Sunday, 24 March 2013

Simbolika e një date






Është shumë e vështirë për një njëri pacifist dhe aspak dashamirës i dhunës, të pranojë faktin  dhe të jetë i gëzuar kur bombat fillojnë të bien mbi një kryeqytet evropian si ishte rasti i 24 marsit të vitit 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s në Kosovë.
E kujtoj si tani atë ditë në prag pashke, ku u gjenda në Greqi,një histeri tjetër kolektive antishqiptare ishte ngritur dhe nuk mund pranonte faktin që një kryeqytet ballkanik të bombardohej për shqiptarët. Sigurisht, që nuk reagonin në këtë mënyrë se ishin paqësor pasi po të bombardonte NATO p.sh Ankaranë për ti dhënë fund republikës së Qipros së Veriut, do të ishin të parët që do bërtisnin në qiell nga gëzimi. Nuk është çudi, për fat të keq në Ballkan, fatkeqësia e njërit, gjithmonë ka qenë lumturia e tjetrit. Por në këtë rast shqiptarët që në fund të shekullit të XX po përjetonin ushtrimin e një zgjidhjeje finale në Kosovë nuk kishin shumë arsye për të qenë të lumtur. Perëndimi sërish ishte vonuar me kontradiktat e tij brenda vetes dhe ishte vetëm vendosmëria e SH.B.A që po bënte të padëgjuarën, për herë të parë Perëndimi ishte në krah të shqiptarëve që në ato momente kishin në krah dhe të drejtën. Nuk më mbetej asnjë gjë tjetër as mua por dhe as shqiptarëve të tjerë veçse të falenderonim me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt të uronim që dhe popullsia greke ashtu si dhe gjithë Ballkani të çlirohej nga komplekset dhe të pranonte faktin se shqiptarët ishin një faktor kyç në rajon dhe qendresa e bijve të vet të UÇK kish dëshmuar që ata kurrë nuk do të pajtoheshin me faktin se mund të vazhdonin të ishin qytetarë të dorës të dytë në Ballkan. Liria kish filluar të trokiste për shqiptarët në atë fund shekulli...



No comments: