Historia e ringjalljes së popujve
dhe kombeve të Ballkanit, nuk mund te kuptohet pa kontributin e elitave
evropiane të cilat në një moment të caktuar të historisë kulturore së Europës,
siç ishte Romantizmi, u përfshinë drejtë
për së drejtë ose tërthorazi në mesazhet kulturore të ringjalljes së Greqisë
Antike, Epirit dhe Maqedonisë. Një nga figurat evropiane që pati një ndikim të
madh në Romantizëm por edhe në kontaktet kulturore midis botës evropiane dhe
botës orientale ishte poeti romantik anglez Xhorxh Bajroni(1788-1824).
Vizita e tij në Shqipëri, Prevezë,
Janinë e Tepelenë la gjurmë të pashlyeshme edhe në elitat nacionaliste
shqiptare në momentet kur nisi zgjimi kombëtar shqiptar dhe përjekjet për të
themeluar shtetin kombëtar shqiptar. Në mungesë së një kulture të teksteve të
shkruara ose të egzistencës së pakët të tyre, elitat evropiane promovuan
etnografinë, kostumografinë dhe folklorin e këtyre vendeve. Këtë dukuri nuk do
ta linin pa përmenduar edhe aktivistë kulturorë të zgjimit kombëtar shqiptar
por dhe vlerësimin të vetive të shqiptarëve nga këto elita evropiane.
Në këtë kontekst, Faik Konica, në
gazetën e vet “Albania”, kur do të shkruante për vizitën e Xhorxh Bajronit në
Shqipëri në 1809, në artikullin “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, do të
përmendte dhe faktin e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara dhe
me vargjet e tyre. “Lord Bajroni në një
ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i
mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një
herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha
miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi
i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë
(duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish
mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld
Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush
vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim
nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e
të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e
ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]
Kënga
e parë: “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po
pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë
xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo,
bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde.
/ Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, /
Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle /
Pluhëri……….? / Pluhuron…?
Kënga e Dytë:
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove
/ Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua /
Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë.
/ U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë
të lartë .”
(Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016, fq 248)
(Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016, fq 248)
Këto dy këngë mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të
këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të
njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi
të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është
një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por
që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë
mbledhur në bregdetin shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë
regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me
këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe
më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po
aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive
të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike
por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:
Të bijt' e Himarës që
s'falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj' më të bukur se zemra armike?
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj' më të bukur se zemra armike?
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 79,
vargjet 660, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Kënga labe e
këtyre viseve perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm
duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë
valëve të detit dhe detit Jon të Himarës
gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në
isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.
Në çdo ngjarje të
rëndësishme të kombit, kënga labe do të jetë e pranishme duke regjistruar me
timbrin e saj të veçantë njerëz, data e personazhe historikë. A nuk është i mrekullueshëm fakti se Bajroni
që regjistron këngë labe dhe ia përcjell miqve të tij si melodi dhe i shkruan
në një tekst për ti memorizuar përherë, të kthehet vet në një personazh të një
kënge labe, kur me pak rreshta përjetësohet dhe portretizohet si rrallëkush
personalitet i huaj në etno kulturën shqiptare.
“Lord Baroni ill i rrallë,
Që kish mik Ali Pashanë,
Shkoi e luftoi për Elladhë,
Po trimat i kish shqiptarë,
Si besnikë e kordhëtarë.”
(Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të
labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991, fq 814)
Mbledhja e vargjeve popullore shqiptare dhe përdorimi i ritmit të tyre në
poezinë e tij është një eksperincë që Bajroni e përjetoi gjatë udhëtimeve të
tij në Shqipëri e Greqi. Po a mundet vallë që Bajroni ta njihte një pjesë të
kulturës shqiptare para se të vinte në Shqipëri? Në shënimet e Kantos II të
“Shtegtimeve të Childe Harold”, Bajroni përmend historianin Edward Gibbon (1737
- 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe deputet në Parlamentin Anglez. Vepra
e tij më e rëndësishme, "Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake", në
gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për
informacionin e ngjeshur historik, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat
e hapura ndaj miteve historikë. Gibbon ishte i pari që përdori shprehjen për
"Shqipërinë si një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe
njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës"( Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 ,
përkthyer nga Skënder Luarasi) . Të gjithë udhëtarët
angleze të shekullit të XIX i referoheshin këtij teksti sa herë që vizituan
Shqipërinë, përfshirë dhe Bajronin. Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të
njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve,
Gjergj Kastriot Skënderbeut. Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit –
Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e
Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull
kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng në moshën 9 vjecare nga
Sulltan Muradi, kur këtij sulltani i duheshin edhe 9 vjet të vinte në pushtet.
Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë
hollësi rreth Gjon Kastriotit, i ati i Skënderbeut. Gibboni i bën gjithashtu
një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por
disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në
ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij,
shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të
tyre”. (Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut,
Radio Zëri i Amerikës) Por pavarësisht këtyre
vlerësimeve rreth Skënderbeut, Edward Gibbon është në të njëjtën kohë dhe
hartuesi i parë i tezës së kotësisë së rezistencës së Skënderbeut kundër
osmanëve , pasi merr në analizë ngjarjet që pasuan pas vdekjes së tij;
“Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e
heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës,
një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të
varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” .( Astrit Lulushi, Gibbon
dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa
i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në
vargjet e Këngës II, të “Shtegtimeve të Child Haroldit”, Bajroni nuk shpreh
asnjë vlerësim të tillë, por përkundrazi që vargjet hyrëse të shtegtimit në
Shqipëri shprehet me nderim dhe nganjëllim poetik për Skënderbeun.
O Shqipëri ku lindi Iskanderi,
Këngë e rinisë, fanar i të urtëvet,
Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi
Përherë armiqtë me kordhën e tij kreshnike...
(Bajron.
Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Në shënimet e këngëve duket se Bajroni ka një informacion të pasur rreth
Shqipërisë , heronjve të vjetër të antikitetit të Ilirisë, Maqedonisë dhe
Epirit si dhe disa traditave dhe zakoneve të këtyre territoreve. Në shënimet e
vargut Ku lindi Iskanderi ai pasi jep kuptimin e emrit Iskander shkruan se
Aleksandri i Madh lindi në Pellë të Maqedonisë po duke qenë në kufi me Ilirinë,
edhe ng fakti se , e ëma, Olimpia qe nga shtëpia mbretërore e Epirit, mjafton
të justifikohet e thëna poetike se lindi në Shqipëri. Veç kësaj historiani Gibbon
e quan të këtillë tok me Piron, kur flet për veprat e tyre luftarake(.Shënimet
e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207,përkthyer nga Skënder Luarasi). Po kështu
në shpjegimet e vargut tjetër, Bajroni e baravlerëson heroin tonë Kombëtar kur
shkruan Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbej, d.m.th princ Aleksandër.(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207 , përkthyer
nga Skënder Luarasi).
Por nga mund të ishte i influencuar Bajroni në admirimin e tij për
Skënderbeun? Ndoshta një njohje tjetër tekstuale dhe burimi historik që
nuk e përmend në shënimet e “Shtegtimeve të Child Harold” ai mund të ketë pasur
nga vepra e një figurë tjetër emblematike e kulturës angleze, Edmund Spenser
dhe botimi i “Historisë së Skënderbeut” të Barletit në anglisht. Bajroni njihet si mjeshër i vargëzimit në
gjuhën angleze. Ai ringjalli dhe risolli sërish në poezinë angleze strofën
Spenseriane, të cilën e përdori kur shkruajti “Shtegtimet e “Childe Haroldit”.
Strofa Spenseriane përbëhet prej nëntë
rreshtash: tetë rreshta janë vargje jambike që ndiqen nga një varg i vetëm
aleksandrin në heksametër jambik. Rima e strofës Spenseriane është
"ababbcbcc." Këtë strofë Edmund Spenseri(1552-1599), poeti më i madh
i periudhës Elisabetiane në letërsinë angleze,
e përdori kur shkruajti “The Faeire Queene” (“Mbretëresha e zanave”),
poema glorifikuese për Mbretëreshën Elisabetë, ku në disa vargje ai përmend dhe
veshjen tradicionale shqiptare. Në këngën e tretë, kreu XII, vargu i 10-të,
Spenseri e vesh mbretëreshën Elisabeta me fustan që mëngët i varen në mënyrë
arbëreshe'' (“Sleeves dependant albanese iyse”). Është po prapë Edmund Spenseri
i cili shkroi një sonet që përmend më 1596 nga Zachary Jones kur botoi anglisht
përkthimin e historianit frëng J.Lavardin “Historia e Gjergj Kastriotit, të
mbi-emëruar Skënderbe”. Botimin anglisht të këtij libri, Jones e përcolli me
një sonet për Skënderbenë.(S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime
filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128). Në mënyrë të çuditshme kostumi popullor
shqiptar ka shtegtuar deri në Britaninë e largët nëpërmjet stratiotëve
shqiptarë, luftëtarëve të vënë në shërbim të Henrit VIII, babait të Elisabetës
I. Henri VIII , Mbreti i Anglisë pajtoi nën shërbimin e tij stratiotë shqiptarë
dhe grekë(këta të fundit ishin në tërësi arvanitas) gjatë betejave me
Mbretërinë e Skocisë në 1514.
Bajroni si një ripërtëritës i strofës Spenseriane padyshim që e ka lexuar
krjimtarinë e Edmund Spenser dhe libra të tjerë që kanë qarkulluar në Angli ku
përmenden shqiptarët. Egzistenca e tyre dhe e njohje mbi Shqipërinë dhe
shqiptarët e dëshmon tërthorazi dhe një shënim i Mbretëreshës Elisabet I, në librin e vet të
lutjeve më 17 janar 1559, se këtë ditë vdiq Princi i mirë Skënderbe mbret i
Epirit dhe nganjëllimtar mbi osmanët. Duket se për Mbretërëshen Elisabet I,
Skënderbeu është një hero i Europës.
Vizita e Bajronit në Shqipëri do ti përforconte kontaktet , njohjet dhe
dijet rreth vendit. Polifonia labe do të ishte një element që do ta habiste për
variacionin dhe tingujt dhe zërat e saj do t’i bënte pjesë organike të veprës
së vet poetike. Në vargjet 71 të Këngës së II , Bajroni do të shkruante:
Në zall të shtruar ndritën zjarret
natën,
darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;
Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,
Ju muar mentë fare nga ajo pamje;
Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,
Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
(Bajron.
Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Ndonse Shqipëria dhe shqiptarët nuk patën fatin që të kishin të botuar një
përmbledhje të këngëve të vjetra të tyre si patën fatin grekët me botimin e
Claude Fauriel në 1824 “Chants
populaires de la Grèce moderne” apo vet serbët me folkoristin e tyre Vuk
Karaxhiç me dy volumet e “Këngëve Popullore Serbe” në 1814-1815, teksti i
Childe Haroldit, shënimet e tij dhe “Turkish Tales”, ku shfaqen personazhe dhe
subjekte të influencuara nga qendrimi me shqiptarët në Pashallëkun e Janinës
dhe në Greqi, luajtën rolin e një parateksti që krijoi një imazh të caktuar për
Shqipërinë dhe shqiptarët në Evropë. Në mënyrë të tërthortë folklori dhe
etnografia shqiptare u bënë pararendëse të përfaqësimit të shqiptarëve në një
tekst të letërsisë botërore dhe për këtë arsye Kënga e II e Childe Haroldit
mund të konsiderohet edhe si një tekst ku gëlojnë meloditë e ritmet e këngës
labe.
Bibliografia:
1-
Astrit Lulushi, “Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut”, Radio Zëri i Amerikës.
2-
Bajron. Çajld Harold. Shtëpia Botuese: Naim
Frashëri, Tiranë: 1973
3-
Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi
modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016
4-
Mbledhës
të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj,
Tiranë 1991
5-
S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze,
Studime filologjike, Nr.4, 1967
No comments:
Post a Comment