Robert Elsie për të gjithë
ata që nuk e njohin është një nga albanologët më të shquar të huaj. Që nga
vitet `80 të shekullit të kaluar e në vazhdim që ai ka patur një aktivitet
shumë të ngjeshur në shumë aspekte historik, filologjik, në fushën e
fotografisë duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të
shpërndara, të paidentifikuara më parë ti bashkojë dhe të krijojë një mozaik të
madh të atij imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj Shqipërisë.
Këto perceptime
fillojnë që nga viti 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh
albanologjik për shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth
shqiptarëve dhe autorëve të tjerë që ecën në gjurmët e tij.
Robert Elsie ishte një
studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve ’90 të krijojë një
individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në kulturën shqiptare
një pikë referimi shumë të fortë për gjithësecilin që dëshironte të njihte më
tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme
të zhvillimit kulturor të shqiptarëve.
Mbetet një kontribut i
madh historia e letërsisë shqipe që ai hartoi, në të cilën për herë të parë
vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo dhe autorë të së
shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, të
dukej sikur bënte punën e institucioneve, kulturore, artistike apo historike të
vendit tonë.
Robert Elsie dashuronte
gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për këtë gjë, ai bënte më të mirën e
mundshme, që të krijonte dhe të arrinte rezultate të drejtpërdrejta në
prezantimin e kësaj kulture në Europë kryesisht, por edhe në botë. Neve na
duhet ta pranojmë që bibliotekat e Europës dhe arkivat e ndryshme të muzeumeve,
kanë akoma dokumente të paeksploruara për shqiptarët. Robert Elsie kishte mundësinë
që të depërtonte dhe të merrte një pjesë nga këto dokumente dhe mbi to të
analizonte dhe shkruante faza të ndryshme të zhvillimit kulturor të
shqiptarëve.
Por, ajo që e përbën atë
si një rast i veçantë, krahasuar edhe me gjithë studiuesit e tjerë, është se ai
arrinte të krijonte dhe një analizë tërësore të këtyre dokumenteve duke na bërë
të mundur, që ne herë pas here të kishim botime shumë cilësore apo qoftë edhe
prezantime të letërsisë shqipe. Një ndër to edhe përkthimi i “Lahutës së
Malësisë” të Gjergj Fishtës ose të veprave më të hershme të letërsisë shqipe,
të cilat mund të konsiderohen për shijen e publikut tashmë si arkaike, por që
Elsie kishte kurajon për të prezantuar në perëndim si vlera të vërteta të
ringjalljes kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Për të gjithë ata që e
kanë njohur Elsie, e njihnin si një “Ambasador i Shqipërisë”, por nuk ishte nga
ata lloj ambasadorë që ka një përgjegjësi shtetërore nga prapa dhe do të
detyrohej të fliste gjithmonë pozitivisht. Ai për gjëra që nuk i pëlqente në
Shqipëri, problematika në histori, në kulturën shqiptare, të cilat nuk kishin
guximin për t”i trajtuar apo dhe për t”i shqyrtuar ashtu siç duhet duke u
bazuar në realitetet historike, kritikonte, krahasonte me zhvillimet e popujve
të tjerë. Në këtë mënyrë mund të themi se Elsie mundohej të ishte jashtë
Shqipërisë si një mentor i botës shqiptare.
Ai kërkonte që kultura
shqiptare të ngrihej dhe të arrinte një standard të lartë. Robert Elsie si një
njeri i kulturës besonte fort se përfaqësimi dinjitoz në kulturë do të bënte të
mundur që Shqipëria të arrinte dhe të realizonte ëndrrën të ishte pjesë e
familjes europiane. Kudo ku kishte thërmija të botës shqiptare, Elsie ishte i
pranishëm për ta vëzhguar dhe studiuar. Dy vitet e fundit të jetës së vet, ai
arriti të mblidhte material etnografik apo material folklorik, zanor, jo vetëm
nga Kosova, nga arbëreshët në Itali por edhe nga arvanitasit në Greqi. Elsie
nuk i njihte kufijtë administrative që i ndajnë shqiptarët, pasi ai ishte i
dashuruar me botën shqiptare dhe kudo që ai mendonte se diçka në botën
shqiptare ishte duke u rrezikuar ose që duhej mbledhur për t`ua lënë
pasardhësve, ose shkrimet e vjetra të udhëtarëve europianë përreth zhvillimit
kulturor të shqiptarëve, ai i merrte dhe i nxirrte nga harresa dhe mosvlerësimi
për t’ia paraqitur publikut të huaj dhe atij shqiptar.
Robert Elsie mbetet një
nga pikat e referimit për botën shqiptare. Ai në momentet e fundit të jetës së
tij prezantoi në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, të gjithë diapozitivët e udhëtares
së njohur Edith Durham, fotografi fare të panjohura nga arkivi i Muzeut
Britanik, me të cilat ai ndërtoi një koleksion shumë të bukur të memories
albanalogjike. Në këto foto pasqyrohen kujtesa e memorja e qyteteve
shqiptare, një kujtesë urbane, për qytete që kanë patur një zhvillim ekonomik
por që pas Luftërave Ballkanike, ranë pre e hordhive të ushtrive shoviniste
fqinj dhe u dogjën. Në këtë koleksion shikon foto të Leskovikut me të gjitha
shtëpitë karakteristike të mbajtura shumë mirë, shikon Përmetin, arrin të
shikosh Tepelenën dhe disa qytete të tjera. Përveçse qendrave të njohura
urbane, arrin të shikosh malësinë e Shpatit si dhe Malësitë e Veriut.
Robert Elsie sjell,
krahason dhe ngacmon në memorien e njerëzve, pra rizgjon memorien kolektive të
shqiptarëve, jo vetëm nëpërmjet teksteve të shkruara por edhe nëpërmjet
fotografisë. Ai është hartues i zërave të ndryshëm në fjalorët enciklopedik për
figurat e Shqipërise e të Kosovës, jo vetëm për personalitetet e njohur por
edhe figura të harrura për të cilat mungonte informacioni i detajuar për
publikun shqiptar.
Robert Elsie është ai i
cili i shplurosi disa figura të rëndësishme të kulturës shqiptare duke i
prezantuar në botime të ndryshme që edhe sot e kësaj dite janë një pikë
referimi për studiuesit e rinj. Kështu p.sh ai risolli në vëmendje të botës
shqiptare një nga poezitë e para në shqip kushtuar një tradite
antropologjike shqiptare siç është rituali i pirjes së kafesë, poezi nga
Muçi Zade, i cili është një poet nga krahinat e Korçës. Robert Elsie jo vetëm
që e solli në shqip por edhe e përktheu në anglisht, për të dëshmuar kulturën
urbane të qyteteve shqiptare në shekullin e XVII-XVIII.
Analizat dhe shkrimet e
Robert Elsie do t’i mungojnë shumë botës shqiptare, pasi ishte një nga miqtë më
të mirë të Shqipërisë dhe një nga avokatët mbrojtës më të mirë të saj . Robert
Elsie ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme në memorien dhe kulturën shqiptare.
No comments:
Post a Comment