Monday, 13 April 2015

Marrëdheniet serbo-shqiptare dhe shqetësimi europian.


Lajmi  i përcjellë nga disa të përditshme shqiptare se opinion serb është në ankth nga takimi midis dy qeverive shqiptare i ndërmarrë në Tiranë, nuk është një lajm i ri. Në fakt opinion publik serb i përfaqësuar nga gjithfarë figurash qofshin intelektualë që kanë hartuar projekte shfarosje dhe dëbimi për shqiptarët si rasti i Vasa Çubroloviq dhe Ivo Andriç apo dhe të moderuar nëse ka pasur ndonjëherë të tillë që e kanë merituar të emërtohen me këtë term, egzistencën e një Shqipërie që interesohet dhe pyet për fatin e bashkëkombasve të vet në Kosovë e kanë përjetuar si një makth shpirtëror dhe në gjuhën diplomatike e kanë pagëzuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.

Në përgjithësi, historia e  deri më tanishme e  qasjes shqiptare , e Shqipërisë zyrtare përmes qeverisë së vet ka qenë deri diku amatore, pa bosht të drejtë orientimi dhe me doza të theksuar folklorizmi, çka në fakt më tepër se mund t’i ketë shqetsur nacionalistët serbë i ka bërë të vënë buzën në gaz.  Mirëpo takimet e përbashkëta midis dy qeverive, i pari në Prizren në qytetin me simbolikë të veçantë për gjithë shqiptarët dhe i dyti në Tiranë, kanë hedhur themelet jo vetëm për një bashkëpunim të ngushtë përmes fjalëve që i merr era, si ka ndodhur për më tepër se 16 vjet qysh kur Kosova filloi të shijonte frutet e lirisë, por për një bashkëpunim konkret në të gjitha fushat përmes marrëveshjeve të nënshkruara. Ndryshimi i vizionit dhe fillimi i një politike moderne ndaj të drejtave të shqiptarëve në rajon,  duke lënë pas retorikat boshe nacionaliste dhe duke ridimensionuar të gjitha potencialet e bashkëpunimit ndër shqiptarë ka hapur rrugën për një afrim gjithnjë e më të madh mes dy shteteve shqiptare. Ndjekja e modelit europian, ku pikësëpari synohet një ekonomi e fortë e përbashkët ku njëra të plotësojë tjetrën dhe anasjelltas, hedh themelet për një premisë shpresëdhënse për  krijimin e një zone albanosfere në ekonomi që do të bëjë të mundur që faktori shqiptar të mos jetë i përçarë nën ombredhën e sferave të tjera ekonomike, por edhe të ketë mundësinë që të shpalos dimensionet e tij në të gjitha fushat e tjera, si arsim, kulturë , energjitikë, bujqësi etj.
Ky proces , është krejtësisht i natyrshëm dhe nuk ka se paragjykohet për sa kohë është një projekt europian dhe vjen si premisë e një bashkëpunimi rajonal. Ndjeshmëritë e Shqipërisë si shtet përkundrejt bashkëkombasve të vet për të realizuar lëvizjen e lirë të shtetasve të Republikës së Kosovës në Europë, mbrojtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar në Mal të Zi apo zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, duhen parë si lëvizje emancipuese brenda një kuadri europian, ashtu si kanë qenë të kuptueshme dhe vazhdojnë të jenë,  interesimet e Greqisë për Qipron, apo të Hungarisë për të drejtat e hungarezve në Rumani e gjithandej ku harta politike e shteve europianë nuk korrospondon me atë të kombeve. Patriotizmi shqiptar i elitës andej dhe këndej kufijve nuk ka pse matet vetëm me mirëqeverisje, luftë kundër korrupsionit dhe administrim territori por edhe me bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik që eliminon praktikat korruptive për tregtinë midis dy vendeve, kulturë të përbashkët pa kufij që rrëzon muret e vjetra të ndërtuar mes vedi, administrim të përbashkët të baseneve ujore të Drinit dhe bashkëpunim të përbashkët në energji për të shmangur krizat ekonomike që i qendrojnë si shpatë e Domekleut mbi kokë demokracisë. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm që për ta shekulli i XXI, shekulli ku liria dhe të drejtat e njeriut janë kthyer tashmë në një vlerë universale dhe standarte të vlerësimit të demokracisë, është shekulli i shumëpritur për të shijuar lirinë e mohuar të shekullit të XX të mbisunduar nga nacionalizmi etnik, ideologjitë ekstreme dhe Lufta e Ftohtë. Për këtë arsye ata duhet të kontribuojnë po aq sa dhe të tjerët për ndërtimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan, duke e parë të shkuarën si një reflektim historik për të nxjerrë mësime dhe jo si një instrument të pavlerë që i nështrohet vetëm stendës së muzeve.

Orientimi pro evropian i Shqipërisë prej më shumë se dy dekadash ka bërë të mundur dhe përqafimin e vlerave evropiane dhe shumë shembuj konkretë janë dhënë në këtë drejtim. Po Serbia? A ka shpëtuar nga e kaluara e vet? Hijet e Milosheviçit dhe gjithë platformave që i vunë zjarrin Ballkanit vazhdojnë të enden si fantazma në tragjeditë njerzore në rajon. Ato dalin shpesh herë kërcënueshëm në koalicione qeveritare dhe qendrime regresive të qeverisë serbe që më tepër sesa dëshmojnë një politikë të pavarur , janë shprehje të tumorit politik nacionalist prej të cilit Serbia ende nuk është kuruar. Këto fakte, nuk duhen harruar dhe në emër të ndërtimit të një paqeje afatgjatë në Ballkan të mos vazhdohet të tolerohen si diçka e mirëqena dhe tipare të  pranueshme të shoqërisë serbe,  por të kritikohen pothuajse njëlloj si kritikohet çdo deklaratë shqiptare që konsiderohet nga Bashkimi Evropian se tejkalojnë pritshmëritë dhe bien në sferën e nacionalizmit të mirrëfilltë etnik.

Gazeta Shqip. 13.04.2015. fq 9




No comments: