Monday, 16 November 2015

Kërkohen gjyqtarë fort të ndershëm dhe të pakorruptuar.




Drejtësia është shtylla kryesore e qeverisjes së një vendi. Kur nuk ka drejtësi, pushojnë së funksionuarit mirë tëgjitha instrumentet e demokracisë liberale si mirëqenia, konkurrenca e drejtë dhe  liria. Ato deformohen dhe krijohen sharrtime të rrezikshme që mund të shkaktojnë epidemi humbje shprese dhe besimi. Një vënd që e humbet besimin dhe shpresën në të ardhmen është i barabartë me një vend që shkretohet dalë nga dalë.
Asnjë reformë politike , shoqërore apo sociale nuk mund të zëvendësojë drejtësinë, ndaj më tepër se kurrë sot, dëshira dhe vullneti i politikës për reformën në drejtësi duhet të nxitet e frymëzohet dhe nga popullsia. A ndihet mungesa e drejtësisë si një e drejtë themelore e nëpërkëmbur e shqiptarëve apo në mënyrat e ndryshme të mbijetesës gjithsecili mundohet të fitojë “drejtësinë” e tij, shpesh herë duke nxitur korrupsionin dhe cënuar të drejtën e më të dobëtëve dhe të më të varfërëve. Po përse shqiptarët kanë dështuar me sukses të kenë një sistem drejtësie të paparagjykuar dhe të radhiten pothuajse të fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket ushtrimit dhe zbatueshmërisë së ligjeve?
Shumë veta ia veshin vështirësinë për të krijuar një sistem drejtësie të qendrueshëm mungesës së përvojës dhe të shembujve. Nuk dëshiroj të zgjatem shumë në këtë drejtim për të analizuar sesi ka lindur ky mendim,as të bëjë apologjinë e një analize social historike të Shqipërisë, por historia si nëna e të gjitha dijeve na vjen në ndihmë. Profesor Xhufi, në veprën e vet “Nga Paleologët te Muzakajt” dëshmon se në vitin 1340, Nikollë Matrënga, një pinjoll i familjes fisnike të Matrëngajve të famshëm të Myzeqesë kishte arritur në zyrën e lartë të Gjykatësit Suprem të Bizantinëve. Ky ishte posti më i lartë bizantin, pas reformës së Perandorit Andronik III Paleolog, në 1329. Nikollë Matrënga ishte rritur në rrethin e Gregor Palamas dhe ky e quante dishepullin e tij nga Shqipëria si “më të mirin e njerëzve, më zotninë e miqve të tij, mbrojtës të së drejtës e të ligjeve”. Mes virtuteve të shumta që i numërohen Nikollë Matrëngës, më kryesori lidhet me funksionin e tij, që ishte padyshim ndershmëria dhe pakorruptueshmëria e tij. Në fakt, në vitin 1337 në Konstandinopojë u bë një gjyq i famshëm për korupsion kundër anëtarëve të kolegjit të lartë gjyqësor, ndër katër gjyqtarët supremë të Bizantit, vetëm Nikollë Matrënga rezultoi i pastër dhe vazhdoi të qendrojë në në funksionin e tij. Një letër e Johan Kumnos për Matrëngën zbulon se ky kishte nën presionin e klanit të Asenidëve, në krye të të cilit qendronte despoti Andronik Paleolog Asin, nip i perandorit Andronik II Paleolog. Ky më kot kishte tentuar që , njëlloj si tre gjykatësit e tjerë , ta thyente Matrëngën qoftë me para, qoftë me kërcënime apo duke ngritur dyshime ndaj tij. Nikolla si pohon një tjetërpersonazh i njohur i Konstandinopojës së atyre viteve , peshkopi Mateu i Efesit, qëndroi i patundur si “mbrojtës i drejtësisë dhe i ligjeve”.
Për gjykatësit tanë, gardianëve të ligjit dhe të së drejtës ky personazh i mesjetës  nuk thotë asgjë. Madje shumë prej tyre mund të pretendojnë se nuk kanë sepse të jenë kaq të lexuar, kur për ta mjafton Kodi Penal dhe i së Drejtës Civile për të ndërmarrë vendime që sërish sipas tyre nuk duhen të paragjykohen pasi me italishten e frëngjishten e tyre të shqipëruar do të argumentojnë drejt vendimet e tyre. E vërtetë fund e krye, pasi qytetarët shqiptarë kanë kohë që   ndjejnë mbi shpinë vendimet e tyre që u tjetërsojnë pronat, u lirojnë nga burgu kriminelët, madje madje u vjedhin dhe rezultatet e  zgjedhjeve. Por në argumentet e tyre mund t’i kursejnë të gjithë ata që duan të na mbushin mendjen sepse shtyhemi kaq larg në kohë, pasi emri i një Perandori Bizantin, Andronikut II,  që nga kohë e gjyqtarit të pakorruptueshëm Nikollë Matrëngës, ka mbijetuar si toponim në emrin e fshatit Ndroq, këtu afër Tiranës, kurse emri dhe fama gjyqtarit ka humbur. Personalisht nuk mendoj se shteti shqiptar është një ngrehinë e një vazhdueshmërie lineare të entiteteve të tjera shtetërore. Ky perceptim mund të jetë i saktë përsa i përket të paktën që nga shpallja e pavarësisë dhe këndej, por që mungesa e çdo morali të shëndoshë qytetar që të shtyn të përvetësosh pronën e tjetrit me vendime gjyqësore, të shpëtosh nga dënimet e rënda pasi ke bërë vrasje janë mëkate të shoqërisë shqiptare të pas viteve 90’. Mungesa e një norme morali të qendrueshëm dhe aq më tëpër injorimi nga politika i njerzëve qëreflektojnë dhe mbartin norma të larta të këtij morali ka sjellë këtë kaos social ku modele zhvillimi dhe me peshë në shoqëri përveç kategorive të tjera mjerane , janë edhe gjyqtarët e korruptuar me pasuri marramendëse.

Çështje perceptimi? Çështje eksperience? Se di, por në këtë rast jemi vërtetë të paditur dhe si luante Konica me fjalët në vitet 20’ kur drejtësia po përtërihej në këtë vend, pas zullumit e zallëmit të kadilerëve të dikurshëm të Perandorisë së lodhur Otomane , “i paditur” s’do të thotë që ske dijeni vetëm për veprën ligjore që akuzohesh por ne jemi të paditur për të kuptuar këtë sindikatë drejtësie që gjykon brutalisht dhe jep vetëm vendime pafajsie gjithandej duke vrarë shpresën në gjithëvendin. Reforma në drejtësi duhet të mos gjejë më asnjë alibi politike, sociale e kulturore mes nesh nëse vërtet duhet të dalim nga zgripi i humnerës në të cilën ndodhemi dhe nëse nuk duam që vemje të korrupsionit të  rrojnë më shumë në ndërgjegjen njerëzore të shqiptarëve sesa rasti  Nikollë Matrëngës së  famshëm të arbërve të Bizantit.

Gazeta Shqip, 16.11.2015, fq 9 


No comments: