Historia në antikitet kishte muzën e vet të njohur me emrin Klio
që ishte një nga nëntë muzat që respektohej në botën antike. Origjina
etimologjike e kësaj fjale vinte nga fjala greqisht κλέω/κλείω që
do të thotë të tregosh të rrëfesh dhe në të njëjtën kohë të bësh të famshëm
ngjarjen apo personazhin që rrëfen.
Herodoti, historiani i parë i njohur i botës antike në veprën e
vet “Historia” kur përshkruan vende, popuj dhe zakone të tyre, mbretër dhe
heronj duket sikur e respekton muzën e vet se pasi e shpall Historinë si nënën
e dijeve, rrëfimet e veta i transmeton në formën e rrëfenjave dhe sigurisht
duke bërë të famshëm gjithkënd që përmend. Që nga ajo kohë e deri në kohët e
sotme ka rrjedhur shumë ujë dhe historia është bërë një shkencë që rrëfen të
kaluarën përmes dokumentave, burimeve historike dhe rrënojave arkeologjike,
ndërtesave, fotografive etj. Ajo e ka humbur tiparin e fiction, proza e saj
është e thatë dhe pa emocione dhe vetëm si një dëshmitare e paanshme rrëfen
sekuencat e së shkuarës. Si e tillë ajo ka audiencë më të pakët, kryesisht mes
profesionistëve ndaj dhe një tendencë moderne e shkrimit të historisë është dhe
kombinimi i saj me historinë sociale për të krijuar vepra që nuk përshkruajnë
vetëm ngjarjet historike dhe personazhet historikë por dhe impaktin e tyre në
jetën sociale.
***
Çfarë mund të afrojë historia e revolucionit francez nëse atë
nuk e studion në lidhje me efektet dhe impaktet që pati në Evropë, në krijimin
e shteteve-komb apo deri në rrezatimet e tij këtu në gadishullin Ballkanik, kur
ushtritë e Napoelonit erdhën deri në Dalmaci dhe në Korfuz. Lexime të tilla
historish bëjnë të mundur që të krijojnë dhe ndihmojnë nxënësit në arsyetimin
dhe analizën logjike të ngjarjeve dhe të kuptojnë më mirë dukuritë shoqërore që
ndodhën në atë kohë. Këto lloj leximesh dhe shkrimesh të historisë i tejkalojnë
historitë panegjerike të shkruara në mesjetë përreth herojve dhe ngjarjeve
historike, të tipit alla Plutarkian, pasi janë një kombinim i mirë
multidisiplinar i dijeve shoqërore. Gjithësesi lexuesi i ri apo dhe i maturuar
edhe në këtë lloj librash historikë mund të bëjë zgjedhjen e vet. P.sh
historianët prej kohësh kanë gjetur egzagjerime apo pasaktësi në veprën e Marin
Barletit, “Historia e Skënderbeut”, por vëmendjes së tyre nuk i ka shpëtuar
“Kronika e Muzakajve”, e Princit arbër Gjon Muzakës, botuar në Napoli në 1510,
një kryevepër historike e shkruar me stil lakonik por gjithë informacion për
botën mesjetare arbëre dhe Motin e Madh.
Për fat të keq ky është një libër që nuk ka fituar ende
vëmendjen e duhur, edhe pse i botuar tashmë në shqip, në mënyrë që lexuesit e
rinj të mos hallakaten në folklorizma rreth mesjetës shqiptare por të arrijnë
të lexojnë dhe rrokin thelbin e saj: marrëdheniet e arbërëve me Sinjorinë dhe
Osmanët, rëndësia e zotërimit të pronës, shpërndarja e gjakut arbër sa në
Lindje në Perëndim, konvertimet në Islam të klasës feudale, krushqitë dhe
gjenealogjitë e familjeve fisnike arbëre. Një variant i mirë i historisë
sociale të kësaj epoke është dhe libri i Oliver Shmid “Arbëria Venedikase”, një
përmbledhje e gjithë burimeve për qytetet shqiptare që ishin nën Venedikun duke
përshkruar jo vetëm historinë administrative por edhe ekonominë, rrugët,
ndërtesat, kishat etj.
***
Leximet historike vazhdojnë të jenë po aq magjepëse sa dhe më
parë kur kombinohet me rrëfenjën e fabulën në vetvete për fëmijë e të rritur.
Përkthimet e hershme nga letërsia greke të ‘Eskilit në Prozë”, “Sofokliut në
prozë” dhe “Euripidit në prozë” në fund tw viteve 80’ duket se dhanë një
model që u ndoq në botimin e poemave të mëdha të Rilindjes Kombëtare në prozë.
Edhe pse në pamje të parë duket sikur humbnin origjinalitetin, botime të tilla
në fakt bënë më mirë të mundur të shpërndanin mesazhin e tyre. Modeli duket se
ishte universal, i eksperimentuar për herë të parë në Britani, ku Charls e Mery
Lamb Lamb shkruajtën “Shekspiri në prozë”, mund të vazhdojë të ndiqet me
publikimin e letërsisë së traditës sonë si një hap paraprak para se lexuesi të
shkojë tek vepra origjinale.
Një përvojë e mirë në këtë drejtim janë disa botime të
shkrimtarit për fëmijë Odhise Grillo, si “Historia e Skënderbeut nga Naim
Frashëri” : roman i rikrijuar për fëmijë apo “Erdhi ditë e Arbrit” : ritregime,
sipas poemave të De Radës. Botimi dhe pajisja e bibliotekave të shkollave me
koleksione të tilla librash do të bëjë të mundur që emra emblematikë të
kulturës sonë si Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Gavril Dara i
Riu, Zef Skiroi të njihen dhe të citohen, të lexohen dhe shijohen duke i dhënë
lexuesit tharmin e duhur identitar. Bota e madhe e Arbërit që shpaloset në
toponiminë e vendeve në poemat e De Radës pasqyron shtrirjen e etnosit arbër në
mesjetë, të ardhur përmes kujtesës kolektive të arbëreshëve. Një hap i tillë
mund të ndërmerret me shkrimin në prozë të “Ali Pashaidës” së Haxhi Shehretit,
e cila mund të qëndrojë përkrah romanit të Sabri Godos “Ali Pasha”. Kjo poemë,
madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në
greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj
periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike
të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që
ndodhën në Pashallëkun e Janinës.
***
Leximet historike nuk duhen dhe nuk mund të shmangen nga
kurrikulat e shkollave sepse nëse duhet të kujtojmë fillimin e një shprehje të
Oruellit , “kush kontrollon të shkuarën kontrollon dhe të ardhmen”, besoj se
nuk e kemi luksin që të humbasim një monopat të rëndësishëm të njohjes të së
shkuarës përmes historisë dhe leximeve historike dhe t’u privojmë të ardhmen
brezave të rinj.
No comments:
Post a Comment