Monday, 20 June 2011

Antieuropianizëm i papërligjur



Rreth njëzet vjet më parë nisi ëndrra europiane e Shqipërisë. Ajo nuk ishte një lëvizje intelektuale e iniciuar nga lart-poshtë nga reformat e ndërmarra, por ishte një shpërthim popullor që pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm po përpiqej të rigjente vetveten brenda familjes europiane. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe që kish përqafuar një retorikë antieuropiane për sa i zhvillimit ekonomik dhe institucioneve demokratike të saj, ndenja proeuropiane në Shqipëri mori përmasat gati-gati të një “besimi” të ri. Gjithandej në fillim të viteve ‘90 mund të gjeje “europianistë të thekur” në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe një besim të patundur se Shqipëria shumë shpejt do të ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. Ashtu si të gjitha lëvizjet shpirtërore dhe idealiste që kur fillojnë në fillim duhet të kundërshtojnë atë çka ka mbajtur peng dhe përkeqësuar situatën, edhe lëvizja europiane nisi fillimisht duke rrëzuar idhujt e rremë që mbizotëronin në Shqipëri. Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha dhe thirrjet e brohorimat e duam “Shqipërinë si gjithë Europa”, respektimi i një statuje tjetër aty, ajo e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, njeriut që rreth 500 vjet më parë kish udhëhequr ëndrrën europiane të shqiptarëve ishin sinjale të forta që vendi ish-komunist po e braktiste ishullin e vetmuar të socializmit dhe po përqafonte paradigmën e madhe të lirive humane dhe civile.


Ky entuziazëm i shqiptarëve gjeti dhe shprehjen e vetë politike në pothuajse të gjitha programet e partive politike që u themeluan menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik. Integrimi europian u bë dhe kryefjala e programeve qeveritare dhe nismave që ndërmori qeveria e parë shqiptare e vitit 1992. Mirëpo, jo më pak se një vit pas formimit qeverisë së parë demokratike shqiptare, Bashkimi Europian në mbledhjen e vet në Kopenhagën, më 21-23 qershor 1993, i preokupuar për t’u dhënë një përgjigje aplikimeve që po merrte nga të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste, përcaktoi qartë kriteret politike dhe ekonomike që një vend duhet të plotësonte për t’u anëtarësuar në këtë organizëm. Që nga ajo kohë kriteret e Kopenhagës u bënë pjesë e fjalorit politik të diskutimeve midis qeverive të vendeve që aspironin të pranoheshin në këtë organizëm dhe Bashkimit Europian. Në qeverisjet demokratike, që kanë si bazë transparencën si një nga parimet bazë të demokracisë liberale, qytetarët duhet të informohen për gjithçka që lidhet me ta dhe të ardhmen e tyre. Nuk e di sesa dhe sesi është perceptuar ndër qytetarët shqiptarë procesi i integrimit, por ajo që dëgjohet rëndom nëpër biseda është avazi i një violine që ka filluar të shndërrohet në një orkestër.


Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë kanë filluar të mendojnë se Shqipëria e meriton prej kohësh integrimin e plotë dhe se kriteret që kërkohen të plotësohen nga Bashkimi Europian janë thjesht një alibi e këtij të fundit për ta vonuar këtë proces. Ky opinion tinëzar, që shpeshherë në mënyrë të fshehtë është iniciuar dhe nga politika që në këto njëzet vjet nuk ia ka arritur qëllimit që të jetë në të njëjtin nivel dhe të politikave të vendeve të tjera që tashmë janë integruar, është një opinion i pabazë dhe i dëmshëm. Ai është i pabazë, sepse qoftë dhe me një shikim të shpejtë të kritereve politike të Kopenhagës mund të kuptosh se Shqipëria të paktën në dy nga pesë kriteret ka probleme serioze në stabilitetin e institucioneve, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë që jo vetëm kanë qenë shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, por dhe kanë qenë dhe të paralizuar si dhe me vënien në jetë të shtetit të së drejtës, ku shpeshherë kemi parë të drejtat e dhunuara të qytetarëve si pasojë e korrupsionit të madh në drejtësi. Po kështu, për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka probleme në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues ekonomik të forcave të tregut në funksionimin e Bashkimit Ekonomik Monetar.


Antieuropianizmi i papërligjur që shpeshherë ka filluar të zërë vend në opinionet e njerëzve nëpërmjet perceptimit të gabuar të kritereve të Kopenhagës, është i dëmshëm, pasi krijon ndjenjën e frustrimit dhe të mënjanimit në diskursin e popullsisë. Bashkimi Europian është dhe mbetet një nga partnerët dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë që, nëpërmjet ndihmës së vet, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zbatimin dhe përmirësimin permanent të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve në Shqipëri. Nëse kjo ndihmë është perceptuar veçse si një çezmë me “qumësht e mjaltë” që kurrë nuk shteron, ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se plotësimi standardeve është rruga që të çon vërtet te burimi, pa pasur nevojë që të vazhdojë akoma të pinë ujë çezme.


No comments: