Saturday, 29 October 2011

E ardhmja e politikës shqiptare në fokusin e një interviste


Intervista e ambasadorit amerikan z Aleksander Arvizu e zhvilluar në Ora News me gazetaren Ilva Tare u prit me shumë interes në jetën publike dhe politike të vendit. Ky interes i madh publik vinte sa ngaqë intervista ishte e para e dhënë pas përfundimit dhe çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 8 majit por dhe nga fakti se ka një interes të  madh publik në vend, për një sërë çështjesh të tjera ku ambasada amerikane me qendrimet e saj ka qenë protagoniste e ngjarjeve në Shqipëri. Gjithsesi pritshmëria e publikut mund të mos ishte e madhe pasi  është i njohur gjerësisht fakti se në diplomaci jo gjithmonë ka një raport të drejtë midis interesit publik të etur për të ditur sa më shumë rreth ngjarjeve dhe gjuhës së thatë diplomatike.Diskursi politik në të tilla raste është i  mbushur gjithë metafora e simbole që tentojnë ti japin fjalëve ngjyrime abstrakte dhe asnjanëse dhe ti largohen sa më shumë së realitetit. Mirëpo, intervista e z Arvizu kësaj radhe për fat të mirë nuk ishte e këtij lloji.Ajo i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e publikut dhe ishte disi e veçantë , pasi për herë të parë që nga akreditimi i tij në Shqipëri, z Arvizu foli drejtë për së drejti për ngjarje dhe personaze me data dhe emra të përveçëm. Kështu qytetarët shqiptarë  përmes ekranit të televizionit u njohën me qendrimin zyrtar të SH.B.A për ngjarjen e 21 janarit, rreth optikës amerikane përsa i përket  antiamerikanizmit në Shqipëri, veprimeve të prokurorisë dhe forcave të policisë,zgjedhjeve dhe menaxhimit të tyre apo dhe opinionit të politikës zyrtare amerikane ndaj liderëve shqiptarë. Me këtë rast z Arvizu hoqi dhe merakun e shumë mendjeve në Shqipëri përsa i përket politikave që ndjekin ambasadorët duke theksuar se ata nuk bëjnë politikë personale por zbatojnë politikën zyrtare të shtetit të tyre. Kjo deklaratë ishte nga pjesët më rëndësishme të intervistës pasi besoj i solli me këmbë në tokë dhe i zbuloi para opinionit publik një pjesë të madhe të liderëve të politikës sonë, që sa herë nuk u kanë pëlqyer raportimet dhe deklarimet e amabasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë kanë nxituar ti etiketojnë si qendrime personale të tyre.
Nuk ka diskutim se të gjitha çështjet të diskutuara në intervistë paraqesin një rëndësi të veçantë përsa i përket forcimit të demokacisë së brendshme në Shqipëri dhe rritjes së imazhit pozitiv të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare,por mes tyre njëra pati besoj rëndësi më të madhe përsa i përket dhe së ardhmes së politikës shqiptare. Këtu i referohem deklarimit të z Arvizu rreth liderve të tranzicionit në Shqipëri, ku ai vlerësoi në mënyrë të veçantë kryeministrin aktual Sali Berisha dhe udhëheqësin historik të së majtës Fatos Nanon,por iu rikthye gjuhës diplomatike kur u pyet rreth Ramës që aspiron të bëhet kryeministër dhe nuk përmendi fare Metën që ka qenë dhe aspiron të bëhet sërish kryeministër apo Bashën që u zgjodh kryetar bashkie dhe që mendohet se do të jetë lideri i ardhshëm i së djathtës shqiptare. Sigurisht,këtu nuk bëhet fjalë për lodra fjalësh apo nominime të rastit, por për një opinion të krijuar qartë të mbështetur dhe në opinionet e ambasadorëve të mëparshëm amerikanë.Mirëpo edhe pse mund të ketë një dozë kënaqësie pas këtyre deklarimeve sidomos nga mbështetësit e të dy udhëheqësve politik historik në Shqipëri,në fakt kjo deklaratë duhet të na shqetsojë të gjithë.Ky shqetsim lidhet më tepër me të ardhmen politike në Shqipëri sesa me përmbushjen e egove politike të brezit të ri. Fakti që aleatët dhe partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë nuk  gjejnë një politikan të ri për ta nominuar pozitivisht si lider të së ardhmes,por vazhdojnë të mbështeten në elitat e krijuara dhe formuara para viteve 90’ është shqetsues dhe tregon se gjithë brezi i ri i investuar në politikë nuk ka arritur të bëhet ende protagonist. Ky përcaktim edhe pse mund të sjellë zhgënjim  përmban brenda vetes të vërteta të hidhura.
Ideja e prurjes në politikë të emrave të rinj ka reflektuar një nevojë të brendshme të politikës shqiptare por ka pasur dhe një bekim ndërkombëtar për të pasuruar me ide dhe aksione konkrete politikën shqiptare. Ky veprim e ka zanafillën në vitin 2004 ku pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut më 2003,paradhomës për tu pranuar në NATO dhe fillimit të negociatave për nënshkrimin e MSA me Bashkimin Evropian u pa e udhës që politika shqiptare të fillonte të rifreskonte radhët e saj me politikanë të rinj të formatit të teknokratit përpara se të hynte në këto dy organizma tërëndësishëm ndërkombëtarë. Krijimi i KOP-it dhe rifreskimi i PS me emra të rinj në të ashtëquajturën luftë kundër “xhaketave të vjetra” pas humbjes elektorale më 2005 i shërbeu këtij qëllimi. Mirëpo 7 vjet më vonë, në gjykimin e ambasadës amerikane rezulton se kontributi i liderëve të rinj në politikë ka qenë shumë më i vogël krahasuar me atë të liderëve të vjetër. Madje në kabllogramet e zbulura nga Wikileaks nuk gjen qoftë dhe një koment pozitiv për brezin e ri të politikanëve.
Por çka ndodhur kështu? Si ka mundësi që e vjetra ka triumfuar mbi të renë? Dikush mund ta shpjegojë këtë handikap me eksperiencën politike, por e vërteta ka rrënjë dhe më të thella.Në këtë gjykim e djathta gjendet dhe më komod se e majta pasi KOP-i edhe pse mund të mos ketë prodhuar lider të formatit të Berishës, të paktën ka kontribuar shumë në fitoren elektorale të PD në 2005 dhe në qeverisjen e saj të mëvonshme, kurse e majta edhe pse hyri në të njëtin proces rigjenerimi pas politikës ‘përtej së majtës e  së djathtës’ të Ramës nuk ka arritur asnjë fitore elektorale esenciale që ta sjellë në pushtet. Madje edhe pse ky konstatim tashmë është i dukshëm, PS vazhdon ende të promovojë të njëjtët individë si lider të brezit të ri që humbjet e njëpasnjëshme elektorale përpiqen gjithmonë tua faturojnë të tjerëve pa i kërkuar asnjëherë përgjegjësitë brenda vetes. Kjo politikë dritëshkurtër mund ta lërë PS për një kohë të gjatë në opozitë por dhe nëse vjen në pushtet kapacitetete saj qeverisëse nuk do të jenë të shkëlqyera. Politika e vërtetë nuk mund të mbështetet vetëm në imazhe perfomance televizive por në rezultate të vërteta.Respektimi i disa parimeve demokratike që mbështeten tek meritokracia dhe kontributi i dhënë në forumet përkatëse të partisë politike do të bëjë të mundur përzgjedhjen më të mirë të liderëve të rinj.Tirana,Durrësi dhe Elbasani si qarqe nxjerrin më shumë deputetë për parlament, mund të mos kenë luksin që jenë kthyer në qytete policentriste përsa i përket zhvillimit urban,por ato janë tashmë të  tilla përsa i përket demografisë së prejardhjes së banorëve që i kanë populluar ato pas migrimit të brendshëm që nisi në fillim të viteve  90’.Respektimi edhe i këtij faktori do ti sillte elektoratin më afër alternativave partiake por do tu jepte dhe legjitimetin e duhur liderëve të rinj.
Komente të shumta shoqëruan dhe do të vazhdojnë të shoqërojnë intervistën e amasadorit Arvizu,përfundime dhe dilema të shumta u sqaruan nga analistë të ndryshëm, por le të shpresojmë se ajo do të lexohet mirë përmes rreshtave edhe nga politikanët sidomos në pjesën kur flitet për ta dhe të ardhmen e tyre pasi duke mbajtur frerët në dorë të këtij vendi me zgjedhjet e tyre mund të kontribuojnë për mirë ose keq.Por ata e dinë,ashtu si dhe të gjithë ne se historia mban mend për mirë ata që gjithmonë bëjnë zgjedhjet më të mira për vendin e tyre ndaj sfidat e tyre personale le ti kthejnë në sfida të përgjithshme të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit.



Sunday, 24 July 2011

Sektori publik dhe polarizimi i shoqërisë








Nuk besoj se ndaj ndonjë sekret të madh me lexuesit kur them se në Shqipëri ka biznese që punojnë me dy bilance, njërin të vërtetin ku shënohet realisht sesa shpenzohet dhe fitohet dhe tjetri për t’u paraqitur para Tatim-Taksave ku zakonisht shpenzimet janë pothuajse sa fitimet ose këto të fundit janë minimale. Është e tepërt të theksoj se këto taksa të mospaguara zvogëlojnë buxhetin e shtetit dhe për rrjedhojë ka më pak investime publike, shkolla, rrugë dhe rritje të cilësisë së jetesës së qytetarëve. Ajo që të bën përshtypje është se ky perceptim i cili tashmë i kalon kufijtë e një legjende urbane nuk është kaq i prekshëm nga autoritetet shtetërore që paguhen nga taksat tona për të ruajtur dhe administruar taksat tona, pasi nuk kemi parë ndonjë reagim shumë të fortë në këtë drejtim për këta 20 vjet. Meqenëse ligjërimi po kthehet pak në absurd po mundohemi ta shkoqisim pak më hapur duke pyetur drejtpërdrejt se politika toleruese që ndiqet ndaj biznesit është e veçantë apo ka një shtrirje më të gjerë?



Po të shikojmë shkujdesshim, pasi dukuria është shumë e përhapur dhe nuk meriton vëmendje të veçantë për ta dalluar shikojmë se ky dyzim apo motërzim i dukurive të administrimit të shtetit apo të jetës publike brenda sferës publike ashtu si dhe në legjendat folklorike ballkanike që i gjen gjithandej me dy variante, e gjejmë dhe atë me dy variante dhe të shtrirë kudo. Kështu p.sh kemi dy shëndetësi, një publike në të cilën qytetari që paguan taksat shkon për të marrë shërbim, por nuk e merr, sepse nuk ‘paguan” punonjësit e sistemit, një tjetër shëndetësi që quhet dhe kjo “publike” ku çfarëdolloj qytetari qoftë i siguruar ose i pasiguruar merr shërbimin e duhur, sepse u jep ryshfet punonjësve të shërbimit. Sërish është e tepërt të them se pagesa që nuk bën qytetari në rastin e parë mund të ketë emërtime të ndryshme, si “kafe”, “qokë”, “detyrimet”, pasi ato janë bërë pjesë e zhargonit tonë të përditshëm në përvojën që kemi me shërbimin shëndetësor dhe sektorë të tjerë të jetës publike. Një i tillë p.sh është dhe arsimi ku një pjesë e madhe e nxënësve dhe studentëve marrin njohuri të pamjaftueshme në klasa dhe grupe që kalojnë çdo normë të lejueshme për një klasë normale dhe që vlerësohen me një notë jo kaluese, kaluese, të mirë apo shumë të mirë jo vetëm në bazë të përgjigjeve të tyre, por dhe sepse një pjesë e tyre ka ndjekur leksione private në numër më të vogël studentësh në arsimin tjetër që quhet dhe ai “shtetëror”, pasi përdor asetet e shtetit për të organizuar kurset private, por pagesa kalon në xhepat e pedagogut. Edhe me këtë praktikë qytetari shqiptar është shumë i njohur, pasi është ndeshur shpeshherë me rastet kur fëmijët e tyre nuk marrin dot më tepër se një notë mesatare, situatë e cila ndryshon si me magji sa kalon në klasën tjetër private të mësimdhënësit.



Natyrisht që këto sjellje të mësipërme në dy sektorë jetikë të mbarëvajtjes së jetës publike të një vendi i kalojnë çdo normë të moralit dhe janë të dënueshme me ligj nën kategorinë e neneve për korrupsion, por ashtu si është e njohur për qytetarin shqiptar është shumë e vështirë për të gjetur drejtësinë në Republikën e Shqipërisë, pasi dhe ajo vuan nga dy standardet dhe qëndrimet e mësipërme. Njëra drejtësi është ajo që jepet duke respektuar rigorizorisht Kushtetutën dhe Kodin Penal, tjetra është ajo që jepet në bazë të “dritareve në ligj” që gjenden pas një “rishqyrtimi të kujdesshëm” të Kodit Penal nën shembullin e kadiut të vjetër otoman që përshkruan poeti bejtexhi i shekullit XVIII Hasan Zyko Kamberi në poezinë e tij “Paraja” se kur “kadiut i tregon paranë/ters e vërvit sherianë”. Sheriati nuk zbatohet më në Shqipëri që në vitin 1912, por pasioni për paranë me sa duket ka mbetur përcaktues për standardet e drejtësisë shqiptare.


Parë me syrin kritik të një vëzhguesi të jashtëm të jetës shoqërore në Shqipëri, nuk është e vështirë të përcaktosh se në fakt, në Shqipëri brenda sferës publike ka dy lloj shërbimesh, njëri shtetëror dhe tjetri “privat”. I pari, i cili mbahet me taksat tona është kthyer prej kohësh në kalvarin tonë, pasi nuk përfitojmë ndonjë gjë të madhe prej tij, ndërsa i dyti i cili sërish mbahet nga taksat, por dhe xhepat tanë është kthyer për ata që e administrojnë (përfituesit) në minierë ari. Në fakt, ky i fundit shërben dhe si etaloni matës për të ilustruar polarizimin e shoqërisë që për fat të keq sa vjen e po bëhet më i madh në Shqipëri. Politikani dhe Kryeministri britanik, Benjamin Disraeli (1814-1881) duke pasur parasysh pabarazinë e madhe në shpërndarjen e pasurisë dhe të të ardhurave që po shfaqej dukshëm në Britaninë e shekullit të XIX, paralajmëroi ndarjen e rrezikshme që po ndodhte në gjirin e kombit-shtet të Britanisë në “kombin e të pasurve” dhe ‘kombin e të varfërve”. Për të një ndarje e tillë rrezikonte unitetin e kombit, harmoninë sociale dhe vetë sistemin politik qeverisës. Paralajmërimi i tij është shumë aktual për situatën në Shqipëri pas zhvillimit të vrullshëm të ekonomisë së tregut për më se 20 vjet jo vetëm për të ndërmarrë reforma efikase në të gjithë sektorët publikë, por dhe për të mos lejuar më kohezionin social dhe për t’u kujtuar klasave shoqërore dhe individëve detyrimet sociale që kanë ndaj shoqërisë.

Gazeta Shqip, 24.07.2011, fq 9


Tuesday, 19 July 2011

Problemet shqiptare



      Termi problemi shqiptar ka kohë që është bërë pjesë e fjalorit politik europian. Gjithsesi, kuptimi i tij nuk ka mbetur statik gjatë gjithë kohës, por ka fituar tre konacione dhe ngjyrime të ndryshme që nga momenti që ai është përdorur për herë të parë. Natyrisht, fillesat e termit gjenden në vetë kompleksitetin dhe vështirësinë e politikave që ndoqën Fuqitë e Mëdha në rajon në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe për këtë gjë nuk mund të fajësohen shqiptarët se politika që u ndoq ndaj tyre do të krijonte një problem të vërtetë për diplomacinë botërore në vitet në vazhdim. Ata thjesht u zgjodhën për t’u sakrifikuar kinse për të shpëtuar paqen në rivalitetet ruso-austriake në Ballkan, paqe e cila nuk ia vlejti, sepse një vit më vonë më 1914, lufta e madhe filloi.
Nga ana tjetër shqiptarët me ato pak kapacitete dhe forca që kishin në dispozicion bënë ç’është e mundur që në deklaratën e tyre të pavarësisë të këmbëngulnin se po themelonin shtetin e të gjithë shqiptarëve dhe rrjedhimisht t’u linin brezave një testament politik të dëshirës dhe shtrirjes së vërtetë të atdheut të tyre. Ky testament politik i etërve të kombit sigurisht që nuk ra në vesh të shurdhër dhe për një kohë të gjatë u bë një emërues i përbashkët i ëndrrave romantike, por dhe politike të bashkimit kombëtar.
    Ky realitet i trishtë i shqiptarëve të ndarë mes shteteve fqinje dhe përpjekjeve të ethshme të këtyre të fundit për ti asimiluar, prodhonte dhe destabilitet në rajon ndaj Fuqitë e Mëdha me dashjen apo mosdashjen e tyre ishin të detyruara ta trajtonin. Kështu që në fillim të viteve të shekullit XX pas vendimeve të Konferencës së Londrës, ku një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u lanë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, me problem shqiptar nënkuptohej çfarëdolloj përpjekje për bashkim të shqiptarëve dhe shqetësimi që u krijohej nga kjo përpjekje kancelarive të Fuqive të Mëdha. Edhe pse në disfavor të shqiptarëve u ndërmorën vendime që siguronin tërësinë e kufijve të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe Greqisë në konferencën e Paqes në Paris më 1920 dhe në atë të Parisit më 1946, vendime që nuk rishikonin gabimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe kufijve të tyre, ëndrra e bashkimit kombëtar nuk u zbeh, por u transmetua nga brezi në brez si një amanet i paplotësuar.
   Lufta e Kosovës 1998-1999 tregoi se problemeve të cilat përpiqesh që t’i fshehësh me tisin e historisë ringjallen sërish sa mbeten të pazgjidhura. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës janë premisa të mira që tregojnë se problemit shqiptar të krijuar një shekull më parë mund t’i vijë fundi, pavarësisht faktit që qarqe të ndryshme europiane kanë shumë vite që po investojnë politikisht që problemin shqiptar të mbetet vetëm në kuadrin e dy shteteve dhe jo të njësimit në një. Zhvillimeve që jep liria politike që gëzojnë sot shqiptarët në rajon nuk do të mund të kontrollohen nëse kombi shqiptar do të dëshirojë të bashkohet nën shembullin klasik të bashkimeve kombëtare. Por a është kjo gjë e mundur? A është ky bashkim më tepër një realitet romantik i elitave shqiptare sesa i përgjigjet një realiteti të vërtetë në terren? Demokracia dhe liria politike e të shprehurit ka shumë forma në dispozicion për t’i dhënë përgjigje këtij problemi. Një nga ta është dhe referendumi, zhvillimi i të cilit me të vërtetë do të ishte përgjigjja më e sinqertë e asaj se çka dëshirojnë shqiptarët dhe jo e hamendësimeve dhe teorive integruese që dëgjohen përditë nga të huajt në emër të shqiptarëve!
Liria politike është e lidhur ngushtë dhe me lirinë ekonomike, një realitet që kombi shqiptar po e përjetëson potencialisht gjatë këtyre viteve. Mungesa e lirisë ekonomike dhe kolapsi i ekonomisë së centralizuar bëri të mundur për fat të keq që në fillim të viteve ‘90, emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve të shoqërohej me emigracionin e jashtëligjshëm dhe gjithë fenomenet që e shoqërojnë atë si krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi i lëndëve narkotike dhe qenieve të gjalla. Ishte e natyrshme që kjo valë emigracioni e pakontrolluar të krijonte shqetësime në Europë ndaj dhe Bashkimi Europian nëpërmjet strategjive të tij u mundua që t’i minimizonte maksimalisht efektet negative të këtij emigrimi. Masat e marra ndaj këtyre fenomeneve dhe parashtrimi i agjendës së integrimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian përcaktoi dhe piketat e një politike të re në rajon duke bërë të mundur që termi problemi shqiptar, të marrë një ngjyrim të dytë në fjalorin diplomatik të kancelarive europiane duke nënkuptuar integrimin e vështirë dhe të zgjatur të një vendi drejt strukturave Euro-Atlantike.
   Për fat të mirë, falë remitancave të emigrantëve, grandeve të Bashkimit Europian dhe SHBA dhe një sërë reformash të ndërmarrë në vend, Shqipëria në prill të 2009 u pranua anëtare e plotë e NATO-s duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm për t’u integruar dhe në Bashkimin Europian, pasi pranimi në NATO është konsideruar për të gjitha demokracitë e ish-Lindjes komuniste si paradhoma të integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Duke u bazuar në realitet e mësipërme prej vitit 2009, Shqipëria gjithashtu ka dorëzuar kërkesën për të qenë vend kandidat i Bashkimit Europian, kërkesë që u shqyrtua me seriozitetin më të madh nga ky institucion duke i përcjellë pyetësorin përkatës për ta plotësuar. Shqipëria, në një kohë rekord e plotësoi këtë pyetësor të madh duke iu përgjigjur sinqerisht pyetjeve të bëra aty, por për shkak të problematikës politike që shoqëroi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe klimës së thatë të dialogut politik midis dy partive më të mëdha në vend, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive për fillimin e negociatave.
   Çfarë po ndodh me rastin shqiptar, ku Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë se rruga drejt tij kalon nëpërmjet një plani prej 12 pikash ku dialogu politik mban peshën kryesore, ka filluar të konsiderohet sërish si problemi shqiptar, por sigurisht kësaj radhe me një ngjyrim dhe konacion të ri. Ky term nënkupton në kancelaritë e Europës shembullin tipik të një demokracie jofunksionale dhe të një klase politike të paaftë që të ndërtojë një dialog konstruktiv mes vedi. Është për të ardhur keq, që pas një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian, dera e treguar për t’u trokitur dhe për t’u hapur në të njëjtën kohë me dashamirësi, nuk po gjendet dot, sepse klasa politike e tyre e ka mendjen t’i vë stërkëmbësha njëri-tjetrit duke mos arritur asnjëri aty. Nëse problematika e dy problemeve të para shqiptare në shumë raste nuk vareshin vetëm nga vullneti i shqiptarëve, ky i fundit varet tërësisht nga ta. Është përgjegjësia e tyre dhe dëshmi e pjekurisë së tyre politike se ku dëshirojnë ta shikojnë veten e tyre. Por a do të mundin dot shqiptarët dhe klasa e tyre politike ta kapërcejnë veten dhe të fillojnë të plotësojnë 12 pikat e BE-së për të siguruar kandidaturën e vendit kandidat? E thënë me fjalët e komisionerit Fule, dera është aty e hapur. Por si? E thënë dhe e stërthënë kaq herë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, analistë dhe dashamirës të Shqipërisë, le të fillojmë dialogun politik. Mjaft më! Koha nuk pret! Shqipëria duhet bërë europiane!



Friday, 15 July 2011

Parlamentet shqiptare









Në kohën e regjimit komunist, për të stigmatizuar regjimin e mbretërisë në një antologji të muzës popullore, u botua një anekdotë për deputetët shqiptarë që nuk dinin ç’do të thoshte fjala buxhet. Me fjalë të tjera, pasi diskutohej në seancën parlamentare për buxhetin e shtetit, dikush nga deputetët ngrihej nga vendi dhe pyeste: Ju lutem të ngrihet në këmbë z. Buxhet që ta njohim, sepse po dëgjojmë shumë për të.


Përtej groteskes dhe denigrimit që mundohej të përcillte kjo anekdotë, në të mund të gjeje pak gjurmë të së vërtetës, pasi sistemi i vlerave që ne kemi ndërtuar asnjëherë nuk ka qenë i ngritur mbi meritokracinë, por mbi interesat e ngushta klanore, provinciale dhe besnikërie të dyshimtë ndaj udhëheqësve. Në listat e deputetëve që kanë shërbyer në Parlamentin e mbretërisë, përveç hartuesve të statuteve të para të vlefshme të Shqipërisë kanë shërbyer dhe krahinorë të rëndomtë që kishin influencë në krahinat e tyre dhe si rezultat, ishin një element i rëndësishëm për mbretërinë e brishtë shqiptare, udhëheqës të fuqishëm fisesh që nuk i kalonin arsimimin më shumë se shkallët e një mejtepi të Perandorisë Otomane apo dhe aventurierë, që pasi kishin dështuar të arsimoheshin në Perëndim, kishin gjetur si strofull politikën, pasi vetëm aty mund të shisnin dhe blinin pallavrat e tyre.


Kriteri i kryesor i përzgjedhjes së tyre, sigurisht që ishte besnikëria ndaj mbretit, kriter i cili besohej se do i jepte vazhdimësi mbretërisë dhe sistemit politik e të vlerave të saj. Në panagjerikët e shumtë që janë botuar më 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, mund të gjesh shumë fjalime dhe nota besnikërie të parlamentarëve shqiptarë ndaj mbretërisë dhe mbretit, aq sa të jepet ndjeshmëria të besosh se regjimi monarkik dhe vlerat e tij do zgjasnin 1000 vjet. Në fakt, dy vjet më vonë, kur Mbretëria shqiptare u shkërmoq si një kështjellë në rërë përballë agresionit fashist të 7 prillit 1939 dhe vetëm 5 ditë më vonë, më 12 prill shumica e përfaqësuesve “besnikë” të Parlamentit të para 7 prillit 1939, u mblodhën në një asamble kushtetuese, ku po i njëjti kryetar, Xhafer Ypi shpalli rrëzimin e regjimit monarkik në Shqipëri, bashkimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe afrimin e kurorës shqiptare mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III.


Kjo ndoshta mund të kishte qenë një nga goditjet më të mëdha që një udhëheqës mund të kish pësuar në karrierën politike të tij, që pas 15 vjetësh me radhë në pushtet nuk kish qenë në gjendje të krijonte një trashëgimi të qëndrueshme politike. Por ajo që mund të ishte e vlefshme për sisteme politike të ngritura mbi vlera demokratike, nuk ishte e vërtetë për sisteme gjysmë demokratike siç ishte mbretëria shqiptare. Ndaj, në dokumente të kohës gjen letërkëmbime të Mbretit Zog në emigrim me ish-anëtarët e vet “besnikë” të Parlamentit, të cilëve u bën thirrje që t’i bashkoheshin atij sërish, sikur të mos kish ndodhur gjë më parë, sigurisht pa harruar të theksojë se këto aleanca të reja politike bëhen në emër të Shqipërisë dhe kombit, por që një studiues i vëmendshëm s’e ka vështirë ta kuptojë se më shumë kishin të bënin me rikthimin e tij si mbret në Shqipëri.


Për fat të keq, tradita e formuar mbi bazën e këtyre aleancave të dyshimta interesash të ngushta personale, që shpesh herë në ditët e sotme përpiqen të na i shesin si kompromise dhe konsensuse të suksesshme politike, ka qenë pjesë e kulturës sonë institucionale jo vetëm gjatë regjimit diktatorial, por dhe në 20 vjet demokraci. Parlamenti shqiptar i pas viteve 90’ nuk ka përfaqësuar vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare, por ka mbartur mbi shpinë gjithë këtë trashëgimi jo të qëndrueshme institucionale, duke e pasuruar dhe më shumë në këtë drejtim. Sot jemi dëshmitarë të një lufte mediatike të paskrupullt, ku qytetarëve shqiptarë u duhet të durojnë me patetizëm hartimet mediokre të besnikërisë së deputetëve ndaj shefave të vet politikë, jo për të çuar përpara kauza të mëdha siç janë lufta kundër korrupsionit apo integrimi europian i vendit, por sigurimin e vendit në listën pasardhëse të zgjedhjeve të tjera. Sistemi elektoral me listat e hartuara nga kryetarët e partive ka zbehur çfarëdolloj dinjiteti njerëzor apo pavarësie mendimi politik të deputetëve, duke i kthyer në Arkelinë dhe Pucinella të mjeshtërve të mëdhenj të gënjeshtrave – udhëheqësve politikë të partive. Reforma e re elektorale duhet të rikthejë nocionin e llogaridhënies së deputetit para elektoratit të vet si një nga kushtet bazë për ndërtimin e një demokracie të shëndetshme, në të cilën elektorati do të ketë mundësinë dhe përvojën që t’i zgjedhë apo t’i “djegë” kandidaturat e paraqitura.


Sunday, 26 June 2011

Dialog apo monolog politik?



       Dialogu politik është një nga tiparet kryesore të një demokracie funksionale. Si i tillë ai duhet të funksionojë dhe të gjenerojë mendime të reja nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe përforcimit të koncepteve bazë të komunikimit në një shoqëri moderne. Koncepte të tilla mund të jenë etika, kultura profesionale rreth temës që debatohet dhe përcaktimi i qartë i qëllimit të dialogut. Sigurisht parë në një këndvështrim të tillë teorik është e vështirë që të evidentosh nëse debati politik në Shqipëri i përmbush këto parime. Ky konstatim nuk vjen sepse shoqëria shqiptare, duke qenë se vjen nga një kulturë e ulët e dialogut politik për arsyen se në diktaturë nuk kishte një dialog të mirëfilltë politik, por një inskenim ideologjik të tij që i përngjante më shumë një monologu në formën e pyetjeve retorike që s’kërkonin përgjigje, por dhe për arsyen e thjeshtë se dialogu politik ka pushuar së ekzistuari në vend. Ky realitet nuk mund t’i faturohet vetëm situatës së nderë midis dy palëve që po mbizotëron tashmë në jetën politike të vendit, por është një realitet i ndjeshëm për pothuajse dy vjet në Shqipëri. Është e tepërt që të nënvizojmë sërish pasojat negative që i vinë vendit nga mungesa e dialogut politik, pasi besoj ato janë të ditura dhe të prekshme për çdo qytetar shqiptar, por besoj se është e nevojshme që të analizohet se ku mund të gjenerojë ai për të ndërtuar sërish besimin mes palëve dhe për të përsosur demokracinë nga ajo populiste në dialogun e elitave.
       Sigurisht që skeptikët mund të kundërshtojnë se në fakt, në Shqipëri, prej kohësh nuk ka një demokraci populiste por ajo shfaqet dendur në debatin e elitave në televizor-mediumi, që ka zëvendësuar “agoranë” e vjetër-vendit ku zhvilloheshin dialogët e famshëm në demokracisë antike greke. Nuk e vë në dyshim se njerëzimi me shpikjen e televizionit, që Borhesi e quan një “zgjatim të pamjes njerëzore”, ka përfituar mjaft për të përsosur ilustrimin e dijeve të veta të akumuluara gjatë shekujve, por me zhvillimin që ka marrë media televizive në kohët e sotme, ajo nuk ka mbetur vetëm në rolin ilustrues, por ka shumë kohë që ka marrë dhe rolin instruktues në shoqëri. Nuk di sesi do të arrinte ta përkufizonte Borhesi tashmë këtë zhvillim, por duke u përpjekur që të hyjmë në logjikën e tij, kur përkufizoi televizionin, mund të themi se tashmë qytetërimi e ka ndërtuar zgjatimin e lartët të “agorasë” apo “forumit” e vet për të debatuar publikisht çështjet e tij kryesore. Natyrisht që në këtë përcaktim nuk mund të mos dallojmë me pozitivitet që njerëzimi ka arritur të ringjallë një nga format e vjetra të komunikimit të tij publik, por nga ana tjetër vërejmë se këto forume nuk janë aq demokratike sa në të mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët që e ndiejnë veten të aftë për të komunikuar diçka të rëndësishme komunitetit. Si të tilla të kthyera prej kohësh tashmë në qarqe të mbyllura, ku nuk lëviz as gjenerohet mendim i ri, por përvijohet më tepër rreshtim politik dhe konkurrim tipik ballkanik për të poshtëruar apo ulur kundërshtarin, mediumi i televizionit nuk mund të quhet më vendi i debatit politik.
      Televizionet dhe studiot e tyre nuk janë vendet e përshtatshme për të rigjeneruar dialogun politik dhe sidomos njerëzit e atashuar jashtë partive politike në formën e të ashtuquajturve analistë të pavarur, si njerëz që hyjnë në ekipet drejtuese vendimmarrëse nuk mund të përfaqësojnë mendimin e shëndoshë të së majtës apo së djathtës në Shqipëri. Ky konstatim është i drejtë, jo sepse në vendet me demokraci të konsoliduara nuk ekzistojnë debate dhe analistë të tillë, por në Shqipëri ashtu si e ka treguar koha, shoqëria shqiptare vazhdon t’i nënshtrohet ligjit të tregut dhe ofertës dhe në botën e ideve. Në këtë mes nuk bëjnë përjashtim dhe shumë figura publike, të cilat i kemi parë të rreshtuar në pozicione të ndryshme gjatë këtyre viteve dhe për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur, sepse ky rreshtim ka përfaqësuar dhe bindjen e tyre politike, por sepse ashtu si është evidentuar lehtë më pas, i kanë shërbyer ofertave për justifikuar me oratorinë e tyre veprimet e mbrapshta të njërës apo tjetrës palë.
        Si oratori të tilla pa tharmë të vërtetë të kundërshtimit qytetar, fjala e tyre televizive ka ndërtuar strukturat e monologut politik që qytetarëve ashtu si dhe spektatorëve në teatër mund t’u duhet për të evidentuar sesa botë e pasur ideore dhe shpirtërore kanë personazhet kryesorë, por ajo që me të vërtetë mat në teatër por dhe jetën publike të një vendi është aksioni politik i nisur nga qytetarët, për qytetarët dhe t’u shërbejë qytetarëve-një formë e hershme kjo e demokracisë funksionale. Partitë politike shqiptare duhet t’i rikthehen formave të demokracisë së brendshme për të rigjeneruar në fillim dialogun e brendshëm midis fraksioneve dhe pastaj të iniciojnë dhe një gjenerim të gjithë dialogut politik në vend. Kjo do t’i japë një frymëmarrje më të gjerë demokracisë pasi dhe politika si të gjitha fushat e tjera ku kërkohet njohja empirike e problemeve, i nënshtrohet maksimës se “nëse do të hash peshk, duhet t’i lagësh këmbët”. Në këtë rast, angazhimi politik i personave publikë është ai që mund të risjellë vlerat e dialogut ndërpartiak në Shqipëri dhe të harmonisë sociale aq shumë të mirëpritur.


Monday, 20 June 2011

Antieuropianizëm i papërligjur



Rreth njëzet vjet më parë nisi ëndrra europiane e Shqipërisë. Ajo nuk ishte një lëvizje intelektuale e iniciuar nga lart-poshtë nga reformat e ndërmarra, por ishte një shpërthim popullor që pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm po përpiqej të rigjente vetveten brenda familjes europiane. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe që kish përqafuar një retorikë antieuropiane për sa i zhvillimit ekonomik dhe institucioneve demokratike të saj, ndenja proeuropiane në Shqipëri mori përmasat gati-gati të një “besimi” të ri. Gjithandej në fillim të viteve ‘90 mund të gjeje “europianistë të thekur” në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe një besim të patundur se Shqipëria shumë shpejt do të ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. Ashtu si të gjitha lëvizjet shpirtërore dhe idealiste që kur fillojnë në fillim duhet të kundërshtojnë atë çka ka mbajtur peng dhe përkeqësuar situatën, edhe lëvizja europiane nisi fillimisht duke rrëzuar idhujt e rremë që mbizotëronin në Shqipëri. Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha dhe thirrjet e brohorimat e duam “Shqipërinë si gjithë Europa”, respektimi i një statuje tjetër aty, ajo e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, njeriut që rreth 500 vjet më parë kish udhëhequr ëndrrën europiane të shqiptarëve ishin sinjale të forta që vendi ish-komunist po e braktiste ishullin e vetmuar të socializmit dhe po përqafonte paradigmën e madhe të lirive humane dhe civile.


Ky entuziazëm i shqiptarëve gjeti dhe shprehjen e vetë politike në pothuajse të gjitha programet e partive politike që u themeluan menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik. Integrimi europian u bë dhe kryefjala e programeve qeveritare dhe nismave që ndërmori qeveria e parë shqiptare e vitit 1992. Mirëpo, jo më pak se një vit pas formimit qeverisë së parë demokratike shqiptare, Bashkimi Europian në mbledhjen e vet në Kopenhagën, më 21-23 qershor 1993, i preokupuar për t’u dhënë një përgjigje aplikimeve që po merrte nga të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste, përcaktoi qartë kriteret politike dhe ekonomike që një vend duhet të plotësonte për t’u anëtarësuar në këtë organizëm. Që nga ajo kohë kriteret e Kopenhagës u bënë pjesë e fjalorit politik të diskutimeve midis qeverive të vendeve që aspironin të pranoheshin në këtë organizëm dhe Bashkimit Europian. Në qeverisjet demokratike, që kanë si bazë transparencën si një nga parimet bazë të demokracisë liberale, qytetarët duhet të informohen për gjithçka që lidhet me ta dhe të ardhmen e tyre. Nuk e di sesa dhe sesi është perceptuar ndër qytetarët shqiptarë procesi i integrimit, por ajo që dëgjohet rëndom nëpër biseda është avazi i një violine që ka filluar të shndërrohet në një orkestër.


Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë kanë filluar të mendojnë se Shqipëria e meriton prej kohësh integrimin e plotë dhe se kriteret që kërkohen të plotësohen nga Bashkimi Europian janë thjesht një alibi e këtij të fundit për ta vonuar këtë proces. Ky opinion tinëzar, që shpeshherë në mënyrë të fshehtë është iniciuar dhe nga politika që në këto njëzet vjet nuk ia ka arritur qëllimit që të jetë në të njëjtin nivel dhe të politikave të vendeve të tjera që tashmë janë integruar, është një opinion i pabazë dhe i dëmshëm. Ai është i pabazë, sepse qoftë dhe me një shikim të shpejtë të kritereve politike të Kopenhagës mund të kuptosh se Shqipëria të paktën në dy nga pesë kriteret ka probleme serioze në stabilitetin e institucioneve, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë që jo vetëm kanë qenë shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, por dhe kanë qenë dhe të paralizuar si dhe me vënien në jetë të shtetit të së drejtës, ku shpeshherë kemi parë të drejtat e dhunuara të qytetarëve si pasojë e korrupsionit të madh në drejtësi. Po kështu, për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka probleme në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues ekonomik të forcave të tregut në funksionimin e Bashkimit Ekonomik Monetar.


Antieuropianizmi i papërligjur që shpeshherë ka filluar të zërë vend në opinionet e njerëzve nëpërmjet perceptimit të gabuar të kritereve të Kopenhagës, është i dëmshëm, pasi krijon ndjenjën e frustrimit dhe të mënjanimit në diskursin e popullsisë. Bashkimi Europian është dhe mbetet një nga partnerët dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë që, nëpërmjet ndihmës së vet, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zbatimin dhe përmirësimin permanent të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve në Shqipëri. Nëse kjo ndihmë është perceptuar veçse si një çezmë me “qumësht e mjaltë” që kurrë nuk shteron, ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se plotësimi standardeve është rruga që të çon vërtet te burimi, pa pasur nevojë që të vazhdojë akoma të pinë ujë çezme.


Thursday, 16 June 2011

Një 10 qershor i harruar...









Fjala kuvend në shqip vjen nga fjala latine conventio, e cila do të thotë takim njerëzish. E hyrë shpejt si huazim në shqip, ndoshta që nga kontaktet e para me botën latine, fjala kuvend ka marrë atributet e një fjale të leksikut bazë të shqipes. Mirëpo fjala conventio, e shndërruar në kuvend në shqip, ashtu si ndodh shpesh në leksikologji, e ka lënë kuptimin e saj fillestar dhe ka marrë një ngarkesë tjetër semantike. Sot, të gjithë ne e dimë se fjala kuvend nënkupton një takim të rëndësishëm politik apo kulturor, të ndërmarrë me një qëllim të rëndësishëm. Për më tepër kjo fjalë në shqip është gjendur si fjala e përshtatshme që të zëvendësojë fjalën anglo-saksone parlament në fjalorin politik shqiptar. Në këtë vendim, të ndërmarrë nga gjuhëtarët tanë, i cili për hir të së vërtetës dhe është paragjykuar duke i bërë një lidhje se është marrë për t’iu përshtatur emërtimit të ish-Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, në fakt ka mbizotëruar principi i kujtesës historike të thirrjes së kuvendeve shqiptare në Mesjetë.


Kështu, p.sh. më i famshmi mes tyre është Kuvendi i Lezhës (1444) që solli dhe krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës, formacionit politik që përfaqësonte fisnikërinë shqiptare në konflikt të hapur në atë kohë me otomanët. Por tradita e kuvendeve shqiptare nuk përfundoi aty. Numërohen edhe rreth tri kuvende të tilla që u ndërmorën në shekullin XVI-XVII si takime të rëndësishme të fisnikërisë shqiptare, që sërish kërkonte të arrinte bashkim politik për t’i mbijetuar furisë osmane. Gjithsesi, edhe pse fati i tyre nuk ishte i njëjtë si ai i Lezhës, pasi nuk arritën që të realizonin një nga qëllimet kryesore për të cilin ishin mbledhur, çlirimin e tokave shqiptare nga otomanët, mbledhja e tyre shërbeu mesa duket për të përforcuar kuptimin semantik të fjalës kuvend në gjuhën shqipe. Kjo gjë dëshmohet se dhe në periudhat e mëvonshme sa herë që pati takime të rëndësishme politike të shqiptarëve, ato u quajtën kuvende.




Mes tyre spikat Kuvendi i shqiptarëve në Prizren, më 10 qershor 1878, kuvend që bëri të mundur edhe lindjen e një formacioni të ri politik, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.


Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.


Sot shqiptarët, edhe pse mund të quhet se janë përkëdhelur disi nga fati, pasi gëzojnë lirinë më të madhe politike se asnjëherë më parë, kanë mes tyre problemin e demokracive që nuk i kanë funksionale. Kjo gjë ndihet më së tepërmi në Shqipëri, ku pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni besoj se shqiptarët e Shqipërisë mbetën “delet e zeza” mes popullsive shqiptare në rajon për sa i përket këtij problemi. Pas vitit 1990, vit që e konsiderojmë si vitin e themelimit të demokracisë liberale, në Shqipëri pati vetëm lëvizje sociale dhe turbullira ekonomike, por nuk u organizua asnjë kuvend i ngjashëm si në të kaluarën nga elita politike shqiptare për të ardhmen. Në mënyrë të pakuptimtë u mohua një pjesë e mirë e kujtesës historike dhe vendi nuk mundi të dalë tërësisht i pajtuar dhe me energji të reja në skenën e re politike të Ballkanit. Mesa duket parimi dialektik i dy të kundërtave që kish qenë për një kohë të gjatë parim ushqyes i filozofisë së elitës shqiptare, nuk linte vend për një kuvend gjithëkombëtar, por kërkonte që të mbante me patjetër dualitetin e frikshëm të kundërvënieve politike dhe sociale. Pasojat e kësaj politike i shikojmë sot, ku shqiptarët të ndodhur në hyrjen e Bashkimit Europian nuk ndërmarrin dot një plan veprimi për të përmbushur 12 pika që iu kërkuan t’i plotësonin për të marrë një anëtarësim të shpejtë. Në këtë kuadër, 10 qershori dhe mesazhet e tij si hapi i parë i theksimit të të qenët europian i shqiptarëve merr një rëndësi të veçantë. Ndaj në respekt të atyre burrave që besuan se kjo popullsi e territore që ndanin një kulturë e gjuhë të përbashkët mund të krijonin një komb më vete, duhet që elita politike e sotme të ndërmarrë hapin e madh për organizimin e një kuvendi të tillë të shqiptarëve. Në fakt, më tepër se respekt ndaj tyre, këtë gjë ia detyrojmë vetes nëse vërtet dëshirojmë të mbetemi në thelb europianë dhe të jemi pjesë integrale e Europës.