Thursday, 19 November 2015

Arkeologu i dijes, Injac Zamputti



Kultura shqiptare nuk është e pasur vetëm materialisht, me vepra e kontribute të personaliteteve të saj, të shuar e fikur rrënimeve dhe zgafellave të diktaturës dhe tranzicionit të stërgjatur shqiptar, por edhe si frymë që mbijeton përtej kohërave dhe hapësirave të datave egzakte të lindjeve dhe vdekjeve të personaliteve të saj. Kjo frymë që ka mbizotëruar gjithandej në tekstet dhe kulturën tonë ka krijuar shenjtorë dhe martirë të gjallë të stërmundimeve për të sjellë në shqip tekste të huaja, si dëshmi të veçanta të identitetit tonë.
Një nga ta, padyshim është dhe profesor Zamputti, që brezi i pas viteve 90’ për fat të mirë pati fatin ta njihte, jo vetëm si përkthyes të dokumentacionit rreth Shqipërisë në Propagandën Fide në vitet ‘60, por edhe si kritik letrar dhe estet në sprovat e tij rreth Fishtës e Kadaresë, apo dhe si dramaturgun që mishëroi në personazh Damianin nga Himara që i bëri atentat Sulltan Sulejmanit të II në 1537.

Qytetërimi ynë, ka pasur fatin e keq që dëshmitë e veta të shkruara t’i ketë të pakta dhe më tepër të njihet përmes dokumentacionit të huaj dhe se çfarë kanë shkruar të tjerët për ne. Një punë kolosale, që ka nisur prej 300 vjetësh më parë në relacionet e Bardhit, qysh atëherë kur fati i arbërit shenjohej në delirin e vet të eksitencës, e që dëshiroj ta përkufizoj duke huazuar një term nga Fuko, si arkeologjia e dijes për të mbledhur çdo detaj dhe të dhënë të hapësirës shpirtërore arbëre e më pas shqiptare të shpërndarë gjithandej nëpër dijen e botës në gjuhë të huaja, është  konkretizuar në disa botime shumë të vlefshme dhe të çmuara për identitetin tonë. Libri  “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653), është pikërisht një libër i tillë, njëfarë udhëtimi shpirtëror  dokumentuar mbi etninë arbëre dhe lidhjet e tij shpirtërore me Selinë e Shenjtë gati 110-130 vjet pas pushtimit të Shkodrës dhe dhënies fund të qendresës së organizuar arbëre.

Sipas fjalëve të birit të vet Jozef Zamputtit, puna e kryer nga profesor Zamputti ishte një punë që tejkalonte raportet me sigurinë dhe domosdoshmërinë për t’i qendruar besnik origjinalit. Edhe për këtë vëllim, metoda e punës së autorit është po ajo e vëllimeve të mëparshme: leximi i qëmtuar i dokumentit, duke e hedhur me shkrimin e tij të bukur e të qartë në fletore të veçantë. Kjo punë bëhej shpesh me thjerrëz (lente) në dorë për të gjetur edhe pikat më të vogla e shkronjat më të ngatërruara të shkrimeve, nganjëherë pothuaj të palexueshme e shpesh të prishura nga koha. Nga fletorja e shkruar këtë lexim e hidhte në makinën e shkrimit.

Edhe këtë punë gjithmonë e ka bërë ai vetë, pa ia dhënë asnjë daktilografisti, sepse me këtë mënyrë kontrollonte edhe një herë saktësinë e transkriptimit. Pastaj fillonte punën e përkthimit, të cilën e bënte direkt në makinën e shkrimit. Njëkohësisht ndërtonte skedarët me emrat e personave, vendeve, etj. duke shënuar numrin e dokumentit dhe faqen se ku gjendeshin. Kjo listë emrash vendosej në fund të vëllimit në mënyrë që studjuesi e lexuesi të kishte mundësi ta gjente menjëherë dokumentin ku flitej për atë person, për atë vend etj.

Rikrijimi i jetës shpirtërore dhe materiale të etnosit arbër nuk është një utopi, bie fjala si rindërtimi i monumenteve të zhdukura dhe të rrënuara, pasi nëse në arkitekturë teknikat e ndërtimit mesjetar janë shpeshherë jo fort të dokumetuara qartë apo në kohën e sotme moderne jemi neglizhent ndaj përdorimit të të njëjtave materiale dhe teknikave të kohës së mëparshme, fjala e shkruar që përshkruan në trajtën e dokumentit është nëpër arkiva dhe pret veçse durimin, seriozitetin dhe skrupolozitetin e arkeologut të dijes për tu shplurosur, përkthyer dhe botuar që të sotmit të dinë kalvaret, gëzimet, përpjekjet, stërmundimet e të parëve.

Përdorimi i këtyre thesareve dokumetare dhe shpirtërore me seriozitet akademik është një sfidë e përhershme e historianëve për t’u dhënë veprave të tyre fuqinë e vërtetësisë dhe mendimit analitik të tyre, dokumente mbështetëse dhe për t’iu larguar sa më shumë fantazisë në histori që Anatol Franc te “Krimi i Silvestër Bonarit” e quante si proces që “historia që ishte një art dhe lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës, sot ka arritur të bëhet shkencë,në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë”. Arkeologjia e dijes mendoj se është një nga mënyrat se si ne mund të nxjerrim në dritë të shkuarën, jo për ta ringjallur por për të njohur më mirë gjurmët e identitetit tonë.

Gazeta Shekulli 18.11.2015



No comments: