Saturday, 12 November 2011

Politikë dhe besim fetar


Punimet e fundit të kongresit të Partisë Socialiste kanë filluar të përcaktojnë dhe temperaturën e klimës politike në vend. Pa u mbyllur akoma debatet për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, shqiptarëve do u duhen të dëgjojnë sërish debatet shterpë për zgjedhjet brenda Partisë Socialiste. Si zakonisht nuk do të mungojnë të dyja pikëpamjet, kryesia që do të këmbënguli që në Partinë Socialiste ka liri me tepricë dhe një palë të tjerë  që do të këmbëngulin në idenë se ajo mungon. Sigurisht që s’ka asnjë gjë të keqe që brenda një partie të ketë një debat të shëndoshë se cila rrugë do të ishte më e mirë për të ardhur në pushtet, por natyra dhe mënyra e këtyre debateve sesi zhvillohen  ka filluar të sjellë një lodhje të stërzgjatur për qytetarin shqiptar pasi thelbi i tyre nuk është esencial dhe i konkretizuar në qeverisjen e mirë por shpesh herë në ngjarjet e lodhshme të pakënaqësisë mes figurave të ndryshme të Partisë Socialiste dhe qejfmbetjeve për mosaktivizim aktiv në jetën e partisë. Në këtë sens këto debate të kësaj natyre janë shumë larg filozofisë politike të majtë që kërkon të përfaqësojë denjësisht qytetarin dhe ti përgjigjet atij drejtë për së drejtë për të gjitha shqetësimet dhe problematikat e tij. Një filozofi e tillë filloi të përfaqësohej në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore ku proverbiale mbetet përgjigja e   kryeministrit anglez Harold MacMillan-in gjatë viteve (1957-1963) ndaj pyetjes sesi përcaktoheshin vendimet e  qeverisë së tij, ai iu përgjigj gazetarëve Events,dear boy events -Ngjarjet, i dashur djalosh , ngjarjet. Me këtë ai kish parasysh kërkesat që dilnin nga organizimi i grevave të sindikatave por dhe veprimet që duhet të ndërmerreshin nga fatkeqësitë e natyrës apo rënia e bursës etj. Në fakt atë çka perifrazonte Kryeministri anglez ishte problematika e ditës për të cilën qytetari është shumë i interesuar për të pasur zgjidhje pasi ka efekt të drejtë për së drejtë mbi jetesën dhe të ardhurat e tij.
Për fat të keq në Shqipëri edhe pse politika dhe filozofia e saj pretendohet që modernizohet dita ditës vazhdon të jetë larg këtij perceptimi. Madje, në politikën shqiptare ndodh që dhe kur merren vendime që janë pranë ndjenjave shpirtërore të një mase të madhe qytetarësh, këto nisma janë shumë të vonuara ose kuptohet qartë që merren për efekte elektorale çka e vështirëson dhe realizimin e tyre. Një vendim i tillë që bashkoi së bashku parapërgatitjet e fushatave elektorale në Tiranë dhe Durrës për zgjedhjet lokale ishin premtimet që u dhanë për ndërtimin e xhamive Komunitetit Mysliman Shqiptar,asaj në qendër të Tiranës një lutje të kahershme të këtij komuniteti, dhe premtimi i bashkisë të Durrësit për ndërtimin e një xhamie të re në një vend tjetër, vendim që u morr pas konflikteve për territorin që bashkia pati  me myftininë. Premtimi për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet u përsërit kësaj radhe dhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në përshëndetjen dhe vizitën që ai bëri në Komunitetin Mysliman shqiptar me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ky premtim mund të jetë dhënë disa herë nga të gjitha administratat që kanë qeverisur kryeqytetin dhe besoj se përsëritja e tij në çdo festë fetare është bërë një refren bajat që së bashku me atakimet dhe referencat politike që bëhen nga politikanët në ditët e shenjta të festës bëjnë të vënë buzën në gaz  me ironi qytetarët që dhe në ditë të tilla të shenjta nuk i lënë rehat të festojnë, por u kujtojnë sesa pragmatiste është politika dhe se në ç’situatë politike konfliktuale jetojnë.
Këto dy vendime përveç simbolikës së tyre që përfaqësojnë në fakt shënojnë dhe një “risi” të re të politikës shqiptare për të bërë pjesë të problemit të vet dhe pushtetin hyjnor. Politika në Shqipëri deri tani duke respektuar karakterin  sekularist  të shtetit dhe traditën e  hershme të bashkëjetesës fetare nuk kishte tentuar që të përfshinte brenda polemikave të saj këtë pushtet , gjë e cila fatkeqësisht  ndodhi  në replikat e forta që u shkëmbyen midis Ministrisë së Transportit dhe Bashkisë, pasi kuptohet se lufta për Bashkinë e Tiranës ishte e ashpër. E njëjta gjë ndodhi dhe në Durrës dhe ndoshta dhe më gjerë duke e shpërhapur fenomenin. Pa hyrë në analizë të hollësishme se kush ka të drejtë në debatet që u hapën në Tiranë dhe në Durrës në prag të zgjedhjeve lokale dhe ndoshta dhe  më gjerë, duhet nënvizuar fakti  se ky model i përfshirjes së komuniteteve fetare dhe ndjeshmërive fetare në politikën e ditës është i  dështuar.
 Në parlamentin e parë shqiptar të viteve 20’, grupimet që u ndërtuan mbi baza të tilla si ai “Orës së Maleve” që përfaqësonte popullsinë katolike të veriut, i grupit të deputetëve të Korçës që përfaqësonte një pjesë të popullsisë ortodokse dhe ai i çifligarëve myslimanë rreth Shevqet Vërlacit nuk përfaqësuan histori suksesi  pasi shumë shpejt u pa se ndarje dhe politika të tilla dëmtonin bashkimin kombëtar dhe kohezionin social të shoqërisë së sapo formuar të qytetarëve shqiptarë. Respektimi i traditës së hershme të bashkë ekzistencës paqësore dhe mospërfshirjes së komuniteteve fetare në politikë qoftë dhe tërthorazi prej palëve të tjera, duhet të vazhdojë të jetë një vektor që lidh të shkuarën me të ardhmen në Shqipëri. Politika shqiptare duhet të jetë e para që duhet ta respektojë këtë parim pasi në të vërtetë kjo është dhurata më e madhe që u bën besimtarëve të kujtdo besimi fetar në Shqipëri.


Thursday, 10 November 2011

Drejt Evropës, në pritje të Evropës




Një vit më parë, më datën 8 nëntor në një datë me një ngarkesë emocionale negative historike për Shqipërinë , Bashkimi Evropian mori vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë në hapësirën evropiane. Mesa duket historia është kapricioze për të përsëritur në të njëjtën ditë dy ngjarje që janë me drejtim krejt të kundërt. Ngjarja e parë ajo e 8 nëntorit 1941 shënon themelimin e P.K.SH dhe fillimin e kalvarit izocionalist të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ku komunistët shqiptarë do të bënin të pamundurën, në mënyrë të veçantë ta largonin vendin nga perspektiva evropiane. Ngjarja e dytë më 8 nëntor 2010 shënon fundin e këtij kalvari të dhimbshëm të rrugëtimit të shqiptarëve drejt Evropës si dhe fundin e një politike nga ana e Bashkimit Evropian që mund ta kthente Shqipërinë në një nga getot e Evropës. Ky vendim i dha fund jo vetëm një odiseje të gjatë përpjekjeve të qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar në Evropë por ishte dhe një sinjal i mirë për Shqipërinë që tregonte se ajo shumë shpejt do të mund t’i bashkëngjitej  familjes evropiane. Vendimit të Bashkimit Evropian i korrospodonte një shifër shumë e lartë dhe entuziaste e qytetarëve shqiptarë që ishin pro hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shifër kjo shumë e ndryshme se e gjithë vendeve të tjera të ish Evropës Lindore kur kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Në mendjen dhe penën e disa analistëve ky entuziazëm i qytetarëve shqiptarë është jo racional dhe vjen nga padija pasi në logjikën e tyre mendojnë se qytetarët shqiptarë rendin emocionalisht drejt idesë evropiane sepse kujtojnë sepse “kështu do bëhen të pasur”, kurse në të vërtetë ajo që ndodh është një mishërim i eksperiencës së mijërave e mijërave shqiptarëve që në kushte shumë të vështira kanë mundur të emigrojnë në Evropë dhe kanë arritur të kuptojnë mirë mekanizmin solidarizues dhe financues evropian.
Mirëpo kësaj pjekurie dhe orientimi të drejtë të qytetarëve shqiptarë përsa i përket idesë së tyre evropiane nuk po i përgjigjet jo vetëm sensi i gabuar i disa analistëve në kritikat e tyre rreth dëshirës së qytetarëve shqiptarë për ta parë vendin e tyre në Evropë, por mbi të gjitha po e zhgënjen dhe klasa e vet politike, e cila që nga viti 2009 vazhdon të jetë në një konflikt të hapur me vetveten. Kjo situatë është ndoshta nga më paradoksalet krahasuar me ato të  vendeve të ish lindjes komuniste në momentin kur ato kanë qenë në prag të hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian, pasi mbështetja  e qytetarëve të tyre nuk kanë pasur këto kuota të larta mbështetje sa ka aderimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nga qytetarët shqiptarë ,por mbi të gjitha dhe për kushtet dhe konditat që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë një vend kandidat nuk janë të njëjtat me ato të vendeve të tjera. Shqipëria ka një perfomancë më të mirë ekonomike se vendet e tjera në rajon dhe se një pjesë të kritereve politike i ka plotësuar me kohë. Në 12 pikat që i kërkohen Shqipërisë të përmbushë , dy prej tyre kanë një peshë specifike të veçantë, reforma elektorale dhe reforma parlamentare pasi të tjerat mund të plotësohen me një vullnet të përbashkët brenda një seance votimi. Ky vullnet i përbashkët për të bashkëpunuar është një pikë më vete ku Shqipërisë i kërkohet që klasa e vet politike të nisë dialogun politik për të arritur në një konsensus mes vetes. Mes pikave ku përcaktohet dhe zgjedhja e avokatit të popullit apo këshillit mbikëqyrës të Bankës Kombëtare të Shqipërisë , ndodhen dhe pika që me të vërtetë mund të habisin këdo se përse opozita nuk e ka dhënë konsensusin për votuar në parlament si është miratimi p.sh i kodit hekurudhor të Shqipërisë, kod që kërkon 3/5 e votave! Besoj se nuk do të ketë ndonjë vështirësi të madha teknike për të miratua një ligj që i përket më shumë së ardhmes pasi sistemi i sotëm hekurudhor pothuajse është inekzistent në frekuentimin e tij nga qytetarët.
Por a mundet që këto kushte dhe kondita të mbajnë peng dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve për t’iu bashkangjitur familjes evropiane? Eksperienca dhe përvoja e ka treguar se Bashkimi Evropian është konsistent në kërkesat e tij, ashtu si ka treguar se kur ka një konsensus politik në vend, Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë vendime të kënaqshme për Shqipërinë. Një i tillë ishte vendimi i liberalizmit të vizave, ku si pasojë e tij brenda një viti rreth 400.000 shqiptarë kanë lëvizur në hapësirën Shengen. Ata janë treguar qytetarë të denjë evropianë duke mos shkaktuar as dhe një incident të vetëm apo kërkesa masive për azil politik, duke “zhgënjyer” në këtë mënyrë për fat të mirë dhe disa politikanë apo analistë që profetizuan se ky vend do të zbrazej i tëri. Qytetarët shqiptarë i kanë dëshmuar në këtë farë mënyre Bashkimit Evropian se janë seriozë në angazhimet e tyre dhe të njëjtën gjë presin që të tregojë dhe klasa e tyre politike ndaj tij. Rikthimi i opozitës në parlament dhe fjalët e shprehura nëpërmjet liderit të saj se do të punohet për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë një votim të cilësuar janë sinjale të mira që gjërat më në fund po fillojnë të ecin mirë. Mes një opozite që zgjidhte të bënte protoganizmin e vet se kush nga deputetët e saj digjte më shumë goma apo bllokonte më shumë rrugë, sigurisht ajo që ulet në parlament për të votuar ligje është më e preferuara. Kjo preferencë nuk është vetëm për ne si qytetarë  shqiptarë ,ku një pjesa jonë dhe e ka votuar, por në radhë të parë për veten e vet pasi në këtë mënyrë është rikthyer në identitet dhe si çdo gjë që ka lidhje me identitetin është pozitive, besoj se kjo opozitë e sotme në këtë mënyrë ka më shumë mundësi për të kontribuar për vendin.


Monday, 7 November 2011

Shteti i shërbëtorëve


 Çfarë gjëje të përbashkët mund të ketë një diplomë e një shkolle të lartë dhe  një patentë e zakonshme makine? Një përgjigje e shpejtë që mund të vi drejtë për së drejti në mendjen çdo njeriu është se të dyja janë dëshmi kualifikimi. Në fakt kjo ngjashmëri nuk mund të anashkalohet lehtë pasi shoqëria njerëzore qysh nga fillimi i revolucionit industrial është karakterizuar pikërisht nga evoluimi i punonjësve të kualifikuar. Në këtë kontekst ngjashmëria e tyre kthehet dhe në një aset më tepër në shoqërinë tonë të dijeve të thelluara ku secila dëshmi luan rolin e vet. Njëra të bën të aftë të ushtrosh një profesion të përzgjedhur kurse tjetra përveçse se të bën të ushtrosh një profesion që kualifikohet në rangun e profesioneve të vështira si është ai i shoferit, të dhuron dhe kënaqësi pasi të dhuron fundjavë të këndshme dhe të lehtëson jetën e përditshme. Por nëse hymë pak më thellë rrjedhave të logjikës shikojmë se ngjashmëria e tyre në fakt është sipërfaqësore. Një person i diplomuar nga një universitet, dhe më pas ushtrues i  një profesioni të lirë mund të jetë dhe një shofer i mirë por e kundërta e këtij pohimi nuk është se mund të jetë gjithmonë i vërtetë. Marrja dhe përfitimi i një patente shoferi nuk të shndërron dot domosdoshmërisht dhe në një profesionist të kualifikuar dhe kjo është e vërtetë për shumë e shumë raste gjithandej nëpër botë.
Por ajo që mund të jetë e vërtetë për gjithë botën , ashtu si ka ndodhur shpesh në këto vite tranzicioni dhe integrimi nuk është se mund të jetë e vlefshme dhe në Shqipëri. Histori të ndryshme të treguara në kafenetë e lagjeve, mbyturazi nëpër cepat e pallateve dhe tashmë së fundi dhe në studiot televizive kanë ligjëruar një realitet që deri më tash përflitej por që tashmë ka marrë përmasat e tij të vërteta. Në to ashtu si dhe në përrallat e thëna së lashti buzë vatrës ne gjejmë djem dhe vajza të vobektë që luftojnë fort për të siguruar bukën e gojës nëpërmjet profesione të tyre si shoferë, sekretare dhe bodigardë që papritur u buzëqesh fati dhe kthehen në biznesmenë dhe në ushtrues të profesioneve të lira prestigjioze si avokatë, ekspertë dhe investitorë. Por shndërrimi i tyre që në fakt u përngjet fatit të Hirushes nuk ndalet këtu. Ata i gjen gjithandej nëpër jetën publike të Shqipërisë duke e kthyer republikën tonë në një republikë të njerëzve të lirë dhe të shanseve të barabarta si presupozohet se duhet të jetë në një nga preambulat e saj në një republikë të njerëzve të shërbimeve dhe të suksesit të monopolizuar.
 Ndërsa  shpesh herë dhe ne si në përrallë kërkojmë që të zbulojmë se “ç’sekret” i thanë ndonjë kuçedre që ajo i shpërbleu më vonë me pasuri apo se “ç’dhëmb” dragoi gjetën diku dhe ai u shndërrua më vonë në katandi të madhe, në fakt ‘sekreti” është më i thjeshtë dhe ne pothuajse të gjithë e dimë. Personat në fjalë nuk kanë qenë shoferë të thjeshtë apo sekretare të rëndomta në institucione të lodhura të shtetit por kanë ushtruar profesionin e tyre pranë njerëzve më influencë në këtë vend si deputetë dhe ministra. Cilësia e vetme e tyre profesionale që u ka hapur rrugën e suksesit nuk është besimi i fort i tyre në ndonjë ide dhe materializimi i tyre nëpërmjet investimeve në histori suksesi ashtu siç lexojmë në librat e përkthyer për biznesin nga biznesmenë shqiptarë por në fakt është “cilësia” sesa afër i kanë qëndruar shefit të vet dhe në varësi të kësaj afërsie janë shpërblyer në progresion gjeometrik në menaxhime biznesesh dhe influencë.
Përçimi i këtij morali të kalbur që i përngjan moralit të Shqipërisë otomane ku beu apo pashai i madh i shpërblente qehallarët dhe rojet e veta besnike me pasuri dhe toka nga çifligjet e veta por vetëm me një dallim se nëse të parët jepnin nga pasuria e tyre , këta të fundit u garantojnë sejmenëve të tyre pasuri nga ajo që u përket të gjithëve. Fjala ministër e ka origjinën nga gjuha latine dhe do të thotë shërbëtor. Në Shqipëri as që mund të bëhet fjalë që ministrat të jenë shërbëtorë të popullit por të paktën të na bëjnë një nder që shërbëtorët e vërtetë të tyre të mos i promovojnë për të na kthyer neve në shërbëtorë të shërbëtorëve. 


Friday, 4 November 2011

Dialog dhe konsensus


Javët e para të tetorit filluan duke komentuar mundësitë e një konsensusi politik midis dy palëve dhe u mbyll me një seancë parlamenti para përgjigjes të Komisionit për statusin e Shqipërisë, ku ky konsensus dështoi. Për të folur me tema më konkretë Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të vet ka propozuar një pakt politik  prej 10 pikash që e quan Pakti i Integrimit të vendit dhe pret që qeveria e Integrimit ta miratojë pikë për pikë që vendi ti hapet perspektiva e integrimit. Si mund të vërehet lehtë dhe nga pikëpamja e semantikës, togfjalëshat fillojnë dhe ngatërrohen dhe vërviten rreth Integrimit  përpara se mesazhi të jetë i qartë për politikanët dhe për masat më të gjera. Mirëpo ky realitet nëse është i ngatërruar nga pikëpamja e semantikës është shumë qartë i dukshëm për lojën politike që në vetvete mbart. Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë se pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë për një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për tu miratuar në parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto ligje për tu miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar se nuk do ti votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dy grupet parlamentarë në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare, “faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata ka agravuar në sharje dhe fyerje të ndërsjella duke tensionuar më shumë klimën politike në vend.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat administrative ndërkombëtare  që merren me Shqipërinë por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë shqiptare përsa i përket arritjes së një marrëveshje politike mes palëve. Ajo që me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk duhet të jetë ndonjë shpresë e vakët se për hir të mosmarrjes më me ne do të ketë ndonjë “dhuratë” statusi sepse kështu ndoshta e kanë marrë dhe të tjerët, por si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative ngecjen në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara dhe të dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë për një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet prestigjioz në arenën ndërkombëtare përsa i përket reputacionit të vet financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të tërën dhe që është bërë shpesh herë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat por duke mos ndryshuar mentalitet përsa i përket zgjidhjes së problemit të ngecjes në vend të reformave duhet të fiket sepse në të ardhmen s’do të jetë në gjendje që të lëshojë qoftë dhe një shkëndijë drite në qiellin e jetës dhe politikës sociale shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë dhe deontologjia i konceptit  konsensus duke mos u përqendruar më tek fjala “jap” por duke u fokusuar tek folja lëshoj. Të hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve do të thotë që të jesh gati të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat  veta Partia Socialiste? Po ajo Demokratike çfarë është gati të ndryshojë nga pikat që i quan të panegociueshme? Këtu filli i problemit shqiptar fillon dhe ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike kthehet në një teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre ose të kenë kurajën dhe të shpallin një agjendë tjetër të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota evropiane që mbart në vetvete dhe trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë integrale të kulturës së vet demokratike prandaj është e patolerueshme që vendi ka ngecur institucionalisht sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigja e një pyetje që një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur , më bukur dhe më shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është i përshtatshme për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare. 


Wednesday, 2 November 2011

Pesha e Stabilitetit







Sa herë që hapet çështja shqiptare në Ballkan, siç ishte rasti i deklaratës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për “unitetin kombëtar të shqiptarëve në rajon” nuk mënojnë të vinë komentet ndërkombëtare. Strukturat e këtyre reagime janë tashmë të njohura. Si fillim ravijëzohet fantazma e “Shqipërisë së Madhe”, rëndësia e stabilitetit në rajon dhe pastaj ndonjë kërcënim i fshehtë midis rreshtave për ndërprerjen e mbështetjes së shqiptarëve dhe pse jo një ndjenjë keqardhje për bombardimin e Serbisë dhe hapjes së telasheve me shtetin më të ri të Evropës –Kosovën. Këtyre komenteve ndërkombëtare u bashkëngjiten dhe disa komente dhe analiza të të përditshmeve shqiptare ku si motiv kryesor lexon se shteti shqiptar nuk mund të marrë përgjegjësia të tilla, të konsideruara shpesh herë dhe si “aventurism politik” dhe ‘iluzione” por duhet të zhvillohet dhe fuqizohet ekonomikisht.




Në fakt ky qëndrim nuk është i ri. Ai e ka zanafillën e vet në fjalimin e kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu në parlamentin e vitit 1922, ku ai deklaronte se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.) Por ndonëse mund të ishte e kuptueshme që në gjendjen e mjerueshme që ishte Shqipëria e vitit1922, nuk mund të ushqente iluzione të tilla është e çuditshme që sot në 2009 ka shumë zëra që mbështesin këtë qëndrim.




Paranoja fikse se ne mund ta humbin shumë shpejt mbështetjen ndërkombëtare nëse artikulojmë të vërteta të njohura rreth Shqipërisë natyrale na ka kthyer në “dordolecë” të çështjes shqiptare saqë, qeveria shqiptare nuk mund të japë mendim as për gjendjen represive të shqiptarëve në Preshevë dhe as për marrëveshjen policore të misionit evropian në Kosove-EULEX-it me autoritetet serbe. Ky rreth vicioz e paradoksal, të cilin për hir të së vërtetës e kemi pranuar me dashje me politikën tonë të durimit dhe të shpresës se me integrimin tonë në Evropë do të zgjidhet dhe problemi shqiptar, bie ndesh dhe me zhvillime të tjera rreth nesh në rajon.



Sado paradoksal mund të tingëllojë konstatimi i mësipërm, një seri ngjarjesh të zhvillimeve të fundit e dëshmojnë këtë gjë. Fqinji ynë lindor Maqedonia po vuan integrimin tij euro-atlantik vetëm se Greqia kërkon të ruajë me çdo kusht “kujtesën e vet historike”,Sllovenia pengon hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një porti në Adriatik,ndërsa presidentit hungarez nuk ju lejua hyrja në Sllovaki për të marrë pjesë në festimet e organizuara nga minoriteti etnik hungarez aty me pretekstin se “ndikon negativisht në marrëdhëniet hungareze –sllovake”.



Këto incidente të cilat pasqyrojnë më së miri mozaikun e shteteve nacionalë të ndërtuara pas rënieve të Perandorive Osmane, Hasburgase dhe Ruse në Evropën Juglindore tregojnë se modeli evropian i integrimit nuk i shuan mosmarrëveshjet e vjetra por dhe më keq i kthen në probleme të vet Evropës. A nuk do të ishte më mirë që problemet nacionale të trashëguara nga ‘Real politik” i shekullit të XX të zgjidheshin në bazë të parimit të vetëvendosjes-parim cili në princip mishëron dhe një nga liritë themelore, atë kombëtare.



Në vend të tij faktorët ndërkombëtarë kanë zgjedhur formulën e status ko-s dhe të stabilitetit. Këtyre të dyve tani së fundmi u është shtuar dhe parimi i “barazvlefshmërisë”, i cili nënkupton që çfarëdolloj aksioni mbështetje pozitive që i jepet njërit komb në rajon, menjëherë i duhet dhënë dhe kombit tjetër. Ky parim reflektohet më së miri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në shtetin e Kosovës. Të kësaj fryme janë lejimet e herë pas hershme të mbajtjeve të zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë mesa duket për të “balancuar” shpalljen e pavarësisë së Kosovës.



Incidenti hungarezo-sllovak hell dritë dhe mbi zhvillimet e tjera të mundshme midis Shqipërisë dhe Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Si shikohet nga radha e gjatë e problemeve faktorët ndërkombëtarë i kanë caktuar shqiptarëve rolin e Atlasit, për të mbajtur në shpinë gjithë stabilitetin e rajonit. Ata më tepër se çdo komb tjetër në rajon duhet të durojnë represionet ndaj tyre në Preshevë , mos legalizimin e gjuhës së tyre dhe moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, proceset politike të montuara në prag të zgjedhjeve elektorale në Mal të Zi, poshtërimin e pafund të emigrantëve të vet në Greqi që dhe pas 18 vjetësh nuk mund të gëzojnë të drejta si gjithë emigrantët e tjerë në një vend evropian, shndërrimin e identitetit të krahinave të veta në jug e kështu me radhë. Vetëm se në gjithë këtë kalvar vetëpërmbajtje që u kanë rezervuar shqiptarëve faktorët ndërkombëtarë a kanë menduar ndonjëherë se çdo të ndodhë nëse ata nuk e mbajnë dot më këtë peshë stabiliteti? Shqiptarët janë gjendur dhe vazhdojnë të gjenden midis dy alternativave. Ose duhet të vazhdojnë pranimin e “recetave evropiane’ të tipit të Ahtisaarit për të ardhmen e tyre si komb në Ballkan ndërsa fqinjët e tyre i kanë radikalizuar qëndrimet duke braktisur “evropianizimin” dhe rigjetur veten tek politikat e vjetra bizantine ose duhet të formojnë ushtritë e tyre çlirimtare si në fund të shekullit XX për të krijuar “recetën” e vet për të ardhmen e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duhet të falënderojë Zotin që shqiptarët deri tani kanë zgjedhur alternativën e parë.....


Ambasadorët e panjohur.





Albanians marching in post-WWII celebration march in Swanston Street, Melbourne, c. late 1940s.




Në një bisedë të çlirët në një aktivitet, një ish-ambasador i regjimit të kaluar u shpreh se edhe sipas kushtetutës ai kish përfaqësuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, por në të vërtetë për shkak të politikës së kohës i dukej se në fakt përfaqësonte vetëm një pjesë të vogël të kombit shqiptar. Këtu ai kish parasysh se nuk mund të ndërmerrte takime me grupe të ndryshëm të diasporës të cilët ishin të arratisur apo dhe me grupe të tjerë emigrantësh shqiptarë të larguar në emigracion para viteve të luftës së dytë botërore dhe që nuk binin dakord me politikat zyrtare të Tiranës. Në fakt, legjimiteti i ambasadorëve shqiptarë ishte i cunguar pasi përfaqësonte vetëm shqiptarët e kufijve zyrtarë, Konispol-Vermosh ndërsa një pjesë e madhe e diasporës përbëhej dhe nga shqiptarë nga viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Këtë gjë ish-ambasadori e kish ndjerë shumë herë në lëkurën e vet ku instinkti i tij diplomatik e shtynte që të vepronte në të mirë të bashkëkombësve të vet por ja që manteli politik që ai kish veshur nuk ia lejonte një gjë të tillë. Mandej në bisedën e tij ish-ambasadori përshkroi një lloj tjetër përfaqësimi që sipas tij ishte shumë herë më i mirë se ai pari. Më konkretisht, pas viteve 90’ dhe largimit nga radhët e diplomacisë ai kish qenë i punësuar diku në Perëndim në detyrë më të thjeshtë se e para, detyrë që në fakt e kish bërë më të lumtur sepse sipas me tij me përfaqësimin e tij të denjë kish mundur të përfaqësonte dhe vendin e vet.
Tashmë që ai banon në SH.B.A, ndihet shumë mirë kur takon shqiptarë të profesioneve të ndryshme, të gjithë të nderuar në punën e tyre dhe që sipas tij këta shqiptarë në fakt janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Edhe pse në fjalët e tij mund të dallohet një entuziazëm dhe ndoshta dhe pak hiperbolizim për rolin e emigrantëve shqiptarë nëpër botë , gjithsesi në to ka një pjesë të një vërtete të madhe. Kjo e vërtetë lidhet me faktin se kontakti i parë i Shqipërisë dhe pasqyrimi i vlerave të saj nëpër botë pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm , ishin pikërisht njerëzit e thjeshtë të saj që u larguan nga vendi në kërkim të një jete dhe kushteve më të mira. Pikërisht, në datën 2 korrik 1990, një date që nuk ka për tu harruar lehtë nga memoria kolektive e shqiptarëve filloi dhe shtegtimi i gjatë i shqiptarëve nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë por dhe në përsosje të vetvetes si individë për të mbijetuar dhe përshtatur në një botë që e njihnin vetëm nëpërmjet valëve të para fshehurazi të Televizionit italian.
Sigurisht, që në këtë emigrim masiv të shqiptarëve nuk mund të gjeje gjithë ajkën e shoqërisë sepse ashtu si dhe në vendet e tjera që popullsitë u kishin emigruar do të gjeje aty dhe aventurierë, njerëz të papërgjegjshëm, njerëz lehtësisht të asimilueshëm apo dhe të ekspozuar ndaj aktiviteteve kriminale, por ajo që mbizotëroi në përgjithësi ishte se shumica e shqiptarëve emigrantë arritën të mbijetonin dhe përshtateshin mirë në vendet ku emigruan. Me punën e tyre të ndershme dhe pasionin për të ndryshuar shpejt jetën e tyre ata ndryshuan gradualisht dhe opinionin dhe mentalitetin e shoqërive vendasve ku ata emigruan. Për t’ia arritur këtij qëllimi ata arritën përmes një kalvarit ë gjatë dhimbjesh dhe vështirësish që mund të shprehet shumë mirë dhe nga statusi i tyre në gjuhët e vendeve pritëse dhe gjuhën shqip, në fillim si refugjatë dhe pasta të quajtur emigrantë të jashtëligjshëm dhe së fundi emigrantë dhe qytetarë të vendeve ku banojnë dhe punojnë. Ndryshimet në jetën e tyre u pasqyruan dhe në ndryshimet në shoqërinë shqiptare pasi një pjesë e tyre punoi për një farë kohe në dhe të huaj dhe u kthye sërish në atdhe duke sjellë eksperienca dhe detaje të rëndësishme të jetës së tyre në emigracion. Kështu,të paktën dy breza u edukuan me kulturën e punës dhe morën kontakt të drejtë për së drejtë me qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Në këtë mënyrë në bazë të kursimeve të tyre ra u bënë nga kontribuuesit kryesorë të ekonomisë së rilindur shqiptare dhe në sajë të guximit të tyre për të investuar u rigjallëruan shumë sektorë të ekonomisë së shërbimeve që ishin paralizuar prej kohësh.
Duke pasur parasysh këtë kontribut real të emigracionit në ringjalljen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë është e udhës që vëmendja shtetërore të jetë më e madhe ndaj problemeve dhe vështirësive që ata hasin në jetën e përditshme aty ku banojnë dhe punojnë. Pajisja me pasaporta me ana e përfaqësive tona diplomatike është një hap i mirë dhe për tu përgëzuar por e rëndësishme do të ishte dhe tërheqja e kapitaleve të tyre këtu për të investuar në mënyrë të tillë që ekonomia shqiptare të mos mbetet e varur vazhdimisht nga remitancat e tyre por nga investimet e drejtë për së drejta. Kjo gjë do të sjellë jo vetëm hapje vendesh të reja pune, mirëqenie dhe zhvillim por do të riintegrojë në shoqërinë tonë një pjesë vitale të saj të konsideruar deri më tash periferike sepse nëse këto vite tranzicioni do të kishin nevojë për të vendosur një statujë në piedestal, aty patjetër duhet të ishte ajo e “emigrantit të panjohur” që duke punuar ndershmërisht ka përfaqësuar shumë mirë Shqipërinë, ka ndihmuar familjen e vet në Shqipëri dhe rrjedhimisht ka kontribuuar kaq shumë në zhdukjen e plagëve sociale si varfëria dhe mjerimi.


Sunday, 30 October 2011

Imuniteti dhe vullneti politik



Politika shqiptare është një “ sallatë frutash ”  më tha një i njohuri im. I mësuar me epitete të tjera për politikën tonë e luta të ma shpjegonte më tej mendimin e vet. Po ja ma ktheu ai, një sallat ë frutash do të paktën tre fruta t ë ndryshëm që të quhet e tillë. Ne kemi më shumë se tre forca politike që kontribuojnë në vend, por ashtu si sallata e frutave që  të jetë sa m ë e shijshme kërkon m ë shumë përbërës dhe politika jonë nuk duhet t ë mbizotërohet vetëm nga dominanca e një a dy partive. Për m ë tepër vazhdoi ai nuk  është  fjala se ndonjëri nga ta nuk e do prosperitetin dhe përparimin e kombit dhe  atdheut të vet si mund të dëgjohet rëndom gjithandej, por dëshira për të mbizotëruar i jep ndonjëherë shije bajate politikës q ë  ushtrojnë. Nuk e di sepse më pëlqeu dhe mua shpjegimi i mikut tim, pasi duke dhënë gjithmonë shpjegime dhe përcaktime nihiliste dashur pa dashur të gjithë kemi kontribuar në krijimin e një klime negativizmi për politikën shqiptare dhe vendin tonë.
Askush nuk mund ta mohojë se politika shqiptare përpos ngjarjeve të hidhura që na afruar në konfliktualitet të vazhdueshëm, na ka dhuruar dhe momente të gëzuara ku jemi ndjerë mirë. Momenti në të cilin ndihet vendi në prag të integrimit evropian,e bën politikën tonë delikate në marrëdhëniet ndaj vetes por dhe komunitetit ndërkombëtar, ndaj dhe qëndrimet që ajo mundohet të mbaj për të ruajtur ekuilibrin e saj të brendshëm interpretohen si shanse të humbura apo shanse të fitura. Në fund të fundit është çështje perceptimi sesi e shikon një gotë që është gjysëm e mbushur me ujë, si gotë gjysëm e mbushur apo si gotë gjysëm e zbrazët. Një çështje që irriton qytetarët shqiptarë dhe që shpesh herë na bën që ta shikojmë gotën si gjysëm të zbrazët është niveli i lartë i korrupsionit në shoqërinë tonë. Duam apo s’duam ne atë e kemi bërë tashmë një vlerë të sistemit tonë, diku për të mbaruar punë shpejt, diku për të zgjidhur ndonjë hall e diku tjetër për të bërë një karrierë të shpejtë. Në këtë sëmundje që na ka kapluar të gjithëve ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës por si gjithmonë përgjegjësia kryesore i mbetet politikës. Kjo është arsyeja që dhe zgjidhjet priten që të vinë prej saj.
Një iniciativë e mirë që duhet përshëndetur në këtë drejtim si masë efikase për mbylljen e rubinetit të korrupsionit është propozimi për kufizimin e mandateve të gjyqtarëve, politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit. Në këtë rast politika shqiptare si më e përfolura në këtë drejtim, jep një shembull personal duke i garantuar barazi të vërtetë ligjore për gjithë shtetasit e republikës së Shqipërisë. Për hir të së vërtetës ky ka qenë një propozim i hershëm i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një propozim që priti pothuajse dy vjet që të merrte një përgjigje pozitive nga Partia Socialiste. Ai u anatemua në fillim si përpjekje e qeverisë për kapital politik, por pavarësisht insinuatave të atëhershme politike ka ardhur koha që ai të merret seriozisht nga të dyja palët. Çështja është a ka vullnet politik për të bërë më të mirën e mundshme në këtë drejtim dhe të mos fshihemi pas lodra fjalësh për kushtetutshmëri dhe  mekanizma të tjerë mbrojtës. A duhet shoqëruar ky hap dhe me një reformë paralele në drejtësi në mënyrë të tillë që të mos ketë abuzime ndaj grupeve apo personave të veçantë politikë? Këto janë çështje që kërkojnë një diskutim të gjerë në nivel ekspertësh ndaj ulja në një tryezë të rrumbullakët jo vetëm që nuk është humbje kohe por është dhe përshpejtim i ç’tensionimit të jetës politike në vend dhe përshpejtim i procesit të integrimit. Ky është një hap që e kanë ndërmarrë të gjitha vendet e ish-Evropës Lindore përpara se të hynin në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria s’ka pse të bëjë përjashtim nga to. “Askush nuk duhet të ketë imunitet që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar. SHBA ndihmon në luftën kundër korrupsionit, por nuk duhen lejuar privilegjet e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë”.Këto ishin fjalët e ambasadorit amerikan në Shqipëri Aleksandër Arvizu, gjatë ceremonisë së mbylljes së programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MÇ) në Shqipëri,fjalë ë cilat duhet të shërbejnë për të shkundur të gjithë ata që mund të mendojnë se miqtë tanë ndërkombëtarë do të na lënë akoma të notojmë në moçalin e korrupsionit. Në bashkëbisedimet mes palëve përpos gatishmërisë që palët po demonstrojnë për reformim elektorale duhet të vënë si prioritet kryesor dhe atë çka në parim u duk se e mbështetën parimisht në konferencën e organizuar për këtë qëllim. Ky vullnet dhe hapat konkretë të ndërmarrë do të jenë guri i provës për të parë nëse po ndryshon diçka në këtë drejtim. “Imuniteti duhet të kuptohet në mënyrën e duhur, pasi nuk i jep një pozicion të caktuar, i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjin. Por imuniteti apo imunitetet do të thotë që zyrtarët apo gjyqtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që duhet të ruajnë edhe përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”-deklaroi ambasadori Etore Sequi i Bashkimit Evropian, në po të njëjtën konferencë duke dhënë qartë dhe propozime konkrete mbi bazën e së cilave mund të fillojë të ndërtohet kufizimi i mandateve.
Gjithmonë kur kemi qenë të mërzitur me politikën tonë kemi përmendur shprehjen se kjo është “çorba që politika jonë na gatuan”.Mirëpo pas një zhvillimi të tillë shpresëdhënës ku të dyja palët po binden që ta marrin seriozisht kufizimin e imuniteteve që në një farë mënyre do të fillojë të ketë impakt për të pasur  dhe më shumë drejtësi në vendin tonë, na lind e drejta që politikën tonë ta shohim si “sallatë frutash” ku mjalti si një përbërës kryesor i saj duhet të jetë vullneti i mirë i të dyja palëve. Le të shpresojmë se politika shqiptare kësaj radhe e ka seriozisht për të nxitur shpejtësinë e integrimit të vendit por dhe për ti hequr imazhin negativ të saj në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Gazeta "Shqip". 31.10.2011