Tuesday, 2 April 2013

Gazetari e papërgjeshme





Gazetaria është një “gjueti lajmi” apo një reflektim serioz i ngjarjeve që ndodhin? Me pjesë e parë të fjalisë  nënkuptojmë se “lajmi i keq është lajm i mirë”, pra ai që mund të krijojë sensacion ndaj përzgjidhen detajet që mund të jenë më pompoze por në të vërtetë nuk është se ata janë pjesa thelbësore e lajmit.
Kurse me pjesën e dytë nënkuptojmë servirjen e fakteve të vërteta me një opinion shoqëruar, ku publiku lejohet që të krijojë dhe ai opinionin e vet. Varianti i parë , natyrisht që nuk përfaqëson gazetarinë serioze, por synon vetëm publicitetin e medies që përfaqëson dhe akoma më keq kur orientohet drejt një ideologjie apo mbështetet një grup të caktuar interesash kthehet në manipuluese të opinioneve dhe ndikon në deformimin e realitetit. Varianti i dytë është ai i një gazetarie serioze që synon informimin e vërtetë dhe ndërtimin e opinioneve mbi lajmin e vërtetë  duke respektuar në këtë lloj mënyrë etikën e gazetarisë dhe të profesionit të nderuar të gazetarit. Për fat të keq në Shqipëri si rezultat i kulturës së munguar të kulturës së informimit për shkak se Shqipëria vinte nga një sistem diktatorial ku censura kontrollonte çdo lajm apo dhe se pas viteve 90’mbijetesa në ekonominë e tregut “kërkon” që të dalësh përditë me lajme sensacionalë, mbizotëron varianti i parë i gazetarisë. Ky mbizotërim i kësaj gazetarie natyrisht që ngre disa pikë pyetje për vlerat morale të gazetarisë së sotme dhe hap udhë për një debat më te gjerë.
Opinioni publik shqiptar i ditëve të fundit u përball me një lajm që e tronditi pa masë. Gjetja e rastësishme nga ana e policisë së shtetit të një pedofili që pranoi se kish kryer një krim dhe ishte në tentativë për një tjetër, duket se ra si një rrufe në një qiell të pastër. Prej shumë kohësh mendojmë se raste të tilla janë larg prej neve dhe në mënyrë krejt naive ushqejmë iluzionin se jemi një shoqëri shumë e shendetshme moralisht. Shqipëria dhe shqiptarët nuk bëjnë ndonjë përjashtim nga vende dhe kombe të tjerë ku nëse me to ngjasojmë për mundësinë që ngjarje të tilla të hidhura mund të ndodhin, jemi krejt ndryshe për sistemet e paralajmërimit për të mos ndodhur ngjarje të tilla. Mirëpo si të mos mjaftonte kjo dobësi e sistemit të vlerave dhe strukturës shtetërore që kemi, në mënyrë paradoksale një tronditje tjetër iu shkaktua opinionit publik nëpërmjet publikimit të deponimit të pedofilit shqiptar në një të përditshme shqiptare. Ishte e kuptueshme që ky publikim të shaktonte një reagim fillimisht në rrjetet sociale por më vonë edhe në studiot televizive, çka detyroi drejtuesit e gazetës të kërkonin ndjesë ndaj familjarëve të fëmijës. Gjithësesi, përveç shijes shumë të hidhur që la publikimi i këtij lajmi, në të njëjtën kohë hodhi dritë dhe për llojin e gazetarisë që ushtrohet në Shqipëri. Nuk është hera e parë që ndodh kështu, por sigurisht që kësaj radhe ishte shumë më e dhimbshme sepse shkelja e etikës lidhej me jetën dhe fatin e një fëmije.
Mungesa e etikës nuk ka respektuar as vdekjen në këtë vend. Para disa kohësh, drejtori francez  i supermarketit Carrefour të hapur rishtazi në Shqipëri u gjet i vetëvarur në apartamentin e tij. Natyrisht që kjo ngjarje e rëndë do të pasqyrohej në të gjitha mediet, por trajtimi që iu bë në disa medie të veçanta ishte abuzues dhe jashtë etikës profesionale. Së bashku me emrin e të ndjerit, u komentua dhe emri i biznesmenëve shqiptarë që kanë investuar në TEG, pa sjellë ndonjë provë investiguese të veçantë por thasheme rrugësh të kota, që një vetvrasje dëshironin ta shpjegonin me teorira konspiracioni për pronësinë e objektit në fjalë.Mirëpo për fat të keq lajmi nuk ndaloi këtu. Publikut iu desh të mësonte se viktima jetonte në të njëjtin pallat me gazetarin dhe drejtuesin e emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu duke cenuar rëndë një pjesë të privatësisë të gazetarit të njohur dhe duke shtuar një detaj që ndoshta nuk i interesonte fare publikut.
 Lajme të ndërtuara me tituj bombastikë për të pasur një klikim më tepër në site-in e gazetës apo njëshitje më tepër janël bërë gjëra të zakonshme në gazetarinë shqiptare. Kështu, është kthyer tashmë në një stereotip që sa herë do të ketë takime të nivelit të lartë të zyrtarëve shqiptarë me ata grekë, gjithmonë duhet të jetë diskutuar në fshehtësi edhe marrëveshja detare, ku si rregull i pashkruar pala shqiptare ka qenë ajo që ka ofruar maksimumin e konsesusit dhe sigurisht që është nënshtruar pa një pa dy. Nuk mund të vihet në dyshim që bisedime të tilla mund të ketë por të paktën duhet kërkuar një provë besueshmërie për ecurinë e tyre. Shtypi grek  është shumë i ndjeshëm ndaj axhendës diplomatike të vendit të vet dhe gjëja më e thjeshtë që duhet të bjnë gazetarët shqiptarë që krijojnë lajmin është verifikimi i tij përmes burimeve të rëndësishme.Mungesa e tikës nuk ka respektuar as trajtimin e gjendjeve patologjike të doësuara të krerëve shqiptarë duke demonstruar një shkelje akoma më flagrante të privatësisë por dhe të kodit të mirësjelljes shqiptare. Pas ndërprerjes të një fjalimi me rastin e 20 vjetorit të themelimit të PD nga ana e kryeministrit për shkak të një gjendje virusale që kish kaluar, shtypi elektronik u mbush me qindra lloje diagnozash dhe arsyetimesh pseudopsikologjikë rreth shëndetit dhe sjelljes së kryeministrit. Po kështu e njëjta gjë ndodhi disa ditë më parë ku udhëheqësi i opozitës Rama pati një gjendje të rënduar dhe u shtrua për pak orë në spitalin e Burrelit, ku një sërë gazetash dhe mediash elektronike sërish u morën me hamendsime rreth shëndetit të tij.Është e kuptueshme që kryeministri dhe lideri i opozitës të mos kenë gjithë shqiptarët ithtarë të politikave të tyre pasi duke qenë në një demokraci funksionale, ekzistenca e opozitës është e qenësishme dhe e domosdoshme por të përpiqesh të manipulosh opinionin publik duke krijuar skupë mediatik është e pafalshme për gazetarë dhe drejtues mediesh me përvojë. Çdo politikan i këtij niveli është një pasuri institucionale dhe njerëzore për Shqipërinë ndaj kërkohet një kulturë më e mirë qytetare, politike dhe gazetareske për të trajtuar raste të tilla.

 Rastet e mësipërme tregojnë elementë të një krize besueshmërie që ka mbërthyer medien shqiptare. Media, si pushteti i katërt në vend nuk mund të jetë e imunizuar nga “sëmundjet” që ka kapur dhe tre pushtet e tjera ndaj është e rëndësishme që dhe ajo të hyjë në një reformë të thellë mentaliteti, qëllimi dhe aplikimi. “Bëhu i ditur që të jesh i lirë” thotë një fjalë e urtë latine , por i ditur në kohët e sotme nuk mund të bëhesh pa pasur informacionin e saktë. Në këtë sens beteja për lajmin e vërtetë, si pjesa ku fillon dhe ndërtimi i opinioneve të shëndosha , do të mbetet sfida jo vetëm e medies por dhe shoqërisë shqiptare.


No comments: