Sunday, 29 December 2013

Të shohësh veten në pasqyrën e fqinjit



(Refleksione rreth librit “Luani i Epirit” i Akademikut Spiro Mela)

Historia e afërt e shqiptarëve dhe sidomos koha e Pashallëqeve shqiptare, kohë në të cilën del sërish në skenën evropiane emri i Shqipërisë si territor dhe i shqiptarëve si etni që banonin në këto territore është një objekt studimi jo vetëm i historiografisë dhe mendimit politik e kulturor evropian por edhe i historiografisë dhe mendimit politik të fqinjëve që sapo kanë themeluar shtetet e tyre kombëtare.
Sigurisht që në këto studime qëllimi i ndërmarrjes së tyre apo dhe konkluzionet e arritura nuk përputhen tërësisht ose shpesh herë njëra palë e tej kalon tjetrën. Nga njëra anë evropianët  që po ri zbulonin Ballkanin po jetonin një lloj tërheqje ekzotike ndaj këtyre territoreve duke shfrytëzuar historinë e pasur të rajonit kërkonin të ringjallnin idealet e botës së tyre antike me çfarëdolloj çmimi, nga na tjetër etnitë ballkanike që po ktheheshin në kombe dhe që në etjen e tyre për tu zgjeruar në territore shtrembëronin dhe krijonin imazhe të tjera të fqinjëve të vet. Figura politike që ka hasur më shumë kundërshti dhe në të njëjtën kohë adhurim është padyshim figura e Ali Pasha Tepelenës, pashait të një territori mjaft të gjerë që përfshinte brenda tij territoret shqiptare që shtriheshin deri afër Durrësit, për të vazhduar drejt Elbasanit, Ohrit, Strugës dhe për të zbritur më poshtë në Maqedoni , Peloponez, dhe gjithë Epirin duke lënë jashtë vetëm Athinën dhe ishullin Eubea.
Pyetje të shumta kanë shoqëruar vlerësimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe rolit të tij në  historinë moderne së Shqipërisë. Njerëz të ndryshëm të letrave , historianë , përkthyes por edhe shpesh herë amatorë të historisë duke iu referuar folklorit, gojëdhënave dhe leximit të veprave të udhëtarëve të huaj kanë krijuar tashmë një fabul të një njeriu orientalist, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në male e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Nuk mungojnë këtu edhe penelatat e fuqishme me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historia e Frosinës që paraqesin një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Portreti më i mirë për këtë perceptim orientalist të figurës së Ali Pashës nga ana e elitës evropiane të kohës që vizitoi Pashallëkun e tij por edhe nga shfrytëzimi me mjeshtëri nga vet Pashai i këtyre motive është trajtuar gjerësisht nga studiuesja Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur “Bonaparti Mysliman”, çka e ka lehtësuar shumë terrenin metodologjik në trajtimin e kësaj figure kontroverse në historinë e afërt të Epirit, Shqipërisë dhe Greqisë. Libri i Akademikut grek Spiro Melas “Luani i Epirit” është një pasqyrim i gjallë i gjithë këtyre episodeve dhe kundërshtive ku nëpërmjet një stili letrar e shumë komunikues përcillet e gjithë atmosfera e kohës. Masakrat e Hormovës dhe Kardhiqit por dhe pushtimi i Sulit janë pjesa e errët e reflektimit në pasqyrën e fqinjit ku akte të quajtura më se të zakonshme për kohën, sërish nëpërmjet përshkrimeve me detaje rrëfejnë se për humanizmin janë gjithmonë të papranueshme. Si në çdo libër që është shkruar për Ali Pasha Tepelenën nuk mund të mos ketë brenda dhe përshkrimet për epshin dhe luksin e haremit të tij prej 300 femrash apo fabulave tashmë të njohura të rrëmbimit dhe keqtrajtimit të motrës dhe nënës së tij. E gjithë kjo atmosferë paragjykuese me sfond orientalist duket sikur dominon në libër gjithandej, por në mes të këtyre rrëfimeve del në pah dhe karakteri reformator i ndërtimit të shtetit të vet, toleranca e admirueshme fetare dhe ndarja e pushtetit me elementin ortodoks të popullsisë diçka e paparë për kohën deri atëherë. Spiro Melas tejkalon dhe paragjykimet e tjera që mund të gjenden në vendin fqinj ku i dedikon Ali Pashës kontributin e tij në arsimin dhe mbështetjen që i dha Akademisë së Janinës, fidanishtes ku u mbrujtën dhe zhvilluan aktivitetin disa nga ideologët e mëvonshëm të Revolucionit grek. Përmes një qëmtimi të një dokumentacioni të gjerë të pothuajse të të gjithë kancelarive të Evropës, Akademiku Spiro Melas na ka dhënë me të gjithë dritë hijet dhe kontrastet e veta figurën e Ali Pashës duke na bërë të reflektojmë për t’iu përgjigjur dilemave që shoqërojnë vlerësimin e kësaj figure. Në gjithë këtë narrativë historike edhe vet autori është i ndërgjegjshëm se epoka dhe rëndësia e saj është më se e domosdoshme për vlerësimin e figurave të tilla, ndaj ai jep vlerësimet maksimale si historian grek për kontributin e tij për shpërthimin e Revolucionit Grek. Kjo është çfarë ne shikojmë në pasqyrën e fqinjit por ne shqiptarët si reflektojmë këto pasqyrime dhe si e vështrojmë dhe vlerësojmë këtë figurë që duam apo nuk duam ka ndikuar shumë në historinë tonë të afërme.
Figura e Ali Pashë Tepelenës nuk mund të studiohet jashtë kontekstit të kohës, gjeopolitikës dhe balancës së pushteteve të trashëguara që ai gjeti të ngritura si strukturë më vete. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës por gjithandej nëpër Evropë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme. Respektimi i pushtetit të Kishës Ortodokse dhe përfshirja e saj në pushtetin e kohës ishte një traditë shtet formuese otomane që Ali Pasha Tepelena e gjeti të trashëgueshme që nga rënia e Kostandinopojës dhe nuk e shpiku vet, ndaj akuzat për mbështetje të veçantë dhe të paramenduar ndaj popullsisë greke të Pashallëkut të vet, nuk qëndrojnë por shpesh herë ngjajnë diletante. Në lojën e vet të brendshme për pushtet Ali Pashës i duheshin aleatë dhe në peshkopët e Kishës Ortodokse ai gjeti njerëz që qeverisnin dhe drejtonin si udhëheqës shpirtërorë një pjesë të madhe të nënshtetasve të vet. Është afërmendsh që këtë ekuilibër pushteti që ndiqte vet Sulltani për të qeverisur në Perandorinë Otomane nuk mund të injorohej nga Ali Pasha.
Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij Pashai Tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtë për së drejtë me ushtrinë franceze që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Evropën kaluan nga procesi i mesjetës së vonë në Iluminizëm dhe Nacionalizëm. Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kish përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Krahasimi i figurës së tij duhet të shtrihet në një rrafsh me prijësit e tjerë të lëvizjeve ballkanike që tronditën pushtetin e Perandorisë Otomane në fillim të shekullit të XIX. A  ishte më shumë i shkolluar, më shumë humanist apo më pak gjakësor se Ali Pasha Tepelena, Millosh Obrenoviçi, tregtari i thjeshtë i derrave i shndërruar në princ pas revoltës së serbëve në 1815? A ishin prijësit e Revolucionit Grek një mentalitet tjetër dhe i ndryshëm nga Ali Pasha Tepelena? Si u sollën ata me popullsinë e besimit mysliman në Greqi gjatë revolucionit?  Për çdo studiues serioz të historisë së Ballkanit është më se e qartë se metodat, mënyrat dhe etika e kohës ishin të njëjta për të gjithë ballkanasit dhe vetëm rezultati pozitiv ose jo i tyre ka bërë diferencën në vlerësimin e këtyre lëvizjeve dhe prijësve të tyre.
Përkthimi i kësaj vepre që vjen në mënyrë shumë të arrirë nga Kristo Pulla e Foto Bixhili  plotëson një vend të rëndësishëm në bibliografinë rreth figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe në të njëjtën kohë është një hap i rëndësishëm jo vetëm për autorët dhe studiuesit që merren me kulturën dhe historinë e Shqipërisë , por edhe si një libër njohje i Tjetrit në Ballkan, njohje kaq shumë të rëndësishme për të larguar paragjykimet e së kaluarës e për të ndërtuar ura bashkëpunimi në të sotmen.

Suplementi Rilindësi. 29.12.2013, fq 22





No comments: