Friday, 12 February 2016

Si e trajtojmë të kaluarën?



Intervista e fundit e Nexhmije Hoxhës, së vesë së diktatorit komunist dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të tij e kapi në befasi publikun shqiptar.
Të mësuar me kulturën e mbylljes së gojës, harrimit dhe denigrimit, tipare të kulturës politike që promovoi për fat të keq regjimi i Hoxhës, pjesa më e madhe e njerëzve publikë që opinionet i formësojnë mbi çka ka qenë trend e rrymë sesa mbi racionalizëm të plotë dhe gjykim të së shkuarës iu vërsulën gazetares pa analizuar qartë kumtet dhe mesazhet e intervistës. Një pjesë e madhe e tyre me një patetizëm të theksuar provincial kujtonin të shkuarën e familjeve të tyre për të rrëmuar e gjetur gjyshër apo gjyshe që ishin më të zotë se çifti Hoxha, dhe këta të fundit u kishin nxirë jetën, a thua se dramat e tyre familjare janë në interes të interesit publik dhe një pjesë tjetër në mënyrë apriori kërkuan që të mos ketë më intervista të tilla, sepse ato do të ndikojnë keq në brezin e ri duke dhënë një imazh të gabuar të asaj periudhe më se 50-vjeçare që dominoi historinë moderne të Shqipërisë. Në anën tjetër të barrikadës pati dhe luftëtarë të zellshëm të fjalës së lirë, që kërkuan me ngulm që zonja Hoxha të fliste, duke harruar se regjimi i mëparshëm në të cilin ajo ishte kuadër kryesor, nuk lejonte asnjë mendim ndryshe.
Si zakonisht opinioni publik ende i paformësuar shqiptar u luhat mes zellit dhe emocionit në gjykimin e një ngjarjeje. Një shoqëri që përmbytet nga emocionet dhe paraemocionet në gjykimin e së shkuarës sigurisht që nuk mund të ndërtojë një hapësirë komunikimi të së sotmes me të shkuarën apo dhe me të ardhmen. Kjo gjë ndodh, sepse breza të tërë janë ende protagonistë të asaj kohe dhe shpeshherë, pa kuptuar, edhe rob të së shkuarës. Historianët, arkivistët apo dhe njerëzit e letrave nuk prisnin ndonjë gjë të re nga intervista, pasi për fat të keq, në të gjithë hierarkët e komunizmit shqiptar, të dënuar apo jo nga regjimi, ka mbizotëruar kodi i heshtjes.
Tranzicioni në Europën Qendrore dhe Lindore (përfshirë dhe Shqipërinë) në nivel politik ka përparuar në mënyrë tejet të ndryshme nga ajo që na lë të kuptojmë modeli klasik i tranzicionit, nëse do ta krahasonim me demokratizimin e shoqërive perëndimore, në periudhën 1860-1920. Ky model ka të bëjë me zgjerim në rritje të zbatimit të praktikave demokratike, pasi eksperienca e Europës Qendrore dhe Lindore pasqyron ndryshime pjesërisht të papritura me këtë dukuri. “Në Europën Perëndimore, demokratizimi u krye në favor të klasave të caktuara, ndërsa në ato Qendrore dhe Lindore ndodhi e kundërta: nga ndryshimet e kryera përgjatë tranzicionit përfitoi apo po përfiton një elitë e caktuar” (Tranzicioni politik në Europën Qendrore dhe Lindore, E. Tafili Hyskaj). Kjo elitë nuk është vetëm politike dhe ekonomike, por edhe kulturore.
Në tekstet zyrtare të shkollave, historitë e arti dhe kulturës shqiptare përfaqësuesit më të denjë vazhdojnë të jenë elita kulturore e formuar në socializëm. Nëse në fillim të viteve ’90 përfaqësuesit më të denjë të kësaj elite arritën që nëpërmjet mistifikimit të lirisë personale të përgatisnin terrenin për një tranzicion të mundshëm të shoqërisë shqiptare nga socializmi e totalitarizmi drejt ekonomisë së tregut dhe individualizmit të spikatur të vlerave, tashmë nuk mund të mbajnë më mbi supe procesin ende të paformuar të një etike të re kulturore. “Boshllëku që lë modeli i etikës marksiste ka krijuar elementet paraprake për një model të etikës ulitariste në variantin e theksuar të edonizmit, sepse për të pasur një model tjetër etik (për shembull etikës personale) shërben një përgatitje kulturore shumë e gjatë dhe një kulturë e promovimit të dinjitetit njerëzor, që sot mungon” (Njeriu i ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit, A.P. Nikolla).
Mungesa e kësaj kulture dominuese për të inspiruar dhe përfaqësuar brezat e rinj të shqiptarëve është vërtet dëshpëruese dhe ka lënë një boshllëk të madh, aq sa në ligjërimin publik, madje dhe në nivel të lartë të administratës shtetërore, përdoren ende simbole dhe personazhe kulturore të së shkuarës. Shqipëria ende vazhdon të mbetet e panjohur në botë dhe ka probleme me imazhin e saj kulturor si vend, pasi nuk ka arritur në këto 25 vite të sendërtojë paradigma të tjera kulturore të veçanta dhe individuale, përpos atyre që trashëgoi nga diktatura. Për fat të keq, mungojnë analiza të plota dhe shteruese për të parë efektet e sistemit totalitar komunist mbi shqiptarët. “Diktatura e partisë-shtet dhe ekonomia e planifikuar nuk duhen harruar, ashtu si nuk duhet lënë në harresë fakti që komunizmi ka ndikuar tejmase në praktikat shoqërore, duke skematizuar mënyrën e të vepruarit, çka do të thotë që transformimet shoqërore në Europën Qendrore dhe lindore varen jo vetëm nga përmbushja e objektivave të marrë përsipër për të realizuar, por në të njëjtën kohë edhe nga ndryshimi i botëkuptimit” (Tranzicioni politik në Europën Qendrore dhe Lindore, E. Tafili Hyskaj).
Sfida më e madhe e kulturës shqiptare mbetet pikërisht në ndryshimin e këtij botëkuptimi, sigurisht jo duke krijuar në vend të njeriut të ri, njeriun pragmatik, i aftë për të kryer kompromiset më të mëdha dhe për të përftuar më shumë në kurriz të shoqërisë, por të nxisë hierarkinë e vlerave kulturore të nevojshme për të krijuar një etikë morale integruese me kombet e tjera në Europë.
Gazeta Shqip, 11.02.2016, fq 9




No comments: