Saturday, 18 April 2015

Mesdheu- Gramatika e qytetërimeve



Nuk është se konstatoj ndonjë gjë të re apo bëj ndonjë zbulim nëse theksoj faktin se qendra e qytetërimeve dhe gramatika e tyre është bota mesdhetare. Qytetërimet e Egjiptit të Lashtë, Helenik , Romak, Ilirik dhe Trak kanë formësuar themelet e qytërimeve tona të mëvonshme duke krijuar në këtë mënyrë dhe një lidhje organike midis së shkuarës dhe së sotmes aq sa dhe në teoritë e konsolidimit të Bashkimit Evropian përmenden rrënjët dhe vlerat  të qytetërimit antik greko-romak si vlera të përbashkëta në themel të Evropës së bashkuar.
 Në këtë kontekst ka nevojë që të ketë dhe një rishtjellim të së shkuarës sonë të largët pasi popullsia dhe territoret iliro-arbërore nuk kanë qenë thjesht spektatorë të kësaj trashëgimie kulturore të admirueshme por shpesh herë edhe aktorë dhe faktorë përcaktues në të. Mendohet gjithnjë në mënyrë të gabuar se territoret mesdhetare shqiptare janë të vlefshme vetëm për historinë antike të rajonit si shesh betejash të luftërave civile romake apo dhe si një zgjatim i kulturës romake në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa për vëzhguesit e dhe studiuesit është mëse e qartë që territoret mesdhetare shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të madh edhe në mesjetën e hershme që krijon bazat e qytetërimit evropian. Le ta ilustrojmë përmes një shembulli që është i njohur prej kohësh për qarqet e ngushta akademike dhe studiuesve por që ka nevojë të ritheksohet e të trajtohet për tu bërë pjesë e vetdijes së opinionit publik. Territoret  shqiptare me Durrësin si një kryeqendër e botës mesdhetare, kaq i famshëm deri në mesjetën e vonshme ku bie në duart e osmanëve është vendi ku zhvillohen ngjarjet e një romani kalorsiak të shekullit të XII, të shkruar në frëngjisht e të quajtur “Romani i Florimontit”. Është paksa enigmatik fakti se përse Turoldus ( autori i romanit) që nga Franca e largët zgjodhi Durrësin si objekt kryesor të rrëfimit të tij, por besoj se më i rëndësishëm është fakti që e planetizon rëndësinë e qytetit pasi e vë në kryeqëndër të veprimit të heroit kryesor, Florimontit. Në roman Florimonti lëviz në të gjitha kryeqendrat e qytërimit mesdhetar dhe Durrësi shfaqet gjithandej si qyteti i tij, i cili mesa duket është pjesë e rëndësishme e materies dhe shpirtit të qytetërimit evropian. Në këtë mënyrë nuk është e rastësishme që ky qytet dhe territoret mesdhetare shqiptare shfaqen gjithandej nëpër letërsinë, historinë e gjeografinë shpirtërore të Evropës, ndaj Shqipëria pasaportën europiane e ka që në gjenezë të saj 


No comments: