Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave
dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime
të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë
Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij.
Bajroni si një i ri aristokrat anglez dhe poet
romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të
vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet
ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik.Kjo pleksje e
veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin
e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e
Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme
letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që
posa kish lindur. Vepra e tij do frymëzonte poetë, shkrimtarë dhe piktorë. Lord
Byron ishte një dishepull i shpallur i
ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet
një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante
pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë
e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë
pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me
padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat
i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e
këtij industrializmi dhe urbanizimi. Heronjtë Bajronianë jetonin të vetmuar në melankoli për çka
kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata
shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për
veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi.
Tabloja e piktorit të njohur Eugen Delacroix është frymëzuar
nga poema “Gjauri”( 1813), ku sipas shënimeve të vet Bajronit, subjektin dhe
personazhet i ka huazuar nga qendrimi i tij në Shqipëri dhe Greqi. Në tablo në
personazhin e Gjaurit shquan kostumi popullor shqiptar si aspekt i rëndësishëm
identiteti. Për botën shqiptare, këto vepra letërie dhe arti, kanë një rëndësi
të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri
Shqipëri dhe shqiptar në Europë.
No comments:
Post a Comment