Shqipëria
edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane duke
pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të
ngadaltë por dhe një komplisitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj. Së
pari , komiteti katolik shqiptar edhe pse më i persekutuari në vend si rezultat
i luftërave të vazhdueshme Veneto-Turke apo dhe Austro-Turke kish sendërtuar
një paradigmë krejtësisht evropiane përsa i përket botimeve të vet qenë
shumicën ishin në latinisht por që nga shekulli XV i gjejmë dhe në shqip duke
kontribuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturë kombëtare. Në të gjitha këto
vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit ka një rikujtim të Motit të Madh
të Skënderbeut dhe të shpresë për një aleancë evropiane për të larguar otomanët
nga Ballkani.
Islamizimi
i popullsisë, solli një traumë të madhe shpirtërore pasi dhe një pjesë e madhe
e popullsisë filloi të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku
në mes të tjerave shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të
ndryshëm islamë. Në këtë kohë në këtë pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim
të idesë së Evropës pasi shpesh herë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët,
trupat shqiptare merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione
pozitive nga to. Pjesa tjetër ortodokse e popullsisë ashtu si dhe në rastin
rumun dhe bullgar u influencua nga elitat greke por dhe kontribuoi në
Iluminizmin grek nëpërmjet Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve
ortodoksë. Emrat e Kavaliotit, Daniel Moskopolit shënjuan jo vetëm kulturën
regjionale të Voskopojës por dhe atë greke pasi u shkruan në atë gjuhë.
Gjithsesi duhet theksuar se
përdorimi i gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo
shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve
ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë
e Ballkanit .
Kjo
situatë do të ndryshonte disa vite më vonë ku ashtu si dhe në Evropë
etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në
rrugën e krijimit të shteteve të tyre por trashëgimia dhe influenca e kësaj
kulture ekumeniste të rajonit do jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare
por dhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin e
XIX. Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj Naum Veqilharxhi do të vijë
dhe artikulimi i idesë së tij në “Letrës Enciklike Për Të Gjithë Të Pasurit
E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë”, ku ai do tu kërkojë shqiptarëve që të
hyjnë në “në radhën e kombeve të qytetëruara” duke nënkuptuar Evropën. Por
suksesi më i madh i idesë evropiane mes shqiptarëve do të jetë përqafimi i saj
nga komunitetit mysliman shqiptar çka përbën një rast unikal në dallim nga
komunitetit e tjera myslimane në Ballkan. Edhe pse kjo ide mund të gjendet e
vagullt në projektin konstitucional të federatës Panilirike që Karamahmud Pashë
Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të përbashkët mes
shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve ortodoksë apo dhe në
dëshirën e në fund të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës që i kërkoi Meternikut,
kancelarit të Austrisë një kushtetutë të shkruar, gjithsesi duhet pranuar fakti
se pas reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare për shqiptarët
kjo ide fillon të dallohet më tepër. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri,
Hasan Tahsini, Isamil Qemali etj të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre
por dhe në vetë Perandorinë Otomane për të artikuluar këtë ide.
Ideja për Evropën ashtu si dhe në vendet e
tjera ballkanike do të eci paralelisht me zgjimin kombëtar ku arsimimi në
gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së Skënderbeut do të përbëjnë dy nga
shtyllat e këtij zgjimi. Pranimi i Skënderbeut si hero kombëtar të tyre do të
ishte një nga hapat e para të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje pasi
princi tyre mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve anti-osmane për të
shpëtuar Evropën. “Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të
shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për
Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, sidomos asaj franceze që
kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e tyre. Do të ishte Ky adhurim i
elitë shqiptare ndaj idesë evropiane që do ti bënte ata që të gjithë në
kuvendin e Vlorës të këmbëngulnin për një princ evropian për të ardhur në krye
të vendit dhe që do ta detyronte Sër Edëard Grey, sekretarin e jashtëm britanik
të asaj kohe që të shkruante në ditarin e tij në 1913 se edhe pse “Shqipëria
dhe popullata në numër më të madh i përket besimit Islam, e gjithë elita e tyre
pa përjashtim është pro evropiane”. Kjo qasje drejt Europës do të përcillej
gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsië derisa me konsilidimin e
shtetit shqiptar do të bëhej ligjërim dominant i ligjërimit publik shqiptar.
Gazeta Shqip, 26.09.2014, faqe 9
No comments:
Post a Comment