Tuesday, 3 May 2011

Shoqëria civile dhe media




Koncepti i ndarjes së sferës private nga sfera publike në aktivitetin dhe jetën e përditshme të qytetarëve ishte një nga fitoret e mëdha në mendimin politik të liberalëve të hershëm. Ata u përpoqën që ta përkufizonin qartë njëherë se çfarë ishte sfera private dhe pastaj u munduan që parimet e tyre t’i injektonin dhe në shoqërinë civile. Për liberalët shoqëria civile ishte shoqëria e njeriut të lirë dhe të barabartë në zbatimin e ligjit, ishte shoqëria e njerëzve të lidhur së bashku jo vetëm nga qëllimi i përbashkët, por dhe nga ndërthurja e respektit për njëri-tjetrin nën një qeverisje të kufizuar nga ligji. Liberalët e përcaktonin veprimtarinë private si një sferë të pavarur nga ajo e shtetit dhe e kishës. Synimi i tyre ishte çlirimi i shoqërisë nga ndërhyrja politike dhe kontrolli fetar. Të bazuar në rrymën filozofike të iluminizmit, liberalët bënë për vete parimet se njerëzit janë të aftë të veprojnë me arsye dhe për t’ia arritur kësaj ata duhen të jenë të lirë që të përmbushin aspiratat e tyre politike në çështjet politike, ekonomike dhe fetare. Si mund të shihet lehtë të gjitha argumentet e tyre drejtoheshin kundër tiranisë, despotizmit, sistemit absolutist të qeverisjes dhe kundër intolerancës fetare që ishin problemet më të mëdha që hasnin shoqëritë evropiane në shekullin XVII.


Parimet e liberalizmit klasik u rimorën edhe nga liberalët modernë në përvijimin dhe ndërtimin e demokracive liberale që mbizotëruan në SHBA dhe Evropën Perëndimore në gjysmën e dytë të shekullit XX. Rënia e Murit të Berlinit dhe Karta e Parisit më 1990-n përcaktuan qartë edhe modelin e demokracisë që do të ndiqnin vendet e Evropës Lindore që do të ishte ai i demokracisë liberale, i bazuar qartë në ndarjen e tri pushteteve dhe në ndërtimin e një shoqërie civile të shëndetshme. Për fat të mirë kësaj vale të tretë të demokratizimit iu bashkëngjit edhe Shqipëria, dhe që nga viti 1991 besohet gjerësisht nga optimistët se janë hedhur kolonat për të pasur një shoqëri liberale, pavarësisht krizave të vazhdueshme institucionale, vitit 1997 dhe problemit gangrenë të zgjedhjeve. Mirëpo një godinë e papërfunduar nuk është e mjaftueshme për t’u strehuar, pasi me të vërtetë mund të të mbrojë përkohësisht nga shiu, por jo nga korrentet e ndryshme të erërave. Për fat të keq në Shqipëri, erërat dhe korrentet që kanë fryrë nuk janë erërat e ideve që gjenerojnë ndryshime thelbësore, por kanë fryrë shqotat e vjetra të mbarsura gjithë urrejtje, eliminime politike dhe mospranimit të tjetrit.


Është pranuar gjerësisht tashmë se janë idetë ato që krijojnë klimën e duhur për të sjellë ndryshimet dhe progresin në shoqëri. Në këtë kontekst, shoqëria civile është vlerësuar si mikroklima ku zhvillohet dhe pushteti i katërt, media i bashkëshoqëruar me grupet e interesit dhe shoqatat profesionale. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se shumë skandale janë zbuluar dhe norma morali janë sanksionuar në këtë vend në sajë të medias dhe kurajës civile të veprimtarëve shoqërorë. Por natyrisht, këto suksese të këtij pushteti nuk mund të mbulojnë dhe një problem të madh që është shfaqur thelbësisht në gjirin e saj. Shoqëria jonë, ashtu si edhe shoqëritë evropiane, si rezultat i zhvillimit teknologjik në mjetet e komunikimit po kthehet në një shoqëri të komunikimit masiv dhe të përçimit të ideve nëpërmjet televizionit, radios dhe rrjeteve sociale të internetit.
Në këtë kontekst, roli i analistëve dhe komentatorëve politikë ka marrë një rëndësi të veçantë që nga zgjedhje në zgjedhje është rritur, duke ndikuar qartësisht edhe në votat e opinionit publik kur ai shkon në kutitë e votimit. Duke pasur parasysh këtë fakt, partitë politike janë munduar që të rekrutojnë sa më shumë të mundin figura të tilla publike, veprim që edhe pse mund të jetë i arsyeshëm për to, është shumë i dëmshëm për shoqërinë civile. Kjo, për arsyen se duke mos pasur fuqi që të ndikojmë në mbarëvajtjen e tre pushteteve të tjera që varen thellësisht nga vullneti politik i atyre që zgjidhen me votë dhe meqenëse ky proces siç dihet vazhdon të jetë më problematiku në Shqipëri, atëherë shoqëria civile mbetet e vetmja fushë ku nëpërmjet përsosjes së saj mund të fillojmë të ndikojmë edhe në fushat e tjera.


Situata që paraqitet sot në media dhe në shoqërinë civile është e trishtë, pasi po ndodh procesi i kundërt i asaj që kishin aq për zemër liberalët e hershëm. Ky realitet krijon edhe një paradoks të madh, pasi shumica e analistëve dhe komentatorëve politikë shfaqen në jetën e përditshme si dishepuj të liberalizmit dhe në veprimtarinë e tyre u shërbejnë vlerave të tjera. Duke qenë se një pjesë e madhe e tyre nuk janë thjesht gazetarë të lirë, por në shumë raste të punësuar në shtet ose në iniciativa private që janë thelbësisht të lidhura me shtetin dhe klasën politike që po drejton vendin për njëzet vjet me radhë, sfera private e tyre - dhënia dhe strukturimi i opinionit, vihet shumë herë në shërbim të sferës publike të politikës - debatin politik të ditës për të mposhtur kundërshtarin e radhës. Shumë herë kemi qenë dëshmitarë të mendimeve dhe opinioneve të deformuara rreth çështjeve madhore si zgjedhjet, korrupsioni etj., aq sa cinizmi dhe morali i keq që fiton “më i shkathëti dhe më i forti” është komentuar si vlerë shoqërore. Shpeshherë kemi parë sesi është munduar të deformohet realiteti, ku papritur principe shumë të larta të privatësisë u është kushtuar më tepër vëmendje se fenomeneve frenuese për integrimin si nepotizmi, korrupsioni dhe degjenerimi moral. Po kështu kemi parë intelektualë dhe analistë të rreshtuar hapur në krahë të ndryshëm politike çka e ka vënë shumë herë në dyshim titullin i “pavarur” që e kanë aq për zemër ta theksojnë herë pas here kur prezantohen në media.


Të gjitha këto raste kanë bërë të mundur që në vend të krijohet një klimë mosbesimi për çfarëdolloj akti dhe iniciative intelektuale që ndërmerret, sepse menjëherë ata që nuk janë pjesë e saj fillojnë të mendojnë se çfarë përfitimi kanë ata që po e ndërmarrin. Kjo dilemë është fundi i kurajës dhe i mendimit civil, pasi këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dyshimin, por dhe për nocionin e përfitimit që injektohet në shoqëri. Natyrisht që fajin për këtë situatë mund ta kërkosh në situatat korruptive që pushtetet politike kanë krijuar për këto njëzet vjet, por duke qenë se përfaqësuesit e shoqërisë civile përfaqësojnë ashtu si duam ta besojmë mendimin më të iluminuar në vend, fajin për këtë situatë gjendet brenda medias dhe shoqërisë civile, të cilat nuk kanë reflektuar dhe nuk po reflektojnë ndaj fenomeneve të mësipërme të angazhimit politik dhe shtrembërimit të së vërtetës që dëmtojnë rëndë imazhin e tyre, por përkundrazi ka krijuar qarqet e mbyllura me të njëjtat njerëz e personalitete që japin gjykimet e tyre mbi gjithçka që ndodh në këtë vend, aq sa mund të thuhet me të drejtë se ka filluar të ketë një kastë të vërtetë që zotëron dhe mendimin dhe opinionin e përgjithshëm publik.


Mediokracia e sotme me debatet e veta shterp dhe rreshtimin politik po i bën më tepër dëm Shqipërisë sesa klasa politike, sepse kjo e fundit mund edhe të zëvendësohet me votën e lirë, kurse e para do të vazhdojë të mbijetojë, pasi nuk ka asnjë mekanizëm që ta kontrollojë apo akoma më mirë dhe ta zëvendësojë, pasi vetidentifikimi në shumë raste me mendimin e turmës politike apo dhe në shumë raste luajtja e zëdhënësit të kësaj turme e bën më të vështirë këtë proces. Vendimi shumë i debatueshëm i marrë në fillim të kësaj fushate për mospranimin e kasetave të regjistruara të kandidatëve duhej shoqëruar dhe me një farë katarsisi të televizioneve për të mos pasur pjesë të paneleve analistë dhe komentatorë që në emër të interesit publik i shërbejnë interesit vetjak të bizneseve të tyre. Qëndrimet e tyre i përngjajnë sentencës së njohur të filozofit anglez Bertrand Russell (1872-1970), se në fakt “kemi dy lloj morali që qëndrojnë krah njëri-tjetrit: njëri të cilin ne e predikojmë, por nuk e zbatojmë, dhe tjetrin të cilin e zbatojmë, por shumë rrallë e predikojmë”. Ka ardhur koha që shoqëria jonë civile të mos e ketë më këtë dilemë dhe së bashku me median, pushtetin e katërt, të fillojë të bëhet reformuesja e tre pushteteve të tjera.

Gazeta Shqip 3.05.2011


No comments: