Fushata
elektorale nuk është shumë larg. Këtë ndjesi nuk ta jep vetëm afrimi i datës së
zgjedhjeve por mbi të gjitha atmosfera dhe fryma që ka filluar të mbizotërojë
gjithandej nëpër jetën sociale të vendit. Të interesuar deri në palcë , partitë
e mëdha për të pasur rezultate maksimale kanë lidhur pas vetes një sërë partish
të vogla, të njohura dhe të panjohura.
Këto të fundit nga ana e tyre kanë angazhuar një sërë njerëzish të tjerë që
shëtisin lart e poshtë me lista emërore në xhep duke u munduar të gjithë të
luajnë sa për vete sa dhe për të tjerë. Bisedat e ditës janë thjeshtuar shumë.
Në to nuk mund të dëgjosh më as për faturat e kripura të CEZ-it që iku e na la
pendët por sherrin po ia ndjejmë mbrapa, as për rritjen e kriminalitetit dhe
uljen e dinjitetit njerëzor deri në atë pikë sa njerëzit po qëllohen me armë të
ftohta autobusëve për një fjalë goje por vetëm për politikë, politikë dhe vetëm
politikë. Dikush mund të thotë se në këtë mes nuk ka asnjë gjë të keqe, se jemi
në Ballkan, në Shqipëri ku njerëzit kanë qejf të prodhojnë më shumë politikë
sesa mund të konsumojnë. Ky mendim do të ishte i drejtë nëse në këto biseda të
përditshme do dëgjoje propozime apo sugjerime sesi do të përmirësohej morali
qeverisës apo se çfarë alternativash duhet të përfaqësohen në parlament, kurse
ajo që mbizotëron në fakt është pasqyrim i një klime të ndotur politike që ka
krijuar tranzicioni shqiptar. Qytetarët militantë shqiptarë të partive politike
i përngjajnë Çiçikovit, personazhit të famshëm të romancierit rus Gogol te
romani “Frymë të Vdekura”që blinte emra bujkrobërish të vdekur për t’ua shitur çifligarëve të tjerë
për tu shpëtuar taksave dhe për të fituar kompensime financiare. Dallimi i
vetëm është se emrat në listat shumë emërore të mbështetësve nuk janë si
bujkrobërobërit e vdekur që s’kishin asnjë pretendim ndaj atij që përdorte
emrin e tyre, pasi në vetvete të gjithë përfaqësojnë nga hall të madh që
bashkëngjitet diletantizmit politik për ta zgjidhur.
Në këtë lloj situate dhe klime politike, të
blerjes dhe shitblerjes së emrave, firmave, influencës nuk është çudi që edhe
kjo fushatë elektorale të jetë njëlloj e ashpër si të tjerat, me goditje
tinëzare dhe debat hileqar. Goditjet dhe kundërgoditjet , sharjet dhe shpifjet
pa mbajtur aspak përgjegjësinë për çfarë thuhet dhe deklarohet e ulin kaq shumë
reagimin dhe presionin qytetar ndaj politikës sa në vend që ata të jenë llogari
kërkues kthehen në të punësuar të thjeshtë të politikës. Debatet tinëzarë e
shterp , pa tharm ndryshimi brenda e reflektues batutash dhe thashethemesh
politike nuk gjenerojnë ide por ndjellin furtunë e nervozizëm mes palëve,
haraçin e të cilave sërish e paguajnë zgjedhësit shqiptarë me vonesat fatale
drejt integrimit evropian.
Ky
ngërç i madh politik, shoqëror e kulturor që na ka kthyer të gjithëve në
konsumues të një politike banale dhe pa ide, duhet të fillojë të ndalet dhe
dalë nga dalë gjendja të fillojë të ndryshojë. Sigurisht që ndryshimet e mëdha
nuk mund të ndodhin brenda një dite, jave apo muaji por ato mund të fillojnë
nga gjëra të vogla. Së pari të dy palët e politikës të nënshkruajnë e të
respektojnë një pakt moral ku thelbi i debatit në zgjedhje të jenë fushat që e
shqetësojnë drejtë për së drejti qytetarët shqiptarë dhe jo mëritë e grindjet
personale të politikanëve shqiptarë. Ekonomia dhe integrimi evropian i vendit
duhet të jenë dy shtyllat kryesore
të kësaj fushate elektorale,
sigurisht jo vetëm të përmendura nominalisht por të zgjeruar dhe shtjelluar në
detaje. Së dyti deklarimi se rezultatet e zgjedhjeve do të pranohen apriori pa
e futur vendi në qorrsokakë të rrezikshme nëse egoja e plagosur nuk bie dakord
me rezultat e zgjedhjeve. Këto zgjedhje politike do të kenë një numër të madh
vëzhguesish, prani të theksuar ndërkombëtare si dhe institucione ndërkombëtare
të specializuar për votimet, ndaj do të jetë jashtë të gjitha mundësive që të
ngrihen pretendime për manipulimin e tyre.
Nëse
këto zgjedhje do të prodhojnë një frymë të mirë mirëkuptimi dhe pranimi të
rezultateve të zgjedhjeve , Shqipëria mund të thuhet me plot gojën se e lë
mbrapa tranzicionin dhe hap siparin e një periudhe të re në historinë e saj.
Për të arritur aty kërkohet një fushatë elektorale sa më qytetare dhe konkurruese
në ide. Gjithë këto vite kemi urbanizuar skajshëm në gjithë territorin, tashmë
ka ardhur koha të shikojmë e provojmë sesa qytetarë të mirë jemi bërë në thelb,
duke ditur të zgjedhim mes alternativave partiake dhe duke i garantuar vendit
një tolerancë e mirëqenie sociale të admirueshme.
Gazeta
Shqip 04.03.2013
No comments:
Post a Comment