Intervista e ambasadorit amerikan z Aleksander
Arvizu e zhvilluar në Ora News me gazetaren Ilva Tare u prit me shumë interes
në jetën publike dhe politike të vendit. Ky interes i madh publik vinte sa
ngaqë intervista ishte e para e dhënë pas përfundimit dhe çertifikimit të
rezultatit të zgjedhjeve lokale të 8 majit por dhe nga fakti se ka një interes
të madh publik në vend, për një sërë
çështjesh të tjera ku ambasada amerikane me qendrimet e saj ka qenë
protagoniste e ngjarjeve në Shqipëri. Gjithsesi pritshmëria e publikut mund të
mos ishte e madhe pasi është i njohur
gjerësisht fakti se në diplomaci jo gjithmonë ka një raport të drejtë midis
interesit publik të etur për të ditur sa më shumë rreth ngjarjeve dhe gjuhës së
thatë diplomatike.Diskursi politik në të tilla raste është i mbushur gjithë metafora e simbole që tentojnë
ti japin fjalëve ngjyrime abstrakte dhe asnjanëse dhe ti largohen sa më shumë së
realitetit. Mirëpo, intervista e z Arvizu kësaj radhe për fat të mirë nuk ishte
e këtij lloji.Ajo i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e publikut dhe ishte disi e
veçantë , pasi për herë të parë që nga akreditimi i tij në Shqipëri, z Arvizu
foli drejtë për së drejti për ngjarje dhe personaze me data dhe emra të
përveçëm. Kështu qytetarët shqiptarë
përmes ekranit të televizionit u njohën me qendrimin zyrtar të SH.B.A për
ngjarjen e 21 janarit, rreth optikës amerikane përsa i përket antiamerikanizmit në Shqipëri, veprimeve të
prokurorisë dhe forcave të policisë,zgjedhjeve dhe menaxhimit të tyre apo dhe
opinionit të politikës zyrtare amerikane ndaj liderëve shqiptarë. Me këtë rast
z Arvizu hoqi dhe merakun e shumë mendjeve në Shqipëri përsa i përket
politikave që ndjekin ambasadorët duke theksuar se ata nuk bëjnë politikë
personale por zbatojnë politikën zyrtare të shtetit të tyre. Kjo deklaratë
ishte nga pjesët më rëndësishme të intervistës pasi besoj i solli me këmbë në
tokë dhe i zbuloi para opinionit publik një pjesë të madhe të liderëve të politikës
sonë, që sa herë nuk u kanë pëlqyer raportimet dhe deklarimet e amabasadorëve
amerikanë të akredituar në Tiranë kanë nxituar ti etiketojnë si qendrime
personale të tyre.
Nuk ka diskutim se të gjitha çështjet të
diskutuara në intervistë paraqesin një rëndësi të veçantë përsa i përket
forcimit të demokacisë së brendshme në Shqipëri dhe rritjes së imazhit pozitiv
të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare,por mes tyre njëra pati besoj
rëndësi më të madhe përsa i përket dhe së ardhmes së politikës shqiptare. Këtu
i referohem deklarimit të z Arvizu rreth liderve të tranzicionit në Shqipëri,
ku ai vlerësoi në mënyrë të veçantë kryeministrin aktual Sali Berisha dhe
udhëheqësin historik të së majtës Fatos Nanon,por iu rikthye gjuhës diplomatike
kur u pyet rreth Ramës që aspiron të bëhet kryeministër dhe nuk përmendi fare
Metën që ka qenë dhe aspiron të bëhet sërish kryeministër apo Bashën që u
zgjodh kryetar bashkie dhe që mendohet se do të jetë lideri i ardhshëm i së
djathtës shqiptare. Sigurisht,këtu nuk bëhet fjalë për lodra fjalësh apo
nominime të rastit, por për një opinion të krijuar qartë të mbështetur dhe në
opinionet e ambasadorëve të mëparshëm amerikanë.Mirëpo edhe pse mund të ketë
një dozë kënaqësie pas këtyre deklarimeve sidomos nga mbështetësit e të dy
udhëheqësve politik historik në Shqipëri,në fakt kjo deklaratë duhet të na
shqetsojë të gjithë.Ky shqetsim lidhet më tepër me të ardhmen politike në
Shqipëri sesa me përmbushjen e egove politike të brezit të ri. Fakti që aleatët
dhe partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë nuk gjejnë një politikan të ri për ta nominuar
pozitivisht si lider të së ardhmes,por vazhdojnë të mbështeten në elitat e
krijuara dhe formuara para viteve 90’ është shqetsues dhe tregon se gjithë
brezi i ri i investuar në politikë nuk ka arritur të bëhet ende protagonist. Ky
përcaktim edhe pse mund të sjellë zhgënjim
përmban brenda vetes të vërteta të hidhura.
Ideja e prurjes në politikë të emrave të rinj ka
reflektuar një nevojë të brendshme të politikës shqiptare por ka pasur dhe një
bekim ndërkombëtar për të pasuruar me ide dhe aksione konkrete politikën
shqiptare. Ky veprim e ka zanafillën në vitin 2004 ku pas nënshkrimit të Kartës
së Adriatikut më 2003,paradhomës për tu pranuar në NATO dhe fillimit të
negociatave për nënshkrimin e MSA me Bashkimin Evropian u pa e udhës që
politika shqiptare të fillonte të rifreskonte radhët e saj me politikanë të
rinj të formatit të teknokratit përpara se të hynte në këto dy organizma
tërëndësishëm ndërkombëtarë. Krijimi i KOP-it dhe rifreskimi i PS me emra të
rinj në të ashtëquajturën luftë kundër “xhaketave të vjetra” pas humbjes
elektorale më 2005 i shërbeu këtij qëllimi. Mirëpo 7 vjet më vonë, në gjykimin e ambasadës
amerikane rezulton se kontributi i liderëve të rinj në politikë ka qenë shumë
më i vogël krahasuar me atë të liderëve të vjetër. Madje në kabllogramet e
zbulura nga Wikileaks nuk gjen qoftë dhe një koment pozitiv për brezin e ri të
politikanëve.
Por çka ndodhur kështu? Si ka mundësi që e vjetra
ka triumfuar mbi të renë? Dikush mund ta shpjegojë këtë handikap me
eksperiencën politike, por e vërteta ka rrënjë dhe më të thella.Në këtë gjykim
e djathta gjendet dhe më komod se e majta pasi KOP-i edhe pse mund të mos ketë
prodhuar lider të formatit të Berishës, të paktën ka kontribuar shumë në
fitoren elektorale të PD në 2005 dhe në qeverisjen e saj të mëvonshme, kurse e
majta edhe pse hyri në të njëtin proces rigjenerimi pas politikës ‘përtej së
majtës e së djathtës’ të Ramës nuk ka
arritur asnjë fitore elektorale esenciale që ta sjellë në pushtet. Madje edhe
pse ky konstatim tashmë është i dukshëm, PS vazhdon ende të promovojë të
njëjtët individë si lider të brezit të ri që humbjet e njëpasnjëshme elektorale
përpiqen gjithmonë tua faturojnë të tjerëve pa i kërkuar asnjëherë përgjegjësitë
brenda vetes. Kjo politikë dritëshkurtër mund ta lërë PS për një kohë të gjatë
në opozitë por dhe nëse vjen në pushtet kapacitetete saj qeverisëse nuk do të
jenë të shkëlqyera. Politika e vërtetë nuk mund të mbështetet vetëm në imazhe
perfomance televizive por në rezultate të vërteta.Respektimi i disa parimeve
demokratike që mbështeten tek meritokracia dhe kontributi i dhënë në forumet
përkatëse të partisë politike do të bëjë të mundur përzgjedhjen më të mirë të
liderëve të rinj.Tirana,Durrësi dhe Elbasani si qarqe nxjerrin më shumë
deputetë për parlament, mund të mos kenë luksin që jenë kthyer në qytete
policentriste përsa i përket zhvillimit urban,por ato janë tashmë të tilla përsa i përket demografisë së
prejardhjes së banorëve që i kanë populluar ato pas migrimit të brendshëm që
nisi në fillim të viteve 90’.Respektimi
edhe i këtij faktori do ti sillte elektoratin më afër alternativave partiake
por do tu jepte dhe legjitimetin e duhur liderëve të rinj.
Komente të shumta shoqëruan dhe do të vazhdojnë të
shoqërojnë intervistën e amasadorit Arvizu,përfundime dhe dilema të shumta u
sqaruan nga analistë të ndryshëm, por le të shpresojmë se ajo do të lexohet
mirë përmes rreshtave edhe nga politikanët sidomos në pjesën kur flitet për ta
dhe të ardhmen e tyre pasi duke mbajtur frerët në dorë të këtij vendi me
zgjedhjet e tyre mund të kontribuojnë për mirë ose keq.Por ata e dinë,ashtu si
dhe të gjithë ne se historia mban mend për mirë ata që gjithmonë bëjnë
zgjedhjet më të mira për vendin e tyre ndaj sfidat e tyre personale le ti
kthejnë në sfida të përgjithshme të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit.
No comments:
Post a Comment