Sunday, 24 July 2011

Sektori publik dhe polarizimi i shoqërisë








Nuk besoj se ndaj ndonjë sekret të madh me lexuesit kur them se në Shqipëri ka biznese që punojnë me dy bilance, njërin të vërtetin ku shënohet realisht sesa shpenzohet dhe fitohet dhe tjetri për t’u paraqitur para Tatim-Taksave ku zakonisht shpenzimet janë pothuajse sa fitimet ose këto të fundit janë minimale. Është e tepërt të theksoj se këto taksa të mospaguara zvogëlojnë buxhetin e shtetit dhe për rrjedhojë ka më pak investime publike, shkolla, rrugë dhe rritje të cilësisë së jetesës së qytetarëve. Ajo që të bën përshtypje është se ky perceptim i cili tashmë i kalon kufijtë e një legjende urbane nuk është kaq i prekshëm nga autoritetet shtetërore që paguhen nga taksat tona për të ruajtur dhe administruar taksat tona, pasi nuk kemi parë ndonjë reagim shumë të fortë në këtë drejtim për këta 20 vjet. Meqenëse ligjërimi po kthehet pak në absurd po mundohemi ta shkoqisim pak më hapur duke pyetur drejtpërdrejt se politika toleruese që ndiqet ndaj biznesit është e veçantë apo ka një shtrirje më të gjerë?



Po të shikojmë shkujdesshim, pasi dukuria është shumë e përhapur dhe nuk meriton vëmendje të veçantë për ta dalluar shikojmë se ky dyzim apo motërzim i dukurive të administrimit të shtetit apo të jetës publike brenda sferës publike ashtu si dhe në legjendat folklorike ballkanike që i gjen gjithandej me dy variante, e gjejmë dhe atë me dy variante dhe të shtrirë kudo. Kështu p.sh kemi dy shëndetësi, një publike në të cilën qytetari që paguan taksat shkon për të marrë shërbim, por nuk e merr, sepse nuk ‘paguan” punonjësit e sistemit, një tjetër shëndetësi që quhet dhe kjo “publike” ku çfarëdolloj qytetari qoftë i siguruar ose i pasiguruar merr shërbimin e duhur, sepse u jep ryshfet punonjësve të shërbimit. Sërish është e tepërt të them se pagesa që nuk bën qytetari në rastin e parë mund të ketë emërtime të ndryshme, si “kafe”, “qokë”, “detyrimet”, pasi ato janë bërë pjesë e zhargonit tonë të përditshëm në përvojën që kemi me shërbimin shëndetësor dhe sektorë të tjerë të jetës publike. Një i tillë p.sh është dhe arsimi ku një pjesë e madhe e nxënësve dhe studentëve marrin njohuri të pamjaftueshme në klasa dhe grupe që kalojnë çdo normë të lejueshme për një klasë normale dhe që vlerësohen me një notë jo kaluese, kaluese, të mirë apo shumë të mirë jo vetëm në bazë të përgjigjeve të tyre, por dhe sepse një pjesë e tyre ka ndjekur leksione private në numër më të vogël studentësh në arsimin tjetër që quhet dhe ai “shtetëror”, pasi përdor asetet e shtetit për të organizuar kurset private, por pagesa kalon në xhepat e pedagogut. Edhe me këtë praktikë qytetari shqiptar është shumë i njohur, pasi është ndeshur shpeshherë me rastet kur fëmijët e tyre nuk marrin dot më tepër se një notë mesatare, situatë e cila ndryshon si me magji sa kalon në klasën tjetër private të mësimdhënësit.



Natyrisht që këto sjellje të mësipërme në dy sektorë jetikë të mbarëvajtjes së jetës publike të një vendi i kalojnë çdo normë të moralit dhe janë të dënueshme me ligj nën kategorinë e neneve për korrupsion, por ashtu si është e njohur për qytetarin shqiptar është shumë e vështirë për të gjetur drejtësinë në Republikën e Shqipërisë, pasi dhe ajo vuan nga dy standardet dhe qëndrimet e mësipërme. Njëra drejtësi është ajo që jepet duke respektuar rigorizorisht Kushtetutën dhe Kodin Penal, tjetra është ajo që jepet në bazë të “dritareve në ligj” që gjenden pas një “rishqyrtimi të kujdesshëm” të Kodit Penal nën shembullin e kadiut të vjetër otoman që përshkruan poeti bejtexhi i shekullit XVIII Hasan Zyko Kamberi në poezinë e tij “Paraja” se kur “kadiut i tregon paranë/ters e vërvit sherianë”. Sheriati nuk zbatohet më në Shqipëri që në vitin 1912, por pasioni për paranë me sa duket ka mbetur përcaktues për standardet e drejtësisë shqiptare.


Parë me syrin kritik të një vëzhguesi të jashtëm të jetës shoqërore në Shqipëri, nuk është e vështirë të përcaktosh se në fakt, në Shqipëri brenda sferës publike ka dy lloj shërbimesh, njëri shtetëror dhe tjetri “privat”. I pari, i cili mbahet me taksat tona është kthyer prej kohësh në kalvarin tonë, pasi nuk përfitojmë ndonjë gjë të madhe prej tij, ndërsa i dyti i cili sërish mbahet nga taksat, por dhe xhepat tanë është kthyer për ata që e administrojnë (përfituesit) në minierë ari. Në fakt, ky i fundit shërben dhe si etaloni matës për të ilustruar polarizimin e shoqërisë që për fat të keq sa vjen e po bëhet më i madh në Shqipëri. Politikani dhe Kryeministri britanik, Benjamin Disraeli (1814-1881) duke pasur parasysh pabarazinë e madhe në shpërndarjen e pasurisë dhe të të ardhurave që po shfaqej dukshëm në Britaninë e shekullit të XIX, paralajmëroi ndarjen e rrezikshme që po ndodhte në gjirin e kombit-shtet të Britanisë në “kombin e të pasurve” dhe ‘kombin e të varfërve”. Për të një ndarje e tillë rrezikonte unitetin e kombit, harmoninë sociale dhe vetë sistemin politik qeverisës. Paralajmërimi i tij është shumë aktual për situatën në Shqipëri pas zhvillimit të vrullshëm të ekonomisë së tregut për më se 20 vjet jo vetëm për të ndërmarrë reforma efikase në të gjithë sektorët publikë, por dhe për të mos lejuar më kohezionin social dhe për t’u kujtuar klasave shoqërore dhe individëve detyrimet sociale që kanë ndaj shoqërisë.

Gazeta Shqip, 24.07.2011, fq 9


No comments: