Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot
Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se
solli në vëmendje të Perëndimit sërish Arbërinë , nëpërmjet thirrjeve për ndihmë
krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që
po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë
së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe
trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të
përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin.
Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit
otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin
bëjnë të mundur që ideja e Evropës në Arbëri dhe të një territori kontinuiteti
me Evropën të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë
Papës së Romës për të udhëhequr luftën kundër osmanëve . Vetë, udhëheqësi
shqiptar, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në
gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk
mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e
shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi
anglez John of Newport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj
osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt
ata do të ishin në Itali. Pikërisht në
këtë vetëdije të Skënderbeut por edhe të njohjes së aksionit të tij politik nga
Europa shërbeu dhe vepra e Marin Barletit për jetën dhe bëmat e heroit
shqiptar.
Saturday, 30 March 2019
Friday, 15 March 2019
Princi Vidi mes intrigave evropiane dhe ballkanike.
Historia ripërsëritet në mënyrë të çuditshme. Në
fillimet e civilizimit europian kur fiset gjermanike krijonin mbretëritë e tyre
, modelet kulturore që merrnin ishte kultura klasike greko-romake e mishëruar në
oborret perandorake të Romës dhe Konstandinopojës. Një mijë vjet më vonë kur
kombet e Ballkanit që banonin në trojet e Perandorive të vjetra, e që po
krijonin shtetet e tyre kombëtarë , monarkët e afruar nga Europa për tu mësuar
vetqeverisjen ishin nga dinastitë gjermane. Në Greqi në 1832 Mbretin Otto nga
dinastia Ëittelsbach, në Rumani në 1866 dinastia e Hohenzollern-Sigmaringen , në Bullgari
dinastia e Saxe-Coburg and Gotha, përfaqësues të dinastive gjermanike u
thirrën për tu kurorëzuar dhe qeverisur shtetet e rinj kombëtarë. Këtij
rregulli të pashkruar diplomatik të
Koncertit të Fuqive të Mëdha nuk do i shpëtonte as Shqipëria kur do të njihej
si shtet i pavarur. Konferenca e
Ambasadorëve miratoi më 29 korrik 1913, projektin mbi organizimin e shtetit
shqiptar. Sipas këtij vendimi, “Shqipëria njihej si një shtet i pavarur, por
nën kontrollin dhe garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe në krye të shtetit
shqiptar do vendosej një princ, i cili do zgjidhej prej tyre. Lista e kandidatëve
për fronin shqiptar do te ishte e madhe, por më në fund më 8 nëntor u zgjodh
Vilhem Vidi.[1]( Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120).Kjo zgjedhje nuk ishte vetëm europiane por reflektonte
edhe një dëshirë të brendsheme të qarqeve të politikës shqiptare. Zyrtarë të
lartë të qeverisë së përkohshme me në krye Ismail Qemalin do t’u bënin të ditur
Fuqive të Mëdha por edhe Kostandinopojës, se ata nga ana e tyre parapëlqenin
një princ europian, për të theksuar në njëfarë mënyrë prirjen Perendimore të
shtetit të ri.[2] (Ferdinando
Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri,
përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 53). Sigurisht që fjalën e parë për zgjedhjen e Mbretit
të Shqipërisë do ta kishin Fuqitë e Mëdha
që ishin më shumë të interesuara për çështjen shqiptare. Më në fund të ndodhur edhe nën shtërngesën e
kohës, vendimi iu besua Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat ranë në ujdi për
një princ gjerman protestant, për pasojë i huaj ndaj querelles (grindjeve) fetare të shqiptarëve, emri i të cilit ishte Vilhelm
Wied.[3]
(Ferdinando Salleo, Shqipëria:
gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 54). Por zgjedhja e Princ
vidit në fronin e Shqipërisë nuk kishte qenë vetëm për arsyen e realitetit
fetar të shqiptarëve. Si zakonisht , forca të tjera në dukje jo fort të rëndësishme
kishin ndikuar në këtë zgjedhje. Mbretëresha Elisabeta e Rumanisë, shkrimtare e
njohur nën pseudoninimin “Carmen Silva” do të ndikonte edhe te i shoqi mbreti
Carol, duke bërë çmos për zgjedhjen e nipit të saj në fronin e Shqipërisë. Ajo
e shtynte ta pranonte fronin. Ajo hapi një fushatë në shtypin e kohës në
përkrahje të kandidaturës së nipit,[4](
Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 121). ku vinte në dukje virtytet me të mira të tij. Mirëpo pavarësisht fushatës së promovimit të
Mbretëreshës së Rumanisë në qarqet e fisnikërisë më të lartë europiane por edhe
në opinionin publik europian , kishte opinione të tjera që ndikonin negativisht
në zgjedhjen e tij.
Perandori
gjerman, ndryshe nga të tjerët, dukej i ftohtë ndaj cilësive të kushuririt, aq
sa, siç u shruajt në atë kohë e kishte këshilluar
mos ta pranonte fronin. Në kujtimet e veta, të shkruara pas ngjarjeve në
Shqipëri dhe Luftës Botërore, Vilhelmi i II do të hidhte jo pak dyshime rreth aftësive
për të qeverisur të princ Vidit.[5](
Ferdinando Salleo,
Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth:
Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit),
55) .Sipas Perandorit Vilhem ishte e pakëndshme që një princ
gjerman të shkonte dhe të bëhej gaz i botës në një vend të tillë. Një qëndrim i
tillë i Kajzerit mund të ketë ardhur edhe nga fakti se motra e tij ishte mbretëreshë
e Greqisë dhe nuk donte që një princ gjerman, kushëri i afërt i tij, të vihej në
krye të shtetit shqiptar, ndaj të cilit Greqia kishte synime që shkonin larg.[6](
Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120). Intrigat
e fisnikërisë europiane ngatërronin më keq qiejt e nacionalizmit në Ballkan!
Gjithësesi pavarësisht hezitimeve , Princi Vilhelm Vid mbërriti në Durrës, më 7 mars 1914, i
caktuar si kryeqyteti i principatës së tij.
Një mundësi më tepër po hapej për Shqipërinë pavarësisht faktit që
kufijtë e përcaktuar në Londër kishin lënë jashtë më shumë se gjysmën e
territoreve shqiptare. Princ Vidi u
mirëprit nga shqiptarët, pasi ata besonin se vetëm ai mund të ndryshonte fatin
e vendit. Më 17 mars 1914 u formua qeveria e re shqiptare, nën kryesinë e
Turhan pashë Përmetit. Krijimi i Qeverisë solli në rend të ditës edhe çështjen
e marëdhënieve të saj me KNK, ku kjo e fundit do t’i kalonte e pushtetin e saj,
por që do ndërhynte derisa eksperimenti mbretëror i Fuqive të Mëdha do të
merrte fund.[7] (Paskal Milo, Politika
e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013), 184). Mirëpo situata e
brendshme dhe politike e Principatës së re duket se nuk shkonin mirë. Caktimi i Esat Pashës nga Princ Vidi në rolet
e rëndësishëm të Ministrit të Punëve
të Brendshme dhe Ministrit të Luftës ishte një nga gabimet që i kushtoi rëndë
jo vetëm mbretërimit të Vidit por dhe stabilitetit të vendit. Që më herët pa
ardhur ende Princ Vidi, Esat Pashë Toptani kishte shprehur ambiciet e tij
personale për të qeverisur Shqipërinë. Esat Pashë Toptani në një intervistë të
dhënë në një gazetë italiane në vitin 1914 kur fliste për ardhjen e princ Vidit
në Shqipëri, “nuk i mohonte simpatitë e tij për Turqinë” (Salleo,2000:61), por
në të njëjtën kohë i zotohej princit se “askush tjetër përveç tij nuk do
të bëhej mbret i Shqipërisë në qoftë se princi jepte dorëheqjen” (Po aty:62),
duke shprehur në këtë mënyrë ambiciet e tij personale. Dalë nga dalë Esat Pasha
për interesat e veta i minoi pushtetin Princ Vidit dhe Shqipëria u zhyt në
kaos.
Një rol të rëndësishëm në acarimin e situatës
luanin dhe fqinjët ballkanikë të Shqipërisë që kërkonin të destabilizonin
shtetin e ri dhe xhonturqit që kërkonin të rikonfirmonin influencën e tyre
nëpërmjet caktimit të një princi mysliman. Këta të fundit “duke shfrytëzuar në
mënyrë të veçantë grupe fanatikësh myslimanë boshnjakë, që ishin vendosur në
Shqipëri nën mbrojtjen e Portës, në kohën e pushtimit austriak të
Bosnjë-Hercegovinës” (Salleo,2000:86) si dhe ndjenjat islamike të një pjese të
popullsisë vendase “organizuan një kryengritje të vërtetë” (Po aty:86) me
tendenca islamike kundër qeverisë së Princ Vidit. “Këta agjitatorë kishin
përhapur lajme se princi, që ata e përshkruanin si hebre, kishte ndërmend të
ndalonte Islamizmin dhe kjo shkaktoi zemërim tek myslimanët boshnjakë, zemërim
që përfshiu dhe myslimanët sunitë,që mendonin se një hap i tillë do dhunonte
lirinë e tyre. Për më tepër, shumë myslimanë kishin frikë se princi, si i
krishterë do përmbyste në favor të të krishterëve epërsinë shoqërore që ata si
myslimanë kishin gëzuar gjatë rregjimit turk”(Sëire.J, 2005:176) Lëvizja ka
hyrë në histori si “kryengritja e Haxhi Qamilit” dhe përfaqëson një nga
episodet më të errtë në historinë moderne të shqiptarëve. Kërkesat kryesore të
“kryengritësve” ishin që Shqipëria të futej nën suzerainite turk,
përdorimi i flamurit turk dhe i turqishtes dhe ndonjëherë ato kalonin dhe cakun
e absurditetit kur kërkonin që të zhbëhej sovraniteti i shtetit të ri.
Identiteti fetar shfaqej kështu
në formën më të egër dhe primitive për të shkatërruar identitetin kombëtar që
mezi kish filluar të merrte jetë. Në të njëjtën kohë por me një kahje tjetër
për sa i përket identitetit fetar shpërthen dhe rebelimi i ashtë quajtur
“epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq
Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe
një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me Helenizmin dhe
Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të
cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë.
“Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si palë në bisedimet që
Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, bisedime nga të cilët u
formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta
miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik.
“Dispozitat e protokollit ndërmjet të tjerash
parashikonin shndërrimin e bandave të armatosura në xhandarmëri lokale, e cila
do të ushtronte detyrat e saj vetëm në qarqet e Korçës e të Gjirokastrës. Në të
dyja rrethet, qeveria shqiptare do të emëronte guvernatorë të krishterë, pranë
të cilëve do të vendoseshin këshilltarë të zgjedhur nga vota e popullit.
Sigurohej liria e plotë e besimit, ndërsa gjuha greke do të mësohej në
shkollat fillore, si dhe do të përdorej në administratë dhe në sistemin e
drejtësisë”[8](Salleo,
2000:78).
“Kjo xhandarmëri që përbehej nga vullnetarë
që tashmë ishin nën armë”(Po aty:78), përbën pikën më të errët të kësaj
historie pasi asnjëherë nuk është theksuar në historinë zyrtare të Shqipërisë,
se këta vullnetarë ishin banorë lokalë të krishterë të Shqipërisë së jugut, të
cilët “mbajtën një qëndrim të dyzuar duke u luhatur ndërmjet ndjenjave
nacionaliste nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, filohelenizmit, rezultat i
lidhjes së tyre me Greqinë dhe propagandën greke.”[9](Sëire.J,
2005:160-161). Sigurisht këto ndjenja nuk mund të ishin arsye të mjaftueshme që
këta njerëz në emër të identitetit të tyre fetar të braktisnin identitetin
etniko-gjuhësor si shqiptarë, për të përqafuar një identitet tjetër
kombëtar, por që shoqëria shqiptare e asaj kohe i duhej të bënte një “mea
culpa”, për sa i përket dhunës feudale që shpesh herë aristokracia shqiptare
myslimane kish ushtruar mbi popullsitë krishtere shqiptare, ky duhej të ishte
pa diskutim një nga hapat e parë që ajo duhej të ndërmerrte për të realizuar
një bashkim të vërtetë kombëtar. Madje ekzistencën e kësaj dhune dhe mosbarazie
në të drejta kish arritur që të shfrytëzonte propaganda greke që kish arritur
të ngjallte frikën “midis shtresave filohelene-që politikisht nuk ishin
progreke”[10](Sëire.J,
2005:161) se një “qeveri shqiptare e mbizotëruar nga myslimanët do të vazhdonte
ta konsideronte elementin ortodoks si inferior ndaj elementit mysliman sikurse
kish ndodhur nën sundimin otoman”[11] (Po
aty:161).
Fillimi i Luftës së Madhe e gjeti
Shqipërinë në një gjendje të brendshme të mjerueshme, të paqëndrueshme si nga
pikëpamja politike, ashtu dhe nga ajo ekonomike e shoqërore. Si rezultat i
këtyre faktorëve të brendshëm por edhe të jashtëm, pasi nuk gjeti mbështetje te Fuqitë e
Mëdha Princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3
shtator 1914.[12] (Valentina Duka, Çështja e Princit të Shqipërisë dhe
diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 – korrik 1914 ), Studime
Albanologjike, (Tiranë: KRISTALINA-KH, 2009),
134.). Pavarësisht
mbështetjes me trupa ndërkombëtare të përbërë kryesisht nga holandezë dhe
rumunë, foshnja më e re e Europës kishte lindur e vdekur. Shqipëria nuk do të
kishte fatin e monarkive të veta simotra të të Ballkanit, pasi edhe më vonë
Princ Vidi nuk do të vinte më në pushtet. Për qeverisjen e Vidit një koment
mjaft interesant na vjen nga Fan Noli, i cili thotë, që Princ Vidi mund të fajësohet
vetëm se nuk mund të bënte mrekullira. Përpara se të largohej ai mbajti një
fjalim përpara shqiptarëve ku thoshte se, në këto rrethana ku në Europë nisi
lufta unë mendova të largohem për një kohë në perëndim, por jo që ta braktis
një çështje të papërfunduar, të cilës jam gati t’i kushtoj gjithë forcat e mia
dhe të gjithë jetën time. Por unë dua që të mësoni, sesi larg, ashtu si dhe
këtu pranë jush, unë kurrë nuk do të rresht së menduari për progresin e vendit
tuaj të dashur dhe të bekuar.[13]( Nina Smirnova, Historia e
Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha; Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004), 78).
Ai vdiq një javë para se të mabronte Lufta e Dytë
Botërore në Rumani duke mos hequr asnjëherë dorë nga e drejta e tij kushtetuese
për të qeverisur Shqipërinë, vendin që e deshi me gjithë shpirt por që kurrë s’arriti
ta qeverisë.
Bibliografi:
1- Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009)
2- Ferdinando Salleo, Shqipëria:
gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit)
3- Joseph
Sëire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria)
4- Nina Smirnova, Historia
e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha; Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004)
5- Paskal Milo, Politika
e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013).
6- Stavro Skëndi
Zgjimi Kombëtar Shqiptar.(Tiranë: 2000. Phoenix).
7- Valentina Duka, Çështja
e Princit të Shqipërisë dhe diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 –
korrik 1914 )
[1] Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120.
[2] Ferdinando Salleo, Shqipëria:
gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 53.
[3] Ferdinando Salleo, Shqipëria:
gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 54.
[4] Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 121.
[5] Ferdinando Salleo, Shqipëria:
gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 55.
[6] Arben Puto, Shqipëria
politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120.
[7] Paskal Milo, Politika
e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013), 184.
[8] Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë
muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit,78
[10] Joseph Swire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria),
161
[11] Joseph Swire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria),
161
[12] Valentina
Duka, Çështja e Princit të Shqipërisë dhe
diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 – korrik 1914 ), Studime
Albanologjike, (Tiranë: KRISTALINA-KH, 2009),
134.
[13] Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha;
Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004),
78.
Sunday, 10 March 2019
Fillesat e pasqyrimit të gruas shqiptare në kulturën europiane në shekullin e XIX.
Fillimi i
shekullit të XIX përkon me fundin e shekullit të Arsyes dhe fillimin e
Romantizmit në Europë. Përmirësimi i kushteve tekonologjike bëri të mundur dhe
përhapjen e dukurisë së udhëtimit dhe kontaktit me kulturat e reja. Një nga
vendet që sipas Edward Gibbonit , autorit të librit historik me 10 vëllime “Rënia
dhe tkurrja e Perandorisë Romake” (1776) ishte një vend që mund të shihet nga
brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës"[1]
(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi)
ishte Shqipëria. Në vitin 1809, siparin e udhëtimeve në Shqipëri dhe rizbulimin
e saj në Europë e hapin Lord Byron dhe Hobhouse që vizitojnë Ali Pashë Tepelenën
në vendlindjen e tij në Tepelenë.
Thursday, 7 March 2019
Martiri i lirisë së shqiptarëve...
Shteti kombëtar shqiptar lindi shumë i dobët në vitin
1912-1913. Nëse do perifrazonim një shprehje të njohur diplomatike,do të
përshkruhej përmes saj se ai lindi si një “fëmijë i gjallë por i mekur”. Vështirësitë që hasi shteti i porsa lindur
shqiptar nuk kishin të bënin vetëm me vështirësitë e njohura të qeverisjes administrative
dhe të sundimit të ligjit por kryesisht me mbijetesën e tij. Territoret
shqiptare u kthyen në një teatër luftimesh të Luftërave ballkanike në 1912-1913
në vigjilje të lindjes së shtetit shqiptar dhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (1914-1918), çka e
vështirësoi shumë mbijetesën e pikëpamjes politike të vazhdimësisë së shtetit
shqiptar në kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës.
Monday, 4 March 2019
Tabloja “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote”.
Lord Bajroni, përfaqëson një dukuri të
veçantë në qytetërimin perëndimor. Heroi Bajronian që ai krijoi paraqet jo vetëm
klithmën e ndryllur prej shekujsh për liri individuale e kolektive por edhe pikëllimin
e madh të shekullit për mos përmbushjen e këtyre të drejtave themelore. Fundi i
shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XIX ka një veçanti që shfaqet për
herë të parë në mendimin europian që nga Roma e lashtë. Natyra, forca dhe
bukuria e saj zevëndëson arsyen dhe racionalitetin e shekullit të XVII. Mirëpo
natyra te Bajroni nuk është si të Wordsworth që përdëllohet e mahnitet nga lulet narcis apo zambakët e ujit por është një
aspekt i rëndësishëm që përmbush dhe realizon ëndrrat e heronjve të vet. Kështu
p.sh në poemën i “Burgosuri i Shilonit” , heroi kryesor harron vuajtjet e veta
vetëm sepse përmes hekurave të dritares së burgut shikon panoramën e maleve të
Zvicrës dhe bukurinë e liqenit. Këto karekteristika të veçanta të artit dhe
personalitetit të tij bënë të mundur që
qysh në gjallje të tij , Bajroni të krijonte një audiencë të gjerë dhe pasues
të shumtë. Një pjesë e madhe e bashkëkohësve të tij pavarësisht profesionit që
kishin iu bashkangjitën idesë së tij për ringjalljen e Greqisë dhe krijimin e
Komitetit për lirinë e Greqisë. Mes personaliteteve të shumtë kulturorë që morrën
pjesë në këtë komitet, ishte dhe William Parry me profesionin inxhinier dhe që
e shoqëroi Bajronin deri në Mesolongj. Një vit pas vdekjes së Bajronit ai botoi
librin “Ditët e fundit të Bajronit”, ku përshkruan momentet e fundit të
Bajronit dhe jetën e 600 luftëtarëve suliotë që e shoqëronin atë. Në atë kohë
Mesolongji ishte një qytet fare i vogël dhe i varfër me 3000 banorë. Ishte i
papastër i pa sistemuar plot mjerim , i ndërtuar mbi baltë e pellgje i rrethuar
nga këneta të cilat mund të quhen brezi i vdekjes. Banesa ku zuri vend Bajroni
ishte fare e thjeshtë megjiatë ajo u bë shtabi i kryengritjes për disa
muaj.(Afrim Karagjozi. Bajroni. Plejad:2009, fq 261). Mirëpo përveç
përshkrimeve shumë të rëndësishme dhe autentike për momentet fundit të Bajronit
në librin “Ditët e fundit të Bajronit”të William Parry (London:
Printeted for Knight and Lacey, 1825), janë botuar dhe tre ilustrime nga
piktori i njohur dhe ilustruesi i talentuar Robert Seymur (1798 – 20 April
1836). William Parry ishte shoqëruesi i Bajronit në përpjekjen e tij për të
formuar një batalion kryengritësish suliotë në revoltën greke ndaj Perandorisë
Osmane në 1824.
Subscribe to:
Posts (Atom)