Motivi
i përmbytjes është një nga motivet që
gjendet në pothuajse të gjitha kulturat botërore. Historianët e civilizimit
shpjegojnë se duke qenë se shumica e civilizimeve kanë nisur pranë lumenjve dhe
liqeneve, ky motiv ka përfaqësuar jo vetëm një nga elementët kryesorë të
jetesës së hershme të njeriut por dhe ankthin dhe frikën e tij ndaj tërbimit të
natyrës kur niveli i ujërave ngrihej dhe shkaktonte fatkeqësi.
Këto fatkeqësi natyrisht
që ishin jo vetëm në të mbjella apo dëme
materiale si shkatërrim shtëpish dhe vegla pune por dhe në jetë njerëzish. Mesa
duket ky ankth ka qenë një nga ankthet më të mëdhenj të njerëzimit përderisa ka
gjetur një trajtim të gjerë që nga librat biblikë dhe në librat e tjerë të
shenjtë të besimeve të tjera fetare gjithandej nëpër botë. Madje kur kërkohen
të listohen argumentet për ekzistencën një qytetërimi të hershëm e të përbashkët botëror, ky tipar është një nga më
kryesorët që sillet në vëmendje nga studiuesit që e besojnë shumë këtë fakt
pasi kërkimet shkencore tregojnë se motivi i përmbytjes nuk gjendet vetëm në
memorien historike të popujve të vendeve të zhvilluara por dhe në ato të
indigjenëve të pyjeve të Amazonës apo dhe tek eskimezët. Pothuajse çdo
qytetërim i madh i njerëzimit e ka historinë e Noes së vet që nuk shërben vetëm
si rast ilustrues i frikës njerëzore për përmbytjen dhe kataklizmin e
përbotshëm, por dhe si një dënim qiellor për mëkatet e kryera. Aq thellë është
ngulitur në ndërgjegjen e njerëzimit ky tipar sa dhe në ditët e sotme të
teknologjisë dhe së dijes së thelluar kur “forcat e verbëta “ të natyrës mund
të parashikohen dhe kontrollohen që të mos shkaktojnë fatkeqësitë e mëdha
katostrofike të përshkruara në Librat e Shenjtë , ujërat dhe përmbytja mbeten
sërish një burim ankthi dhe frike pasi vazhdojnë të kenë një trajtim të gjerë
si motive dhe tema kryesore në romanet dhe kinematografinë e sotme.
Një
ankth e frikë të tillë qytetarët shqiptarë të Shkodrës, Lezhës e Durrësit po e
përjetojnë përditë në këto ditë reshjesh pa fund. Nuk ka nevojë që të
përshkruhet hollësisht se ç’mund të ndjenjë këta bashkëqytetarët tanë pasi nuk
besoj se mund të gjenden kollaj fjalë të përshkruash ndjenjat e të qenit i
pastrehë brenda një çasti të vetëm ashtu si u ka rënë rasti shumë prej tyre të
gjenden në këto ditë, por ajo që mund të kërkohet për të analizuar mund të jetë
perfomanca dhe reagimi i shoqërisë. Instrumentet më të fortë dhe më përgjegjës
që zotëron shoqëria për të përballuar problemet e veta janë të zgjedhurit e saj
politikë që përfaqësojnë dhe vullnetin e saj të lirë. Ata janë që marrin
përsipër jo vetëm sukseset kur zhvillojnë vendin dhe rrisin mirëqenien e
popullsisë por natyrisht që duhet të marrin përsipër dhe menaxhimin e situatave
të tilla të vështira duke llogaritur dhe koston elektorale të sjelljes së tyre.
Në këtë drejtim nuk besoj se zgjidhje mund të jenë bredhjet e ministrave sa në
një vend në tjetrin e gjithmonë para kamerave televizive që i ndjekin ngado,
por një reagim konkret i strukturave shtetërore të sistemit të paralajmërimit
të këtyre fatkeqësive. Sigurisht që në
këtë gjendje amullie, ajo që të gjithë
janë të shqetësuar të dinë përveç afatit kohor të sistemimit dhe rregullimit të
gjithë të pastrehëve dhe përballimit me sukses të gjithë kësaj përmbytje, është
se nëse do të ketë sërish një situatë të tillë pas një viti, a do të jetë e
njëjta gjendje?
Për
të gjithë ata që kanë memorie të dobët mund tu rikthehen kronikave të vjetshme
për të parë se e njëjta situatë ishte dhe vjet. Pyetja e mësipërme është një
pyetje që duhet të na shqetësojë të gjithë si shoqëri për të ditur sesi të
reagojmë sërish, tashmë shumë më të përgatitur dhe më të organizuar sesa vjet
apo sivjet. Tregimet e vjetra të përmbytjeve, pothuajse të gjitha kanë në
themel të tyre se ajo vjen pas mëkateve të mëdha dhe se Noeja, si profet merr
përsipër të udhëheqë njerëzit drejt tokës së re ku mund të fillojnë sërish
jetën e re. Qytetërimi ynë modern gjithmonë dyshues ndaj historive të tilla
vështirë ta besoj se kjo gjendje vjen prej mëkateve tona, po kështu natyrisht
për shkak të kaluarës së vet problematike me rolin e njëshit në shoqëri është
alergjik ndaj rolit të udhëheqësve në komunitet. Por ajo që do të mbetet e
vlefshme nga kjo histori do të jetë ndoshta fakti se na duhet një përtëritje
morale, për të kuptuar se administrimi dhe qeverisja e vendit nuk është një
“shkencë e madhe” që i përket vetëm qëllimeve madhore si integrimi i vendit,
tregtia e jashtme apo përmirësimi i infrastrukturës por dhe jetës së përditshme
të qytetarëve. Madje kjo e fundit është dhe koncepti modern i një qeverisje
efikase që për ta realizuar kërkon që të fillojnë nga gjërat e thjeshta si
punësimi i njerëzve të duhur në këtë fushë dhe hartimi i një strategjie të
qartë për të ardhmen. Në fakt, kështu jemi dhe afër dhe realitetit biblik pasi
siç dihet që rrëfenjat biblike flasin nëpërmjet parabolave dhe në rastin tonë
nuk mund të sugjerojmë më mirë se Noeja që do na udhëheqë drejt vendit të
sigurtë për të rifilluar jetën normale do të jetë përtëritja morale për një
fillim të ri të jetës sonë publike.
Gazeta
Shqip 17.03.2013
No comments:
Post a Comment