Vepra e Lord Byron-it e sidomos poema “Shtegtimet e Child
Harold-it”, ka pasur një jehonë të madhe në Shqipëri. Kjo memorie historike e
jehonë letrare vjen që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare ku e veprimtarë të
shquar të saj në kuadër të zgjimit kombëtar të shqiptarëve e përkthejnë dhe e
përmendin Kanton II të poemës Shtegtimet
e Child Harold-it ku flitet për vizitën e Bajronit në Shqipëri dhe shqiptarët.
Mirëpo jehona e këtyre vargjeve nuk do të ishte vetëm
gjatë këtyre viteve dhe shtet ndërtimit të shqiptarëve por edhe më vonë kur
poema do të përkthehet e plotë për lexuesit shqiptarë. Në vitin 1956 kur ajo
botohet për herë të parë e përkthyer nga Skënder Luarasi dhe ka lënë gjurmë në
mendimin shqiptar në një poezi të Ismail Kadaresë, në përmbledhjen poetike që
ai ka botuar në vëllimin poetik “Ëndërrime”(1957), ku një poezi e veçantë
titullohet Chajd Harold.
Çajld Harold
Kalanë e Tepelenës unë e pashë;
E shkretë ish, bedenat pa njeri,
As roje, as shtiza, as Ali Pashë,
Më nuk kumbon. Por heshtje . Qetësi.
Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,
As kuaj, as llambadha mbi xhami,
Por pashë tek libraria anës udhës
Si blinte “Çajld Haroldin” një fëmi.
(Ismail Kadare. “Ëndërrime”: 1957)
Në vitin 1959 që korospodonte dhe me 150 vjetorin e vizitës
së Bajronit në Shqipëri në Tepelenë u përurua një basoreliev kushtuar Bajronit dhe
sërish iu dha jehonë veprës së tij në Shqipëri. Jehona e kësaj vepre vazhdonte
përgjatë teksteve të letërsisë botërore që studioheshin në shkollat e mesme dhe
publiku, artistët dhe letrarët shqiptarë vazhdonin të frymëzoheshin nga motivet
e kësaj vepre. Në vitin 1972 mjeshtri i
grafikës Agim Faja realizon një pllakat
që e ka marrë frymëzimin nga Poema
"Shtegtimet e Childe Harold" dhe konkretisht vargjet Shqipëri , lejomë të kthej sytë e mi/mbi ty
o nënë e ashpër e burrave të rreptë. (Koleksioni privat i z Artan Shabani).
Në pllakat mbizotërrojnë ngjyrat kuq e zi , ngjyrat e flamurit shqiptar.
Pllakati është tempera në letër. Shqipëria përfytyrohet si një grua me një
shami të zezë në kokē. Portreti i saj është i ashpër, me një lloj hunde tipike
shqiptare , por vathët e vendosur në vesh i japin një ndjesi hijeshije dhe
lloji i shamisë na kujton portretet e grave të Mirditës e Malësisë së Madhe të
fotografuara nga Edit Durham në fillim të shekullit të XX. Vitet 70' e rikthyen
sërish në vëmendje Bajronin dhe poemën e tij me ribotimin e përkthimit të parë
te vitit 1955 nga kulturologu i madh Skënder Luarasi. Këto vite përkojnë dhe me
lëvizjet kundër zakoneve të vjetra apo prapanike siç i quante propaganda e
kohës ku një rol qendror luante emancipimi i grave. Nuk përjashtohet mundësia
që grafisti Agim Faja të jetë i frymëzuar nga këto momente kulturore e
historike dhe në përshkrimin e Shqipërisë ashtu si dhe Bajroni e shikon në
rolin e nënës. Ky imazh fort romantik i përdorur i Bajroni në poemën e tij
rreth 150 vjet më parë i shkon për shtat dhe kulturës shqiptare të mesit të
viteve 70’. Imazhi i nënës si njeri i dhembshur mbizotëroi si imazh i
romantizmit dhe u rimorr në kulturën shqiptare nga shkrimtarë e poetë që e
përfytyruan atdheun në fakt si Mëmëdhe. Piktori Agim Faja kishte një
eksperiencë të admirueshme në momentin kur realizoi këtë pllakat. Në vitin 1966
ai kish realizuar ilustrimet “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit,
një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve shqiptarë me
legjendat e Mujit e Halilit, me zanat dhe orët e malit.
Në vitin 1973 poema Chajld Harold ribotohet sërish dhe sërish
ajo ka një ndikim në kulturën shqiptare. Një influencë tjetër e vargjeve të
Bajronit mbi veprën e një prej poetëve të shquar shqiptarë Dritëro Agolli nuk është
studiuar ose nuk është nënvizuar nga kritika. Poema “Nënë Shqipëri” (1974)
është vepra më e gjatë në vargje e D. Agollit. Edhe vetëm kjo e dhënë ka peshën
e saj në përcaktimin e vendit që poema zë në krijimtarinë e poetit, por edhe në
historinë e letërsisë shqiptare në tërësi.Dhjetë kapituj, një hyrje dhe një
mbyllje – vetë kjo ngrehinë e veprës flet shumë për rëndësinë dhe vëmendjen e
veçantë që i ka kushtuar poeti kësaj teme, për mendimet dhe përjetimet që ajo
ka zgjuar në mendjen dhe vetëdijen e tij që përpara se të ulej të shkruante vargjet
e para dhe deri në çastin, kur ai i mbylli përfundimisht fletët e dorëshkrimit
dhe e quajti veten të plotësuar me atë që kishte nxjerrë nga duart.(Shpetim Çuçka Pse e shkroi Dritëroi Nënë Shqipëri. Gazeta
Shqiptare). Në poemë ndihet ndikimi romantik Bajronian në disa
motive, leksik dhe vargje që na rikujtojnë poemën e famshme “Childe Harold” të
Bajronit. Së pari nuk e di nëse mund të jetë një koincidencë por ribotimi i
Shtegtimeve të Childe Harold ndodh në vtin 1973 dhe një vit më vonë në 1974
botohet poema “Nënë Shqipëri” e Agollit. Ashtu si gjithë poetët e njohur as
Agolli nuk ka shpëtuar procesit të njohur të rileximit dhe nuk përjashtohet
mundësia që gjatë kohës që shkruante “Nënë Shqipëri” të ketë rilexuar poemën “Shtegtimet
e Childe Haroldit”. Imazhi dhe figuracioni kryesor që bie në sy në vargjet e Bajronit
kushtuar Shqipërisë është identifikimi i
saj në rolin e nënës , një figuracioni shumë romantik. Pavarësisht faktit që Bajroni
e identifikon Shqipërinë si “nënë e ashpër” sërish në poemë ndihet lidhja nënë
bij kur autori fillon dhe rrëfen bëmat e shqiptarëve të identifikuar si “bij të
rreptë”. Ky motiv gjendet dhe në poemën “Nënë Shqipëri” të Dritëro Agollit kur
autori që në fillim të saj ashtu si dhe Bajroni për të evokuar frymëzimin e vet
i drejtohet Shqipërisë.
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!
trokasin rrokjet, trokasin vargjet
trokasin hapat në jug e Veri, trokasin pikat nën strehët
e pragjet:
Nënë Shqipëri, nënë
Shqipëri!
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)
Sigurisht që tek Agolli ndihet më tepër emocionaliteti
dhe afërsia me të cilën i drejtohet revokimit të Shqipërisë si nënë, pasi tek
ai Shqipëria nuk është vetëm një burim frymëzimi romantik por edhe atdheu i të
parëve të vet. Agolli krijon një lidhje të vërtetë nënë-bir kur shprehet :
lermë të bie në prehrin tonë të ngrohtë,
o hallemadhja ime
shekullore!
të të puth duart e tua, më të mirat në botë ,
i ngazëlluar të
hesht me heshtje foshnjore.
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)
Një motiv tjetër që dëshmon influencën e romantizmit në të
dy poemat është përdorimi i vargjeve dhe metrikës popullore për të thyer rrëfimin
linear të ngjarjeve. Bajroni si një dishepull i Romantizmit e kishte bërë të
tij principin e gjetjes së motiveve në
folklor dhe në atë që Herderi e quante volgeist-shpirti i popullit. Është fakt
i njohur se vargjet e famshme Tamburxhi, Tamburxhi në poemën Childe Harold u
frymëzuan nga folklori shqiptar dhe madje ka autorë dhe kritikë që këmbëngulin se
vargjet e famshme ishin një përkthim i lirë i një kënge shqiptare. Po kështu për
të njëtin efekt gjejmë të poema “Nënë Shqipëri” të Agollit vargjet e këngëve të
nizamëve që janë të përfshira në poemë. Përdorimi i këngëve , vargjeve dhe
metrikës popullore shqiptare krijojnë një atmosferë që ndërthur rrëfimin poetik
me veprimin e shpejtë duke i dhënë dinamizëm lirizmit romantik të poemave.
Kontakti i Bajronit me botën shqiptare ishtë në të njëjtën
kohë edhe magjepsje nga ana e këtij të fundit për kostumet dhe etnografinë
shqiptare. Në letrën e tij dërguar së ëmës ai shprehet për shqiptarët se ata janë të veshur me petkun e
tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të
qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të
arta), me jataganë e pisqollë të sërmët.( Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim
Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”). Këto përshtypje të tij janë të
pasqyruara edhe në poemën “Childe Harold” ku një motiv kryesor zënë vargjet për
fustanellat dhe kostumet shqiptare.
Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën/
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)
Po kështu në poemë krahinat e ndryshme të Shqipërisë
identifikohen përmes kostumeve popullore. Bajroni shkruan:
E kush është aqë
trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan,
apo Maqedhoni dërgon bijt' e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe, t'i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rjedh posi lumë.
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)
Imazhi i fustanellës edhe i kostumeve popullore shqiptare
është i pranishëm dhe në poemën “Nënë Shqipëri” të Agollit. Edhe pse Agolli
është një poet modern me një distancë kohore më shumë se 150 vjet nga Bajroni, ai
përdor imazhin e fustanellës e xhubletës për të përshkruar figurën e Nënë Shqipëri.
Lermë të bie në prehrin tënd plot ledhatime
O hallemadhja ime shekullore!
Le të hyjë në shpurtin çdo fëshfërimë
E fustanellës dhe xhubletës sate malore!
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)
Natyra dhe bukuritë e saj si strehë e poetëve romantikë
ku ata gjejnë frymëzimin është një tipar tjetër që duket se ka frymëzuar jo vetëm
Bajronin si një nga përfaqësuesit më të njohur të Romanrizmit por edhe Agollin.
Bajroni e përjetoi nëpërmjet sublimes bukurinë e natyrës shqiptare. Këto përshypje
e impresione poetike i gjejmë tek poema Childe Harold, kur ai përshkruan viset
shqiptare.
Nga mati i zymtë shqiptar, Haroldi
Kaloi gjer në kërthizë të Ilirisë,
Për pllajë e male fort të madhërishëm
E vise që Historia s’i kujton
Në Atikën e përmendur rrallë sheh
Lugina kaq të bukura: s’ka Tempia
Stoli q’aty se gjen; Parnas i dashur,
Megjithëse vend klasik i shenjtëruar
S’krahasohet dot me viset që fsheh ky bregdet”
(Bajron. Cajld Harold. Përkthyer nga Skënder Luarasi)
Edhe Agolli tek poema e tij “Nënë Shqipëri” duket që
operon artistikisht e po të njëtin figuracion e imazhe letrare kur i këndon Nënës
Shqipëri. Ai krijon një mit të bukurisë që ringjallet e rinohet pa përmendur
vende të shenjta në mitologji por duke nënkuptuar se elemëntët e natyrës
shqiptare e kanë këtë dhunti.
Ti syte lan ne mengjes me ujin e krojeve te maleve
Ti lleret lemon ne mengjes me shkumen e deteve,
Ti faqet fshin me peshqirin e madh te livadheve,
Ti floket lyen me lengun e luleve te bjeshkeve...
Dhe cdo mengjes behesh me e re dhe perze zhubra e
rudha.
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)
Përshkrimi i natyrës, i maleve dhe lumenjve të Shqipërisë
është i ngjashëm i në të dy poemat. Bajroni e përshkruan hyrjen për në Tepelenë
me nota romantike e gjithë ngjyra.
Dielli po perëndon përtej Tomorit,
E Vjosa vjen me valë të egërsuar;
Hijet e natës po mbulojnë dhenë.
Tek rusej me kujdes tërthores thikë,
Haroldi pa, si meteor në qiell,
Xhamit’ e ndritura të Tepelenës
Dhe muret e kalasë përmbi lumë.
Sa qasej, ndjente zhurmë luftëtarësh
E cila shtonte flladin vajtimtar të grykës.
(Bajron. Cajld Harold . Përkthyer nga Skënder Luarasi)
I njëjti rrëfim poetik na vjen dhe nga pena e Agollit kur
përshkruan dhe sendërton në vargje Shqipërinë nga jugu në veri, nga lindja në
perëndim.
Ja, mbi sup të Nëmërçkës
Dielli ngre kokën si dashi\
Mbi vetull të Dajtit hëna-mënjanë si feste.
Korabi hesht me lara të bardha
Siç hesht pas kullotjes balashi;
Shkëlzeni si dhëndër
i kaltër pret nusen në feste
Tomor e Shpirag
Njëri me hark
Tjetri me shpatë
Qendrojnë të veshur gri si shqytarë ilirë ;
Cukali mban topuzin me krahun e djathtë
Me gjoks nga Buna e lirë ...
(Dritëro Agolli. Nënë Shqipëri. Vepra Letrare 2)
Struktura e udhëtimit epik në kohë dhe hapësirë me
revokimin e së shkuarës është aspekti tjetër që në rastin e Bajronit tingëlloi
origjinal dhe e ktheu poemën e tij në një nga më të famshmet në letërsinë botërore,
kurse ideologjizimi i pashmangshëm i poemës “Nënë Shqipëri” e ktheu vrulli e shpërthim lirik e poetik të Agollit
në një poemë epike me ngjyrime majakovskiane. Gjithësesi pavarësisht këtij
fakti influenca Bajroniane dhe e letërsisë klasike duket se e ka shpëtuar si
tekst “Nënë Shqipëri” që rilexohet edhe sot e të konsiderohet si një nga poemat
më të mira epike të letërsisë shqipe. Në këtë mënyrë Bajroni me modernitetin e
tij si poet romantik nuk shërbeu vetëm si ilustrues i idesë së ringjalljes së vlerësimit
Shqipërisë nga të huajt por edhe si frymëzues i përjetësisë dhe eternitetit të
Shqipërisë në kulturën shqiptare sa herë u përkthye e u botua vepra e tij në
gjuhën shqipe.
No comments:
Post a Comment