Sunday, 8 December 2013

Fillesat e zgjimit kombëtar shqiptar ne oborrin e Ali Pashe Tepelenës







Viti 1789 është një vit emblematik për Evropën dhe më gjerë pasi shënon lindjen dhe konceptimin e ideve të reja për shtetin kombëtar. Revolucioni francez përveç përmbysjes së madhe të shkaktuar në rendin shoqëror ngjiz dhe idealet e nacionalizmit.
Shumë shpejt me  implikimin e Francës në teatrin e Lindjes së Afërme, me traktatin e Kampo Formios  në 1797 ku Franca anekson Ishujt Jonianë këto ide fillojnë të infiltrojnë dhe në Ballkan. Infiltrimi i këtyre ideve korrespondon me  periudhën kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim. Këtyre ngjarjeve që shestuan gjithë shekullin e XIX i kishin gjetur një sofistikim ideologjik në lëvizjen e Iluminizmit që pat nisur në Francë që një shekull më parë por që kish rrezatuar gjithandej nëpër kontinent
Iluminizmi në Ballkan ishte një lëvizje ideologjike, filologjike, linguistike kulturore dhe filozofike në elitat e Ballkanit që u mundua të përçonte idetë dhe vlerat e Iluminizmit francez në botën shpirtërore ballkanike. Ai ishte produkt i brezi të tërë shkollarësh jo vetëm në shkencat shoqërore por dhe në ato të natyrës si Adamantios Korais, Neophytos Doukas, Rigas Feraios, Methodios Anthrakites, Evgenios Voulgaris,  Athanasios Psalidas, Balanos Vasilopoulos and Nikolaos Darbaris të cilët ishin në kontakt ne filozofinë perëndimore për shkak se shumica më e madhe tyre studiuan sa në Paris, Londër ,  Vjenë apo dhe Berlin.
Pjesë e rëndësishme e diskursit të tyre të tyre politik dhe kulturor ka të bëjë me ringjalljen e Greqisë, të vlerave të epokës klasike por dhe shndërrimin e Greqisë në një vend modern evropian. Në këtë sens ideja evropiane e tyre është thelbësore në veprat e tyre pasi ajo paraqitet si një vektor lidhës midis së shkuarës së lavdishme greke dhe ringjalljes të së tashmes.
Iluminizmi grek lëvroi në qendrat e mëdha të kulturës evropiane por pati dhe dy strehëza të përshtatshme ku ndikoi dhe kulturën vendase të atyre vendeve. Kështu Akademi e Re pararendësja e tyre e krijuar në Voskopojë në qytetin e ndodhur në territor shqiptar dhe ku u përplasën kulturat greke, vllahe dhe shqiptare la një gjurmë të pashlyer në memorien historike të komuniteteve që banuan aty por dhe më gjerë në Ballkan. Po kështu Akademia e Bukureshtit, e cila ishte ngritur nën kujdesin e princave Fanariotë që administronin principatat rumune për më shumë se 100 vjet dhe oborri i Ali Pasha Tepelenës në Janinë ku iluministët grekë gëzonin patronazhin dhe favoret e këtij pashai karizmatik në shkëmbim të shërbimeve diplomatike që i ofronin. Oborri i Ali Pashë Tepelenës në fakt përfaqësonte një mikrokozmos të Ballkanit të asaj kohe , ku veç Iluminizmit grek ka zanafillën e vet dhe ringjallja shpirtërore e shqiptarëve që dalëngadalë nga një elitë ushtarake dhe e ushtrimit të forcës do të përpiqej të shndërrohej dhe në një elitë politike dhe kulturore. Rëndësia e personalitetit dhe oborrit të tij për popullsinë greke që përbënte një pjesë të konsiderueshme të pashallëkut të tij pohohet nga fjalët e fjalët e iluministit grek Neofitos Dukas se Ali Pasha Tepelenën e “dërgoi Zoti që të edukojë të këqijtë dhe të nderojë të mirët, të pakësojë të këqijat dhe të rrisë të mirat”. [1]Sigurisht që për popullsinë shqiptare, popullsi të cilës ai i përkiste, Ali Pasha përfaqësonte një figurë të lartë dhe të pazëvendësueshme. Sipas Hobhausit të gjithë shqiptarët , edhe ata që nuk i janë nënshtruar fuqisë së tij, flasin me ekzaltim dhe krenari për bashkatdhetarët e tyre dhe kur vjen puna t i krahasojnë me të , duken se ata vazhdimisht nuk para i pëlqejnë meritat e të tjerëve. Kemi dëgjuar vazhdimisht të thonë , kur bije rasti të bisedojnë për ndonjë pasha tjetër: “Ai nuk është siç është Aliu, ska kokë të tillë”[2]. Ky adhurim i tyre për Ali Pashën kishte një bazë të fortë perceptimi që merrte shkas sa nga qeverisja efektive e territorit po aq sa dhe në njohjen ndërkombëtare që po arrinin shqiptarët për herë të parë pas tre shekujsh harrese. Ali Pasha në fillim të shekullit të XIX i nxori shqiptarët në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe bashkë me ta dhe gjuhën e tyre. Nuk besoj se do të jetë ndonjë ekzagjerim pohimi se Ali Pasha i nxiti studimet për gjuhën shqipe dhe kjo nuk është një meritë e panevojshme për të, por nuk i është vënë në dukje deri më sot.[3]
Pikërisht në këtë kohë kemi një përpjekje për një zhvillim kulturor të shqiptarëve ku si paradigmë zhvillimi u morën   veprat dhe autorët e Iluminizmit grek,  pasi dhe një pjesë e këtij zgjimi kulturor erdhi nga figura  që ishin formuar në shkolla kulturore greke dhe ishin personalitete të kulturës ekumenike ortodokse. Gjatë kësaj epoke, sidomos pas forcimit të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës, në fillimet e shekullit të XIX dhe rritjes së pranisë diplomatike në Janinë, ku dy përfaqësues të shquar, njëri i Francës republikane Fransua Pukëvil dhe tjetri i Mbretërisë Angleze, William Martin Leake ishin dy personalitete shumë të kulturuar që kontribuuan shumë në nxitjen dhe lëvrimin e kulturave vendase. Të frymëzuar të dy nga Filohelenizmi dhe ringjallja e interesit për trashëgiminë greko-romake, ata nuk do të qëndronin indiferent edhe ndaj kulturës shqiptare pasi një pjesë e madhe e botës antike që ata adhuronin shtriheshin në territoret shqiptare. Kështu Pukëvili do të ishte nxitësi kryesor i Marko Boçarit të shkruante në 1809 një fjalës greqisht-shqip nga bisedat me familjen e shquar të Boçarëve, të shpërngulur në Korfuz, ndërsa William Martin Leake në një vepër të tij në (1814) ka botuar një fjalor në tre gjuhë dhe një Gramatikë të toskërishtes.[4]
Gjithësesi duket se ka pasur një ndryshim në përpjekjet dhe gjykimet e të huajve për gjuhën shqipe dhe lëvrimin e saj, midis udhëtarëve sporadikë që rrinin shumë pak kohë në Pashallëk si është dhe rasti i poetit të madh Bajron dhe mikut të tij Hobhouse dhe këtyre përfaqësuesve diplomatikë që kaluan një kohë më të gjatë në territoret shqiptare. Kështu p.sh Hobhouse kur flet për personalitetin e Ali Pashë Tepelenës vëren, se  me autoritetin e madh, që ka ai vet kurrë si ka shkuar ndërmend për arsimimin që duhet të merrnin shqiptarët[5], kur realiteti qëndronte ndryshe pasi të paktë në Janinë në atë kohë ushtronin aktivitetin e tyre pedagogjik për sa i përket ushtrimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe  Vangjel Meksi, Jani Evstrat Vithkuqari që pat ndihmuar Leakun në gramatikën e tij, Stefan Postenani, i cili po në ato vite ka bërë një gramatikë të greqishtes me alfabet shqip, apo dhe Jani Vellarai(1771-1823) mjek i birit të Ali Pashës, Veliut që shkroi “Shënimet për një gramatikë greqisht-shqip”. Nisur nga numri i këtyre aktivistëve të arsimit shqip si dhe përpjekjeve të tyre për të shkruar gramatika të shqipes,  mund të themi pa frikë se Janina e Ali Pasha Tepelenës ishte një kopsht pjellor për gramatikat e shqipes.[6]
Rrezatimi dhe influenca e oborrit të Ali Pashë Tepelenës për sa i përket lëvrimit të shqipes do të ndihej dhe në ishujt Jonianë, të cilët që nga viti 1797 ishin bërë strehë e një kolonie të admirueshme shqiptarësh nga kontinenti, sa ushtarakë po dhe intelektualë që për arsye të ndryshme që lidheshin sa me kundërshtimin e pushtetit të Ali Pashës po aq dhe me inkuadrimin e tyre në elitë qeverisëse të ishujve. Në këtë kohë në Korfuz vërehet një lëvizje arsimore dhe kulturore ndër refugjatët shqiptarë të atjeshëm. Një prirje e veçantë për kultivimin edhe të gramatologjisë shqipe u vu re në fillimet e shekullit të XIX edhe në arbëreshët(arvanitasit) e ishujve jonikë që sipas studiuesve , u frymëzuan nga jehona e Revolucionit Frëng dhe impaktit të tij në fushën etnokulturore. Kështu u shkruan fjalorë dhe disa punime të thjeshta filologjike, prej të cilave mund të përmendim ato të Kundoriotit, A.Vretos,G.Rucadhit dhe mbi të gjitha fjalorin e mirënjohur Greqisht-Shqip të Marko Boçarit.[7]Si mund të vërehet lehtë në këto vite ka një bashkëpunim shumë të mirë midis Helenizmit që prej kohësh gjallonte në Ballkan nëpërmjet një rrjeti të mirë organizuar shkollash pranë kishave dhe së fundi dhe në shkolla civile si ishte akademia e Bukureshtit, Voskopojës dhe shkolla e Janinës e drejtuar nga Psalidha dhe shqiptarizmit që po lindte ashtu si në gjithë kulturat e tjera fqinje nga nevoja për të kuptuar dhe njohur Shkrimet e Shenjta por dhe si një shprehje e vullnetit politik të etnisë shqiptare. Në këtë kontekst po ndodhte ajo që shumë studiues të nacionalizmit e quajnë si fillesat e protonacionalizmit ku identiteti gjuhësor dhe territorial po ngjizeshin për të krijuar identitetin kombëtar të shqiptarëve. Edhe pse një komponent i rëndësishëm i formimit të këtij identiteti si ishte identiteti fetar nuk ishte i njëjtë te shqiptarët, pasi një pjesë e tyre ishin konvertuar në Islam gjatë shekullit të XVII, karakteristikë e përgjithshme ishte se edhe elementi mysliman shqiptar në Jug të Shqipërisë përpjekjet e veta për të shkruar shqip apo për të krijuar vepra në greqisht por me subjekte me sfond shqiptar. Kështu p.sh në këto vite kemi disa përpjekje për të shkruar eposin e Ali Pasha Tepelenës, ku mes tyre sigurisht spikat Ali Pashaida e Haxhi Shehretit, një miku të rinisë së Pashait. Poema është shkruar në greqishten e re, por shpesh herë aty ka dhe fjalë shqip. E shkruar në heksametër, ajo paradoksialisht ka ndihmuar në promovimin e dialektit modern të greqishtes, por rëndësia e saj në aspektin kulturor qëndron edhe në faktin se mes elitave myslimane shqiptare, gjuha greke kish gjetur udhën si mjet shprehës dhe kulture. Liku dëshmon në veprën e vet se kur bujt në shtëpinë e Demir Aga Dostit në Kardhiq, një fisniku shqiptar të kohës, fëmijët e tij krahas arabishtes dhe persishtes mësonin dhe greqisht si gjuhë kulture.[8]
Vetë Ali Pasha Tepelena si tregojnë dhe shumë dëshmitarë se kur përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mirë[9]. Sigurisht që këto marrëdhënie do të vazhdonin të ishin të ngushta edhe në vitet e më vonshme pasi një pjesë e madhe e elitës shqiptare myslimane si Ismail Qemali, Abedin Pasha Dino, vëllezërit Frashëri etj  u shkolluan në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës ku gjuha greke luante një rol parësor në edukimin e përgjithshëm madje Naim Frashëri dhe Abedin Dino do të shkruanin më vonë dhe dy poema të gjata në greqisht. Ky aspekt i përdorimit të gjuhës greke nuk duhet marrë si shenjë e një turbullimi linguistik por më së shumti hedh dritë edhe mbi karakterin “lingua franka “ që luante gjuha greke në rajon, karakter që ajo e kish fituar si një trashëgimtare e qytetërimit bizantin.
 Kjo kulturë e përgjithshme e kohës reflektohej dhe në tolerancën dhe universalizmin që predikohej nga ana e Kishës Ortodokse dhe Patrikanës për vetë kushtet dhe rrethanat e kohës, sidomos në prag të shpërthimit të revolucionit grek si dhe të shumë ndryshimeve kulturore që po ndodhnin në Ballkan. Kështu në vitet 1819-1827 kur Vangjel Meksi, i kontaktuar nga Shoqëria Biblike Jonike për të përkthyer në shqip Shkrimet e Shenjta, nuk has ndonjë problem doktrinar apo akuzë për blasfemi pasi iniciativën e Shoqërisë Biblike e kish mbështetur  dhe mirëkuptuar edhe Patriarkut Grigori i V të Konstandinpojës, i cili bekoi themelimin e saj[10]. Rëndësia e këtij botimi ishte shumë e madhe për kulturën shqiptare dhe sidomos për ringjalljen e vetëdijes kombëtare. Kur Shoqëria Biblike nëpërmjet përfaqësuesit të vet Laundzi dëshiroi të verifikojë punën e bëre në Shqipëri dhe përmes një letre që ai i dërgon Shoqërisë Biblike në 6 maj 1825 mësojmë se një shqiptar që erdhi nga atdheu i ka thënë: “Gëzimi dhe kënaqësia e njerëzve ishin kaq të mëdha , sa kur bie dita që të lexohet Ungjilli i Mateut, ai lexohet rregullisht shqip në kisha”. Ky është një kumtim i rëndësishëm: për herë të parë e kemi të dokumentuar, që ungjilli lexohet i përkthyer shqip në kishat tona si libër i plotë. Për më tepër, dokumentohet se trualli ishte përgatitur edhe priftërinjtë shqiptarë edhe besimtarët ishin të etur për të përdorur gjuhën amtare dhe është kjo etje, që do ti siguronte suksesin Rilindjes Kombëtare për një shekull të tërë.[11]
Mirëpo kjo frymë e mirë bashkëpunimi midis Iluminizmit Helen dhe Shqiptarizmit që po lindte do të fillonte të përkeqësohej me lindjen e nacionalizmit në Ballkan dhe formimin e shtetit kombëtar grek. Elita politike greke e mbështeste aksionin e saj politik mbi platformën nacionaliste të Megali Idesë (1844) që  nënkuptonte restaurimin e Perandorisë Bizantine. Në këtë formë ishte pranuar botërisht që Megali Ide-ja ishte imperialiste dhe që përfshinte absolutisht dhe saktësisht nënshtrimin  e popujve të tjerë ndaj Helenizmit[12]. Nacionalizmi grek ishte i tipit mesianik pasi i njihte vetes rolin e shpëtimit të të gjithë ortodoksëve të Ballkanit që i barazonte me grekë nga sundimi osman[13], përfshirë këtu dhe ortodoksët shqiptarë. Ky konflikt do të kushtëzonte dhe përdorimin e gjuhës shqipe në liturgjinë fetare ortodokse, çka për mënyrën sesi kish filluar shkrimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe në oborrin e Ali Pasha Tepelenës tingëllonte disi paradoksial. Gjithsesi pavarësisht këtij konflikti nacionalist që filloi të ravijëzohej në marrëdhëniet midis dy popullsive më të vjetra të Ballkanit, ajo që vlen për të përmendur është se   tradita e formuar në oborrin e Ali Pasha Tepelenës do të krijonte një model të qëndrueshëm dhe për vitet në vazhdim çka do të përcaktonte dhe zhvillimin e një paradigme kulturore shqiptare të vazhdueshme me perspektivë evropiane. Idetë e Iluminizmit Evropian dhe atij ballkanik influencuan shumë në formulimin e ideve të Rilindjes Kombëtare shqiptare duke shënuar kështu një trashëgimi të qëndrueshme idesh nga njëra epokë në tjetrën,  që në rastin shqiptar i shtoheshin dhe ato të çlirimit kombëtar dhe themelimit të një shteti kombëtar.


Bibliografi:

1-      Ferraj,Hysamedin “Skicë e mendimit politik shqiptar”. (Pegi,Tiranë 2006)
2-      Flemming,Katherine  “Bonaparti Mysliman” (Dituria, Tiranë 2002)
3-      Hobhouse,K.Xhon “Letra nga Shqipëria”. (Toena, Tiranë 2001)
4-      Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012)
5-      Lik.M,William  “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. (Migjeni, Tiranë 2008)
6-      Papagjeorgjiu,Gjeorgo “ Ali Pasha-një drejtues otoman me mentalitet evropian” (Elefterotypia, Athina 15 Mars 2001)
7-      Stavrianos, L.Stavros “The Balkans since 1453” (C.Hurst&Co, London 2000)
8-      Tushi,Dion “Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqip”. (Buletini Shkencor Universiteti Fan S.Noli Korçë, Viti i XVII, nr 23 2012)
                                                                    


[1] Papagjeorgjiu,Gjeorgo “ Ali Pasha-një drejtues otoman me mentalitet evropian” (Elefterotypia, Athina 15 Mars 2001), f.10.
[2] Hobhouse,K.Xhon “Letra nga Shqipëria”. (Toena, Tiranë 2001), f. 119.
[3] Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012), f.15.
[4] Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012), f. 14.
[5] Hobhouse,K.Xhon “Letra nga Shqipëria”. (Toena, Tiranë 2001), f. 123
[6] Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012), f. 15.
[7] Tushi,Dion “Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqip”. (Buletini Shkencor Universiteti Fan S.Noli Korçë, Viti i XVII, nr 23 2012), f.11.
[8] Lik.M,William  “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. (Migjeni, Tiranë 2008), f.73.
[9]  Flemming,Katherine  “Bonaparti Mysliman” (Dituria, Tiranë 2002), f. 88-89.
[10] Tushi,Dion “Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqip”. (Buletini Shkencor Universiteti Fan S.Noli Korçë, Viti i XVII, nr 23 2012), f .12.
[11] Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012), f .84.
[12] Stavrianos, L.Stavros “The Balkans since 1453” (C.Hurst&Co, London 2000), f. 468.
[13] Ferraj,Hysamedin “Skicë e mendimit politik shqiptar”. (Pegi,Tiranë 2006),f. 111



Suplementi "Rilindësi" 8.12.2013


No comments: