Tempulli i Dodonës dhe ai i Delfit kanë qenë dy nga orakujt më të shquar të botës antike. Herodoti dëshmon në veprën e tij “Historia” në shekullin V p.e.s. se Tempullin e Dodonës e themeloi një nga priftëreshat që u rrëmbyen nga fenikasit në Tempullin e Tebës në Egjiptin e largët dhe që kur mbërriti në Dodonë në Epir në formën e një pëllumbi të zi deklaroi se këtu ishte një vend i shenjtë për t’u ngritur një tempull në nderim të Zeusit, kryezotit të perëndive. Më andej Herodoti e vë paksa në dyshim këtë legjendë, duke shkruar se gratë e quajtura si pëllumbesha, në fakt nuk duhet të kenë qenë të tilla, por duke qenë të huaja, ku flisnin një gjuhë që vendasit nuk e kuptonin, ata duhet ta kenë marrë për gjuhë zogjsh. Gjithsesi, Herodoti nuk vë në dyshim shenjtërinë e vendit dhe të priftëreshave, të cilat dëgjonin shushurimat e lisave dhe i interpretonin ato si kumte të perëndive për njerëzit dhe fatin e tyre. I përngjashëm është dhe themelimi i tempullit të Delfit, ku hyu Apollon u shfaq në formën e një delfini duke mbajtur mbi shpinë priftërinj kretanë, të cilët u shndërruan në orakujt e tempullit dhe që në ditirambet homerike shfaqen me emrin Pytho. Që atëherë priftëresha e Tempullit të Delfit quhej Pythia. Të dy tempujt shërbenin si vende të shenjta për popullsinë, ku ata jo vetëm përpiqeshin të gjenin të ardhmen e tyre mes kumteve dhe belbëzimeve të vështira të priftëreshave të tempujve që vinin mes ekstazës së përkushtimit ndaj zotave, por dhe të formonin aty aleanca politike e ushtarake dhe madje të organizonin edhe lojëra atletike.
Përtej analizës së rëndësisë së tyre si shprehje të inteligjencës së lartë dhe të besimit të patundur ndaj zotave, por dhe të marrëdhënieve kulturore Lindje-Perëndim që nuk është vështirë të identifikohen në këto mite, ato kanë shërbyer për një kohë të gjatë në fjalorin politik si shprehje të hendekut të madh që ekziston midis parashikuesve dhe këshilltarëve dhe zbatimit të drejtë për së drejtë të politikës. Në këtë gjendje, për më tepër se dy vjet është zhytur politika shqiptare dhe habitati i saj politik, që edhe pse nën vëzhgimin dhe këshillimin e drejtë për së drejtë të diplomacisë ndërkombëtare nuk ka arritur akoma të dalë mbi veten dhe të gjejë një zgjidhje politike të qëndrueshme për të eliminuar konfliktet. Por nëse në mitet e lashta, udhëheqësit dhe prijësit e botës antike janë të aftë të kuptojnë mesazhet-belbëzime të orakujve, një gjë e tillë nuk po ndodh nga klasa politike shqiptare. Ky moskuptim i qartë i mesazheve dhe kumteve të ndërkombëtarëve i dedikohet jo vetëm paaftësisë së klasës politike shqiptare, siç mund të dëgjohet rëndom, por ndodh dhe për shkak të ambiguitetit të mesazheve të tyre, të cilët kësaj here në krizën shqiptare ua kanë kaluar edhe orakujve të botës antike.
“Dy gjysmë të vërteta nuk bëjnë kurrë një të vërtetë”. Për fat të keq, në marrëdhëniet me krizën shqiptare ndërkombëtarët e kanë harruar këtë aksiomë. Qëndrimi kinse ekuilibrues, ku një deklaratë për njërën palë nxiton të pasohet nga tjetra, nuk ndihmon në shtensionimin e situatës, por përkundrazi vazhdon t’u japë argumente bindëse militantëve për të shtrënguar radhët pas udhëheqësve të vet. Në marrëdhëniet e gjata, pothuajse njëzetvjeçare të politikës shqiptare me komunitetin ndërkombëtar, kjo fazë e sotmja mund të perifrazohet si faza e Janusit, njeriut me dy fytyra në mitologjinë romake, pasi ka më tepër se dy vjet që dëgjojmë inflacion të epiteteve miklues për klasën tonë politike dhe udhëheqësit e saj, por që në fakt ne nuk po shohim më as edhe një gjurmë të këtyre cilësive në horizont. Për më tepër jemi mbërthyer gjithë sy e veshë si banorët antikë për të dëgjuar orakujt e sotëm të politikës shqiptare, ambasadorin amerikan, ambasadorin e Bashkimit Europian, të OSBE-së e ku di unë çfarë, mjafton që të dëgjojmë një deklaratë që u shërben qëllimeve tona politike.
Kjo mënyrë sjellje, përveç që dëshmon kulturën tonë të ulët të vetëqeverisurit, për fat të keq nënvizon edhe një tipar tjetër negativ, atë të servilizmit politik që është shpërndarë në mënyrë vertikale në të gjitha qelizat e shoqërisë sonë. Kur Shqipëria doli nga një prej diktaturave më të egra dhe përqafoi demokracinë liberale si sistem qeverisës, nuk besoj se ëndrra e atyre që kontribuuan sadopak në ndërtimin e këtij shteti ishte që Shqipëria të kthehej në një “demokraci bananesh” të tipit të vendeve të Amerikës Latine, ku sundon autoritarizmi dhe ai quhet si vlerë në ecjen përpara të kombit. Në të kundërt, të ofenduar në sedrën e vet kombëtare, për shkak të miqësive të vështira dhe jo natyrale, me aleatë që historikisht nuk e kish lidhur asgjë si jugosllavët, rusët e kinezët, pas viteve ‘90 ata pritën që këto marrëdhënie me miqtë e rinj euroatlantikë në mos mund të zhvilloheshin në bazë të reciprocitetit të paktën të ishin të çiltra dhe pa doza ambiguiteti të dyshimtë interesash. Nëse ata nuk ia dolën mbarë dhe ne sot vërdallosemi në një krizë politike spirale që sa vjen e ngrihet, mendoj se tashmë ka ardhur koha nga vetë qytetarët për t’u kërkuar të zgjedhurve të tyre më tepër dinjitet për t’i përfaqësuar në marrëdhëniet e tyre me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Dinjiteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve ngrihet kur klasa politike arrin të bëjë marrëveshje dhe kompromise mes vetes pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe arrin të çlirojë energji pozitive në këtë lloj mënyre për gjithë qytetarët e vet. Natyrisht që kjo gjë nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet aktuale të Shqipërisë si me magji, por si fillim do të ishte një fillim i mirë dhe në përgjithësi çdo fillim që përkrah dinjitetin si koncept është një fillim i mbarë.
No comments:
Post a Comment