Në
Muzeun e Artit Oriental në Trieste ndodhet një pikturë me laps e titulluar “The
Oriental cafe of Trieste” –Kafeneja Orientale në Trieste. Gravura daton në
vitin 1888. Ajo ka përmasat 64.0 x 47.4 cm dhe
paraqet katër burra, nga të cilët dy janë
duke gjerbur dhe shijuar një kafe turke dhe dy të tjerët duket se janë pronari
i kafenesë dhe shërbyesi apo hyzmetçiu, siç quhej në terminologjinë e kohës.
Pronari qëndron në një dritare të hapur dhe është duke ndjekur bisedën e tyre,
ndërsa hyzmetçiu duket më pas në sfond duke dëgjuar me vëmendje. Dy personazhet, që po pijnë kafenë dhe po
bisedojnë janë të veshur njëri me fustanellë, brez, jelek dhe fes me xhufkë, ndërsa tjetri është i veshur me jelek dhe
branevek. Nuk e dimë origjinën etnike të këtyre personazheve, por nga nisur nga
veshja e tyre mund të mendojmë se janë shqiptarë.
Një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve, që e gjen
me një shtrirje gjatë gjithë territoreve ku ka banuar etnia shqiptare është
fustanella. Në mënyrë të gabuar shpesh herë ajo është referuar si një veshje
kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt si mund të
identifikohet dhe nga një numër gravurash të fillimit të shekullit të XIX, por
edhe nga fotografitë e Fototekës “Marubi’, fustanella gjen një shtrirje të
admirueshme si veshje edhe në veri të territoreve shqiptare, duke marrë pa
dyshim atributet e një veshjeje kombëtare gjithëshqiptare. Përhapja e
fustanellës, veshjes kombëtare të shqiptarëve ndërmjet popullsive të tjera
fqinje të Ballkanit si grekët dhe turqit na vjen përmes dëshmisë së historianit
anglez Xhorxh Finleit, i cili në një udhëtim të bërë në gjithë Perandorinë Otomane,
Shqipëri, Maqedoni, Greqi etj., vuri re se veshja e zakonet shqiptarëve
vlerësoheshin në mënyrë të veçantë dhe imitoheshin. Ai shprehet “.... madje dhe
turqit, që gjithmonë kanë ndikuar shijet dhe zakonet ushtarake, u bënë imitues
të shqiptarëve”. Duke folur për rolin e madh dhe rëndësinë ai shprehet: Një
shenjë të vockël, por që bie në sy, të pozitës së lartë që fituan
shqiptarët, na e tregon pranimi i përgjithshëm i veshjes së tyre. Atëherë u bë
një gjë jo e pazakonshme, në Greqi e në Maqedoni, që të shihje fëmijët e
osmanllinjve më krenarë të veshur me fustanella ose me fundin e bardhë të
toskëve. “Madje dhe të rinjtë grekë me pozita guxuan që ta pranonin këtë
veshje, veçanarisht kur bënin rrugëtime, meqë ajo u jepte mundësinë që të
mbanin armë”.
Personazhi tjetër në
gravurë është i veshur me jelek dhe branevek. Branaveku bëhej prej perkaline të
zezë të importuar, ose prej pëlhure pambuku të punuar në vend. Ata priteshin e
qepeshin te terzinjtë. Branavekët ishin veshje e përgjithshme e qytetarëve katolikë,
që nga mesi i shek. XIX e deri në vitet 20’ të shekullit të kaluar. Personi i
tretë, që shërben kafenë dhe është duke i dëgjuar me vëmendje është i veshur me
veshje osmane, me një cohë të gjatë të lëshuar dhe një çallmë.
Autori i kësaj gravure është Francesko
Beda. Fillimet e krijimtarisë artistike të Francesko Beda-s e gjejnë atë, duke
udhëtuar nëpër Austri, Hungari, Kroaci dhe Angli, të përkushtuar ndaj
subjekteve historike dhe pikturimit të portreteve, për të cilat ishte shumë i
kërkuar. Ndër portretet e tij më të famshme dallojnë ato të perandoreshës
Elisabeta të Austrisë, të princit të Rolianit dhe të peshkopit Strossmayer të
Zagrebit. Më vonë kaloi në skenat e zhanrit që përshkruanin personazhe të
veshur me kostume elegante e me ngjyra të ndezura, skena elegante të vendosura
në shekullin e tetëmbëdhjetë. Ai preferonte formatet e vogla. Nga 1876 përdori
tonet e Fortuny-së, duke ruajtur një stil akademik ama, me tipare të sakta dhe
të detajuara. Të rralla ishin pikturat orientaliste, shumë në modë në atë kohë,
si Caffè Orientale e Triestes (1888),
aktualisht i ekspozuar në Museo Civico d'Arte Orientale. Në muzeun “Revoltella”
ruhet një pikturë e stilit që ka përdorur në fillimet e tij (1868): Carlo VI pret ambasadorët Venedikas.
Duke filluar nga viti 1896 ai e ndau studion e tij të pikturës me të birin
Giulio. Shumë prej veprave të Francesco-s bliheshin nga tregtari i artit vjenez,
Winterstein, i cili kishte një klientelë të pasur. Francesco Beda, në vitet
1875-1880, kishte për zakon të shkonte në kafenenë historike Caffè Chiozza, të
frekuentuar nga piktorët Alfredo Tominz, Giuseppe Pogna, Giovanni Battista
Crevatin, Giuseppe Savorgnani, Antonio Lonza, Eugenio Scomparini, arkitektët
Ruggero Berlam dhe Giacomo Zammattio, skulptorët Attilio Depaul, Eduardo
Baldini, Luigi Conti, Francesco Pezzicar, punuesja e drurëve cilësorë Stella
dhe dekoruesi Abeatici. Në Chiozza, Giuseppe Caprin dhe Giuseppe Lorenzo
Gatteri ishin si të shtëpisë dhe pëlqenin shumë të flisnin për artin, gjithmonë
të rrethuar nga një auditor i madh, i vëmendshëm dhe nderues. Del Gatteri,
thuhej se ishte një njeri me kulturë të rrallë. Ishte pikërisht në këtë ambient
ku u fol për herë të parë për një rreth artistik të Triestes, që do të dilte në
dritë vetëm një dekadë më vonë.
Carlo Wostry në "Storia del Circolo Artistico" (Historia e Rrethit Artistik)
të vitit 1934, do të kujtojë Francesco Beda-n si një nga personazhet më të
këndshëm të Rrethit: "... ai bënte fjalime, duke filluar bisedat e tij të
gjata me një gjuhë, që sipas tij ishte e pastruar në mënyrë që t’i jepte më
shumë rëndësi arritjes së qëllimit të tij diktatorial. Linte sa këtu atje disa
shaka tipike të Triestes, që i krijonte vetë, duke i bërë të gjithë për të
qeshur. Nëse bënte ndonjë batutë vërtetë për të qeshur, do të qeshte vetë
gjithashtu, dhe me atë strabizmin e tij, njëri sy majtas e tjetri djathtas,
shikonte çuditshëm. Gjithmonë me humor të mirë, kënaqej të mësonte të rinjtë se
si të bënin një pikturë.
Subjektet
orientale në teatër dhe art nuk ishin të rastësishme në Trieste. Trieste ishte
porti më i madh i perandorisë Austro-Hungareze dhe si i tillë vizitohej nga
agjentë të ndryshëm tregtarë nga viset e perandorisë otomane. Qyteti, porti i
vetëm në bregdetin austriak, ishte pararoja e veprimtarive tregtare të
Perandorisë me Lindjen dhe vendi nga i cili filloi sezoni i tregtisë dhe
njohjes së ndërsjellë, që në vitin 1718. Një përballje që bëri osmanët, sipas
roleve sociale, të negociojnë, të ndërmjetësojnë, të shkarkojnë mallrat në doke
dhe të krijojnë markat tregtare për t'u ofruar në tregjet e Levantit.
Komuniteti turk, i përbërë nga boshnjakë, shqiptarë, maqedonas, grekë
kontinentale, serbë dhe turq hungarezë, gjeti në Trieste një qytet mikpritës,
një vend që respektoi besimin fetar të bashkësisë dhe zakonet e anëtarëve të
saj. Respektimi i dallimeve fetare mund të vërehet në vendet e mëshirimit
njerëzor. Që nga viti 1848, Trieste ka pasur një varrezë të vogël myslimane
pranë varrezave katolike të Shën Anës dhe ndoshta, edhe më herët, të vdekurit
osmanë varroseshin fillimisht sipas ritit të funeralit islamik në kodrën e Shën
Giusto-Justinit. Shkëmbimet tregtare me Perandorinë Osmane dhe rrugët detare,
që lidhën Triesten me Smirnën dhe Konstandinopojën, kontribuan në përmirësimin
e shijes orientale ndaj objekteve dhe mobiljeve. Midis viteve 1840 dhe 1860 u
përhap në Evropë moda orientale, e cila u takua me aprovimin e klasave
dominuese. Pronarët e pallateve dhe vilave prestigjioze, si sipërmarrësi
Pasquale Revoltella, kapitalisti Giuseppe Brambilla, bankieri Elio Morpurgo
(një nga themeluesit e Austrian Lloyd), financieri Filippo Artelli dhe arkiduka
Maximilian i Austrisë, mobiluan dhe zbukuruan sipas stilit oriental një ose më
shumë dhoma në rezidencat e tyre. Maximiliani i Austrisë (Vjenë 1832. Querétaro
1867) filloi të tërhiqej nga lindja orientale nga viti 1850. Atë vit ai bëri
një udhëtim në Greqi dhe në bregun turk me vëllain e tij Carlo Lodovico. Ai
mbajti një ditar të detajuar dhe të pasionuar të këtij udhëtimi, i cili u botua
pas vdekjes së tij . Një dhomë e Villa Lazarovich, vendbanimi i parë i
arkidukës në Trieste i vendosur në kodrën e Shën Vito-s, ishte mobiluar sipas
stilit "Moorish" dhe u transferua në Gartenhaus, e ndërtuar në Parkun
e Miramar-es. Është përfaqësuar nga piktori dhe miniaturisti Germano Prosdocimi
në dy piktura me bojra uji. Në pjesën e dytë të shekullit XIX ekspozitat universale
u bënë shumë të shpeshta në Evropë. Në Trieste, në vitin 1882, njerëzit në
varësi të perandorisë austriake shfaqën produktet e tyre bujqësore dhe
industriale. Ekspozita u vendos në zonën midis Campo Marzio dhe Passeggio
Sant'Andrea. Një gazebo i tërë u mobilua sipas mënyrës orientale, për të
ekspozuar produktet e ardhura nga Persia, India, Kina dhe Japonia. Një dhomë
turke ishte e mobiluar nga piktori Ugo Charlemont.
Gravura
rrëfen për një komukim të ndërsjelltë midis kulturave dhe shqiptarët gjendeshin
sa një një krah apo në një tjetër të Adriatikut kishin një prani të fortë në
Levant dhe në Adriatik. Në vitin 1912, rreth 50% e volumit të tregtisë së
jashtme të viseve shqiptare bëhej me Austro-Hungarinë dhe Triste si porti i
vetëm i Perandorisë në Adriatik luante një rol të madh. Gjurmimi i artefakteve,
gravurave dhe dëshmive të pranisë së shqiptarëve nëpër botë mund të fillojë të
plotësojë mozaikun e madh të munguar të kulturës sonë europiane dhe mesdhetare.
Bibliografi:
1- Finlay.
George, A history of Greece, Volumi VI, Macimillian and Co.London 1817
2- Muzeu
Historik i Shkodrës
3- S. Benco,
hyrje në S. Sibilia, Piktorët dhe Skulptorët e Triestes, Milano 1922;
4- Katalogu i
Muzeut Revoltella të Triestes, Trieste 1933.
5- Carlo
Wostry, Historia e Rrethit Artistik të Triestes, 1934;
6- M.
Comanducci, Piktorët italianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Milano 1935;
7- C.H.
Martelli, Artistë nga Trieste të shekullit të njëzetë, Trieste, 1979;
8- Thieme-F.
Becker, Künstler-Lexikon, III, 1991.
No comments:
Post a Comment