Saturday, 21 November 2015

Mes të gjallëve dhe të vdekurve



Filozofi antik grek, Platoni, i përjashtoi poetët nga republika e së ardhmes. Sipas tij, me artin e tyre, ata mund të molepsin karakterin e të rinjve, duke iu larguar shpirtin luftarak. Platoni vazhdon të mbetet ende dhe sot një nga mendjet që intigron mendimin e njerëzimin me veprën dhe mitet e veta të përshkruara, por në përcaktimin e tij ndaj artit poetik dhe poezisë mesa duket ka qenë i gabuar.

Poetët janë vërtet lirishta të buta ndjenjash njerëzore, por jo rrallë fjala e tyre ka çarë dheun dhe hapur malet. “E para ishte fjala” thuhet në Bibël dhe fjala në gojën dhe pendën e poetëve ka frymuar si e tillë, duke u bërë parathënia e të gjitha ndjesive njerëzore. Vëllimi poetik “Të gjallë dhe të vdekur” i poetit Ilirian Zhupa, është pikërisht një parathënie e tillë, ku gjallojnë fjala shqip, krijimi në formën e Atit, Birit dhe Shpirtit, nënvetëdija nën lëkurë dhe perceptimet e jashtme mbi lëkurë. Të gjitha sa përmenda më lart nuk janë një ndjesi shfrenuese e mikluese e fantazisë sonë se çfarë kërkojmë të gjejmë te poetët, por cikle poetike që janë mbrujtur e marrë formë për njëzet e pesë vjet me radhë në laboratorin krijues të poetit Ilirian Zhupa.
Një pasqyrë e të rrëfyemit shpirtëror si janë këto vargje të përpunuara me kujdes deri në detajet më të vogla për sa i përket muzikalitet, ritmit, tonit, rimës shpalosin para nesh një botë që e përjetojmë përditë, por që shpeshherë ngecim ta përshkruajmë, sepse jo vetëm që nuk zotërojmë artin poetik të Zhupës, por sepse e përditshmja na ka bërë indiferent ndaj së bukurës. Na është dukur gjithmonë se poetët përjetojnë momentet dhe të përditshmen për të qenë sa më modernë, ndërkaq çelësi i leximit të poezisë së Zhupës janë rrethanat. Është kombi, që ka mbetur komb në fyt, që autori e së bashku me të dhe ne nuk e vjellim dot, e as e gëlltitim. E përditshmja e ka katandisur kombin në këtë gjendje, rrethanat poeti i sqaron në poezinë “Manekinët”, të shkruar që më 1984-n, kur qetësinë e mosprishjes së rehatisë njerëzore dhe lënies së fatit në duart e të tjerëve na kanë katandisur në gjendjen ku jemi sot. Zhupa nuk ka mbetur indiferent ndaj kohës që jetojmë. Ai e përshkruan atë si kohë e drunjtë, ku drama dhe mikrokozmosi i njeriut që lufton me të përditshmen duket sikur është vulosur nga pyetjet retorike. Ç’po bën ky vend, ç’po ndodh këtu, por në fakt të shtyn thellë në meditime për të kuptuar shpirtin e epokës në të cilin jetojmë.
Nënvetëdija e toposit, vendit ku Zhupa ka krijuar poezinë e vet, vjen pa u kuptuar edhe kur poeti është lirik dhe i brishtë. Në poezinë “Pengu”, simbolet e dashurisë shndërrohen në kështjellën, ishullin e Litharicës në Janinë dhe vetë Ali Pashën. Por poeti nuk mbetet rob i simboleve të vendlindjes. E përditshmja njerëzore e ardhur si kujtesë e largët nga fëmijëria të magjeps në poezinë “Një kumbull, një qen, një trishtil”, simbole të cilat mund të rikrijojnë në imagjinatën e gjithsecilit, një topos, një vend ku mund të arratiset nën peshën e rëndë të kujtimeve dhe së përditshmes.
Zhupa është një poet lirik që i këndon së bukurës, dashurisë, pafajshmërisë së veprimeve njerëzore, tema të përbotshme këto në poezinë botërore, por me sarkazmën dhe vënien para provës së vërtetë duket sikur poezia e tij fillon pak nga pak të luajë dhe rolin e poezisë së angazhuar dhe me tematikë, sigurisht jo në variantin klasik të saj, por në atë që e fton lexuesin në një aventurë leximi, joshjeje e veprimi ndaj së bukurës. Në fakt, kjo nxitje dhe shtytje në mendime është ajo çka talenti dhe arti poetik i tij bën të mundur dhe që e dallon bindshëm mes poetëve të gjeneratës së tij, është ajo çka fjala shqip pret të jehojë dhe lexuesi i vëmendshëm mund të kuptojë.

 Gazeta Shqip, 23.11.2015, fq 14


No comments: