Të hënën e datës
5 gusht, 1924 revista e njohur TIMES në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër
telegrafik që përmbante një lajm të shkurtër por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.
“Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë
një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow
Wilson, porti i Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson.
Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi
Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”.
Në vazhdën e
politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit
(1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë pa u vënë re nga politika
amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër një veprim simbolik për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa
veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat
e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i
vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën
dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e
kulturën politike shqiptare.
Nga SHBA-ja
kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të
parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës
së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë
gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të
Shqipërisë. Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e
ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës
shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në
ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më
1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodroë Wilson
(1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë
politike dhe stabilitetin e saj.Pikërisht si njohje dhe meritë e këtij
kontributi të Presidentit amerikan Wilson u emërua dhe Shëngjini, porti Wilson.
Marrëdhëniet
shqiptaro-amerikane për Nolin do të ishin të një rëndësie të veçantë përgjatë
gjithë jetës së tij. Ai nuk do të mënonte të ftonte dhe marrëdheniet me qeverinë
komuniste të Tiranës në vitet 1946-1950 kur kjo qeveri nuk rivendosi marrëdheniet
diplomatike me SH.B.A për shkakun absurd të ms njohjes së traktave të nënshkruara
para luftës. Për këtë arsye, disa herë
ai komunikoi me udhëheqjen komuniste shqiptare nëpërmjet disa telegrameve. Noli
këmbëngulte se për t’u pranuar në O.K.B dhe përshmangur rrezikun grek, Shqipërisë
i duhej patjetër të kishte marrëdhënie të mira me aleatët britanikët dhe
amerikanët. Pranimi i Shqipërisë në O.K.B. do siguronte një njohje kolektive të
qeverisë shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe sigurimin e tërësisë së saj
territoriale. Në këtë kontekst, në mesazhin dërguar Enver Hoxhës, ai sugjeronte
“pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të sillte automatikisht
njohjen amerikane, pranimin në O.K.B. dhe mundësinë për të mbrojtur me sukses
integritetin e Shqipërisë.” Mirëpo qeveria shqiptare vazhdonte të shprehte
rezervat e veta për sa i përket pranimit të traktateve të nënshkruara para 7
prillit 1939 me SH.B.A. Këto rezerva, që në thelb, ishin qëndrime izolacionaliste.
Ato shprehnin frikën dhe dyshimin ndaj perëndimorëve, por edhe tutelën
diplomatike të vendosur nga Jugosllavia. Emigracioni shqiptar në Amerikë, Fan
Noli dhe “Vatra”, qenë të pakënaqur nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Tuk
Jakova dhe mënyra se si e ushtronte politikën e jashtme të Shqipërisë në
kërkesën e saj për t’u anëtarësuar në O.K.B. Noli, duke parë mos reflektimin e
qeverisë shqiptare për çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës
më 30 shtator 1946. Në letër theksonte: U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i
pranoni traktatet në parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule,
pa rëndësi praktike.
Në fakt,
Shqipëria nuk cenohej asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Duket se ishte një
frikë e ekzagjeruar dhe e imponuar prej jugosllavëve dhe sovjetikëve, sesa një realitet
që më shumë do të ndikonte keq në ekonominë shqiptare. Vladimir Didejer, historian
dhe njeri i afërt i Titos, pas prishjes shqiptaro-jugosllave do të shprehej në librin
e vet, “Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave 1939-1948”, të botuar në Beograd më 1949
se në qoftë se qeveria shqiptare do t’i kishte pranuar kushtet e traktateve,
‘qarqet financiare amerikane do ta kishin skllavëruar ekonomikisht Shqipërinë, përfundimisht.”
Ky përfundim tingëllonte ironik, jo vetëm për faktin se Jugosllavia i kishte
pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SH.B.A,
por edhe sepse vetë Enver Hoxha deklaronte në pleniumin VI të PKSH, në prill
1946 se votimi i delegatit amerikan kundër pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara
lidhej me mospranimin e disa traktateve dypalëshe dhe sidomos, me atë të vitit
1922, për kombin e favorizuar, i cili praktikisht nuk ka gjetur zbatim”,
ndërkohë u bënte të ditur të pranishmëve që të njëjtat traktate ishin pranuar
nga Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Pra
dukej qartë edhe sipas fjalëve të Hoxhës, që mosmiratimi i traktateve dhe
varësia ekonomike e Shqipërisë nga SH.B.A ishte më shumë njëpretekst për të mos
normalizuar marrëdhëniet ose në rastin më të mirë, për të imponuar kufizime
ndaj Misionit Civil Amerikan. Për 45 vjet më radhë Shqipëria dhe SH.B.A nuk do
të kishin marrëdhënie diplomatike dhe kësisoj Shqipëria ishte i vetmi vend në
Lindjen komuniste që kish refuzuar vendosjen e marrëdhenieve diplomatike me
SH.B.A pa Luftës së Dytë Botërore. Marrëdheniet shqiptaro-amerikane u
normalizuan në 25 mars 1991 dhe ambasada amerikane në Shqipëri u hap në datën 2
tetor 1991. E gjendur në fillimet e veta të normalizimit të jetës demokratike
pas aksidentit të dhimbshëm dhe të vështirë historik të mbizotërimit të dogmës
komuniste në jetën e vet publike dhe shoqërore, Shqipëria gjeti shumë shpejt në
SHBA një vend mik dhe aleat që filloi të kontribuojë shumë në ndërtimin e
institucioneve demokratike në vend dhe ushtrimin e drejtpërdrejtë të
demokracisë liberale. Ndihma e ofruar nga SHBA-ja konsiston në të njëjtat
parime demokratike dhe plane afatgjata për të kontribuar për stabilitetin në
rajon, ndaj asnjë faktor politik nuk duhet të mërzitet apo ta quajë të tepërt
këshillimin e tyre në problemet e brendshme të demokracisë në Shqipëri. Mesazhi
i tyre ka qenë gjithmonë i hapur dhe i çiltër si në vitet 20’, ku nëpërmjet
aktivistëve të “Vatrës” kontribuonin në themelimin e jetës demokratike
Shqipëri; në 1946, kur e këshillonin qeverinë komuniste të kohës të organizonte
zgjedhje të lira si kusht kryesor për prosperitetin e vendit; sërish në vitet
‘90 për zhvillimin e zgjedhjeve të lira
dhe demokratike e tashmë në dhjetëvjeçarin e shekullit XXI, me respektimin e
institucioneve. Kjo qëndrueshmëri e tyre ndaj vendit të vogël dhe aleat, që jo
rrallë ka ndezur xhelozira tek fqinjët, duhet përshëndetur dhe jo anatemuar
pasi për një vend si Shqipëria, që tridhjet vjet më parë ishte një ishull i
vetmuar i marrëzisë komuniste, është një fat politik të ketë këtë mbështetje
politike nga SHBA-ja si fuqia e vetme dhe njëkohësisht demokratike në botë.
No comments:
Post a Comment