Lëfton
luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,
Këto ishin vargje që më erdhen ndërmend
ndërsa avioni prekte pistën për të zbritur në aeroportin " Frédéric
Chopin" të Varshavës. Gjithmonë më ka
bërë kurioz emri Ladislav dhe sa herë që e lexoja përkthimin e mrekullueshëm të
Nolit të poemës Skënderbeu të poetit amerikan Henry Longfellow nuk mënoja të lexoja dhe shpjegimin që
shënohej me asterik : Mbreti Ladisllav – Ladisllav II-të (1423-1444), mbret
i Polonisë, më vonë edhe i Hungarisë, u vra në betejën e Varnës nga ushtria e
Sulltan Muratit II-të. Ky
kuriozitet dhe persiatje nuk vinte nga
emri sllav i mbretit të Polonisë por më
tepër si kuriozitet gjeografik dhe kulturor sesi Skënderbeu ynë dhe Mbreti
Ladislav ishin të përbashkuar sëbashku në një front antiosman në Europë. Në ditët
në vazhdim do të mësoja më shumë rreth brigjeve të detit Balltik, hapësirës kontinentale
të Polonisë historike dhe do ta realizoja se në kufijtë historikë e kulturorë
Arbëria dhe Polonia takoheshin në digën e madhe të Danubit kundër hordhive të
Perandorive Osmane.
Për këdo që
viziton Poloninë e sotme realizon ashtu si në gjithë vendet e Europës Lindore e
Juglindore se influnca të ndryshme kulturore kanë dominuar gjatë shekujve,
influenca që në fakt janë përbashkuar në një identitet të rëndësishëm polak
përgjatë shekujve. Polonia u nda në në vitin 1795 mes Prusisë, Rusisë dhe
Austrisë duke i dhënë fund një periudhe të shkurtër, por të shkëlqyeshme të reflektimit të iluminizmit
europian që kish prodhuar dhe kushtetutën e parë liberale në Europë të bazuar
në mendimet e Montesque-s dhe Russoes. Duke dashur të ndjekë gjurmët e gjakut
arbër në Poloni sërish më kujtohet një artikull i historianit të ndjerë Koli
Xoxe për një personazh pak të njohur historik në Shqipëri, Pal Kruten që në
vitet e hartimit të kushtetutës ndodhej në Varshavë. Aty, ai do të merrte pjesë
në jetën politike të Polonisë dhe në mbështetjen e kushtetutës moderne që u
hartua në ato vite. Por në fakt Varshava
ka shumë më tepër gjëra për të parë sesa vetëm gjurmët shqiptare. Në qendrën
historike të saj të rindërtuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ku mbizotëron
stili arkitekturor i barokut të vonë gjithkush mund ta gjej veten midis një
oazi qytetërimi që përfshin disa nga fazat më
të rëndësishme të zhvillimit kulturor të Europës. Kjo përkatësi europiane
ndihet në ajër, jo vetëm nën hijen e godinave hijerënda por edhe në ndryshimet
e menjëhershme që kanë përfshirë Poloninë pas aderimit të saj në Bashkimin
Europian në vitin 2004. Kanë kaluar 15 vjet që nga ai moment dhe ende shembulli
i klasës politike polake dhe i vendeve të tjera të grupit të Vishegradit
citohet si një shembull që duhet ndjekur nga vendet e Ballkanit Perëndimor që
aspirojnë hyrjen në Bashkimin Europian. Klasa politike polake e majtë dhe e
djathtë i sheshoi kontradiktat e brendshme për të realizuar konsesusin e madh
në mënyrë që të kishin mbështetjen e vendeve të fuqishme dhe mike si Gjermania
dhe Franca. Pesëmbëdhjet vjet më vonë një rrjet i admirueshëm transporti rrugor
dhe hekurudhor është përmirësuar duke e shndrruar Poloninë në një nga vendet më
nevralgjike në lidhjet midis Europës Lindore dhe Qendrore , midis Balltikut dhe
dhe vendeve të Europës Perëndimore .
"Kush
kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen dhe kush kontrollon të tashmen
kontrollon dhe të ardhmen". Ky citat i shkëputur nga vepra "Viti 1984"
i shkrimtarit britanik George Orwell duket sikur ilustron dhe përpjekjet për të
rifituar lirinë individuale dhe kombëtare nën ankthin totalitarist të nazizmit
dhe komunizmit që përjetoi Polonia në shekullin e XX. Për t'iu kundërvënë
pikërisht këtyre përpjekjeve në Varshavë dhe gjithandej në Poloni janë hapur shumë muzeume si vende të rëndësishme të memories
kolektive. Nazizmi pati një projekt politik, kulturor dhe ekonomik për të shbërë
Poloninë dhe shpirtin polak duke arritur në eliminimin e 6.500.000 vetave nga
të cilët 3.000.000 hebrenj në fabrikën e vdekjes në Aushvic dhe ngritur një sistem të ashpër kundërpërgjigjeje
e terrori ndaj çdo përpjekje rezistence. Muzeu i Revoltës Polake i ndërtuar në
vitin 2004, pikërisht në prag të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian është
një pasqyrë e gjallë sesi një popullsi e tërë që nuk pajtohet me diktaturën dhe
terrorin organizohet për të shpërthyer në kryengritje e revoltë për dinjitet e
liri. Muzeu i Revoltës është i ndërtuar sipas një konceptualizimi modern të
muzeologjisë ku gjen pasqyrim dhe historia sociale dhe dhimbja, ankthi, shpresa
e liria pasqyrohen në linjë muzeale përmes objekteve e fotove të njerëzve të
thjeshtë që jetonin në kuartetet e Varshavës. Pamja rrëqethëse e Varshavës e
marrë nga një avion sovjetik Antonov në videot përkatëse tregon sesi godina të
tëra u shkatrruan në masë me dinamit nga forcat e Rajhut III si kundërpërgjigje
ndaj revoltës polake që për fat të keq u braktis edhe nga aleatët. Polonia
ishte viktima e parë Paktit Molotov-Ribentrop të datës 23 gusht 1939, ku ajo u
nda sërish në zona influence mes Gjermanisë Naziste dhe B.S. Agresioni gjerman
filloi në datën 1 shtator 1939 çka shënon dhe fillimin e luftësssë Dytë Botërore.
Disa ditë më vonë trupat sovjetike filluan sulmin nga kufijtë lindorë duke e
futur ushtrinë polake në një darë të frikshme dhe pas 15 ditësh Polonia
kapitulloi. Rreth 22.000 ushtarë e oficerë polakë u dorëzuan tek sovjetikët, të
cilët në gushtin e vitit 1940 nën
organizmin e drejtë për së drejtë të famëkeqit Beria i pushkatuan në pyjet e
Smolenskut, në Katin. Pushkatimi dhe egzekutimi në masë i lules së ushtrisë
polake i shërbente tiparit të eliminimit të elitave që Stalini ushtronte prej
kohësh në B.S dhe më vonë në gjithë territoret që pushtoi Ushtria e Kuqe.
ARBEIT MACHT FREI (Puna do t’ju bëjë të
lirë), ky është mbishkrimi ironik i vendosur në hyrje të kapit të Aushvicit që
sëbashku me Bikernaun , ngjitur me të, u kthyen në fabrika të vdekjes gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e hapën këtë kamp më 1940, në periferi të
qytetit Osvieçim, që si shumë qytete polakë qe pushtuar nga forcat gjermane me
shpërthimin e Luftës II Botërore. Godinat prej tulle, që kishin shërbyer për
ushtrinë polake, por që ishin ndërtuar qysh në kohën e perandorisë
austro-hungareze, qenë gati. Gjermanët e ndryshuan emrin e qytetit në Aushvic
dhe ky u bë emri i njohur i kampit. Në vitet në vazhdim kampi u rrit, derisa
filloi të përbëhej nga tri pjesë të mëdha: Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe
Aushvic III-Monovic, si dhe më shumë se 40 nënkampe të vogla. Fillimisht, këtu
burgoseshin polakët. Më vonë këtu vinin të burgosurit sovjetikë të luftës,
romët dhe të burgosurit nga vendet e tjera. Në vitin 1947, një akt i
Parlamentit polak themeloi Muzeun Aushvic-Birkenau, aty ku ndodhen Aushvici I
dhe Aushvici II, pjesë të ruajtura të kampit më të madh nazist të vdekjes. Në
vitin 1979, UNESCO e futi atë në listën e Trashëgimisë Botërore. Ai vizitohet
nga 700.000 vizitorë në vit dhe shërben si një vend i memories kolektive të
njerëzimit ku mund të shikoj sesi çmenduari njerëzore nën ideologjinë e
superioritetit të racave mund të marrë në qafë gjithë njerëzimin.
Jo shumë larg Aushvicit ndodhet
Krakova, kryqyteti i hershëm polak dhe kryqyteti i kulturës së Polonisë, me
universitet të themeluar që në vitin 1364. Në Krakovë ka jetuar dhe studiuar
astronomi dhe shkenctari i madh Nikola Koperniku që ndryshoi pothuajse gjithë
formën e të menduarit të njeriut të humanizmit me zbulimin e vet të sistemit
heliocentrik. Në Krakovë , qendër e madhe kulturore e Europës Qendrore gjen të
memorizuara në godina, institucione, biblioteka , teatro e galeri artesh të
gjitha fazat e qytetërimit europian. Në Krakovë ka shërbyer dhe Papa Gjon Pali
II, monumeti i të cilit qendron në hyrje të Katedrales Wael ku ndodhen dhe
varret e mbretërve polakë. Figura e Papa Gjon Palit II, është shumë e
respektuar në Poloni dhe kam një ndjesi shumë të mirë që dhe Shqipëria i është
bashkangjitur nderimit të kësaj figure me bustin e përuruar tani së fundmi në
Tiranë. Në këtë qytet të rëndësishëm të kulturës së Rilindjes Europiane që në
muzeumet e veta mbart edhe tablonë e njohur të Da Vinçit, Dama con l'ermellino gjallon një kulturë e rëndësishme polake e lidhur ngushtë me atë të
kontinentit. Në dhjetor aty përurohet muzeumi i ri ku do të përfshjë veprat e
koleksonit të famshëm të Princ Czartoryski
të blerë nga qeveria polake në vlerën e 100.000.000 eurove. Duke ecur në rrugët
e këtij qyteti na kujtohet Mjeda ynë që kaloi disa vite këtu. Nga viti 1891
Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike
të Meyer e Pedersen.
Në rrugicat e këtij qyteti ai mund të jenë fillesat e disa prej tingëllimave më
elegante të gjuhës shqipe.
Krakova në mesjetë është shquar dhe për
lagjen e hebrenjve por museumi më imadh kushtuar komunitetit hebraik shumë të
pranishëm në Poloni është në Varshavë. Muzeu "POLIN" ka kushtuar
rreth 36.000.000 euro dhe përfshin një rrëfimin e historisë përmes mjeteve
audivizuale të hebrenjve në Poloni. Në të gjen të rindërtuar geton e famshme
hebrenje ku gjermanët mbyllën dhe persekutuan popullsine hebraike të Varshavës.
Është e pamundur kur e viziton të të mos kujtohen sekuencat e njohura të filmit
"Pianisti" , ashtu si dhe në qendrën historike të Krakovës gjen
fabrikën e Oscar Schindler-it që frymëzoi
regjisroin e njohur Spielberg për të realizuar filimin e njour "Lista e Schindler-it ".
Polonia me vendet e shumta të memories
kolektive të njerëzimit frymëzon shumë breza të njerëzimit për ta vizituar dhe
ne shqiptarët ndihemi dhe dyfish të nderuar kur e vizitojmë pasi gjithandej
gjen njerëz që e kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë një imazh kaq pozitiv për
mikpritjen, bregdetin e natyrën shqiptare. Polonia e Adam Miskeviçit të
përkthyer e lexuar gjerësisht në shqip në vitet 70'-80' nuk është vetëm një
ndjesi romantike por edhe një realitet i prekshëm që erdhi në Shqipëri përmes
jehonës së "Solidarnosit" që rrëzoi regjimin komunist në Poloni.
Hapësira balltike e Adriatike e gjenë veten aleatë në NATO dhe shumë shpejt në
Bashkimin Europian pasi Polonia është një nga mbështetësit më të mëdhenj të
kandidaturës së Shqipërisë për të hapur negociatat, çka sërish të sjell
ndërmend vargjet e Longfelloë-it për mbretin polak Ladislav e Skënderbeun dhe
aleancën e padiskutueshme të tyre për një Europë të bashkuar.
No comments:
Post a Comment