Sunday, 13 December 2015

Përpjekjet e para për të përkthyer Child Haroldin në shqip (1843-1897)


Nuk besoj se mund të ketë vepër të ndonjë shkrimtari tjetër të huaj që ka përmendur Shqipërinë dhe shqiptarët si është poema romantike “Shtegtimet e Childe Harold”, të Bajronit që të ketë pasur një efekt më të madh në farkëtimin e ndjenjës së tyre kombëtare. E njohur që herët nga pjesëtarë të ndryshëm të elitës shqiptare , pa dyshim që në botimin e saj të parë, e dëshmuar kjo gjë nga udhëtarë të ndryshëm anglezë që kur komunikonin me Ali Pashë Tepelenën, kur ky i fundit e përmendte si fakt angazhimin poetik e kulturor të Bajronit ndaj shqiptarëve, poema shërbente jo vetëm si kënaqësi estetike por edhe si dëshmi e eksitencës dhe imazhit përfaqësues të tyre.
Bajroni, i njohur si një poet romantik dhe një nga themeluesit e Filohelenizmit, do të njihej me shqiptarët dhe jo radhë herë do t’iu atribuonte atyre cilësi fisnike. Thëniet e tij në letrën që i dërgonte së ëmës apo dhe 160 vargjet nga  Kantoja e II e Child Haroldit, do të bëheshin objekt i përpjekjeve për tu përkthyer në shqip dhe nëpërmjet mjeteve masive të komunikimit të kohës, kryesisht gazetave të shpërndaheshin tek elita shqiptare.
Krijimi i publikut të  masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë[1]por krijoi dhe një solidaritet tjetër , atë të përfaqësimit të bashkësive etnike nëpërmjet një vepre letrare, si ishte rasti i Poemit të Milasos në Kalabri qëprej vitit 1836. Një rast i tillë analog është dhe leximi dhe përpjekja për të riprodhuar në shqip “Child Haroldin”, si tregojnë dëshmitë e shumta të përmendjes së kësaj vepre apo përpjekjeve për ta shqipëruar  nga bashkësitë arbëreshe në Kalabri, bashkësitë arvanitase në Greqi e bashkësitë shqiptare në Bukuresht. Si pohon me të drejtë Anne Maria-These në librin e vet “Krijimi i identeteve kombëtarë, Evropa e shekujve XVIII-XIX” kur nënvizon rolin e elitës evropiane në sendërtimin e identeteve kombëtarë të popujve të Europës juglindore, se është një sipërmarrje e rëndë të ndërtuarit e një gjuhë dhe një kulture kombëtare. Një nga pasojat e kozmopolitizmit intelektual është ndihma ndaj kombeve në lindje, mjediset intelektuale të të cilëve nuk janë ende aq të pajisura për të ndërmarrë, pa mbështetje , ndërtimin e lashtësisë së tyre dhe gjuhës së tyre.[2]
Në rastin shqiptar ky përcaktim duke u nisur dhe nga dinamika e zhvillimeve historike e kulturore dhe angazhimeve të drejtë për së drejta të Leak, Hobhouse e Pouqeuville në shkrimin e gramatikave e fjalorëve tingëllon më afër realitetit. Si dhe në rastin grek, turk apo dhe arab, shkenca perëndimore apo dhe letërsia e kultivuar ka ushtruar ndikimin e saj në fillimet e konstruktimit të identitetit shqiptar.[3]Në këtë këndvështrim është i pamohushëm tashmë roli që ka luajtur vepra e Bajronit dhe dy këngët e tij shqiptare të mbledhura në Athinë dhe të botuara në 1811 që nxitën interesin e albanologjisë evropiane për identitetin dhe origjinën e shqiptarëve. Në të njëjtën kohë vepra e Bajronit pati dhe një efekt të dyfishtë pasi shërbeu edhe brenda bashkësive shqiptare si element lidhes për të fituar konsilidim dhe identetitet përcaktues nën ndikimin e fuqishëm të Romantizmit.
Njohja e hershme e veprës sëBajronit në Shqipëri kaloi në dy etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Secila nga këto dy etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi.[4]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.[5]Por nuk do të mungojë dhe tipari tjetër i ilustrimit të karakterit të shqiptarëve dhe në këtë mënyrëdo të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente  Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.[6]
Deri më sot nuk kemi dijeni të plotë nëse ky përkthim ekziston apo jo, por është e rëndësishme të dimë pak më tepër për këtë personalitet të kulturës arbëreshe. Luigi Petrassi, lindi  në Cerzeto, në një familje fisnike.Toponimi Qana që përdoret nga bashkësia arbëreshe që banon aty, rrjedh ndoshta nga shqipja qanë, duket se e ka origjinën nga  forma e vendit të sheshtë, të shtrirë; toponimi italian Çerzeto, vjen nga cerza/dushk, dhe që të kujton prezencën e shumtë të dushqeve në këtë zonë.Petrassi filloi studimet ligjore në Napoli, por shëndeti i dobët nuk e lejoi që ti vazhdonte.[7]Napoli i asaj kohe kishte fituar një rol qendror për kërkimet albanologjike dhe për fazat e mëvonshme të zhvillimit të historisë kulturore të arbëreshëve duke u bërë kështu selia natyrore për takimet , shpesh herë të rastësishme e të shkurtëra , mes intelektualëve arbëreshë që vinin nga treva të ndryshme shqipfolëse të Italisë së jugut[8]. Ai u tërhoq  në Çerzeto, ku filloi të ishte një koleksionist i kujdesshëm i traditave popullore dhe përkthyes në gjuhën shqipe të veprave më të mëdha të romantizmit italian. Atij në fakt i detyrohet si një antologji e këngëve , përrallave dhe thënieve popullore , ashtu si dhe një përkthim në shqip “I Sepolcri” (Varret) e Ugo Foskolos. ( të humbura , por sigurisht që gjenden në posedim të disa   nxënësve  të trasferuar dhjetëvjecarë më parë në Kanada).
Në korrespondencën epistolare me De Radën , kuptohet që i kishte çuar drejt fundit disa vepra të Bajronit, një përmbledhje komplete të kengëve popullore të Çerzetos, traskriptimin e legjendës popullore “Kostandini i vogël” në versionin e Cerzetos, si dhe kishte përfunduar dy poema në gjuhën shqipe, e para me titullin “"Vasha shkon për lule pasi bie dielli"” (La ragazza che raccoglie i fiori dopo il tramonto) dhe "Haj bukë Skenderbeu" (Il pranzo di Skanderbeg). Ai gjithashtu kujtohet për mbledhjen e këngës popullore “Oj e bukura More” (Mia bella Morea), që u bë himni i të gjithë shqiptarëve në Itali. Për fat të keq gjithçka nga prodhimtaria e tij letrare ka humbur çdo gjurmë dhe sot gjenden vetëm disa referenza bibliografike të risjellura nga De Rada. I impenjuar politikisht në favor të popullit, i mbetur në varfëri nga qeverie Burbone , ishte nga aktivistët anarkikë dhe revolucionarë. Shumë i ri, megjithëse kishte nisur një karrierë brilante si poet dhe letrar shqiptar, vdiq papritur më 31 dhjetor të 1842, duke u lënë familjarëve dhe kulturës shqiptare një boshllëk.[9]
Si shikohet Luigi Petrasi dëshiron t’i dhurojë bashkësisë së vet etnike që kish filluar tëndikonte dhe në bashkësitë e tjera shqiptare në rajon që të merrnin trajtën e kombit,  dy monumente të rëndësishme të letërsisë romantike, “Qivuret” e Foskolos dhe “Child Haroldin” e Bajronit. Në Napolin dhe Kalabrinë e asaj kohe përkthimi i këtyre dy autorëve i shërbenin ngjizjes së identitetit kombëtar e të veçantë të arbereshëve, aq më tepër që vargjet e Bajronit përshkruanin një popullsi matanë Adriatikut e Jonit që ishte në kontakt të vazhdueshëm kulturor me Napolin, përmes fenomenit të njohur të mercenarisë, tregtisë dhe ndjekjes së studimeve. Këto lidhje dhe shkëmbime kulturore kanë qenë shumë prezente sidëshmohet dhe nga studimi i disa shqiptarëve në Napoli, më i shquari nga ta Vangjel Meksi që boton dhe Dhjatën e vjetër shqip në 1828 apo rasti i Dhimitër Lekës nga Himara, kapitenit të gardës mbretërore të Napolit që De Rada i kushton , poemën “Milosao” në 1836.
Napoli, si një nga kryeqendrat evropiane të sendërtimit të mitit pellazgjik që ndihet gjithandej në veprën e De Radës, Kamardës, Xhovani Emanule Bidere, Zef Krispit etj rezulton të jetë një nga vatrat e ngjizjes së nacionalizmit kulturor të shqiptarëve. Influenca e tij ndaj De Radës si dhe vlerësimi i këtij të fundit ndaj Luigi Petrasit duket  ka qenëi madh si dëshmohet dhe në nekrologjinë kushtuar atij në  revistën “Il Calabrese” nga De Rada. “Në ditën e fundit të 1842 në fshatin shqiptar Çerzeto vdiq Luigi Petrassi.  Nëse është e vërtetë që besimi në virtyt dhe qëndrueshmëria e kultit në të njëjtën formë,  formojnë shenjën dalluese të popujve të qytetëruar në kundërshtim me frymën e barbarisë , Kalabria ka humbur një prej tyre prej të rinjve me të cilin nderohet. Vdekja e tij më mbushi me trishtim , më shfaqinjë botë me dhimbje , dhe gjithçka mu kthye mbrapsht.
Vepra e Bajronit, kryesisht poema romantike Shtegtimet e Child Haroldit luajtën të njëjtën rol edhe në bashkësitë e tjera shqiptare në Evropë, Rumani e gjetkë. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.[11]Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.[12]Po kështu Jani Vreto në të njëjtin vit bën një nga përpjekjet e para për të shqipëruar fillimin e e vargjeve për Shqipërinë në ligjëratën e vet e mbajtur në Bukuresht. Moj Shqiperi! Moj leondare/Qe ke pjelle leondarë, pa nkthe/Syte dhe ketej nga ne![10]
Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë formimin e mitit shqiptar të Bajronit. Tashmë poema romantike Child Harold do të shërbejë përmes vargjeve të veta ilustrimit të vetive të mira të shqiptarëve si komb. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[11]Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.
Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht  “Le voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë[12].
Identifikimi i influencës bajroniane në momentin e formimit si komb dhe në kulturën shqiptare është gjurmuar dhe analizuar në punime të ndryshme monografike[13], ndaj sfida e vërtetë në studimet bajroniane në Shqipëri është saktësimi dhe gjurmimi se ku mund të gjenden dorëshkrimet e Petrasit që veçse si dëshmi të radha autentike gjuhësore të dialektit arbëresh do të bënin të mundur të zbulonin dhe teknikat e shqipërimit dhe përshtatjes që deri më tash nuk ia kemi njohur dialektit arbëresh. Bajroni përdori në poemën e tij “Child Harold” stanzën Spenceriane  që është një formë e fiksur poetike e një strofke e përdorur nga Edmund Spencer(1552/1553 – 1599) në poemën e tij “The Faerie Queene” (1590-1596). Çdo strofkë përmban nëntë vargje: tetë prej tyre janë në metrin jambik, të ndjekura nga një varg i vetëm aleksandrin në gjashtëmbëdhjetë rrokësh jambik. Skema e rimës është në strofkën poetike Spenseriane është ababbcbcc. Nuk dimë se ç’vargje ka përdorur Petrassi për të përshtatur dy këngët e para të Bajronit në shqip, por njohim metrikën e vargëzimit arberesh. Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë;madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore  tradicionale italo-shqiptare-sic është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të përzjerë me ndonjë shtatë rrokësh dhe gjashtë rrokësh;që të gjithë të marrë sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone.[14]Vepra e Petrasit, ashtu si vepra e intelektualëve të tjerë arbëreshë mund të flerë rafteve të kolegjeve apo biblotekave por e shplurosur mund të na ballafaqojë me supriza të këndshme të formimit të identitetit tonë kombëtar.

Suplementi Rilindësi, 13.12.2015, fq 20-21















Bibliografi:
1- Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002
2- Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006
3- Benedict Anderson. Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd, 1996
4- Gaetano Petrota.  Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare. Tiranë:2008, Almera
5- Jani Vreto. Vepra të zgjedhura. Ligjëratë. Tiranë.Shtëpia e Librit Politik:1973.
6- Jup Kastrati. ” Jeronim De Rada” ( Jeta dhe vepra). Tiranë:1979
7- Mateo Mandala. Studime Filologjike për letërsinë romantike arbëreshe. Tiranë. Naimi:2012.
8- Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Tiranë.Përpjekja:2009



Internet:

1- http://www.comune.cerzeto.cs.it/sq/historia-dhe-personaxhet/12-artisti-e-letterati. Petrassi, Luigi




[1]Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd, 1996,  36
[2] Anne-Maria These,Krijimiiidentetevekombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup:2006, Fryma, fq 102
[3]Nathalie Clayer. Nëfillimet e nacionalizmitshqiptar.Lindja e një kombi me shumicëmyslimanenëEvropë. Tiranë:2009, Përpjekja, fq 142
[4]Jupkastrati” Jeronim De Rada”( Jetadhevepra), Tiranë,1979,faqe 25
[5]AfrimKaragjozi. “MitiShqiptarpër Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 19
[6] Po aty, faqe 15
[8] Mateo Mandala,StudimeFilologjikepërletërsinëromantikearbëreshe. Tiranë:2012, Naimi, fq 91
[10]Jani Vreto. Vepra të zgjedhura.Ligjëratë. Tiranë:1973. Shtëpia e Librit Politik, fq 150
[11]AfrimKaragjozi. “MitiShqiptarpër Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 13
[12]AfrimKaragjozi. “MitiShqiptarpër Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 34,36
[13] Shih përmëtepërmonografitë e ProfesorAfrimKaragjozit: “XhorxhBajroni “ 1987, 2009 dhe “MitiShqiptarpër Bajronin”.2002
[14] Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera, fq 178



No comments: