Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që
përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë
gjithnjë si një territor ku identetitet nacionale kanë qenë më të zbehta,
krahasuar me vetpërcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në
të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt
ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e
tjera[1],
sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të
shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, popullsia e këtyre anëve
e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit që synonte formimin e
identiteteve kombëtare përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart.
Zakonisht kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si vilajeti i Prishtinës, ku predominonte me pak përjashtime një lloj uniformiteti mysliman suni. Kjo gjë ndodh për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në Ish Jugosllavi si një tërësi gjeografike, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitesh fetare të ngjashme me vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashi në Tetovë dhe rrethinat e saj dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit të XIX dhe fillim të shekulit të XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjeteve, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi edhe pse panosmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.
Identiteti fetar ka luajtur një rol shumë
të madh në krijimin e identiteteve kombëtare në Ballkan përgjatë shekullit të
XIX. Ai së bashku me nacionalizmin është shfaqur si një nga farkëtuesit
kryesorë të identiteteve kombëtarë duke ndihmuar në këtë farë mënyre
drejtë për së drejti në formimin e shteteve kombëtarë. Ky kontribut i
përbashkët i tyre ka sjellë shpesh herë një konfuzion në rolin e tyre duke
identifikuar shpesh herë me njëri-tjetrin por dhe në disa raste duke bërë një
dallim të qartë midis tyre. Qasja metodologjike afron një mundësi më shumë për
të dalluar qartë midis tyre dhe rolin specifik që luajnë në krijimin e kombit.
Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi
marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si
alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.[2]
Pikëpamja e parë konsiston në
faktin sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një
rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të
gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e
Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë,[3]ndërsa
pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në
formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për
lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë
komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai
argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga
institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin
e grupeve patriotike në Evropë.[4]
Gjithsesi kjo gjë nuk mund të thuhet përsa
i përket krijimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët duke u
përkitur shpirtërisht tre feve të ndryshme nuk mund të krijonin një identitet
kombëtar të bazuar në këtë faktor. Situata fetare në Shqipëri në prag të
zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera
ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që analizojnë këta
autorë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga territoret e para të rajonit në të
cilin Kristianizmi ishte predikuar dhe përhapur por në të njëjtën kohë vendi
dhe territori ku influencat e Romës dhe Kostandinopojës si qendra perandorake
ishin përplasur, Shqipëria pak a shumë përfaqësonte këtë konflikt jo vetëm në
aspektin politik dhe kulturor por dhe në aspektin fetar. Si rrjedhojë, dy
dogmat kryesore të Kristianizmit, Ortodoksia dhe Katolicizmi praktikoheshin dhe
ishin besime fetare dominante por dhe në konflikt të hapur në Shqipëri përpara
pushtimit otoman në shekullin e XV.
Maqedonia ishte një nga rajonet e
para të Ballkanit që u islamizua dhe një rol kryesor në këtë proces luajti dhe
pozita shumë e favorshme gjeografike, të qenët në mes të rrugëve dhe luginave
që bënin të mundur depërtimin osman drejt Serbisë dhe Austrisë. Si është
pranuar gjerësisht, pas dështimit për të ngritur një flotë të fuqishme
krahasuar me fuqitë e tjera detare europoane, osmanët e përqëndruan strategjinë
e tyre në avancimin tokësor duke ngritur fushata të përvitshme dhe të
kushtueshme që drithëronin oborret mbretërore së Europës Qendrore. Duke iu
drejtuar në veçanti Islamit në qytetet maqedonase, John Thirkelli ka vënë në
dukje se gjatë shekujve XV-XVI, feja në Maqedoni, me qendrën e vet në Shkup( e
sidomos në një numër të caktuar qytetesh) përbënte një “marsh ushtarak”, nga i
cili nisi konvertimi i Serbisë bashkë me Bosnjën.[5] Gjithësesi
edhe pse në rastin e popullsisë shqiptare në Maqedoni niveli i islamizmit të
kësaj popullsie krahasuar me popullsitë e rajoneve të tjera shqiptare ishte më
i lartë , ashtu si kudo gjetkë në Ballkan nuk pati një uniformitet të
njëtrajshëm fetar. Një rast tipik interesant në këtë drejtim mbetet popullsia e
Rekës së Epërme, popullsi shqiptare që i përkiste besimit ortodoks dhe që
mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur në veri të Shqipërisë që arriti të
mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar por që edhe përmes një
përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri (1868-1915) u përfshi qoftë edhe
pjesërisht në lëvizjen kombëtare.
Po kështu edhe brenda popullsisë së
islamizuar shqiptare nuk kishte një uniformitet suni-që ishte dhe dogma fetare
zyrtare e Perendorisë, por kishte dhe një komunitet të fuqishëm bektashi të
përqendruar rreth Tetovës dhe që merrte pjesë në jetën politike të Maqedonisë
dhe të lidhjeve të saj me qendrën perandorake. Urdhri i dervishëve
bektashi ashtu si gjerësisht edhe në territore të tjera shqiptare predikonin
dhe praktikonin urdhrat e ceremonitë e shumta të lidhura me ta. Meqë
kishte mjaft ngjashmëri ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit, ata nuk kishin
ndonjë vështirësi të madhe që t’i përshtasnin zakonet vendore me urdhërat e
tyre.[6]Kjo
ndërmjetësi fetare e sektit Bektashi, shumë e veçantë në rastin shqiptar
krijonte premisa që identitetet fetare të mos ishin të njëtrajshme por të
përthyeshin dhe reflektonin dhe shqetësimet politike të kohës, në vitet e
lindjes së nacionalizmit në Ballkan. Periudha nga viti 1804 deri më 1878, në
gadishullin ballkanik është ajo e revoltave kombëtare dhe e formimit të
shteteve të reja. Gjatë këtyre viteve Greqia, Serbia dhe Rumania do të fitonin
pavarësinë, kurse Bullgaria do të bëhej autonome. Në këtë periudhë lind edhe
një lëvizje kombëtare Shqiptare. Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të
disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani,
por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm
mbi aktivitetet revolucionare: së pari, formulimi dhe dhe pranimi në
shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet
ekonomike në ndryshim; dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive
europiane dhe zanafilla e çështjes lindore[7].
Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX do të
ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore:
liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe
nacionalizmi. Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan,fillimisht nën një
zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe
nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një
ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon.
Veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen
fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i
dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët
dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe.[8] Po
kështu, elita kombëtare shqiptare nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike
që rrëmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme rizbuluan
figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kish zhvilluar një nga
epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në gadishullin
ballkanik. Përmes këtij procesi panshqiptar lëvizi edhe ideja kombëtare në
Maqedoni dhe në popullsinë shqiptare që përbënte një pjesë të konsiderueshme të
popullsisë së saj. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë
ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte
ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të
pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse
një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën
influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si
myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane
i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar
dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke
nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve
gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë
Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth
besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të
qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte
religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë,
myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e
Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur
bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo
katolikë.”[9]Ishte
kjo arsyeja që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identiteti fetar kish
luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues, ku nuk u arrit të avancohej apo
shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në
mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre
Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse
shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për
një kauzë të përbashkët.”[10].
Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se
Prizrenit por në vazhdimësi, për t'i quajtur të vetat interesat e perandorisë,
do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë.
Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine
të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve
Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë[11],
ishte i kundërt nga ai shqiptarëve myslimanë pasi në identitetin e tyre
kombëtar e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave
asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte
t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb.
Ashtu si sivëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me
asimilim nga ithtarët e Patriakanës s Stambollit që bënte përpjekje të
vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së
Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta
shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif
Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga
përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që
kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , mënjëherë
pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për
shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje
asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e
kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën
influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për
këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte
qendrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht
ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serb; as me bullgarë, po me fjesht
shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën
këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me
lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”.[12] Për
herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së
shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri
thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të
lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu
jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. [13]Gjithësesi
puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës
shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për
të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të
shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që
mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo
që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave
austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në
rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të
fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore,
statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte
një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një
shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.[14]
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej
dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në
Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra
të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të
popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra
kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e
Londrës-shënimi im) jo për karekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të
provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në
krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare
pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)[15]
Si dihet pas traktivave të shumta midis
Austro-Hungarisë dhe Rusisë për caktimine kufijve veriorë së Shqipërsië, qyteti
i Dibrës së Madhe dhe malsia e Rekës së Epërme mbeti brenda kufijve të Serbisë
pavarësisht faktit se popullsia shqiptare ishte më e madhe në numër dhe
predominonte gjithandej. Popullsia e Rekës së Epërme do të kishte fatin e
popullsive të tjera ortodokse shqiptare në Greqi, të cilave identiteti fetar do
tu merrej si faktor parësor për të përcaktuar dhe identitetin e tyre kombëtar.
Kështu, nëqoftëse shqiptarët myslimanë të Maqedonisë do të kishin mundësi që të
përdorinin gjuhën shqip në jetën e përditshme apo qoftë dhe të organizoheshin
politikisht në radhët e “Xhemietit” , duke shfrytëzuar identitetin fetar në
radhët e partisë islamike të themeluar në Maqedoni në dhjetor 1919, shqiptarët
e krishterë të Rekës së Epërme do i nënshtroheshin një presioni për asilim të
plotë dhe marrjen e identitetit sllav, përkundrejt atij shqiptar. Megjiatë
pavarësisht një presioni të tillë dhe asimilimi të dhunshëm që ushtroi shteti
serb pas përfshirjes së kësaj krahine brenda tij, identiteti i veçantë i
shqiptarëve të Rekës vazhdonte të ishte problem për shtetin serb deri në vitet
30’dhe të shfaqej si shqiptar. Sipas të dhënave burimore që na servirin
famullitarët e kishës katolike të Kosovës Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj
Gashi, në Promemorien që i kanë dërguar më 5 maj të vitit 1930, Sekretarit të
përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u
ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe ndaj ortodoksëve shqiptarë theksojnë:
“Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarë të besimit
ortodoksë me sllavët e të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë
qëndron në mbajtjen e kësulës në forma të ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe”,
ndërsa serbët “kaçketë”. Për të mënjanuar këtë diferencë të dukshme,
nënprefekti z. Sokolloviç ka nxjerrë një urdhëresë, me anën e së cilës ua
ndalon shqiptarëve të mbajnë çeçe.[16]Po
kështu në prememorie nënvizohej se ishte e ndaluar edhe mësimi i fesë në gjuhën
shqipe, duke përmendur faktin se shqiptarët ortodoksë të Rekës, që përbënin
shumicën dërrmuese të popullsisë së asaj krahine ishin të ndaluar të përdornin
gjuhën amtare në kisha.[17] Pra
si shikohet në kuadër të politikave unifikuese për të siguruar kompaktësi
etnike shteti serb nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë në
Maqedoni por edhe ndaj atyre të Rekës. Disa vite më vonë në një dokument të
hartuar më 5 shkurt të vitit 1944, nga konsulli i atëhershëm shqiptar në Shkup,
Hamit Kokalari dëshmohet ende prania e fortë shqiptare në këtë trevë. Ky
i fundit i dorëzoi qeverisë shqiptare një projekt, i cili konsistonte në
botimin e një Atlas-Albumi për Kosovën. Në të ai kishte përfshirë një sërë
hartash etnografike, fotografi të qyteteve e katundeve shqiptare të mbarë
krahinave, duke përfshirë edhe Rekën. Në projekt, diplomati shqiptar
theksonte: “Të mos mbeten mangut edhe zonat ku gjendet popullsi shqiptare
ortodokse si Reka e Gostivarit”. Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare dhe
veçanërisht në Rekën e Epërme, Kokalari rrëfen se: “Në shumë katunde që kam
vizituar pleqtë dhe plakat flisnin një shqipe të kulluar”. Gjithashtu konsulli
Hamit Kokalari tregon se shpesh ortodoksët shqiptarë i merrnin për serbë ose
për bullgarë, prandaj gjenden fare pak ortodoksë në skajet veriore (në Kosovë e
në Malin e Zi) si dhe në skajin lindor (në Maqedoninë Perëndimore).[18]
Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë
një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si
kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për
zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për
shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga
zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës
kombëtare. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, në një shtet multietnik
është bash një rast i mirë që identitete të fjetura(si ka qenë rasti i
shqiptarëvetë Rekës) apo intregaliste si ka qenë ai i shqiptarëve të islamizuar
të përbashkohen në një identitet kombëtar duke ndjekur prirjet e zgjimit të
tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe
jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema që nuk i qendrojnë kohës.
Bibliografi:
1- Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha
1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë
2- Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, Përpjekja
3- Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the
Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996
4- Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në
Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos
5- Ferdinanto
Salleo.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e
Librit dhe Komunikimit
6- John Thirkell.
Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans, bot. I
Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979)
7- Marenglen Verli.
Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë, 2014
8- Miroslav Hroch. The
nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner
and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
9- Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar.
Perpjekja:2009, Tiranë
10- Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë
në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë Dituria,2006
11- Qerim Lita. Disa burime arkivore për Rekën
e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela, Shqiptarët ortodoksë, pjesa e
ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar, Prishtinë 2013
12- Ruzhdi
Mata. Josif Bagëri, 8 nëntori, Tiranë 1983
13- Stavro Skendi. The Albanian National Awakening 1878-1912.
Princeton: Princeton University Press, 1967
14- Stavro Skendi . Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Phoenix , Tiranë:2000
[1] Shih për më tepër Nathalie Clayer. Ne fillimet e
Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë.
[2] Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë në
lëvizjen për pavarësi kombëtare. Tiranë : Dituria,2006, fq 18
[3] Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the
Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996, fq 36
[4] Miroslav
Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the
Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988,
fq 93
[5] John
Thirkell. Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans,
bot. I Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979), fq 23-24
[6] Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në
Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos, fq 29
[8] Stavro Skendi, The Albanian National Aëakening
1878-1912, Princeton: Princeton University Press, 1967,469
[9] Salleo,F.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë:
Shtëpia e Librit dhe Komunikimit.,faqe 22
[15] Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të
Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë, fq 196-197
[16] -Qerim
Lita. Disa burime arkivore për Rekën e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela,
Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar,
Prishtinë 2013, faqe 66.
[17] Marenglen
Verli. Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë,
2014, fq 316
[18] -A.Q.SH,
Fondi 66, Viti 1944, Dosja 10, faqe 2; Program punimi për përgatitjen e një
Atlas-Albumi mbi Kosovën, Tiranë, më 5 shkurt 1944 cituar sipas Qerim Lita.
“Disa burime arkivore për Rekën e Epërme” në Sabri Maxhuni-Novosela,
“Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar”,
Prishtinë 2013, faqe 64.
Suplementi Rilindësi, fq 20-21, 26.04.2015
No comments:
Post a Comment