Udhëtimi,
të papriturat, aventurat dhe ngasjet që
gjen njeriu gjatë tij është një tematikë e letërsisë së përbotshme, që fillimet
e saj i ka ndoshta në parashtresën emocionale dhe psikike të vetë njerëzimit.
Udhëtimi
në këtë sens sa është fizik, një lëvizje në kohë dhe hapësirë nga një vend në
tjetrin, po aq është dhe shpirtëror nga një gjendje shpirtërore drejt një
tjetre. Herodoti, në veprën e Historia, ndoshta është i pari që na jep këtë
udhëtim me të dy dimensionet kur rrëfen krijimin e tempullit të Dodonës. Sipas
tij nga Teba, tempulli i Egjiptit të
Lashtë fluturuan dy pëllumbesha drejt Dodonës, ku aty u kthyen në priftëresha e
zbërthenin kumtet e perëndive[1].
Në
fakt në gjithë historinë antike nuk mund të gjesh një motiv më të qenësishëm
sesa shtegtimi dhe qarkullimi i dijes brenda saj, sesa ky episode i rëndësishëm që tregon për lidhjet midis dy
qendrave të qytetërimit. Mirëpo Herodoti, ashtu si ai vet deklaron dhe ne e
njohim, është një historian që më tepër është i interesuar për të përshkruar
zakonet dhe doket, luftërat dhe politikat e tribuve dhe etnive, që ai
përshkruan, sesa të ndërmarrë një përpjekje poetike për të treguar e rrëfyet se
ç’ndodh gjatë udhëtimeve. Këtë mision në mënyrë të pavullnetshme dhe
sinjifikative e përmbush letërsia, arti i fjalës që zbërthen dhe ç’kodon
misteret e shpirtit njerëzor. Në letërsinë e përbotshme, njihet tashmë shumë
mirë se metafora e udhëtimit si një përsosje drejt vetes dhe përshkrimi fizik i
drejtë për së drejt i tij si një tablo ekzotike plot larshmëri ngjyrash e
përmbush për herë të Homeri me poemën e tij të gjatë epike “Odiseja”. Në poemën
e gjatë epike ku mbizotërojnë përshkrimet fizike të gjithë botës së njohur mesdhetare të deri
atëhershme, por kur jo rallë plekset fantazia me realitetin ka vend shumë edhe
për përshkrimin e pasioneve njerëzore të luftërave të Trojës, të
luftëtarëve trima që rikthehen në vatrat e tyre, apo dhe për motivet e
përhershme që shoqërojnë gjendjen njerëzore si ato të ikjes(a s’është ky i
fundit një kthim i vjetër?), harresës e rinjohjes etj. Duke qenë se tabloja që
merr përsipër Homeri të përshkruajë në poemën e vet është kaq e gjerë dhe e thellë
si në dimensionin fizik po aq dhe në atë shpirtëror dhe mbi të gjitha për një
kohë shumë të gjatë i thërret apelon pothuajse të gjithë njerëzimit të gjitha
kumtet e mundshme poetike të vuajtjes e dashurisë njerëzore, të ikjes dhe
kthimit, të mallit dhe harresës, të dashurisë dhe tradhtisë njerëzore,
“Odiseja” ka fituar prej kohësh statusin e përjetshëm të veprës universale të
njerëzimit e rrjedhimisht prej kohësh motivet e saj janë kthyer në një burim
frymëzimi për gjenerata të tjerë poetësh që kanë ardhur më pas.
Rasti
më interesant dhe ndoshta më i arrirë në poezi është poezia e Kavafisit
“Itaka”, një poezi që së bashku me ” Duke pritur Barbarët”, janë ndoshta dy nga poezitë më
emblematike të këtij autori. Kavafis si rrallëkush poet grek nga kombësia, por
më tepër “grek” nga dija si mbartës dhe shprehës i një qytetërimi të lashtë, që
dikur kish bashkuar dhe i kish dhe një jetë gjithë Mesdheut, rrëmon dhe zbulon
në shpirtin njerëzor motivet e përgjumura të përjetshme që duken dhe zhdukjen
nëpër shekuj, për të nxjerrë krye herë pas here në duart e mjeshtërve të
mëdhenj të penës e për të na dhënë kryevepra që njerëzimi kohë pas kohe t’i
referohet. Sidoqoftë në gjithë këtë arrati mendimesh, ndjenjash apo dhe
moderniteti një pyetje lind vetvetiu për këtë poet që merr e rizbulon nga
thellësia e shekujve një botë të magjishme e pothuajse të humbur. Në të
vërtetë ç’është ky fenomen Kavafisi,
ç’është ky njeri që kur gjithë bota poetike moderne evropiane i thur himne
zhvillimit të deri a tanishëm, ku e shkuara mund të trokasë vetëm në tekste
legjendash popullore për të ilustruar më tepër fuqinë e tanishme të njerëzimit,
zgjedh në mënyrë të vetvetishme dhe i këndon personazheve, që për më tepër i
kanë kënduar poetë të tjerë klasikë, poezi me të cilat njerëzimi ka kohë që i
ripërtyp në ëndrrat dhe formimin e përgjithshëm të tij. A nuk ka frikë apo
ndrojtje se vepra e tij do shitohet, do të hijezohet nga emra kaq legjendarë si
Homeri, Eskili, Sofokliu apo Euripidi? Këto pyetje do të vlenin në fakt nëse
Kavafisi do të ishte i zakonshëm, tokësor, por në fakt ai është poet, një fjalë
që në vetvete përbën dhe kodin kryesor të kuptimit të mentalitetit dhe botës së
brendshme të këtij njeriu.
Kavafisi
jeton në Aleksandrinë kozmopolite të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit
të XX, të një qyteti që në shumë drejtime të kujton kulturën kozmopolite të
Aleksandrisë së vjetër legjendare. Në të jetonin arabë, grekë, shqiptarë, turq,
italianë, francezë, anglezë dhe në lagjet qendrore dhe periferitë e saj
gulçonte një kulturë sa e vjetër, që vjen nga thellësia e shekujve po aq dhe re
mes sfidimit të së vjetrës dhe adoptimit me kohërat e reja që po bën familja
shqiptare e Khediv-it që qeveris
Egjiptin për një kohë të gjatë. Nëpunësi i zakonshëm i Ministrisë së Punëve
Publike është dëshmitar i gjithë kësaj kohe por ai jetonte me jehonën e lavdisë
së dikurshme të helenizmit jo si një ëndërrimtar i sëmurë, por si një njeri në
kuptimin më të thellë. Rënien e Perandorisë Bizantine ai nuk e pa kurrë si
varrosjen e një ëndrre të një madhështie boshe. Në asnjë varg të veprës së sit
nuk ndihet fryma e nacionalizmit, megjithëse jetoi në një kohë kur kjo frymë
pati qenë një forcë lëvizëse e shoqërisë greke. Ai ishte kundër romantizmit dhe
retorizmit poetik. E shqetëson në mënyrë të veçantë rënia e vlerave dhe e
idealeve të helenizmit si faktor universal politik, kulturor dhe human dhe për
këtë arsye ai bëhet ironik, sarkastik, i pamëshirshëm , kur merr në shqyrtim
momente kyçe të historisë së lashtë e të mesme. [2]Shqetësimi i tij për botën e
perënduar të helenizmit është pak a shumë me krenarinë që shprehte dikur
Shelley se “ne jemi të gjithë grekë”, sigurisht jo duke i referuar etnisë, por
duke iu referuar karakterit universal human të helenizmit në botën antike.
Është pikërisht ky shqetësim dhe ankth human që karakterizon gjithë letërsinë e
vjetër antike, që Kavafisi e rimerr duke e kthyet në art të vërtetë poetik dhe
duke dëshmuar në të njëjtën kohë se raca njerëzore nuk ka ndryshuar shumë, por
është e njëjta në pasionet, mëkatet dhe dhimbjet e saj. Kavafisi duke qenë një
nxënës i mirë i historisë, bëhet njëkohësisht
dhe mësues i dalluar i saj. Duke qëmtuar në mitologji e lashtësi, në
botën bizantine e në bashkëkohësi. Ai gjen dhe krijon disa përfytyra të
kuptimshme e përgjithësuese që që marrin shpesh vlera anekdotike e
mësimdhënëse.[3] Në këtë kontekst poezia “Itaka”, si poezia që përfaqëson më
mirë se kush tjetër motivet homerike në poezinë e Kavafisit, është një poezi në
të cilën Kavafisi sintetizon brenda vargjeve të kursyera kuintesencën filozofike
të veprës më njerëzore homerike.[4]
Kavafisi
i prish konvencionet tradicionale të udhëtimit që në fillim të poezisë kur
urimi i tij është “për ty të qoftë e gjatë udha/plot me ndodhira, plot me
dituri”[5]. Ky është thelbi i heroit të tij antik, por në të njëjtën kohë dhe
modern, i Odisesë, një udhëtim drejt diturisë dhe pjekurisë si njeri ku në fund
të udhëtimit edhe pse në mënyrë ironike sintetizon se “Të varfër në e gjetsh,
Itaka s’të ka mashtruar. Me kaq përvojë, i mençur si je bërë, tash do ta kesh
kuptuar se ç’kuptim paskan Itakat”[6]. Ky mesazh që në vetvete pasqyron të
gjithë mesazhin që Kavafisi dëshiron të përcjellë, një lloj heroi mitik modern
që nuk joshet nga asnjë kujtim familjar përveçse kthehet i ditur, në fakt është
dhe një mesazh që në mënyrë krejt të veçantë pasqyrohet dhe në folklorin
ballkanik.
Përrallat
e moçme me personazhin e Qerozit që udhëton në botën e nëndheshme mbi krahët e
një shqiponje nuk janë gjë tjetër veçse jehona të një nënshtrati të vjetër
mitologjik që përshtatet aty-këtu në realitete të reja. Por bota ballkanike nuk
pasurohet sigurisht vetëm me riciklimin e miteve të vjetra të përshtatura në
realitetin e ri, por në letërsinë e re të Ballkanit që po rilind, ndodh edhe
procesi i kundërt ku ngjarje dhe dukuri të reja sociale risjellin në skenë
trajta të vjetra artistike. Një rast i tillë është poezia e gjatë “Kurbeti” e
Andon Zako Çajupit, një nga autorët shqiptarë të Rilindjes Kombëtare. Andon
Zako Çajupi, ashtu si dhe Kavafisi jetoi dhe punoi në Egjiptin kozmopolit të
fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Kajro, në dallim
nga Aleksandria nuk trashëgonte një kozmopolitëzëm të shquar, por që nga
qeverisja e re e familjes së Khedivit kishte filluar të merrte të njëjtat
trajta zhvillimi kulturor njëlloj si Aleksandria. Çajupi, pa dyshim si autor
përfaqëson në vetvete një kozmopolitizëm kulturor, një mendjehapësi të
rrokshme. I Lindur në Shqipëri dhe i arsimuar në shkollë greke në vendlindje
(në Shqipërinë e Jugut në atë kohë dhe në Zagori prej nga është autori prej
kohësh sipas të drejtës që gëzonte popullsia rum-milet kishte shkolla greke),
pastaj në kolegjin francez të Kajros për të vazhduar më tej në Zvicër, Çajupi
është suigeneris një rast i elitës shqiptare ai arketip i shumë shtresëzimeve
kulturore që të harmonizuara brenda vetes shpesh herë nxirrnin në pah
kozmopolitizmin e tyre, por që në të shumtën e rasteve iu nënshtrua
nacionalizmit si një forcë lëvizëse tërheqëse e kohës. Ai e fillon krijimtarinë
e vet në frëngjisht, në një gjuhë që e kish mësuar në shkollë, por me një
tematikë të pastër shqiptare, madje ballkanike do të thosha pasi tema e hajdutërisë ishte një nga temat që lëvrohej më tepër në atë
kohë, jo vetëm nga shkrimtarë lokalë, por edhe nga shkrimtarë ekzotikë, që
shkruanin për Ballkanin. Stili i tij në frëngjisht është i përsosur dhe njohjen
e kësaj gjuhe ai do ta dëshmojë më vonë dhe me përshtatjen që do u bëjë më vonë
fabulave të La Fonten-it në shqip. Në vitin 1902 ai boton përmbledhjen e parë poetike “Baba
Tomorri “. Poeti i Baba Tomorrit e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokë,
e pasuroi frymëzimin historik të letërsisë së kohës me frymën sociale, me
patosin qytetar e kritik. Ai i dha një përmbajtje të re frymës popullore që
ishte një tipar i brendshëm i poezisë së
Rilindjes, sepse e gatoi atë me hallet e bujkut e të njeriut të zakonshëm, me
brengat e mërgimtarit dhe të bariut[7]. Është pikërisht kjo frymë popullore që
një problem social e shtyn drejt arketipave dhe miteve të vjetra si është ai
homerik i Odisesë, pasi mendoj jo rastësisht në poemë gjenden numrat homerikë
si 10 vjet dhe 20 vjet i viteve të mërgimit të personazhit të poemës, Mitros
apo dhe ruajtja e nderit nga ana e gruas që të kujton një Penelopë moderne në
fshatrat e Zagorisë, apo dhe jetën gjithë aventura e shpengim në vargjet e
mëposhtme:
tri vjet, katër, dhjetë shkuan!
Mitrua
harroi gruan!
E
varfëra se ç'pësoi,
të
ritë vetëm e shkoi.
Ç'e
deshi të tillë burrë,
që
s'e pati pranë kurrë!
Gjith'
bota ven' e vinë,
Mitrua
harroi shtëpinë.[8]
Sigurisht
që konteksti social është krejt i kundërt, poezia “Kurbeti” e Çajupit mund të
jetë ashtu si me të drejtë Mitrush Kuteli e pasqyron se Andon Zako Çajupi është
Frederik Mistrali i Shqipërisë, poeti i thjeshtë dhe rustik i jetës sonë
popullore. Disa nga poezitë e Çajupit përbëjnë gurë të çmuar të cilët do të
zënë një vend të ndritur në antologjinë e poetëve shqiptarë [9]dhe në këtë
kontekst krahasimi i vlerave artistike mes “Itakës” dhe “Kurbetit” anon
patjetër nga Kavafisi, por dëshiroj të theksoj se në vetvete letërsia është
edhe zgjedhje e trashëgimi kulturore e lëvruar dhe pasqyron herë-here pa dashje
motivet e asaj që Gëte në bisedat e tij me Ekerman-in, sekretarin e vet e
quante Welt Literature-Letërsia botërore. Çajupi vinte në letërsinë shqiptare
jo vetëm për të gjurmuar shijet e tij estetike, ashtu si pati luksin Kavafisi
në letërsinë e lëvruar greke, por për të bërë edhe propaganduesin dhe zgjuesin kombëtar, edhe krijuesin për
herë të parë të një tradite, që nuk para ishte lëvruar ose jetonte në lirizëm
popullor të popullsisë. Në mënyrë vetëdijshme ai e përqafoi nacionalizmin si
mjet të identifikimit të vet krijues, gjuhësor e kulturor për të shënuar me të
njëjtat parametra edhe lexuesin e vet masiv. Në të njëjtë kohë edhe pse ai u
vlerësua që në fillim si poet romantik, që i këndoi natyrës dhe bukurisë së
vendlindjes gjithsesi në krijimtarinë e tij gjejmë tharmin që realizoi hapin e
madh të kapërcimit nga romantizmi në realizëm, nga patosi afirmativ kombëtar e
patriotik në patosin social e kritik.[10] Ky moment është shumë i rëndësishëm
për letërsinë shqipe pasi u jep fund paraqitjeve bardhë e zi të personazheve të
Naimit dhe Fishtës pasi Çajupi hodhi dritë mbi betejën morale, ku ndeshet
virtyti me vesin, ku përzihen të gjitha dritëhijet e karakterit të njeriut. Kjo
gjë e ndihmon atë të thyejë dhe konvencionet tradicionale të folklorit dhe të
parashtresave mitike ku Mitrua në fund nuk fiton si Odiseja familjen dhe
pronën, por as nuk kthehet i mençur si te “Itaka” i Kavafisit, por përjeton një
dramë familjare të denjë për heronjtë tragjikë grekë.
Marrëdhëniet
kulturore ballkanike, por sidomos ato shqiptaro-greke duke qenë se janë lëvruar
në territore, që shpesh herë janë ndarë nga popullsi që kanë pasur të
përbashkët mite dhe konvencione letrare jo rastësisht bëjnë të mundur, që në
letërsitë e tyre përkatëse të shfaqen motive të njëjta, por të trajtuara sipas
kushteve shoqërore artistike që kanë shoqëruar zhvillimin e letërsive. Emri
mitik i Kavafisit në letërsinë botërore sa i largët mund të duket për t’u
arritur nga realiteti shqiptar po aq i afërt mund t’i duket lexuesit shqiptar
që të njëjtin mit e pa të trajtuar në mënyrë origjinale nga një poet i vet
kombëtar. Sigurisht në marrëdhënie të tilla nuk mund të flitet për letërsi të
zhvilluar dhe të lartë dhe letërsi të ulët, por për një nënshtrat të
rëndësishëm ballkanik, që si gurrë plot tharm, ujë e jetë ka ushqyer letërsitë
përkatëse.
Bibliografi:
Libra
1- Çajupi.Z.A(1997). Baba Tomorri.
Parathënie nga Bulo.J, Tiranë:Dituria
2- Herodotis (1990). Istoria. Athina:
O.K.D.B
3- Kavafis.K (2010). Vepra Poetike.
Tiranë:Pegi
4- Shuteriqi.S.Dh(1958) Antologji e
letërsisë shqipe. Tiranë:Stabilimenti Mihal Duri
Internet
Internet:http://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/rilindja-shqiptare/2697-baba-tomori-14-vjec-dhender-andon-zako-cajupi.html
[1]
Shih për më tepër Herodotis (1990). Istoria. Athina: O.K.D.B, faqe 53
[2]
Kavafis.K (2010). Vepra Poetike. Parathënie nga Spiro. A, Tiranë:Pegi, faqe 15
[3]
Po aty faqe 16
[4]
Po aty, faqe 16
[5]
Kavafis.K (2010). Vepra Poetike. Tiranë:Pegi,faqe 33
[6]
Kavafis.K (2010). Vepra Poetike. Tiranë:Pegi,faqe 34
[7]Çajupi.Z.A(1997).
Baba Tomorri. Parathënie nga Bulo.J, Tiranë:Dituria, faqe 6
[8]
Shuteriqi.S.Dh(1958) Antologji e letërsisë shqipe. Tiranë:Stabilimenti Mihal
Duri, faqe 237-238
[9]
Internet:
http://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/rilindja-shqiptare/2697-baba-tomori-14-vjec-dhender-andon-zako-cajupi.html
[10]
Çajupi.Z.A(1997). Baba Tomorri. Parathënie nga Bulo.J, Tiranë:Dituria, faqe 6
Poeteka
nr 8
No comments:
Post a Comment