqyrim i një akti simbolik por si një vlerësim i drejtë për së drejtë i jetës dhe veprës të etërve të kombit. Sot më tepër se kurrë kur gjithandej po flitet për një integrim më të plotë të komuniteve dhe popullsive shqiptare në rajon, figura të tilla si imzot Kaçorri me dinjitetin dhe fuqinë e personalitetit të tyre shërbejnë si ikona dhe pika reference që bëjnë të mundur të ngjizin kiminë dhe alkiminë e materies sonë shpirtërore kaq shumë të dëmtuar nga Globalizmi dhe modernizmi i jetës së përditshme. Rikthimi i Dom Nikollë Kaçorrit në qytetin ku përhapi fjalën e shenjtë të Perëndisë por dhe fjalën e shenjtë të shqiptarizmit do të jetë një ogur i mirë që do ti shërbejë qytetit të Durrësit por dhe Shqipërisë për të rivlerësuar më mirë të shkuarën e afërt. Njerëz të tillë sado që të përpiqet pluhuri i kohëve të mbrapshta për ti harruar dhe fshirë nga kujtesa e qytetit dhe e vendit ku kanë jetuar, sërish do dalin në dritë e do të fillojnë të shkëlqejnë sërish ashtu si dhe në gjallje. Qiejt e ngrysur të Shqipërisë kanë nevojë të ndriçohen nga yjet e tyre-sakrifica të mendimit dhe veprimit shqiptar. 

Gazeta Shqip, fq 9, 24.07.2014








No comments: