Monday, 17 December 2018

Triptik historiko letrar në romanet historike të Sulejman Krasniqit




Ligjërimi historik i trajtimit  të së shkuarës  të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë ballkanike me të shkuarën , por edhe identifikimin e prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik, duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Ndërthurja e metodave të historisë me ato të filologjisë është e hershme, madje qëndron në themelet e historiografisë: pa përvetësimin prej historiografisë në lindje e sipër të metodave të filogjisë, historiografia as do të ishte lindur dot. Kjo dihet së paku që nga humanisti Lorenzo Valla e këndej.  Pavarësisht këtyre lidhjeve të ngushta vetëm në fillim të shekullit të XIX fillon të predominojë kjo tendencë letrare historike  në kulturën e rajonit Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar. ( Thiesse .A.M.(2004) Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq 162) Ky proces, që në Europë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen në proceset shtetformuese të shteteteve tyre kombëtarë. Shkrimtarët e Ballkanit në mënyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.(Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë:Dukagjini,fq 163)

Paradigma historike letrare, që e ka zanafillën që në rrëfimet e Herodotit në vetvete ka lënë një shenjë të rëndësishme në qytetërimin europian pasi  krijoi një shkollë historike letrare të quajtur shkollë herodiane, ku  janë të përfshirë shkrimtarët, të cilët kanë në vetveten e tyre sa hulumtimin, sa njohjen e një bote tjetër, po aq edhe rrëfimin e tyre artistik të lidhur ngushtë me historinë. Një nga këta shkrimtarë në hapësirat shqiptare është Sulejman Krasniqi, shkrimtari nga Kosova që ka krijuar një sagë të tërë letraro-historike në letrat shqip me romanet e veta historikë. Sulejman Krasniqi hyri në letërsinë shqipe në  vitin 1972 me novelën “Tri motra, tri histori”, për të vazhduar më vonë me romanet “Në shpellat e banditëve”(1973), “Qielli i përflakur” (1974), “Prijësja e komitëve”(1975), “Beteja e nëndheshme”(1976), “Lindita”(1977). “Mic Sokoli”(1979), “Pushka top Bajram Curri”(1982), “Dardanët”(1985), “Oso Kuka” (1990). Si mund të shikohet nga itensiteti i botimeve ai mund të quhet me të drejtë si “Balzaku ynë” si e shkruante Dritëro Agolli vite më vonë. Pavarësisht faktit që personazhet nuk shfaqen e dalin nga njëra vepër në tjetrën ato në fakt kanë një fill narrativ që është pak a shumë historia e kombit shqiptar. Gama e tematikave dhe karaktereve që krijoi janë të ndryshëm por ato i bashkon vetëdija etnike, identiteti i veçantë historik dhe skalitja e ngjarjeve madhore të kombit. Lineariteti jo i rregullt i ngjarjeve historike që trajtohen në romane jo domosdoshmërit krijon vështirësi për të lexuar eposin historik krasniqian por nëpërmjet identifikimit të veçantë të personazheve heronj skaliten dhe mbesin më mirë në mendje,  heronj e ngjarje që kanë shenjuar kujtesën tonë kolektive dhe historinë kombëtare. Romani “Mic Sokoli” botuar vetëm një vit pas 100 vjetorit të përkujtimit të Lidhjes së Prizrenit krijoi një tipologji të veçantë në letrat shqipe. Ai krijoi nga një mjedis i vogël e lokal heroin e përmasave kombëtare që fatin dhe veprimtarinë e vet ia nënshtron ideve të mëdha kombëtare. Është e vërtetë që para romanit “Mic Sokoli’ , shkrimtari Sabri Godo kish botuar “Skënderbeun” dhe “Ali Pashë Tepelenën” por vetë ngjarjet e mëdha të konflikteve Lindje-Perëndim që përshkruhen në këto romane në një farë mënyre përcaktojnë dhe llojin e natyrës epope dhe figurë historike. Në rastin e romanit “Mic Sokoli” të Sulejman Krasniqit, mund të themi me plot gojën se është pena e  tij  që ka gllëndur një personazh që në vetvete sëbashku me komplesitetin e personazheve të tjerë si Ahmet Koronica, Shuaip Spahiu, Haxhi Zeka, Ramadan Zaskoci, Sefë Kosharja etj krijon universin shqiptar të heroizmit që bie ndesh me agresivitetin shovinist të fqinjëve sllavë, keqpërdorimin si plaçkë tregu të shqiptarëve nga pushteti perandorak osman dhe paragjykimi orientalist i Fuqive Perëndimore. Ngjarjet e romanit dhe personazhet duket sikur ringjallin në memorien kolektive të lexuesve të gjitha ngjarjet e vrullshme të Lidhjes së Prizrenit duke e kthyer atë jo vetëm përmes teksteve të historisë si ngjarje të rëndësishme të kombit por edhe si vetë ndërgjegje të fituar përmes leximit. Konflikti në roman ilustron dilema të vjetra historike të shqiptarëve, të rrymave të Rilindjes Kombëtare për një bashkëjetesë me osmanët apo konfliktit të hapur me ta, për një aleancë ballkanike me popujt e tjerë apo një rebelim më vete, për kujdesjen për të përftuar miq të huaj dhe dashamirës për shqiptarët apo për të pasur një aleancë me shtetin osman? Këtyre dilemave pas zhvillimeve të vrullshme, gjithë zjarr e hekur duket sikur i jep përgjigje vet Mic Sokoli me aktin e tij heroik e të pashembullt. Ja si e përshkruan Sulejman Krasniqi fundin e tij duke kumtuar vetminë e shqiptarëve në atë pranverë të vitit 1881.

Topçinjve u ngriu litari në duar.
Mici mbërtheu me të dyja duart grykën e topit.E shtrëngoi. Iu bë sikur ngulfaste nofullat e të gjithë atyre që kishin mbjellë zi në tokën arbërore . Këmbët i ngjeshi mbi shkëmbi guror. Lëvizi pak, sa i zuri frymën gojës së caraveshur të topit me kafazin e gjoksit të tij. Ngjeshi majat e gishtrinjve mbi shkëmb: Gërr!Gërr!, u ça guri nën peshën e këmbëve të Micit. Topi u zmbraps duke shtyrë osh artilierët. Micit i bëhej se me atë shtrëngim mbyste edhe Dervish pashën, edhe vet Sulltanin, edhe kralët, edhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit. Shtrëngoi edhe më me tërbim! Shtyu edhe më me forcë!

A vlejti kjo shtyrje me forcë dhe rrëmbimi i të drejtave të mohuara? Për momentin duket se me vdekjen e Mic Sokolit  merr fund edhe jeta por vallja luftarake që heqin fëmijët në fund në fakt është vallja e qëndresës që ringjall kombin.  Romani “Mic Sokoli”i botuar në vitin 1979 në Shqipëri shërbeu këndej kufirit për të krijuar edhe hartën virtuale të kombit. Nëpërmjet përshkrimeve gjithë kolorit të Prizrenit, Gjakovës e Prishtinës lexuesit shqiptarë patën mundësi të përvetësojnë e të bëjnë si të tyret këto qytete të vjetra shqiptare që koha i kish ndarë me përdhuni nga trojet amtare.  Sulejman Krasniqit i takon merita që ringjalli me shqiptarëve sërish Mic Sokolin , heroin që i përket sa Gjakovës po aq malësisë së saj , një gur i rëndësishëm në identitetin tonë historik që nënkupton qendresën por na kujton me Kullën e tij këndëj kufirit e veprimtarinë e dëndur andej kufirit se shqiptarët ishin dhe do të mbetën një.

Në të njëjtin rrafsh e topos si Mic Sokoli vepron edhe një hero tjetër i shqiptarëve, biri i Gashit e Krasniqit, heroi i popullit Bajram Curri. Sulejman Krasniqi duket se qëllimisht për subjekt të romanit të vet ka zgjedhur rininë e Bajram Currit, periudhën kur ai maturohet e sipas traditës së shqiptarëve pagëzohet me zjerrin e armëve.Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme. Shqiptarët këndej kufirit e njihnin Bajram Currin si veprimtar të Rilindjes Kombëtare në moshë të madhe , përkrahës të Fan Nolit e Avni Rustemit në vitet 20’, por jo në rininë e tij të hershme, vite që korrospondonin me Lidhjen Shqiptare. Vet lindja e Bajram Currit në një karrocë që transportonte të burgosur nënën e tij  shtatzanë për shkak se i ati ishte kryengritës duket sikur ka shenjuar që në fillim jetën e heroit. Narracioni në vetën e parë i jep një autencitet rrëfimit  “Të lindësh në një karrocë burgu  nuk është një ndodhi  dosido. E pra, unë kam lindur në karrocën e burgut e për këtë shkak nuk e nisa jetën si moshatarët e mi”. Duket se ky fillim i pazakontë i jetës përcakton edhe fatin e mëvonshëm të personazhit dhe heroit të romanit, Bajram  Currit.
Përshkrimi i mbylljes në Gjakovë në Kullën e Abdulla Drenit të Maxhar Ali Pashës e bashkë me ta dhe të Shaqir Currit , babait të Bajram Currit për të respektuar dhe mbajtur fjalën e dhënë hedh një vështrim tjetër psikologjik mbi tiparet antropologjike të shqiptarëve. Kësaj radhe jo nga të huajt orientalistë por nga një autor shqiptar që arrin të portretizojë disa nga personazhet më të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve në vitet 70’-80’ të shekullit të XIX. Romani është i ndërtuar mbi tre motive letrare kryesore që mbizotërojnë dhe në rrëfimin letrar të historisë së shqiptarëve. Motivi i luftimit të vëlla-vrasjes, kësaj plage të vjetër të përçarjes shqiptare që Lidhja e Prizrenit u mundua për ta zgjidhur duke pajtuar gjaqet e forcuar bashkimin mes popullsisë. Motivi tjetër është ngritja e moralit tek luftëtarët që edhe kur janë nën presion e luftë mundohen të ringjallen për të mbrojtur atdheun. Përshkrimi epik i Col Delisë që hyn në kullën e Abdulla Drenit është një nga tablot më mbresëlënëse të letërsisë shqipe. Motivi i tretë është  ngritja e atdhedashurisë përmes konfliktit të hapur me Perandorinë Otomane dhe Malin e Zi. Kreu i fundit paraqet luftën në mes të popullit shqiptar dhe atij malazez, ndërmjet Sulejman Vokshit, Mic  Sokolit, Rexh Avdisë, Shaip Spahiut, Ali Ibrës, Bajram Currit, Niman Syla, Isuf Sokoli, Filip Çeka dhe Mark Milanit me ushtri. Fundi i romanit paraqet fitoren e popullit shqiptar, edhe pse aty ishin vrarë shumë luftetarë shqiptarë, duke shërbyer si një kronikë e mirrëfilltë historike që nga viti 1864 që ka lindur Bajram Curri e deri në vitin 1879 kur bëhet beteja me malazezët.

Pikërisht konfliktit me malazezët i është kushtuar edhe romani “Oso Kuka” i botuar në vitin 1990. Figura e Oso Kukës kishte qenë një figurë shumë kryesore që kish frymëzuar poetin kombëtar Gjergj Fishtën për të shkruar këngën e parë të “Lahutës së Malcisë”, ndaj do ishte shumë e vështirë për tiu përqasur kësaj figure pavarësisht zhanreve të ndryshme. Në vitin 1990 Sulejman Krasniqi kish arritur maturinë më të madhe si shkrimtar prandaj ka arritur që të përcjellë mesazhe të forta historike e letrare përmes penës së vet. Të mos harrojmë se në vitin 1989 sapo kishin filluar kërcënimet sllave nga “Guri i Gazimestanit” ndaj shqiptarëve dhe në skalitjen dhe gllendjen e kësaj figure epike, shkrimtari Sulejman Krasniqi duket se përçonte dhe një kumt historik ndaj fqinjëve ngatërrestarë. Romani është një tablo e gjerë e përshhkrimit të qytetërimit të Shkodrës, ku si në të gjithë romanet e Krasniqit gëlojnë shumë personazhe të tjerë historikë përveç Oso Kukës. Përshkrimi dhe marrja pjesë e Oso Kukës në kryengritjet antiosmane në Shkodër të djelmurisë shkodrane me prijës Hamza Kazazin e Dasho Shkrelin nevojit edhe rivlerësimin e këtyre këryengritjeve para publikut shqiptar. Ato nuk i kanë shpëtuar paragjykimit ashtu si dhe figura e Oso Kukës, ndaj romani është një grishje për lexim e rivlerësim të historisë. Sulejman Krasniqi në romanin e vet pasqyron pikërisht këtë ngjizje të nacionalizmit shqiptar në Shkodër, në Misir ku shkon Oso Kuka dhe ku udhëheq dinastia shqiptare.
Skam çbëj tjetër Shkodra ime! Për ty po djeg veten time! Edhe njëqind jetë ti kisha, Shqipërinë flakë do ti digjsha! përfundon romani “Oso Kuka”, ku Sulejman Krasniqi përmes së njëjtës teknikë letrare si te romani Mic Sokoli heroin lokal të Shkodrës e kthen në hero të gjithë Shqipërisë.
Historia në antikitet kishte muzën e vet të njohur me emrin Klio që  ishte një nga nëntë muzat që respektohej në botën antike. Origjina etimologjike e kësaj fjale vinte nga fjala greqisht  “klio”  që do të thotë të tregosh të rrëfesh dhe në të njëjtën kohë të bësh të famshëm ngjarjen apo personazhin që rrëfen. Që nga ajo kohë e deri në kohët e sotme ka rrjedhur shumë ujë dhe historia dhe letërsia shumë herë kanë  rrëfyer  të kaluarën përmes dokumentave, romaneve, burimeve historike dhe rrënojave arkeologjike, ndërtesave, fotografive etj. Tendenca moderne e shkrimit të historisë është dhe kombinimi i saj me letërsinë për të krijuar vepra që nuk përshkruajnë vetëm ngjarjet historike dhe personazhet historikë por dhe impaktin e tyre në jetën sociale. Letërsia shqipe pati fat që kish mes saj Sulejman Krasniqin që më mirë se askush tjetër e krijoi këtë tendencë e modernizim si shkollë letrare në letrat shqipe.


* Artikulli është kumtesa e mbajtur në Rahovec më 7 dhjetor 2018 në tryezën e rrumbullakët shkencore  Portreti krijues i shkrimtarit Sulejman Krasniqi”.  






No comments: