Thursday, 11 February 2016

Themelimi i Tiranës


Në foto harta-e-vitit-1689,-autor-Giacomo-Cantelli,-kushtim-i-botuesit-për-papa-Klementi-XI-(Giovanni-Francesco-Albani).-Burimi,-Biblioteka-Kombëtare

Tirana mund të ketë pasur origjinë më të hershme se 400 vjet më parë. Përgjithësisht eksiston një mendim që e lidh origjinën e emrit Tiranë me Teheranin dhe themelimin e saj nga Sulejman Pashë Ballgjini, një fisniku shqiptar të islamizuar nga Mulleti.

Kjo hipotezë përmendet për herë të parë nga Hani te “Studimet Shqiptare”  Jena 1854, dhe më vonë nga konsulli francez , A. Degrand, në librin e tij Souvenirs de la Haute Albanie (1901). Te Hani gjendet varianti i mëposhtëm: ishte në Shqipëri një shërbëtor i ri në shërbim të një beu të varfër. Ky shërbëtor pa një herë një ëndërr sikur hëna kishte zbritur nga qielli dhe po qëndronte mbi shpatullat e tij, duke ndriçuar përqark. Ky vegim donte të thoshte – kështu mendoi i zoti i tij – se shërbëtori do të kishte një të ardhme të shkëlqyer. Prandaj, megjithëse ky ishte i vetmi shërbëtor që ai kishte, beu e bindi atë të largohej prej tij dhe të shkonte e të përpiqej për të gjetur fatin e tij diku gjetkë. Disa vite më vonë mbas largimit të shërbëtorit të tij, Sulejmani u thirr në kryeqytetin turk dhe menjëherë iu kërkua të paraqitej para Vezirit të Madh. E madhe ishte habia e Sulejmanit kur pa se ky i fundit nuk ishte tjetër veçse shërbëtori i tij i dikurshëm. Ngaqë nuk e kishte harruar asnjëherë të zotin e tij të respektuar, Veziri i Madh e luti që të thoshte se çfarë ai do të dëshironte të kishte. Dëshira e Sulejmanit ishte t’i jipej qeverisja e Sanxhakut të Ohrit. Ajo iu dha me gëzim.Një herë, gjatë kohës si qeveritar, Sulejmani doli për gjah. Ndërsa po endej nëpër kodra e fusha, ai humbi rrugën dhe arriti në fshat të vogël me pothuaj pesëmbëdhjetë shtëpi që quhej Tirana. Duke i pëlqyer shumë vendi dhe rrethinat e tij[8], ai vendosi të ndërtonte atje një xhami.Pak mbas ndërtimit të xhamisë, Sulejmani u vu në krye të një ushtrie dhe u dërgua për të luftuar në Azi. Kur ishte në Persi, ai e ndjeu se jeta e tij po i afrohej fundit dhe shprehu dëshirën që trupi i tij të balsamohej, të dërgohej në Tiranën e tij të dashur dhe të varrosej në xhaminë që ai kishte ngritur atje, e cila qysh prej atëhere mban emrin e tij. Degrandi rrwfen pak a shumw të njëjtin version kur shkruan se : një njeri me emrin Sulejman (sic) i cili vinte nga një familje mjaft e njohur, kishte pasur një kështjellë në Mullet, me pamje nga lumi Erzen, d.m.th. në një largësi të mirë nga vendndodhja e Tiranës së sotme. Në atë kohë, në vendin ku është tani kryeqyteti i Shqipërisë, ishin pyje dhe livadhe në zotërim të një beu të quajtur Selman. Sulejmani u dashurua me atë vend, por Selmani nuk pranonte t’ia shiste.
Ndodhi që njëherë Sulejmani kishte shkuar në Stamboll. I pranuar në pallatin e Padishahut, thuhet se ai krijoi në nderim të këtij të fundit një panegjerik, në sajë të së cilit iu dha titulli Pasha. Pastaj ai u bë komandanti i një ushtrie dhe u dërgua në Persi. Mbasi u shqua në luftime të ndryshme, ai vendosi të kthehej në Shqipëri. Kur ishte atje, ai u ndie se kishte të drejtë – i inkurajuar siç ishte nga të gjitha fitoret që atij i kishin dhënë famë – të përvetësonte tokën e kundërshtarit të tij, që e kishte lakmuar për kaq kohë. Pastaj, ai ndërtoi atje një shtëpi për veten e tij. Ai tërhoqi në atë zonë njerëz të tjerë, të cilët ndërtuan gjithashtu shtëpitë e tyre. Kështu lindi një qytet, të cilin, sipas Degrandit, Sulejmani e quajti Teheran në kujtim të një beteje të fituar nga ai në Persi.
Mirëpo sipas të dhënave historike duket se vendbanimi i Tiranës ishte shumë më hershëm se historitë e rrëfyera nga Han dhe Degrand dhe se lidhja Teheran-Tiranë është e zbehtë dhe i përket një etimologjie parashkencore dhe amatore.
Për herë të parë, emri Tiranë mendohet se mund të ketë ardhur nga kështjella Tyrkanos. Këtë kështjellë me vendndodhje të papërcaktuar e ka përmendur historiani bizantin Prokopi i Cezaresë, në shekullin e VI pas Krishtit. Milan Sufflay mendonte se kjo kështjellë duhet kërkuar pranë Tiranës. Dhe ndoshta kemi të bëjmë me kalanë në mes të kryeqytetit, rrënojat e së cilës dolën në shesh së fundmi. Më herët akoma në veprën e tij, A. Boue ka shkruar Tyrcanus Tirana. Po kështu ka një përmendje të një toponimi Tergiana nga anzhuinët, por dokumenti i parë i saktësuar është i shek XIV kur flitet për një farë "Vilino da Tiranna". Një raport i quajtur “Relazione dell’Albania e sue città, fiumi, monti, piani, confini, etc. fatta l’anno 1580” përmban dy fragmente ku përmendet Tirana, Tiranna:
…le pianure della Tiranna (sic), che sono fra il castello di Passrella (Petrella) e città di Croya…(Starine XII, f. 197)
b. In schiroccho da Cruia ore tre cavallo vi è il borgo di Tirana, popolato la maggior parte da greci (ortodoksë sh. ynë) e catolici. Distante da Tirana ore 4 a cavallo per levante vi è la città nominata Petrella, popolata con metà da greci (ortodoksë sh. ynë)…
(Ibidem, f. 202)
Ky dokument është i rëndësishëm nga që në atë emri Tiranna, Tirana është përdorur një herë për një qytet dhe një herë tjetër për të treguar një fushë. Për më tepër, raporti përmban një informacion me shumë interes në lidhje me fenë: sipas këtij dokumenti, në vitin 1570 Tirana duket të ketë pasur shumë pak myslimanë; popullsia e saj, me sa thuhet, ishte një përzierje ortodoksësh (greci) dhe katolikësh. Tirana përmendet gjithashtu nga humanisti shqiptar Marin Barleti. Siç dihet, Barleti ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit 15-të deri në vitin 1510 ose 1515. Ai shkruajti në Venedik dhe në Romë, ku ai u vendos si rezultat i rënies së Shkodrës në duar të turqve, qyteti i tij i lindjes. Libri i tij mbi rrethimin e Shkodrës – De obsidione Scodrae – u botua në 1504 në Venedik dhe historia e tij e Skënderbeut u shfaq rreth viteve 1508-1510[2] Në këtë vepër të fundit, Barleti përmend Tiranën, kur tregon për betejat ndërmjet turqve dhe shqiptarëve, që u bënë në këtë qytet dhe në rrethinat e tij. Sipas Barletit, kishte dy qytete me këtë emër: Tirana (sic), major dhe Tirana minor: kjo e fundit e vendosur pranë Krujës
Përmendja e Tyranna major dhe Tyranna minor bëhet gjithashtu edhe nga Pierr dë Lavarden (Pierre de Lavardin). Në variantin anglisht të veprës së tij - The Historie of George Castriot surnamed Scanderbeg, King of Albania, London 1596 – lexohet si më poshtë: 
“The armie of the Albanoys being arrived before the walles, and the companies quartered into diuerse parts, the towne was quickely enuironned to the most aduantage that might be diuesed: the quarter parte of their forces were lodged in Tirana the greater, so named by reason of a lesser seated neere Croja
- Ushtria e arbërorëve mbasi arriti para mureve dhe kompanitë u vendosën në pjesë të ndryshme, qyteti u rrethua menjëherë në mënyrën më të favorshme që mund të vendosen: një e katërta pjesë e forcave të tyre vendos në Tiranën e madhe, e quajtur kështu për shkak të një më të vogle pranë Krujës” (f. 28); “Tirana e madhe një qytet në Epir” (f. 28); Tirana e vogël në Epir…” (f. 45) “…ndërmjet Tiranës së vogël dhe Epidamit që është Durrrësi (në fund të f. 45); “Tirana e vogël…” (f.208).


Sipas Lavardenit, ky qytet zinte një vend mjaft të nderuar ndër qytetet e tjera të kësaj province para luftëra civile të Qesarit dhe Pompeit, gërmadhat e të cilit dhe shumë gjurmë dhe shenja të veçanta që kanë mbetur, mund të tregojnë jo mjegullisht fisnikërinë e lashtë të vendit dhe famën. Sa për harta, për herë të parë, Tirana shfaqet në hartën e vitit 1689, realizuar nga hartografi i madh italian Giacomo Cantelli. 


No comments: