Saturday, 12 December 2015

Një copë qielli mes Kosovës dhe Meksikës



Poezia është ura më e fortë lidhëse midis shpirtrave të ndryshëm të kombeve. Përmes motiveve që ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, magjinë e momenteve të së tashmes dhe avenirin e ëmbël të ëndrrave, poezia krijon mikrokozmosin dhe makrokozmin e botës shpirtërore të njeriut. Por sa universale dhe e përgjithshme duket në pamje të parë, në fakt është po aq e veçantë dhe individuale.
Ajo mesa duket është një reflektim i asaj që  Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit”, që dashur pa dashur reflektohet në veprat e autorit.
Librin poetik “Copa e qiellit” i autorit Xhevdet Bajraj, mund të themi me vetdije të plotë që është një zbulim i vërtetë për lexuesin në Shqipëri , por besoj edhe më tej sepse poezia e tij përmes ekonomizimit të vargut, metaforës së ngjeshur dhe leksikut të thjeshtë transmeton një ndjesi humaniste të së përditshmes të ngritur në art. Kjo ndjesi të përforcohet në pjesën e parë të vëllimit poetik “ E bukur dhe e marrë”, ku autori shqetsohet për lulet që ashtu si fëmijët lindin duke qarë, apo kur te poezi  “Të jetuarit”, i përngjet një jargavani që ngjitet mirit të ditës e lulëzon nga tmerri. Por tmerri i jetës së përditshmes zevendësohet shumë shpejt në poezinë e Bajrajt në tmerrin e vërtetë të mbijetesës njerzore duke shprehur dramën njerzore të popullit të vet, që në vitin 1999 e provoi mbi shpinë ndjekjen dhe shpërnguljen etnike. Në pjesën e dytë të librit të rrëqeth në kujtime të mbrapshta tmerri, poezia “Djali ishte gjashtë vjeç, vajza tetë dhe qanin”, ku përshkrimi i një dhunës së rrëmbimit të lë pa fjalë. Poeti e braktis frakun e shqetsimeve të përditshme për lulet dhe zogjtë dhe vesh kustumin tradicional të gjamës së popullit të vet. Gjithësesi kjo dramë ballkanike përshkruhet me minuta e detaje që përmbajnë brenda vetes së tyre art e mjeshtëri vargu.
Përdorimi i përkthimit në spanjisht përkrah poezive në shqip të jep jo vetëm ndjesinë e komunikimit ndërkulturor, por në fakt të shtyn në shqyrtime të ndikimeve spanjolle dhe anasjelltas në jetën kulturore të dy popujve. Që nga periudha e Këngës së moçme ulqinake të Ago Ymerit, ku bardi popullor shqiptar thyen rregullat e gjuhës dhe Spanjës i referohet e zeza Spanjë( një mendje alla kadarejane mund të spekullonte duke pyetur, a thua vallë ta kish parashikuar ardhjen e diktaturës së Frankos, bardi popullor shqiptar?), Spanja dhe spanjishtja në fakt na ka dhuruar shumë diell përmes poezisë së Lorkës, Unanimos, Rafael Albertit etj përmes përkthimeve gjithë jetë të Petro Markos dhe Plasarit. Kjo atmosferë si ndikim kulturor e ndjen në vargjet e këtij libri të hapur ndërkultutor ku botës ballkanike i përngjitet dhe bota meksikane nën një autoritet të lartë si është kultura spanjolle.

Poezia moderne shqiptare ecën përmes shtigjeve të ballafaqimit të kulturave, ushqimit të saj me metafora dhe motive nga kultura vendase por edhe nga kultura e përbotshme duke shënuar poetë që e tejkalojnë veteveten dhe kulturën lokale duke i dhuruar njerzimit vargje të përbotshme. Prova dhe sfida e tyre nuk është vetëm me të sotmen , por e dhe  me të ardhmen. Ashtu si sot shijomë një varg të lashtë të inasve të shkurar në qipu, nga një autor anonim se e “vërteta më e madhe janë zogjtë dhe lulet”, edhe poetët do gjykohen edhe përmes fragmenteve të vargjeve të tyre që di mbesin memories së ajrit dhe të leximit. Kam përshtypjen se autori, rreshtohet pa hezitim në këtë aradhë të letrave shqipe. 


No comments: