Tuesday, 21 February 2012

Toka e Besës





Një fundjavë më parë u transmetua premiera e filmit dokumentar Besa-Premtimi i regjisorit Norman Gershman në Festivalin Hebraik të filmit në San Francisko. Filmi dokumentar do të transmetohet dhe në rrjetin prestigjoz CNN duke shënuar kështu një shikueshmëri më të madhe rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu ai pritet të jetë një nga filmat dokumentarë që do të shoqërojnë gjithmonë datën 27 janar, e cila shënon datën e përkujtimit të gjenocidit të ushtruar nga makineria ushtarake e politike e Rajhut të III ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është zgjedhur kjo ditë nga O.K.B jo si ditë përkujtimi të ndonjë masakre si ndodh rëndom në këto raste por si ditë çlirimi dhe njohje e së keqes. Në datën 27 janar 1945, trupat sovjetike hapën për herë të parë portat e kampit famëkeq të Aushvicit në të cilin ishin shfarosur në masë shumë hebrenj të grumbulluar nga Evropa Lindore. Për një kohë të gjatë bota perëndimore nuk i besonte raportet që vinin nga territoret e pushtuara nga gjermanët , ku flitej për keqtrajtime dhe mizori sistematike që ia kalonin dhunës së ushtruar ndonjëherë deri më tash në Evropë. Askujt nuk mund t’ia merrte mendja se kombi që konsiderohej si themeluesi i  filozofisë moderne të kish arritur deri në këtë shkallë urrejtje raciste dhe gjenocidi ndaj një kombi tjetër. Epoka e luftës së dytë botërore ishte epoka e ekstremeve dhe në fakt nuk  ishin vetëm nazistët gjermanë që mbartnin ideologjinë e anti-semitizmit por dhe një sërë popujsh të tjerë të Evropës Qendrore dhe Jugore kush më shumë e kush më pak bashkëpunoi hapur me ta për ti ndihmuar që të realizonin “zgjidhjen përfundimtare”-shfarosjen e plotë të tyre.
Sot pas shumë vjetësh ku antisemitizmi për  shkak dhe të gjenocidit të madh të ushtruar ndaj popullit hebre ka kaluar dhe si ligj nga senati amerikan që e konsideron veprimtari të jashtëligjshme nëse e mohon atë i bën shumë popuj që të dëshirojnë ti bashkëngjiten këtij vendimi edhe pse ndoshta në ndërgjegjen e tyre rëndon një peshë e madhe faji. Shqipëria dhe kombi shqiptar në të kundërt janë shteti dhe kombi i vetëm në Evropë që mund ti bashkëngjiten kësaj vlere njerëzore pa pasur asnjë brejtje të ndërgjegjes pasi gjatë luftës së Dytë Botërore , vendi ynë jo vetëm që nuk u pushtua nga ethet e antisemitizmit por ishte vendi i vetëm në të cilin hebrenjtë u katërfishuan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër edhe kryetarë qeverish kuislinge gjatë pushtimit nazi-fashist të vendit jo vetëm që nuk zbatuan asnjë urdhër të komandave të huaja për eliminimin e hebrenjve por i pajisën një pjesë të madhe të atyre që erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar me pasaporta të shtetit shqiptar duke bërë të mundur në këtë lloj mënyre shpëtimin e tyre të plotë me emra dhe identitete të tjera.
Mirëpo ky kontribut i dhënë në kohërat më të vështira të mbijetesës së popullit hebre për një kohë të gjatë nuk u njoh nga bota perëndimore për shkak se këto fakte mbetën të mbyllura në arkivat e padepërtueshme të shtetit komunist shqiptar i cili për më tepër nuk kishte as marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Tashmë që Shqipëria prej njëzet vjetësh është një shtet i hapur dhe demokratik dhe prej shumë kohësh i është bashkangjitur vlerave demokratike të botës së lirë , komuniteti hebre në për botë por dhe një pjesë e madhe e vendeve perëndimore po e njeh këtë aspekt të rëndësishëm të mirësjelljes dhe besnikërisë shqiptare. Për këtë arsye shpesh herë nëpër në literaturën hebreje  Shqipëria po cilësohet si “toka e besës” që diti të strehojë e t’i ruajë me besnikëri ata që erdhën në Shqipëri në një kohë të vështirë kur në gjithë botën përndiqeshin. Mirëpo ky konstatim dhe dashamirësi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që nuk u shkon për shtat fqinjëve tanë xhelozë që për një kohë të gjatë po mundohen për të gjetur dokumente të tjera që kinse dëshmojnë të kundërtën, ka filluar shpesh të vishet me referencat e “mitit” edhe nga disa studiues e publicistë që nëpërmjet silogjizmave abstraktë pa marrë mundimin që të konsultohen njëherë me dokumentacionin e plotë që ekziston në arkivat tona, por gjithmonë duke iu referuar bisedave gjithë tym rreth filxhanëve të kafesë fillojnë gjasme të dekonstruktojnë dhe këtë të ashtuquajtur “mit” të shoqërisë shqiptare. Sigurisht një përpjekje fisnike si ka qenë ajo e shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar njerëzit e thjeshtë të një kombi tjetër që përndiqej nuk përbën problem nëse hyn në fokusin e analizës por kur kjo analizë merr tendenca negativizmi që nuk i përgjigjen realitetit atëherë kjo gjë nuk mund të qëndrojë më si konstatim në rrafshin e analizës. Përgjigjen në fakt këtyre zërave që kujtojnë se mund të jenë origjinalë dhe të veçantë në hapësirat publicistike dhe televizive shqiptare ua kanë dhënë me kohë të mbijetuarit në të gjithë cepat e globit , të cilët nuk kanë reshtur kurrë që të tregojnë mirënjohjen e tyre ndaj një kombi mikpritës dhe bujar. Për më tepër emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve prej kohësh është gdhendur në librin e mirënjohjes në memorialin në Izrael dhe muzeun e Holokaustit në SH.B.A , një fakt që përpos mirënjohjes dëshmon dhe një cilësi të lartë të shpirtit tolerant shqiptar. Popujt dhe kombet nuk ndahen në të mëdhenj dhe në të vegjël sipas hapësirave gjeografike që zotërojnë por nga shpirti dhe zgjedhjet morale që demonstrojnë në kohëra të vështira. Shqipëria dhe shqiptarët duke respektuar kodin e tyre të mikpritjes ditën të zgjedhin mirë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke mbrojtur bijtë e një vendi që persekutoheshin ngado, ndaj për këtë arsye  sot ata njihen me mirënjohje si “Toka e Besës” dhe radhiten në radhën e kombeve me shpirt të madhe dhe fisnik.

Gazeta Shqip 8.08.2012



Monday, 20 February 2012

Trashëgimia kulturore në ankand




Para pak ditësh në fund të janarit, Instituti i Monumenteve të Kulturës shpalli  vendimin dhe dëshirën më të  te re në kuadër të strategjisë së vet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore që mbartin monumentet e kulturës gjithandej nëpër Shqipëri. Ky vendim dhe dëshirë konsiston në faktin e dhënies me qira të rreth 40 monumenteve të kulturës në Shqipëri për 99 vjet, subjekteve private të cilat mund të investojnë për të ndërtuar në to, hotele apo restorante nën shembullin e kalasë së Petrelës e Lëkurësit në Sarandë. Vendimi si pritej ka ndezur një debat të gjerë në medie por dhe mes specialistëve të cilët janë ndarë në dy kampe përsa i përket dobisë së dhënie apo jo me qira këtyre monumenteve. Shqipëria nga jugu në veri  duke qenë një nga truajt më të hershëm të zhvillimit të civilizimit botëror dhe me një numër te konsiderueshëm të monumenteve të kulturës rezulton të jetë e prekur dhe e interesuar e gjitha, për të pasur një platformë dhe strategji të drejtë përsa i përket kësaj dileme që në dukje tingëllon shkencore por që pas vendimit të qeverisë do të materializohet shumë shpejt dhe në praktikë.  
Instituti i Monumenteve të Kulturës këmbëngul se vendimin e ka marrë të bazuar në traditën dhe eksperiencën evropiane , kryesisht të Austrisë ku brenda kështjellave mesjetare mund të gjesh ndërtime të këtij lloji. Për më tepër përfaqësuesit e Institutit shpjegojnë se mënyra më e mirë për të shpëtuar një monument nga degradimi është rivitalizimi i tij me një funksion dhe rol të ri. Natyrisht në këtë përqasje të problemit besoj se nuk ka asnjë kundërshtim pasi është e vërtetë se monumentet përveçse  mirëmbajtjes së  vazhdueshme kërkojnë dhe funksionim dhe rol të ri në shërbim të komunitetit për të marrë jetë. Madje mirëmbajtja dhe shpenzimet e harxhuara për të mos u rrënuar mund të jetë dhe një arsye tjetër për tu dhënë me qira pasi dihet tashmë  që financat e shtetit s’mund ta përballojnë këtë kosto të lartë , kurse biznesmenë të suksesshëm mund të afrojnë shumë gjëra në këtë drejtim. Këto arsye të trajtuara në këtë lloj mënyre sigurisht që tingëllojnë bindëse dhe në përgjithësi pasi i ke dëgjuar mendon se nuk vend më për diskutim. Mirëpo pavarësisht kësaj përqasje neo-liberale të privatizimit të gjithçkaje dhe besimit në forcën dhe kreativitetin e privates në krahasim me shtetin, sërish me një sy shpejt mund të konstatosh se vendimit dhe projektit të Institutit të Monumenteve i mungojnë disa gjëra thelbësore për ta bërë të besueshëm.
Së pari shembujt e sjella si pozitivë nuk konsistojnë në histori suksesi pasi kalaja e Lëkurësit sot me ndërtimet që janë bërë aty është larg nga identiteti i saj i mëparshëm dhe sigurisht në këtë drejtim fajin nuk e ka privati që ka investuar por shteti që e ka pasur aftësinë kontrolluese shumë të ulët duke lejuar të devijojë nga projekti origjinal. Kjo aftësi e ulët e shtetit është vërejtur edhe në sektorët e tjerë të jetës sonë publike ku trotuare dhe hapësira publike janë zotëruar nga privatët dhe si janë rikthyer ende komunitetit. Ndaj në këtë kuptim të pretendosh se do të rritet perfomanca e shtetit për të kontrolluar çdo detaj të qiradhënies së këtyre objekteve  mund të jetë një iluzion që mund të na kushtojë  shtrenjtë pasi pas ndërhyrjeve të mundshme të privatëve do të jetë shumë vonë dhe me shumë kosto për ti rikthyer në origjinalitet. Për këtë arsye kërkohet që vendimi që Instituti ka marrë të jetë gjithëpërfshirës duke pasur një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë Institutet e tjera shkencorë në Shqipëri si ai i Historisë, i Arkeologjisë, i Antropologjisë dhe deri tek impaktet që do të kenë në ambient ndërtime të tilla. Kjo do të thotë se hartohet një strategji e plotë duke marrë parasysh faktorët historikë, kulturorë, etnografikë dhe të ambientit , gjë që e cila kërkon shumë më tepër kohë sesa një vendim i nxituar për të pasur më vonë pasoja në kulturën tonë kombëtare. Së dyti monumentet e kulturës që zgjidhen për të hyrë në këtë proces po të shikohet më thellë në botë nuk janë monumente që përbëjnë palcën e identitetit kombëtar por monumente të kulturës së dorës së dytë që kërkohen të rivitalizohen si p.sh godina institucionale të shekujve të kaluar. Nuk mund të mendohet që në Itali , Koloseu ti jepet me qira  investitorëve privatë për të ndërtuar hotele apo restorante në të ashtu si po veprohet tashmë me kalanë e Lezhës që ende nuk është gërmuar nga arkeologët dhe larg qoftë me amfiteatrin e Durrësit, Apoloninë apo dhe Butrintin nesër pasi të gjitha këto monumente në Shqipëri, ashtu si është përfaqësues Koloseu për Romën janë simbol të qyteteve përkatëse. Për më tepër hapësira kohore e përzgjedhur në vendim rreth 99 vjet është një praktikë që më tepër se nxit sipërmarrjen e lirë mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në trashëgiminë tonë kulturore.
Trashëgimia kulturore mund të konsiderohet shpesh herë si një luks për realitetin shqiptar ku mungojnë shumë gjëra të tjera thelbësore por besoj se asnjëri nuk mund ta mohojë vlerën e saj të paçmuar në sendërtimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të një kombi. Askush në vitet 30’ kur u bënë punimet në Apoloni dhe Butrint mund ti konsideronte si prioritete të Shqipërisë këto punime, por sot ato janë kthyer në ikona tërheqëse që sjellin shumë vizitorë në Shqipëri sidomos gjatë sezonit turistik. Për më tepër Shqipëria ka një thesar të vërtetë në këtë drejtim pasi vendi ka qenë një kryeqendër e pothuajse të gjitha zhvillimeve kulturore që kanë kaluar në Ballkan. Lista e monumenteve të kulturës që janë dhënë në shfrytëzim deri tani nga Veriu në Jug mund të jetë e konsiderueshme , por Instituti i Monumenteve të Kulturës duhet fillimisht të tregojë sesi kanë qenë dhe ç’përfitim ka pasur nga investimet përsa i përket restaurimeve dhe mirëmbajtjes së tyre dhe pastaj të dalë me një vendim që i jep të gjitha monumentet me qira. Pasi të jetë bërë ky bilanc dhe pastaj në bazë të këtyre të dhënave është hartuar një strategji e mirëfilltë duke marrë parasysh të gjitha grupet e interesit mund të filloj Instituti të vendosë për dhënien apo jo të tyre me qira. “Veprimet flasin më shumë se fjalët” thotë një fjalë e urtë latine që e përkthyer në realitetin tonë do të thotë që të rishikohen mirë shembujt ku monumentet e kulturës janë dhënë me qira investitorëve privatë dhe në bazë të tyre të hartohet dhe strategjia gjithëpërfshirëse e menaxhimit të tyre.



Sunday, 19 February 2012

Kënga e Sprasme e Ymer Agos




Ymer Ago apo Ago Ymeri
kaloresi dhe lundërtari
qe e perdorte shume mire kalin
per te zene pusi në shtigje mali
sa dhe barken per te plaçkitur
brigjet perballë
në motin e largët 1808
kur mësoi se Krali i madh në Stamboll
kish nisur luftë me mbretin e Spanjës
shaloi kalin dhe hipi në anije
tu shkonte në ndihmë sarakaçenjve
që kishin shekuj që përballeshin me spanjollët
atje larg në Gjilbartar
në kepin e fundit të Evropës
që gjithmonë merrte zjarr
nga pasionet dhe mëritë e popujve
që dëshironin të sundonin në detin e madh
që ngrinte dallgët përpjetë sa një mal
Iku dhe u nda me vashat në krojin e fshatit
aty ku  gjithë burrat shuanin etjen e fytit
dhe zjarrminë e shpirtit
 të fundit vashë që takoi
i mbeti peng në zemër
që nuk i tha se kur të kthehej
do ta merrte nuse
se po ikte në Spanjë
e se andej patjetër
do kthehej i gjallë.
Një muaj pa fund lundroi
derisa në Marok përfundoi
një muaj në kokë bloi
rapsodi të vendit të vet për luftën
Në një natë me hënë
kërceu në Spanjë
u printe një grup burrash në ballë
atje mes ullinjve dhe tokës së etur
papritur ranë në pusi të pabesë
shumë u vranë dhe vetë u zu rob
në natën pus, në natën kob
E dorëzuan të Inkuizicioni si të pabesë
për ta marrë në pyetje të pashpresë
rrotën e mundimit e provoi
dhe mendje zë e bluan
se priftërinjtë atje larg në Ulqin
s’ishin kaq të zinj e të këqij
por më e keqe se çdo torturë
ishte  uria dhe etja
që ia shponin trupin si heshta
derisa një mot më vonë
granatierët francezë shpërthyen burgjet
e Ymer Ago doli i lirë
duke endur rrugëve të Madridit
pa ca burra me fustanellë që hanin mish
e pinin verë dhe luanin karagjyzenë
U foli në cas me gëzim të paparë
se ata burra nga vendi i vet i kish
si Gjuajtës të Orientit në ushtri të perandorit
shërbenin
dhe ata e ftuan e i thanë hajde me ne në armatë
e Ymer Ago lundërtari e harroi anijen
dhe i hipi kalit dhe brodhi Evropën anembanë
nga toka e thatë e Spanjës deri në Borodino
nga Vaterlo deri në Alpe
derisa perandori humbi betejat dhe fronin
dhe ai vetëm mori udhën për në Ulqin
në vendin që në Spanjë i pat thënë
që Servantesin kishin mbajtur të burgosur
autorin e fisnikut të krisur që kërkonte drejtësi
tamam si Ymer Agua që mes ushtrive të perandorit
për të drejta qytetari kish mësuar
dhe që me gjithë dëshirë në Ulqin
të tjerëve do tua mësonte
9 vjet e 9 muaj e 9 ditë
qëkur kish ikur nga vendi i vet
tek Kroji i vashave sërish u gjet
dëgjoi muzikë dhe davet
dhe njerëzit rreth e rrotull pyet
Kush martohet o fisnikë?
e bukura e dheut me një pasha në Bosnjë
zemra i kërceu nga vendi vrik
dora i shkoi përnjëherë në thikë
në mes dasme u vërvit
Dale prisni o dasmorë
vasha ka gjetur të zonë
Dale prit o fisnik, çka po flet
a nuk ke frikë?
Zoti i saj është Pashai
le të pyesim zemrën e saj.
Unë kam qenë i fejuar
ika në luftë e tani ktheva
fatin tim e dua sërish
dhe në mendje i erdhi
një histori e vjetër
për një Konstadin që  pat dhënë një fjalë
dhe se kish mbajtur dot sa qe i gjallë
dhe hipur i vdekur mbi kalë
kish ardhur në jetë prapë
besën e dhënë për të mbajtur
shembull më të mirë skish
tu mbushte mendjen krushqve
se zakoni e ndera e kërkonin
fatin e Ymer Agos ta respektonin
Ymer Ago nis e tregoi
sesi në të zezën Spanjë
kish vuajtur gjithë këto vite
as i vdekur a i gjallë
sesi vajzë e mbretit kur ditët kishin afruar
e kish parë të ligështuar
e pat pyetur se ç’kish
kam dhënë fjalën o princesh
që ti gjendem vashës sime pranë
dhe ajo mbretin kish bindur ta lëshonin
i pat dhen dhe kuaj që egër vraponin
dhe tash sa kish arrirë
fatin e vet për ta gjetur
do rrinte e do hidhte rrënjë
do martohej e do bënte fëmijë
do linte kalin dhe anijen
do lëronte toka e mbillte vreshta
do martonte të tjerë në vjeshta
ndaj fisnikë mos më koritni
vajzën nëmni dhe në paqe ikni
sa të vete njëherë në Spanjë
se mbreti do të më shoh të gjallë
Miqtë dëgjuan dhe u përlotën
qanë për vetën dhe për Ymer Agon
prishur mos qoftë fat i parë
do gjemë nuse tjetër në mëhallë
Ymer Ago u gëzua
holli valle e piu verë
hëngri mish e luajti karagjyzenë
e në delir e kënaqësi mendoi
se legjenda e vjetër sa shumë e ndihmoi
për të fshehur aventurën e vet
në luftë, në ballë me sarakaçenjtë
i buzëqeshi fati i bardhë
jetoi si ftua e vasha e tij si dardhë
shtëpinë plot me miq e kish
i priste me verë e mish
e çdo natë si rapsod
u këndonte ndodhitë
sesi erdhi i gjallë
nga ajo e zeza Spanjë. 


Friday, 17 February 2012

Luzati në shekuj


Një kontribut modest për fshatin e të parëve të mi


Fshati Luzat është një qendër e vjetër  e banuar, e cila daton qysh nga fillimi i shekullit të XV. Toponimet e vjetra kristiane të vendit tregojnë për një jetë të lulëzuar të fshatit para dhe pas pushtimit otoman. Gojëdhënat tregojnë që fshati më përpara ka qenë vendosur në rrëzë të fushës në Batall. Më vonë është shpërngulur aty ku është sot. Se kur ka ndodhur ky proces nuk dihet me saktësi dhe çdo gjë i përket legjendës. Arsyeja e shpërnguljes është rreziku nga gjarpërinjtë por dhe ekzistenca në buzë të rrugës që paraqiste rreziqe në ato kohë të turbullta. Në fshat brenda ndodhen 3 toponime kristiane,Shën-Kolli,Shën-Todri dhe lagjja Lleshaj të cilat bëjnë të supozosh për ekzistencën e tre kishave në fshat. Interesant dhe kuptimplotë janë emërtimet shqip të shenjtorëve-Nikoll,Todër dhe Aleksandër-Llesh. Në Shën-Todër me sa duket ka qenë kisha kryesore e fshatit,përderisa aty ka qënë dhe varrezat e vjetra të tij. Gjithashtu ka një toponim Shën-Gjergj në afërsi të Ujit të Ftohtë. Profesor Eqerem Çabej në librin e tij “Etnogjeneza e Kombit Shqiptar”kur radhit fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut në Kalabri,nënvizon faktin se në fshatin Santa-Xhiorxhia de Albanezi banorët i deklaruan faktin se janë nga fshati ‘Luxat”. Shën Gjergji ka qenë shenjti mbrojtës i shqiptarëve në mesjetë dhe ndoshta banorët që u shpërngulën e morën me vete dhe u identifikuan në tokën e re me emrin e shenjtorit.
Në vitin 1430 Luzati përmendet në regjistrat osmane si fshat rebel,dokument i cili ndodhet në muzeun historik kombëtar. Ky dokument nënvizon faktin se “kalorësit turq të spahiut shkuan në Luzat dhe nuk u kthyen më”. Është viti 1431,kur osmanët pasi pushtuan pjesën më të madhe të territorit shqiptar filluan regjistrimin e tokave dhe popullatës në sistemin e timareve. Luzati duhet të ketë qenë një bashkësi fshatarësh të lirë të cilët, në regjimin feudal ushtarak turk kumbisnin të drejtat dhe pronat,prandaj kjo shtresë ishte shtresa më aktive e popullsisë kundër osmanëve. Noli në “Historinë e Skënderbeut” më 1921,nënvizon faktin se “shtresa e fshatarëve të lirë ishte pjesa më rezistente ndaj pushtuesve turq” këtë fakt e tregon dhe historia e mëvonshme,ku tokën në Luzat nuk e zotëronte një familje e vetme por ka qenë e ndarë në ngastra pothuajse të barabarta midis banorëve. Kullotat ka qenë gjithmonë e përbashkët dhe i përkiste gjithë fshatit. Interesant është fakti se ura mbi përroin e Gjirakarit,është  e ndërtuar me kontributin e përbashkët të gjithë fshatarëve,mbasi ata nuk pranuan ta ndërtonte një i kamur i fshatit,pasi i donte ti vinte emrin e tij urës. Po kështu gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës,kapedanin Myrto Çali fshatarët nuk e lejuan të ndërtonte kullën në vendin e quajtur Pirgjes,pasi ai donte të bllokonte rrugën për në mal dhe kullotjen e bagëtive në të ,duke i detyruar kështu fshatarët për të paguar taksa. Akoma dhe sot shihen themelet e hedhura të kullës së pambaruar si dëshmi e mëvetësisë së fshatit Luzat. Udhëtari turk Evlija Çelebi e përmend si vendbanim në veprën e vet në vitet 1660-1670,vite në të cilat ai udhëtoi në Shqipëri
Historiani grek Arivitanoi në librin e tij “Ali Pashë Tepelenliu” nuk e radhit në radhën e çifligjeve të Aliut,siç bën me disa fshatra të tjerë të Tepelenës si Veliqot,Hormovë Lekël etj. Ky fakt tregon se Luzati nuk ka kaluar nëpërmjet procesit të feudalizmit klasik me bujarë dhe bujkrobër,dhe në pushtimin otoman as në çifligarë dhe çifçinj në kohën e thyerjes së sistemit të timarit. Ka shumë mundësi që Luzati për një periudhë kohe të jetë radhitur në krahinën e Kurveleshit dhe të Himarës dhe të ketë gëzuar të drejtat e Venomeve. Fshati siç dihet ndodhet në kufi me fshatrat e Kurveleshit të sipërm dhe shumica e familjeve ishin të lidhura me krushqi me familjet e asaj krahine. Udhëtari, diplomati dhe studiuesi anglez William Martin Leake shkruan në librin e vet “Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri” se fshati Luzat ka 200 shtëpi, një numër i konsiderueshëm për kohën kur në të njëjtën kohë Tepelena ka pasur më pak se 100 shtëpi.
            Rënia e pashallëkut të Janinës solli centralizimin e pushtetit qendror turk,dhe kjo pruri revoltat e vazhdueshme nga Veriu në Jug. Edhe fshati Luzat mori pjesë aktive në dy kryengritjet e mëdha 1833 dhe 1847.Më 1833 në afërsi të fshatit Luzat në vendin e quajtur “Guri i taborrit” u zhvillua beteja e përgjakshme kundër forcave turke të Emin Pashës.Forcat kryengritëse shqiptare udhëhiqeshin nga Tafil Buzi.Në këtë betejë u shqua dhe trimi luzatar Satedin Luzati i përjetuar në këngë nga rapsodi popullor qe këndohen deri në ditët e sotme. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, Luzati ashtu si gjithë krahina u përfshi nga lëvizja e kaçake,e këtyre njerëzve “rebel” me shpirt të madh. Në kujtesën popullore ky moment është skalitur nëpërmjet këngës popullore kushtuar Ahmed Buqit dhe dy shokëve të tij Laze Skëndit dhe Sulejman Naçit.
Më 1914 Luzati u dogj nga forcat shoviniste greke,por popullsia shpëtoi nga një masakër si ajo e Hormovës,falë trimërisë dhe heroizmit të 5 luzatarëve,Aliko Koçi.Ali Beqiri,Selman Qibini,Jakup Skëndi dhe Haxhi Kasa,të cilët nuk u treguan forcave greke,vendin ku fshihej fshati. Luzati ka marre pjesë në luftë kundër shovionistëve grekë më 1914.Ky moment është përjetuar në vargjet popullore:

                                           Luzatë këmishbardhë
                                           Në Kodër u ngrinë e vanë
                                           Të luftojnë me Junanë

Edhe gjatë okupacionit grek,fshati e kundërshtoi me mënyra të ndryshme pushtuesin. Luzatarët nuk pranuan të paguanin taksa grekëve. Luzatari Mato Koçi qëlloi me pëllëmbë oficerin grek që kërkonte më detyrim ato. Kjo ishte përgjigja që i jepte fshati si dhe më parë në shekuj këtyre pushtuesve të rinj.
            Një pjesë e madhe e luzatarve për ti shpëtuar represionit grek apo për të forcuar ekonominë e tyre pas djegies së fshatit nga grekët,emigruan fillimisht në Turqi apo Misir dhe në fillimet e shekullit XX në Amerikë dhe Francë. Është e natyrshme që kontakti me vendet e tjera të sillte evolucion në marredhëniet midis komunitetit. Kështu traditat demokratike të SH.B.A u përcollën në fshat me krijimin e një shoqate demokratike me emrin “Përparimi” nga Selim Kopelli,Remzi Kalo,Malo Mustafai,Fuat Shehu,Myrto Progonati etj. Fshati Luzat ka qenë gjithmonë arsimdashës. Në fillim ka ekzistuar mejtepi turqisht dhe më pas shkolla shqip e hapur më 1909. Fshati Luzat është vendlindja e patriotit Sulejman Luzati nga familja Kaziaj.Ai ishte miku dhe bashkëpunëtori i afërt i Ismail Qemalit,i emëruar nënprefekt i parë i Tepelenës. Po kështu ai ishte deputeti i Tepelenës në parlamenti demokratik 1921,mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit,Avni Rustemit,Luigj Gurakuqit etj. Ai ka luftuar tërë jetën e tij për prosperitetin e demokracisë në vend.
 Luzatarët morën pjesë në luftën kundër italianëve më 1920,në Tepelenë dhe Vlorë nën komandën e Dervish Xhaferit dhe nën udheheqjen e Baba Ahmet Turanit-iniciatorit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”,i cili ishte nip në familjen Luzi në Luzat. Luzati duke qenë i vendosur në anë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër- Janinë(Derveni)ka njohur një zhvillim kultural të konsiderueshëm për kohën. Ata jetonin duke ushtruar bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë. Luzatarët ishin të pranishëm dhe në qytetin e Tepelenës ku ushtronin tregtinë dhe aktivitete të ndryshme si hotel-restorant,këpucari,berber etj. Këtë proces e pengoi pushtimi italian i vendit të cilin luzatarët nuk e pëlqyen dhe e kundërshtuan. Më vitin 1940 luzatarët kanë protestuar për dëmtimin e kanalit ujitës të fushës nga italianët që ndërtonin një rrugë strategjike për nevojat e luftës. Lufta Italo-Greke solli dëmtime të mëdha në fshat dhe shkatërrimin e ekonomive fshatare. Kjo është dhe një nga arsyet e rritjes së ndjenjës nacionaliste dhe urrejtje ndaj pushtuesve fashistë ndaj Luzati është një nga fshatrat që radhitet nga të parët në vend për rezistencë kundër Italisë fashiste. Mbi 50 djem morrën pjesë me armë në dorë në formacionet partizane,shumica dërmuese të rinj ndër ta dhe 4 vajza.Luzati i dha atdheut 12 dëshmorë dhe një heroinë-Nimete Progonati.
Gjatë regjimit komunist fshati Luzat kaloi nëpër të gjitha fazat e zhvillimit të detyrueshëm të planifikimit të ekonomisë dhe të socializimit të jetës shoqërore. Megjithatë vlen të theksohet se në këtë periudhë nga fshati Luzat shkollohen disa breza në arsimin e lartë duke krijuar dhe elitat drejtuese të qytetit të Tepelenës por dhe më gjerë në Shqipëri sidomos në Tiranë ku u vendosën shumë familje nga Luzati. Sot fshati Luzat ka pothuajse të njëjtin numër shtëpish dhe banorësh që ka pasur në shekuj, të cilët kujdesen të  mbarështojnë dhe kujdesen  për ekonominë e tyre dhe zhvillimin social të fshatit. Mosbraktisja në numër të madh të shtëpive dhe fshatit tregon se Luzati do të vazhdojë të jetë në shekuj një qendër e rëndësishme e banuar e krahinës së Dervenit dhe të gëzojë frytet e zhvillimit të ekonomisë së lirë.




Burimet:

1.      Akademia e Shkencave : Dokumente osmane mbi Shqipërinë
2.      E.Çabej : Mbi etnogjenezën e shqiptarëve
3.      Aravitinoi : Ali Pasha Tepelenliu
4.      William Martin Leake : Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri
5.      Fan Noli: Historia e Skënderbeut
6.      Nevruz Kalo: Historiku i fshatit Luzat (dorëshkrim)
7.      Fjalori Enciklopedik Shqiptar 1986
8.      Fatos mero Rrapaj : Këngë popullore të Labërisë         


Thursday, 16 February 2012

Gri




Më pat humbur shahu
s’di se në ç’skutë të shpirtit
Ditët zymtoheshin
si gri e shpëlarë
më dërgoi lajm mbreti i zi
se po fitonte...



Tuesday, 14 February 2012

Faraoni i fundit




 -Luajmë shah
-Mirë, po ku?
-Në Lindjen e Mesme

Anekdotë Diplomatike

Fjala zabit në arabisht do të thotë oficer dhe për një kohë të gjatë ka përbërë një nga ëndrrat e rinisë egjiptiane. Të zije një vend në ushtri do të thoshte të hyje në elitën e vendit dhe të kapërceje pragun e sikletshëm në shoqëritë e mbyllura patriarkale midis rinisë dhe burrërisë. Në fakt aventura e rinisë egjiptiane në ëndrrën e vet ushtarake ka filluar në kohën e mbretërimit të një bashkatdhetari tonë-Mehmet Ali Pashës(1769-1849) që pas dezertimeve në masë dhe revoltave të vazhdueshme për ngritje pagash nga bashkatdhetarët e vet, vendosi që të formonte më 1815 ushtrinë e vet me elementë vendas. Edhe pse në traditën egjiptiane mbizotëron një thënie sipas së cilës  “ushtarët egjiptianë janë më trimat” rezultatet e para të ushtrisë egjiptiane ishin zhgënjyese. Gjithsesi kjo gjë nuk e pengoi Mehmet Ali Pashën që të vazhdonte me ngulm në trajnimin e tyre me instruktorë kryesisht francezë .Dhe këmbëngulja dhe bindja e tij në fakt nuk e zhgënjyen. Dhjetë vjet më vonë ajo u bë baza e fitoreve të fushatave të Ibrahimit, djalit të tij në betejat e Peloponezit, Akrës dhe Sirisë. Mirëpo duke formuar një element të rëndësishëm të jetës së një kombi siç ishte ushtria, dashur pa dashur Mehmet Ali Pasha u bë  dhe krijuesi i kombit egjiptian , pasi në ushtrinë e tij filluan të takohen të gjithë djemtë e popullatës egjiptiane. Ushtria egjiptiane u bë kështu një element unifikues i popullatës egjiptiane që krahas kulturës ushtarake që përftonte njihej dhe me kulturën vendase dhe lindore dhe atë perëndimore  nëpërmjet gjuhës arabe,turke dhe frënge.
I gjithë ideali i ushtarëve egjiptianë ishte që të vinin në Kajro dhe të shërbenin pranë pallatit të Khedivit, zëvendesmbretit që qeveriste Egjiptin pothuajse i pavarur në emër të Sulltanit të largët në Stamboll. Për rreth një shekull e gjysëm , kjo mbeti ëndrra e të gjithë të rinjve të zonave rurale të Egjiptit për tu integruar në bel monde të Kajros, Ismalias dhe Aleksandrisë, tre qendrave të rëndësishme kozmopolitane të Egjiptit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës. Një nga ata të rinj që u mundua të bënte një ngritje të tillë në shoqëri  ishte dhe Hosni Mubarak, i lindur dhe i arsimuar në Kafr-El-Meselha të provincës së largët të Munifias dhe që kur erdhi në Kajro për të studiuar në shkollën ushtarake më 1949 gjeti një atmosferë që ziente mes oficerëve. Humbja në luftën Arabo-Izraelite e vitit 1948 kish krijuar një gjendje shoku në besnikërinë e ushtrisë ndaj mbretit dhe monarkisë duke i bërë përgjegjës për këtë humbje të madhe. Si zakonisht kur oficerët fillojnë dhe mendojnë se mund ti kryejnë më mirë detyrat civile krahas atyre ushtarake, nuk është e largët dita kur ata fillojnë dhe kalojnë në aksione konkrete siç ishte revolucioni i 23 korrikut të 1952 apo më mirë grushti i shtetit të organizatës “Oficerët e Lirë” si rezultat i të cilit mbreti Faruk u detyrua të abdikonte nga froni dhe Egjipti shpallej republikë.
Është shkruar shumë për efektet pozitive dhe horizontet e reja që hapi kjo lëvizje në Egjipt dhe më gjerë, pasi Naseri që erdhi në fuqi përçoi mendimet dhe përvojën e tij në pothuajse të gjitha vendet arabe dhe më gjerë në vendet e botës së tretë. Egjipti pas një anonimati të sikletshëm si një nga ish domenet e Perandorisë Britanike u gjet papritur një vend udhëheqës i vendeve të paangazhuara sëbashku me Jugosllavinë dhe Indinë. Të kësaj periudhe janë dhe sofistikimi ideologjik që Naseri u mundua ti jepte politikave të tij të brendshme dhe të jashtme, përkatësisht panarabizmit dhe socializmit arab. Të gjitha këto lëvizje të fuqishme në politikën e vendit nuk mund të kalonin pa u vënë re nga i riu Mubarak që gjithsesi ishte aq i mençur sa për të kuptuar se përpos ndryshimeve të mëdha sociale që po ndodhnin, një gjë do të vazhdonte të ishte njëlloj, që sërish çelësi për të hapur “portat e Nilit” i përkisnin ushtrisë. Ndaj joshja e parë për të vazhduar karrierën ushtarake jo vetëm që nuk u shua por përkundrazi iu përforcua më tepër dhe duke përfituar nga lidhjet e reja që po vendoste regjimi pas sprovës së vështirë të vitit 1956 me shtetëzimin e kanalit të Suezit, ai sëbashku me një grup tjetër oficerësh besnikë shkoi në B.S për tu shkolluar në shkollën e aviacionit.-“Kështu është shkruar” thonë arabët duke shprehur fatalitetin e tyre në pranimin e së pashmangshmes por kjo shprehje mund të marr dhe ngjyrime pozitive si ishte rasti i Mubarakut, që me përzgjedhjen e shkollimit të tij po i buzëqeshte fati. Në dy luftërat e mëparshme arabo-izraelite, aviacioni kish qenë një nga dobësitë e ushtrisë egjiptiane çka kish bërë të mundur triumfin e lehtë të ushtrive izraelite. Në sfidën e madhe që po përgatitej të vitit 1974 riorganizimi dhe fuqizimi i forcës ajrore po kalonte nga duart e kolonelit të ri dhe të talentuar Mubarak, që kish bërë hapa të mëdhenj dhe në karrierën politike. Pas dorëheqjes së parevokueshme të Naserit pas humbjes fatale me Izraelin në vitin 1967, ushtaraku tjetër Anëar Sadat që ishte bërë president kishte zgjedhur për zëvendës të vet Hosni Mubarak-un. Të tre i bashkonte origjina e përbashkët nga krahina e Munifias dhe për rrjedhojë dhe dëshira për të ngritur një shtet tribal dhe nepotik të bazuar në besnikërinë e njerëzve të vet nga krahina e vet. Kjo ishte arsyeja që me një të rënë të lapsit fshinë çfarëdolloj trashëgimie politike që kishte Egjipti para tyre nëpërmjet reformave të forta sociale që nuk synuan vetëm modernizimin e vendit por dhe krijimin e një kaste të re besnike rreth tyre. Mirëpo sado që u përpoqën që vendit ti jepnin një karakter civil, sërish nuk mundën ti shpëtonin  rolit qendror të ushtrisë në jetën e vendit që me gatishmërinë e saj ishte baza për balancimin e pushtetit të Izraelit në rajon por dhe për stabilitetin e vendit.
Pikërisht tek kjo fjalë faraonët e rinj të Egjiptit kishin gjetur edhe pikën e dobët të Perëndimit që për hir të traktatit të paqes të nënshkruar në Camp David midis Egjiptit dhe Izraelit në 1979 ishin gati të duronin çfarëdolloj shkelje dhe kapriço të tyre në drejtimin e Egjiptit. Në këtë mënyrë po ndodhte paradoksi që vendi që kishte traditë më të hershme parlamentare se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe një zhvillim më të madh kulturor po rrëshqiste në kurthet e sistemit monist dhe autoritarizmit. Edhe pse drejtimin e vendit Mubaraku e mori në fillim te viteve 80’ , kur jo më vonë se 9 vjet filloi vala e katërt e demokratizimit në Evropën Lindore, ai s’mundi ti shpëtonte ngrehinës autoritariste që kish filluar që me triumfin e grushtit të shtetit në vitin e largët 1952. Pluralizmi partiak i vendosur në Egjipt ishte një pluralizëm maskaradë dhe i kontrolluar në mënyrë drakoniane nga ligji i gjendjes së jashtëzakonshme i vendosur që në 1981 pas atentatit të presidentit Anëar Sadad dhe i përtëritur çdo pesë vjet. Mubaraku duke qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet e kuptoi shumë mirë skakierën e Lindjes së Mesme. Kur ishte e nevojshme që të shfaqej si njeriu i Perëndimit mbante në fuqi traktatin e miqësisë me Izraelin dhe madje dërgonte dhe trupa në vitin 1991 kundër Irakut , kur i duhej mbështetja e vendeve arabe i organizonte ato në Ligën Arabe , zyrat qendrore të së cilës ishin në Kajro. Si një vend me një peshë shumë të veçantë në stabilitetin e rajonit, Egjipti ishte në gjendje të notonte në ujërat e divergjencave dhe Mubaraku të shtypte çdo lloj rezistence liberale në vend. Në të kundërt, pavarësisht përndjekjeve që i bëheshin lëvizjeve islamike si “Vëllezërit Myslimanë” ato lejoheshin të organizoheshin pasi i duhej për ta prezantuar si të vetmen opozitë të frikshme ndaj tij dhe që ndaj së cilës Perëndimi natyrisht që shfaqte rezervat e veta. Ky vakuum institucional që ai krijoi me dashje me qëllimin që të çimentonte pushtetin e vet dhe pastaj sipas shembullit sirian ta trashëgonte pushtetin tek i biri rezultoi të ishte fatal për të ardhmen e Egjiptit kur filloi lëvizja e protestave në sheshin Tahrir. Sot pas zhvillimeve të ethshme aty kur tërë bota mbante frymën dhe entuziastë të pandreqshëm në Perëndim që analizat e tyre i bëjnë gjithmonë duke harruar elementin më të rëndësishëm atë social, u nxituan ta pagëzojnë si valë  e demokratizimi ,në zgjedhje triumfuan partitë islamike në masën 60 %. Modeli që adhurohet është ai turk,  i ringjalljes së vlerave islamike dhe kontrollit të fortë nga ana e   ushtrisë të jetës publike në vend. Perëndimi me dëshirën e ethshme për stabilitet dhe duke toleruar sjelljet prej faraoni të Mubarakut e humbi shansin për të krijuar një unitet të botës mesdhetare përsa i përket zhvillimeve kulturore dhe ekonomike. Udhëheqësit e rinj që kanë ardhur në Kajro kanë një axhendë tjetër nga ajo që ndiqte prej kohësh Mubaraku në Lindjen e Mesme. Fuqizimi i Turqisë dhe Iranit në rajon ka hapur orekse të reja dhe në Kajro për t’iu bashkangjitur këtij koncerti dhe demonstrimi force. Mubaraku është tashmë i arrestuar sëbashku me të dy djemtë dhe ndaj tij prokuroria ka kërkuar dënim me vdekje. I është dhënë 25 ditë afat të përgatisë mbrojtjen e vet dhe pastaj do pres vendimin e Gjykatës së Lartë nëse do ti falet jeta, apo do ti bashkëngjitet fatit të Sadam Hyseinit dhe Kadafit. I sëmurë dhe i veshur me të bardha  , rroba të veçanta që u vishen fajtorëve në ligjin islamik sa herë që dilte para gjyqit ndoshta ka menduar se po të ndërtonte një mekanizëm më të mirë pushteti nuk do të ballafaqohej me këtë fat për tu dënuar dhe për të hyrë në historinë e shtetit të vet si një diktator gjakatar që vrau në qendër të Kajros 846 vetë për të ruajtur monopolin e pushtetit të vet. Në fakt kjo është dilema e çdo udhëheqësi që drejton vende autoritare dhe gjysëm demokraci por lakmia për pushtet dhe dëshira për të siguruar pasardhësit krijon sindromën makbethiane sipas të cilit duhet ti bindesh ambicies pa kufi duke shkelur çdo lloj norme dhe morali. I vetëm dhe i braktisur nga të gjithë, ndoshta tani ai e kupton më mirë këtë tragjedi shekspiriane dhe padashur ka hyrë në teatrin politik të rajonit si një rast katarsisi që duhet studiuar mirë. 




Gazeta Shqip. 15.02.2012



Rri sonte...




Rri sonte mos ik,
shih si çelën jargavanët nën dritare
shiu s’mbjell më pellgje por butësisht bie
Vështro si afrohet nata ëndërruese
me tinguj të lehtë si hije

Rri sonte mos ik
Ti vjedhim botës një buzëqeshje gëzimi
Ti erdhe-capite lehtë
nën parzme të brishta ledhatimi

Rri sonte mos ik
Prit agimin e bardhë,
ylberin e brishtë ngjyra-ngjyra
derisa çapet që bëre për të ardhur tek unë
të kthehen nga gonxhe në trëndafila.

Rri sonte mos ik....